E premte, 29.03.2024, 05:26 AM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Koketat pushtojnë zyrat e shtetit

E enjte, 07.11.2013, 08:04 PM


Koketat pushtojnë zyrat e shtetit

ose

Koketa në zyrat e shtetit

Nga Vangjush Saro

Krijimi i ekipeve që të punojnë më shumë dhe të pispillosen më pak, duket ende nuk është ndonjë shqetësim i madh për administratën e re. Ndërkohë që vendi përjeton një gjendje ekonomike të vështirë dhe një situatë politike pa shumë dritë - për shkak të mosbesimit të thellë mes pozitës dhe opozitës - e ndërsa qytetarët shqiptarë presin ndryshime dhe zhvillime gjithnjë e më pranë projekteve të premtuara, problemi i punësimit sipas parimeve demokratike, mbetet gjithaq i vështirë dhe, në një kuptim, edhe konfliktual. Ai i rekrutimit të nëpunësve, edhe më shumë. I femrave nëpunëse po ashtu. Po përpiqem të shpjegohem më poshtë ç’m’u desh në këtë temë...

Nuk është e vështirë të vësh re që në një sërë TV, në zyra të ndryshme të pushtetit, në institucione gjithfarë, në tribunat e zëdhënësve të partive politike - e kështu mund të vijohej gjatë - punësohen dhe përzgjidhen me përparësi ato më të bukurat, ndonjëherë edhe më mendjelehtat, ato që mund të ripërtypin e të rithonë me lehtësinë më të madhe çfarë të dojë dikush, gjithkush; mbase kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, (por është më e dukshme, më e theksuar). Për t’i lidhur në një të vetme këto që u thanë më lart, kujtoj se kohë pas kohe (bashkë me publicistë të tjerë) kemi tërhequr vëmëndjen dhe kemi grishur, në disa medie, për një vështrim më të kohës në lidhje me rolin e teknikëve dhe të ekspertëve në institucione e poste të ndryshme. Nuk mund të lëmë pas dore e në hije ndihmesën e shumë vajzave e grave në disa rafshe të jetës dhe të aktivitetit intelektual; tashmë, mjaft prej tyre janë personalitete të spikatura në TV, në politikë, në ekonomi, në letërsi e arte. Por në të njëjtën kohë, nuk ka si të mos them që na mbytën koketat. Përzgjedhja e tyre është një sëmundje që shkarkon mbi nivelin e qytetarisë dhe mbi të gjitha zhvillimet e rëndësishme në vend; patjetër, edhe mbi publikun e gjerë, që i paguan (koketat dhe trillet e tyre) në forma nga më të ndryshmet.

Po çfarë është një koketë? Është një vajzë, një grua e bukur, me hire, që e ndërton jetën e saj mbështetur pikërisht mbi këto të dhëna. Ajo llastohet, përdridhet, bën si interesante, buzëqesh në mënyrë false, ndërron pamje dhe veshje orë e çast, flirton atje ku gëlon interesi, jeton mirë…Askush të mos mendojë se duam të hedhim baltë mbi pamjen si koncept apo mbi atë se si mbahet dhe lipset të mbahet një femër, etj. Sigurisht, pamja është shumë e rëndësishme. Pamja, mbase më shumë fytyra, është gjëja e parë që shikon gjithkush te një femër. Me kohë, “gjithkushi” kupton se janë më të rëndësishme më së pari mendja dhe karakteri i saj; por nuk e lë assesi pas dore temën e mësipërme:  pamja dhe hiret, kanë vendin e tyre në portretin në fjalë. Në një nga filmat e saj, në rolin e një vajze kabareje, Merlin Monro i thotë babait të të dashurit të saj: “A nuk është edhe bukuria një pasuri?” Dhe plaku, që ishte një afarist me përvojë nga jeta, edhe pse ende dyshues, mërmëriti: “Qenke edhe e zgjuar…” Por në realitet, në ekrane dhe redaksi gjithfarë, në zyra, përgjithësisht në atë lëmë….që i thonë punësim (përdoret, thashë më lart, edhe rekrutim?) hiret dominojnë. (Një nga personazhet e romanit tim humoristik në proces, me titullin e përkohshëm “Mahnitja”, një poet mediokër, duke pritur në paradhomën e një enti botues përpara tryezës ku rri një sekretare mjaft tërheqëse, thotë me vete derëmbylluri: “Asnjëherë s’e kam marrë vesh pse këto sekretaret i zgjedhin kaq të bukura!” Të jetë pykë tjetri…Por ndoshta edhe jo; sepse kuti i ngasjes prej hireve, fundja nuk është epidemi.)

“Filmi” gjithsesi është i parë disa herë. Një sërë zyrtare të disa pushteteve, të të gjitha pushteteve, tërë kohës të pispillosura, të japin përshtypjen se orë e pa orë, merren më së pari me tualetin dhe veshjen e tyre. Sikundër (shefat) me ato të shkreta zyra të ribëra dhjetra herë...Ky shkëlqim në kurriz të taksapaguesve, është një nonsens. Gëte thoshte: “Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” Para disa viteve, një ministre ekonomie e socialistëve erdhi në kabinet me bujë, por shumë shpejt, energjitë më të mëdha ia kushtoi…rinovimit të banjos në zyrën e saj. Më kujtohet si tani një debat mes saj dhe Presidentit të atëhershëm të Dhomave të Tregtisë; ky i fundit sa nuk i shkuli dhëmbët, për shkak se ajo nuk po e vinte ujin në zjarr për disa probleme korente të sipërmarrjes. (Tani, në Dhomat e Tregtisë gërhasin.) Më tej, drejtuesja e fundit e Parlamentit gjithashtu ra në sy për kujdesin e tepruar ndaj vetes; disa medie vunë në dukje madje se vetëm në njërin nga numrat e revistës së institucionit, në shumicën e 50 fotove, ishte...ajo. (Oh, ç’ngazëllim!) Por ndërkaq, nuk e merrni dot me mend se sa kushton sot një revistë me ngjyra e asaj cilësie.

Nuk dua të bëj puritanin. Mund të përsëris se brishtësia e femrës duhet çmuar. Është për të pasur respekt për ata burra apo për atë kategori meshkujsh (ku them se bëj pjesë edhe vetë) që e vlerësojnë bukurinë e vlerat femërore dhe duan t’i shohin femrat sa më të veshura e të mbajtura. Por teprimi me çerte dhe rafinitura të skajshme, sjellja në plan të parë e blerjeve dhe jo e aktivitetit për të cilin ajo është zgjedhur në atë detyrë a post, e bjerrin çdolloj dëshire për nderim. Në një nga shënimet e kohëve të fundit, duke përshëndetur Angela Merkel-in për mandatin e tretë të partisë së vet në Gjermani, vija në dukje se asaj, ndonjëherë, i janë bërë edhe kritika në lidhje me veshjen; pastaj shtoja se prapëseprapë duhet zgjedhur midis pasarelës dhe politikës; të dyja nuk mund të bëhen. Disa nga zonjushat dhe zonjat në detyra të ndryshme në Shqipëri, keq më vjen, paratë dhe favoret i marrin nga politika, por të për të zgjedhur, kanë zgjedhur pasarelën…Jo më. Luksi që tallet me varfërinë e këtij vendi, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet assesi...U fol gjer në mërzi për Statusin e Nëpunësit, por mbase pjesa e (mos)punësimit të koketave duhet rishkruar. “Çdo gjë kushton shtrenjtë kur nuk e do.” (Xh. Xhois)



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora