E enjte, 18.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Isa Halilaj: Qëndresë kundër masakrave serbe

E enjte, 07.11.2013, 08:39 PM


100-vjet më parë:

TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE

Nga: Isa Halilaj -  studiues,“Mësues i merituar”

1.

Në dhjetëvjeçarin e dytë, të shekullit XX, ndodhën ndryshime të mëdha në hartën e Ballkanit, kur Lufta e Parë Ballkanike (1912), ndonëse Shqipëria ishte shpallur e pavarur, coptoi me miratim të Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare. Serbisë iu dhanë 19.000 km2, Malit të Zi një territor aq sa ishte vetë shteti malazez. Por edhe Bullgarisë e Greqisë iu dhanë pjesë nga trojet shqiptare, me  Çamërinë në krye.

Kjo ndarje grabitqare pushtuese e trojeve shqiptare, pushtimi ushtarak serb deri në Adriatik e Vjosë dhe mbajtja, pas vendimeve të Londrës, të rajonit  strategjik prej serbëve, ku përfshihej Luma, Dibra, Malësi e Gjakovës (Tropoja) dhe deri në thellësi, si dhe masakrimet e vuajtjet,  që u shkaktuan banorëve të këtyre anëve, ishin të papranueshme. Pikërisht për këtë, plasi kryengritja e përgjithshme shqiptare e shtatorit 1913. Në  të u përfshinë gjerësisht: Dibra, Tetova, Kumanova, Luma, Opoja dhe Malësia e Gjakovës, që i sollën humbje të mëdha ushtrisë serbe, në të vrarë e territor.1)

Në këto luftime u përfshinë edhe Luma, veçanërisht Kalaja e Dodës, Topojani, Gora dhe Opoja, të ndihmuar edhe nga Rrafsha e Lumës, Tërthorja dhe Përdrinja e Hasi me Malësi  të Gjakovës. Atyre u prinin trimat e njohur: Qazim Lika, Ahmet Iljazi, Nail Dani, Ramadan Zaskoci, Miftar Sul Kurpali e Bajram Daklani, gjithnjë sipas drejtimit nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, me Bajram Currin.

Kjo kryengritje tronditi rëndë Serbinë e Nikolla Pashiqit, e cila e nxitur dhe e ndihmuar nga Rusia, që akuzonte direkt  Austro-Hungarinë dhe Bullgarinë, u përgatit seriozisht për ta shtypur me hekur dhe zjarr qëndresën shqiptare. Pasi mobilizoi 110.000 trupa, në një vijë frontale prej 100 km, sulmoi rrufeshëm në drejtimin: Kumanovë- Strugë- Pogradec; Dibër- Peshkopi- Lumë dhe Gjakovë-Has, me armatimin modern të kohës si dhe me artileri e armë mitralimi, kundër një popullsie të pa armatosur dhe që ende lëngonte nga masakrimet e 1912-tës. Një armatë e tërë 2) ushtroi dhunë e terror të paparë në territorin shqiptar, Strugë- Tetovë  (Maqedoninë Perëndimore), ku u shkatërruan tërësisht 180 fshatra dhe me këto përmasa u goditën edhe Luma, Opoja e Vrrini dhe Malësia e Gjakovës.

2.

Në këtë shkrim do përqëndrohemi, këtë radhë, vetëm në përshkrimin e masakrave serbe, në zonën e Topojanit të Lumës. Ajo është një krahinë e njohur, si një nga shtatë bajrakët e saj, me vitalitetin e një populli të vyrtytshëm, punëtor e liridashës, besnik  i idealeve kombëtare. Shtrihet nga Gryka e Vanave e në Kallabak, nga Teja e Bicaj, te mali i Borjes dhe ka fshatrat: Topojan, Brekij, Xhaferaj, Turaj, Shtrezë, Novosej, Kollovoz, Nimçe, Lojme e Bele. Qendra është Topojani.

Banorët e kësaj krahine, të njohur si “balli i përgjakur i Lumës”, për heroizmin dhe sakrificat e mëdha për liri e pavarësi, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me gjakun e derdhur për trojet shqiptare, nga Prekupia e deri në Nish, Kacanik e Duhle, në Pikllimë e Glloboçicë. Për këtë gjë,  flet vetë historia, flasin pirgjet e varret e të rënëve, jehojnë këngët e trimave të rënë në beteja3).

Topojanësit, ndonëse nga gjiri i tyre nxorrën figura të shquara, si Sinan Pashën, disa herë sadriazem i Perandorisë Osamne e pashallarët e tjerë, iu përgjigjën Rilindjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për në luftën kundër sundimit otoman. U përfshinë besnikërisht në kryëngritjet shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri në shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912. E njohur është pjesëmarria e tyre në betejat kundër osmanëve në Kaçanik e Shtimje, në Duhle e Qaf-Zhuri, në Vrri e Lumë, me prijës Ahmet Iljaz Qehajën, Abdyl Myrtën, Jemin Alinë, Bilal e Islam Bashën e tjerë.

Por trimëria, heroizmi dhe sakrifica sublime e topojanasve ,në luftën për trojet dhe lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, kundër shovinizmit pushtues barbar serbo-sllav, ka njohur permasat e nje atdhetarizmi të pa shoq.  Ata u treguan atdhetarë, që u dhimbsej çdo pëllëmbë e tokës amtare. Ndaj ata, kur e panë se Porta e Lartë Osmane i bëri plaçkë tregu trojet shqiptare, me dobësimin e saj dhe ngjalljen e shtetit serb, u ngritën si trup i vetëm në luftë kundër  sulmit të ri pushtues dhe barbar sallavo-serb, që solli Lufta Ballkanike e viteve 1912 e 1913.

Në përbërje të 3000 lumjanëve dhe kosovarëve, gjatë viteve 1912-1913, topojanasit  luftuan me vetëmohim kundër ushtrisë serbe, në Shtimje – Caralevë dhe Duhle, të prirë nga trimat Ahmet Iljaz Qehja, Zaim Hamza dhe Abdyl  Mirtja. Në fushën e betejës mbetën të vrarë 9 dëshmorë: Zaim Hamza, Mustaf Bilali, Hamdi Aqifi, Halil Xhezahiri, Muharrem Allaraj, Dilë kamberi, Feriz Ahmeti, Mustaf Tahiri, Sadik Dautllari. Aty mbetën edhe katër dëshmorë nga Novosej: Xhelil Xheza , Kurtish Parllaku, Sulejman Beqa e Mehdi Noka.4)

Para kryengritjes së shtatorit  1913, topojanasit u pozicionuan në Lak të Gllopoçicës, duke u shkaktuar  serbëve shume të vrarë e të plagosur.  Po aty, duke luftuar deri trup me trup kundër mitralierëve serbë, ranë dëshmorë edhe 9 djem të tjerë nga Topojani e Brekija dhe aty i kanë varret: Arif Muharremi, Baftjar Tahiraj, Esat Allaraj, Farruk Islamaj, Shaqir Islamaj, Ibrahim Allaraj, Miftar Tahiraj, Qazim Allaraj e Bajram Hafuzi.

Në vazhdim të qëndresës burrërore, gjatë shtatorit e në fillim të tetorit 1913, pak para masakrës së Topojanit, kryengritësit e Topojanit, Opojës dhe Gorës, luftuan kundër reparteve serbe në Vranisht e Rapçe, rreth Pikllimës, të drejtuar nga Kadri Shahini, Qazim Lika e Nail Hysen Dani.5)  Në këto luftime janë vrarë 20 djem nga Topoja: Kadri Shahini, Mustaf Çuni, Bajram Maliqi, Hafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali  Karanxha,  si dhe nga Gora : Qerim Krasniqi, Murat Murati, Daljan Basha e Vehib Beqiri. Pati dhe shumë të plagosur e nga serbët mbetën mbi 30 të vrarë e të plagosur.6)

Forcat e mëdha e të freskëta të ushtrisë sërbe, duke përdorur zjarr e mitralime, armë që shqiptarët nuk i kishin, më në fund, bënë të mundur që ta thyenin kryengritjen e shtatorit 1913. Ushtria e ardhur nga Dragashi, pasi dogji e shkatërroi veçanërisht Opojën, mbuloi fshatrat e Topojanit me një terror e masakrim të padëgjuar. Në Novosej therën dhe hodhën në zjarr nënën e Islam Bashës, me femijët dhe një kunatë të saj.7) Pra, u  zhvillua një luftë hakmarrëse e pashembullt. Ekspeditat ndëshkimore armike mbuluan si korbat e zinj gjithë territorin, pa lënë asnjë mundësi organizimi dhe qëndrese popullore. Në befasi, dogjën shtëpitë e lidhën të gjithë burrat e djemtë dhe pushkatuan mbi 620 veta. Nga ata, në Topojan, në vendin e quajtur Rajme, u vrane njëherësh 400 veta, të gjithë burrat e fshatit, në 2 deri 8 frymë për familje, në mes të të cilëve 38 familje u shuan plotësisht. Në Brekij, aty në Huca, ku janë varret, po edhe te Proska e Lecës, te arat e Xhelilit në Lama e në Kingel të Dinës, janë vrarë e therur gjithësej mbi 120 veta. Ndërsa në Xhaferaj u vranë 40 burra dhe të gjitha shtëpitë u dogjën. Novosejasit ndihmuan në varrimin e të vrarëve dhe morën jetimët në familjet e tyre.

Masakrime barbare u bënë edhe në Nimçë. Aty, te Shpella e Ibrës, janë varrosur mbi 50 veta nimçianë, të fiseve  Hoda, Koboçi e me pak Toshi. Në Lojme, te vendi, që mori emrin Shtegu i Shehitëve, afer hidrocentraleve të rinj, janë masakruar 95 veta, pa kursyer gratë e fëmijët, fisit Krasniqi, Meqi e Veizi. U eliminuan familjarisht Mahmut Selmani e Rushit Rexhepi.  Nazif Manit ia vunë kokën e prerë mbi një hu, në mes të fshatit; masakruan Hate Shaqirin, familjarisht; ndërsa Zyme Bislimin e therën, duke i nxjerrë fëmijën e palindur. Uvranë, në përleshje me serbët, Miftar Qerimi, Hashim Veizi dhe Istref Saiti, në Lojme e Ramadan Alija, në Brekijë.

E njëjta situatë, para dhe pas kryengritjes së shtatorit 1913, ndodhi në Opojë dhe Gorë.Restelicë u masakruan 9 krerë popullorë, në Brod 5 krerë popullorë, ndërsa në Gllopoçice myftiu i Gores dhe Opojës, kurse në Brrut të Opojës u pushkatuan 42 burra dhe u varrosën te Lugu i Brijës; 22 në Bresanë dhe 20 në Bellograd. Djegie e masakra u bënë edhe në Bresnë, Pllavë e Zgatar.

3.

Për Fshatrat e Topojanit, studiuesi Naim Manaj, në kontakt me dëshmitarë  okularë  të ngjarjeve, ka arritur të  evidentojë  një  pjesë të të masakruarëve me emra, në librin e tij, “Jehona e Topojanit”8).   Aty jep listën jo të plotë të personave e familjeve te masakruara të kësaj zone dhe konkretisht: Në Topojan 38 familje, në Brekijë, 72 veta , në Xhaferraj 33, në Lojme 50 familje me 91 veta, në Nimçë 29 të pushkatuar dhe hulumtimi i emrave vazhdon. Veç këtyre, autori jep edhe listën emërore të dëshmoreve të Topojanit, me 30 veta të shpallur, po mund të ketë dhe të tjerë.

Gjithë ky gjak i derdhur pa kursim, për “hatër te vatanit”, dokumentohet me varret, kujtimet e pasardhësve dhe këngët e trimave. Është i dokumentuar e argumentuar në kancelaritë dhe shtypin e kohës, në Ballkan, Europë dhe Amerikë. Revista “Spektër”( nr.89/2000)  citon gazetën gjermane Frankfurt Zeitung”,  për masakrën në Lumë.9)  E njëjta revistë citon librin “Akuzë, që Ulërin”, të shkrimtarit hebre, Leon Freundlih. Ai ka protestuar për zhdukjen masive të shqiptarëve nga serbët, në ato vite. 10)   Jehona e e këtyre ngjarjeve ka gjetur pasqyrim te gazetat “Përlindja e Shqipërisë” (janar, 1914), “Liri e Shqipnisë” e “Corriera  Dela Sera”, me shkrimet e Sotir Kolesë. Ai jep maskarat e 27 fshatrave të Lumës, ku peshën më të madhe e mbajnë Topojani dhe Përbregu. Po këto masakra çnjerëzore përshkruhen, me mënyrën e tyre, edhe te gazetat “Radniqke Novine” dhe “Politika”  të Beogradit (1913), “Obzor” e Zagrebit, “Rruga Jonë” e Francës, “Sharri” i Opojës etj.

Kjo jehonë, për masakrat serbe në Topojan, ka gjetur pasqyrim me argumente në veprat e studiueseve tanë të mirëfilltë, si: Thoma Murzaku, Xheladin Shala, Shefqet Hoxha , Shaban Braha, Tahir Kolgjini, Qemal Mataj, Xhafer Kovaci, Naim Manaj, Vangje Kasapi, Akif Bajrami, Ramiz Fiqori, Muhamet Pirraku etj.

Për jehonën e këtyre ngajrjeve historike edhe vetë topojanasit e zona në fjalë kanë punuar e mund të kishin punuar më shumë, për ruajtjen e këtyre vlerave e transmetimikn e tyre te brezi i ri. Por rastet pozitive të kësaj përkujdesjeje, nuk kanë munguar, si nga veteranët Xhemali Izet Miftaraj e Hazir Sinan Aliaj, për varrezat dhe Naim Manaj, Agim Dafku, Avdi Noka etj., me shkrimet e tyre.

Domethënëse është se, në Lapidarin- Flamur, në qendër te Topojanit, shkruhet: “Me 15-20 tetor 1913, u masakruan barbarisht 620 djem të fshatrave Topojan, Brekijë e Xhaferaj, të cilët luftuan për mbrojtjen e Atdheut, kundër shovinistëve serbë”.  Pra, këto burime e monumente duhen ruajtur si vetë historia dhe jeta e popullit tonë, pa të cilën nuk mund të sigurohet  ardhja e brezave të rinj.

Literatura:

1.       “The Voice of truth” June/Deci 2005. Shpalime historike: Kryengritja Shqiptare e vjeshtës së vitit 1913, nga Sheradin Berisha.

2.      D.Tucoviq, te “Serbia dhe Shqipëria”, thekson: Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizojëj përsëri afër tre divizione, është një shembull klasik, që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale.

3.      Sh. Braha: “Beteja e Drinit kundër agresionit serb”, Prizren, 2000.

4.      N. Manaj: “Jehona e Topojanit”, 2003,  fq. 46-52.

5.      Sh. Hoxha: “Luma në luftë për Liri”, Tiranë,2000, fq.16, 171.

6.      N. Manaj: Vepra e cituar, fq.80.

7.      Po aty, fq. 91.

8.      N. Manaj: Vepra e cituar,  fq. 95-112.

9.      Revista “Spekter” Nr.85 (2000), fq. 13, citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung” për masakrënnë Lumë:”....fëmijët u dogjën në kashtë, në sy të prindërve dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh e me bajoneta”.

10.  Sipas “Spektër”(fq.11), citohet libri “Akuzë, që ulërin” i Leon Freudlih, hebre, i cili shkruan: “Ushtria dhe bandat çernike serbe bënë barbarizma, që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur, të therur... Me qindra fshatra dhe qytete, të djegurae të rrafshuara për tokë!”

Tiranë, tetor 2013



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora