E premte, 19.04.2024, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Sokrat Habilaj: Atdheu s'ju do vetëm nën dhe!

E enjte, 07.11.2013, 08:24 PM


SOKRAT HABILAJ

 

ATDHEU S'JU DO VETËM NËN DHE!

-Cikel poetik-

 

TEK KALAJA E VASILIQISË

 

Ti vrapon e lagur nga uji, gjysmë lakuriq,

Nëpër shkallët e kalasë që zbresin në det.

Dhe çuçurit gurgullueshëm, në ke frikë,

Ndërtomë një kështjellë të ndihesh i qetë.

 

Me dyer e dritare mbyllur me kapakë,

Ku vetëm ti të më trokasësh e hysh atje,

Mos u tall! Po pashai ishte shumë plak,

Ndërsa princesha Vasiliqi tepër e re!

 

Pashait, shpesh koka e tij s'i hynte në punë,

Veç nga hiret e Vasiliqisë kishn drojtje.

Mos qesh! Në një pikë ndjehem me trim unë,

Sepse nuk kam frikë nga bukuria jote!

 

Pashait, s'i trokiste njeri lehtë në kala,

Ndërsa zëmrën e hapi krejt para princeshës.

Dinak siç ish, pendohej që portathapur la,

Dhe ëndërronte të mbante fshehur një çelës.

 

Muret e rrënuara të moshës, natyrisht,

S'mund ta mbanin brenda atë nur e bukuri.

Dhe ndërtoi në breg një kala të brishtë,

Vetëm për princeshën e ëmbël Vasiliqi.

 

Kur ai të harrohej në luftëra e bëma,

Me halle të tjera mos ta lodhte kokën,

Veç ai ta mbante, për atë që ish' brenda,

Çelësin sekret që do të hapte portën.

 

Dallga gjithë trupin ty ta ledhaton e puth,

Si të dojë të tallet me guximin tim të brishtë.

Mbase pati të drejtë pashai i urtë,

Unë nis ngre mure në shpirt, si rastësisht...

 

Ti më mërmëritë brenda buzëve të mia:

-Ndërtomë një kala si kjo nëse ke merak!

E dashur, ish’ e re si ti Vasiliqia,

Po unë s'i ngjaj pashait Ali, s'jam plak!

 

 

PROZAIKE

 

Të lodha shumë, (Si në çdo dashuri),

Me fjalë që veçse për ty ? kam shpik’.

Se desha të isha zjarr. (Si në rini).

Dhe të mos dukesha aspak prozaik.

 

Po kur shoh sytë e tu në heshtje,

Ashtu të bukur, si sytë e drerit.

Harroj fjalët e pëshpërit me vete,

Krejt prozaikisht:- Faleminderit!

 

 

TI JE KAQ E MIRË

 

Ti je kaq e mirë, sa ndihem me faj,

Madje nuk dua të më lexosh tani.

Çmendurisht më vjen të qesh, a qaj,

Druhem se s’të fala, shumë dashuri.

 

Druhem se tjetër gjë jep e tjetër merr,

Kur pafund dhuron gjithçka, në heshtje.

Druhem se ndërsa, ndriçon për të tjerë,

Ti ndoshta harron të bësh dritë për vete.

 

 

NË KËTË QYTET

 

Mbi krye një re, derdhë pika të trishta,

Anash mure betoni e fjalësh ngritur.

Ne zvarritemi si kulpër në rrugica,

Me përtypje germash e kafe të hidhur.

 

Dhe nuk e kuptojmë si endemi kuturu

A si na mbyllen gjithë shtigjet ca nga ca.

Dreqi ta hajë, kaq herët të presim kështu,

Të vijnë e të na nxjerrin pastaj në krah...!

 

 

KY ËSHTË IM BIR

 

Biri im është, unë me emër tjetër,

Ai që qeshë e qanë vet i dytë.

Ai që dhe në faj, shton gaz më tepër,

Më ofron veshin, unë i puth sytë.

 

Ai që më lodhë si s’më lodhë njeri,

I gjendur keq, pëshpëritë me lutje.

Mbështetur tek unë, më ngjishet në gji,

Që të çlodhem unë, me të mbi supe.

 

Ai që më puthë thinjat mbi flokë,

Kur m’i numëron sa hynë tek dera.

Ai që thotë: - M’i jep t’i ndajmë tok!

Në çast pa dashje, më shton ca të tjera.

 

Ai që më rend, si fëmijë ndër mote,

E vjen ta hedh lart, si dikur me duar.

Ai që nga mua nuk ka më ndrojtje,

Kur shoh tek qafa një puthje harruar.

 

Ai që zhurmon kur hynë, apo del,

E nisë krenohet: -Po rritet djali!

Mbi nervat e mia bërë kaçurrel,

Shpesh e zë gjumi, sa më mund malli.

 

Ai që bezdiset, kur i flas jo pak,

Ndërsa thotë:-Ika udhëve të mëdha!

Dhe kur nuk më sheh, ndihet në merak,

Më drithëron zilen, e thërret: - O ba...!

 

 

ATDHEU S'JU DO VETËM NËN DHE!

 

Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,

Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!

Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,

Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!

 

Kujt ia latë Atdheun, mallin e vjetër,

Kur thoni:-Ikëm, ikëm! Aty jeni ju!

Po Atdheu nuk ka as dhe një tepër,

Të vdekur a të gjallë të enden kuturu!

 

Kujt ia latë Atdheun, ashtu të vetmuar,

Dhe lotoni:-Atje të prehemi për jetë!

Po Atdheu s'është varrezë e harruar,

Me gurë të bardhë, pllajës së zbehtë!

 

Kujt ia latë Atdheun, ju që thoni nga larg:

-Na ruani një shtrat, a varrin e heshtur!

Po Atdheu juaj, e mira ju marrtë,

Nuk pretë t'u mbajë vetëm të vdekur!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora