Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Biro, tash është vjeshtë

| E enjte, 07.11.2013, 08:22 PM |


Sejdi BERISHA:

 

CIKËL POEZISH

 

BIRO, TASH ËSHTË VJESHTË...!

 

Tash është vjeshtë

Duhet përgatitur për gjumë të rehatshëm

Apo për ëndrra të trishta

Vjeshtë është tash

Babai thoshte duhet mbledhur bereqetin

Edhe drutë e dimrit për t’i siguruar

Por edhe një grimë mish pastërme

Për fëmijë e darkë mysafirësh

 

Tash është vjeshtë

E vërtetë është

Por tjetër vjeshtë më thonë

Atëherë s’ka gjumë

Por vetëm shikim kah shikllat e tavanit

Ka ëndrra që asnjërën s’di ta shpjegosh

As në kafenë e mëngjesit

 

Tash është vjeshtë, biro...

Kështu më thoshte babai im flokëthinjur

E, unë qysh atëherë

E kapja meselenë e babait

Këtij mjeshtri të stinëve

Por që tash kanë kapërcyer decenie

E stinët e shekujve imponuar m’i kanë

Biro,...

Tash është vjeshtë

E shirat mund të vërshojnë

Kurse prrojet bjeshkët i gërryejnë

Mund të bjerë edhe borë

 

M’u duk se isha ulur

Në cung të druve duke medituar

E, sërish babai më thotë

Nuk është mirë të ulësh në cung

Ku prehen e shkurtohen drutë...

 

Biro

Tash është vjeshtë

Sëpata mund të rrëshqasë

E nuk i dihet tehut të saj

 

Haj medet

Po kujt ia drejtoj këto vargje të rënda

Ndoshta vetvetes

Se më të vërtetë

Tash është vjeshtë

Edhe unë i thash birit tim...

 

 

KALO MBI TRUPIN TIM

 

Nëse do digjesh si kalorës kohe

Me damarët e gjakut tënd

Kalo mbi trupin tim

 

Nëse do për ta mos kënduar

Këtë serenatë dashurie

Merre trupin tim

E unë rrjedhën tënde të gjakut

Atëherë

Do shtohet edhe një tjetër planet

Dhe vuajtja

Në kështjellë bukurie do shndërrohet

Ndoshta,  ia vlen aty për të jetuar

 

 

NË VIGUN E LUMIT TË FSHATIT

 

Atëbotë kur kaloja

Nëpër vigun e lumit të fshatit

Poshtë shikoja rrjedhën e kthjellët të ujit

Gurgullima ma kujtonte flladin dhe freskinë

Dhe ikja në anën tjetër të lumit

Duke e përbuzur shokun e lagjes

Që e kishte ëndërr kalimin mbi vig

Tash, një ditë

Se kur, nuk e di as vetë

Ktheva tek vigu i lumit

Të cilin dikur

Si rrugë dhish e kisha bërë

Aty s’kishte ngelur gjë

Vetëm një trup gështenje i kalbur kohësh

Edhe tash si atëherë

Në vetvete dhembshëm e digjte historinë

Uji i kthjellët brenda kujtesës

Me atë gurgullimën

Me flladin brigjeve shpërndarë

Damarët e jetës m’i freskonte

S’kishte ngelur gjë

Pos gurëve të lumit

Dhe hedhurina kohe

 

Nga hidhërimi

Fryma thekshëm më iku

Thellë në zgurë

Zemra më theri

Sërish nxora frymën nga vetvetja

Shpejtë e shpejtë

Ktheva në vend vigun e dikurshëm

Kalova nëpër te

Mbi lumin me ujin e kthjellët

Duke e përqafuar gurgullimën e tij

Por, trupi gështenje

I tretur nga ecja

Sikur më doli përpara e më tha:

Atëherë vig kam qenë

Mbi trupin tim

Si shumë të tjerë ke kaluar

Dhe po atë moment

Si të mos kishte qenë

Ra si lis kohe i shkapërderdhur

Shikova përreth

Sa regji të mirë kisha bërë

Dikush m’i nxori lotët e kohës

Të përmallimit apo të hidhërimit

Ku ta di...