Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Ndaj jetimëve nuk mund të luhet më

| E merkure, 06.11.2013, 08:59 PM |


Flet Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani

NDAJ JETIMËVE, NUK MUND TË LUHET ME

KARTËN SOCIALE TË MËSHIRËS”

Çumani: Të riformulohet ligji i ri për “Statusin e Jetimit”. Aktualisht, me ligjin ekzistues përfiton shoqata e jetimëve, por jo fëmijët jetimë.

Në një intervistë me Z. Ilir Çumani, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ai deklaron se problematika e fëmijëve jetimë është e lidhur drejtpërdrejtë me kuadrin ligjor, i cili favorizon një shoqatë dhe jo kategorinë sociale që u takon statusi i jetimit. Sipas tij, janë 31.000 fëmijë jetimë, biologjikë dhe social, prej të cilëve, as 18 përqind e tyre nuk merren në mbrojtje dhe nuk përfaqësohen nga ligji aktual “Për Statusin e Jetimit”. Ata janë të përjashtuar plotësisht nga shërbimet sociale, sepse ky ligj është i pazbatueshëm dhe pushteti lokal në të shumtën e rasteve është inekzistent për implementimin e këtij ligji. Në këtë intervistë, Z. Çumani i bën apel Kryeministrit Rama që të riformulohet ligji i ri “Për Statusin e Jetimit” në mënyrë që të mos vazhdohet si në këto 17 vjetët e fundit që të subvencionohet në mënyrë parazitare një organizatë joqeveritare që çdo vit përfiton padrejtësisht në emër të kauzës së jetimëve nga qeveria shqiptare dhe nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë shumën prej 30.000.000 lekë të vjetra, shumë e cila, më së miri do të shërbente për shëndoshjen e buxheteve të institucioneve të përkujdesit social shtetëror ku u shërbehet në shumë nevoja të vegjëlve pa prindër në të gjithë Shqipërinë. Ai shpreh gjithashtu shqetësimin për elementë pedofilë të infiltruar në shoqërinë civile, eksponent pa integritet moral e shoqëror që e kanë përdorë kauzën e fëmijëve jetimë nëpërmjet fushatave elektorale në dobi të forcave politike, me synim përfitimesh personale, dhe i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës z. Adriatik Llalla dhe Avokatit të Popullit, Z. Igli Totozani, që të mos trajtojnë vetëm çështjen e romëve, por edhe atë të fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi këta të fundit janë shumë herë më të rrezikuar.

Nga Albert ZHOLI

- Cila është situata e fëmijëve jetimë në Shqipëri ?

Ka 17 vjet që është miratuar ligji për statusin e jetimit në Shqipëri dhe kjo kategori sociale nuk ka asnjë përfitim. Në politikat shtetërore për decentralizimin e shërbimeve sociale nga pushteti qendror në atë lokal, ka një përplasje institucionale dhe për pasojë një kaos midis këtyre pushteteve për të zbatuar ligjin, pasi pushteti lokal shpesh herë është inekzistent në politikat mbrojtëse e mbështetëse të kësaj kategorie. Ky ligj mbron interesat e një grupi shumë të kufizuar fëmijësh.

- Çfarë parashikon legjislacioni shqiptar për fëmijët jetimë dhe a ka nevojë për përmirësime në këtë fushë ?

Problematika e fëmijëve jetimë është e lidhur drejtpërdrejt me kuadrin ligjor. Në gjithë Shqipërinë janë 31.000 fëmijë jetimë , social dhe biologjik, dhe as 18 përqind e tyre nuk merren në konsideratë dhe nuk përfaqësohet nga kuadri ligjor aktual. I vetmi paragraf i Ligji nr. 8153, dt. 31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit” që funksionon në mënyrë parazitare, është neni 18 ku shteti aksidentalisht subvencionon në mënyrë të gabuar shoqatën e jetimëve, njërën prej shumë shoqatave të jetimëve që veprojnë sot në vendin tonë. Mendoj se neni i këtij ligji, që ka të bëjë me financimin preferencial dhe të padrejtë të njërës prej shoqatave nga shumë shoqata të tjera të jetimëve (të cilat nuk financohen), duhet të fshihet njëherë e përgjithmonë dhe kjo shoqatë, duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të aplikojë si çdo organizatë tjetër pranë AMSHC – së, nëse ka projekte serioze dhe të besueshme në ndihmë të jetimëve. Në këto 17 vjet, shpesh herë dhe në mënyrë manipulative, individë të veçantë, drejtues të kësaj shoqate, duke luajtur nëpërmjet trafikut të influencës përballë fondacioneve, ambasadave, biznesit dhe donatorëve, e kanë përdorur dhe e përdorin rëndom faktin e financimit nga shteti në mënyrë të shëmtuar dhe për përfitime personale, duke e prezantuar këtë shoqatë se kinse ajo varet nga shteti, por që në fakt, ajo është një shoqatë që ka status si të gjitha organizatat joqeveritare dhe të pavarura nga shteti. Kësisoj, me rregullimin e “Ligjit për Statusin e Jetimit” dhe heqjen e nenit 18 të këtij ligji, mendoj se korigjohet një padrejtësi dhe një gabim jo i vogël që në vetvete përbën thelbin e vërtetë të parimit të demokracisë, zhdukjen e elementit diskriminues, që ka të bëjë me pabarazinë mes OJF – ve, të cilat në fakt janë dhe duhet të jenë në një garë dhe treg konkurues, me shanse të barabarta mes tyre nëpërmjet programeve dhe projekteve të besueshme e serioze në dobi të grupeve që ato përfaqësojnë. Dua të sqaroj opinionin e gjerë publik se, Ligji nr. 8153, dt. 31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit” i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, është një ligj që ka të bëjë me statusin e përfituesve që janë grupet e interesit, (jetimët) dhe nuk është status ku përfitues të jetë një shoqatë e vetme. Në kuptimin juridik dhe ligjor, duhet të jetë e qartë për të gjithë se, kurrë dhe në asnjë rast të vetëm, nuk ka dhe nuk mund të ketë status për shoqata, por ka status për grupet e interesit. Grupet e interesit, nuk janë dhe nuk mund të jenë monopol i asnjë organizate të vetme, siç pretendohet qëllimisht rëndom dhe në mënyrë të pandershme nga disa individ abuziv, por janë objekt i fushës për shumë organizata që veprojnë në mbrojtje dhe në ndihmë të kësaj kategorie. Sot ekziston një Agjenci Shtetërore e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, (AMSHC), e cila mbështet me fonde të gjitha ato organizata që paraqesin projekte serioze në dobi të grupeve që përfaqësojnë. Atëherë, pyetja që shtrohet sot është se, përse shteti duhet të nxjerrë çdo vit nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë të tjera fonde, siç janë edhe 30.000.000 lekë të vjetra, fond që delegohet në mënyrë të gabuar, drejt një shoqate joqeveritare, jo efiçente dhe parazitare, e cila, për hir të së vërtetës, në këto 22 vite të ekzistencës së saj nuk ka qenë asnjëherë produktive në politikat mbështetëse për këtë shtresë...!? Këto fonde nuk duhen deleguar drejt një shoqate që në fund të fundit është një operator privat që nuk është në juridiksionin administrativ të shtetit, por këto fonde duhet të orientohen dhe mirëadministruar në programet mbështetëse drejt grupeve sociale të interesit, në komunitet, në qendra rezidenciale shtetërore që e gëzojnë këtë status. Mendoj se i ka kaluar koha valëvitjes spekullative të “kartës sociale të mëshirës” nga individë dhe matrapazë social që prej 22 vjetësh kanë luajtur në mënyrë abuzive dhe të shëmtuar me ndjeshmërinë dhe sensibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë në lidhje me jetimët. Sipas ligjit, fëmijët me statusin e jetimit përfitojnë 100% rimbursim të recetës shëndetësore, shërbime falas në udhëtimet urbane, dhe me 50 % në ato interurbane, frekuentim falas ose me 50 % të veprimtarive artistike dhe kulturore etj. Por, praktikisht ata janë plotësisht të përjashtuar nga shërbimet sociale, siç janë shkollimi me bursë falas, trajtimi shëndetësor me vizita falas, punësimi, strehimi, etj, sepse aktualisht “Ligji për Statusin e Jetimit” është i pazbatueshëm në kuadrin e decentralizimit të këtyre shërbimeve që ofrohen për këtë target grup.

- Cilat janë politikat sociale që duhen ndjekur në ndihmë të integrimit në shoqëri të fëmijëve jetimë?

Nevojiten reforma dhe vetëm reforma në të gjitha institucionet e shërbimeve, në mënyrë që kur këta fëmijë të dalin nga institucionet ku kanë qëndruar deri në moshën 15 vjeç, të jenë të gatshëm që të përballojnë sfidat e jetës dhe të mos bien pre e situatave të ndryshme keqbërëse që i viktimizojnë ata. Duhet ti vihet theks të veçantë kuadrit ligjor që ka të bëjë me kujdesin ndaj fëmijëve jetimë biologjikë dhe atyre që vijnë nga familjet me probleme sociale. Fëmijët me probleme sociale janë me prindër, por në fakt, janë edhe jashtë kujdesit të tyre prindëror si pasojë e problemeve të shumta social – ekonomike, varfërisë, papunësisë, problemeve të shëndetit, divorceve, etj. Nga numri i përgjithshëm i fëmijëve jetimë, 18 % e tyre janë fëmijë jetimë biologjikë dhe pjesa tjetër e tyre janë fëmijë me probleme sociale. Nevojitet një ligj që t’ju vij në mbrojtje dhe të ndihmojë të dyja kategoritë në mënyrë të barabartë . Gjithashtu, duhen hapur Qëndra Rinore Rezidenciale në disa qytete kryesore të vendit për fëmijët dhe të rijntë jetimë të moshës 15 - 22 vjeç. Hapja e këtyre qendrave do ndihmojë dhe zbutë ndjeshëm problemet me fëmijët dhe të rinjtë jetimë kur ata të dalin nga këto institucione, të shkojnë në shtëpi - familje, të përballojnë më lehtë jetën dhe të mirë-integrohen në shoqëri. Gjithashtu do të theksoja faktin se, trajtimi i fëmijëve jetimë biologjike që dalin nga dyert e institucioneve të përkujdesit social dhe vendosja e tyre në një konvikt së bashku me nxënësit konviktorë me familje të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit është pa kuptim, sepse personeli dhe kujdestari në këto institucione nuk do të ketë vëmendjen e duhur për këta të rinj jetimë që kanë kërkesa dhe nevoja specifike në jetën e përditshme. Në fakt, në këto konvikte, fëmijët jetimë trajtojhen njësoj dhe në mënyrë të barabartë me fëmijët konviktore që e kanë një mbështetje familjare dhe për pasojë, një fëmijë me probleme sociale nuk merr vëmendjen e duhur.

-Cilat janë institucionet përgjegjëse dhe në ç’nivele është bashkëpunimi juaj me to?

Janë disa institucione përgjegjëse me të cilat Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ka një bashkëpunim të frytshëm me to, siç është Shërbimi Social Shtetëror, Avokati i Popullit, qëndrat rezidenciale Shtetërore dhe ato joqeveritare, qëndrat komunitare, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Komiteti Shqiptar i Birësimit, dikasteret e pushtetit qëndror dhe atyre lokale, etj. Problemi qëndron në zbatimin e politikave të decentralizimit të shërbimeve sociale, pasi pushteti lokal shpesh herë është inekzistent ndaj këtyre politikave mbrojtëse e mbështetëse në favor të fëmijëve jetimë. Unë e përsëris edhe njëherë apelin tim për Kryeministrin Rama në lidhje me fondet që jepen çdo vit në mënyrë të gabuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për shoqatën e jetimëve, që në fakt, është një organizatë si të gjitha shoqatat e tjera joqeveritare që merren me jetimët sot në Shqipëri. Ato fonde duhet urgjentisht të ndërpriten, pasi kjo shoqatë duhet të mbështetet tashmë nga enti shtetëror buxhetues AMSHC në një konkurim të ndershëm dhe me kushte të barabarta me organizatat e tjera të jetimëve, me projekte të qarta dhe të besueshme në dobi të jetimëve. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye dhe asnjë detyrim që të trajtojë në mënyrë preferenciale dhe të diferencuar një shoqatë joqeveritare për jetimët, duke nxjerrë çdo vit nga arka 30.000.000 lekë të vjetra nga paratë e qytetarëve të vetë dhe për të mbajtuar gjallë 2 – 3 individë që vegjetojnë në mënyrë parazitare prej më shumë se 20 vjetësh në gjirin e shoqërisë civile. Këta individë, herë pas here, nisur nga ky fakt i financimit, (si gjest bujar nga shteti), shpesh dhe rëndomë, e prezantojnë shoqatën e tyre në mënyrë abuzive si “shoqatë shtetërore”, nga ku duhet të mbajnë në mënyrë të padrejtë dhe fiktive, pa kapacitete, organigramën e kësaj organizate me paratë e shtetit dhe të taksapaguesve shqiptarë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu. Kjo organizatë jofitimprurëse, prej më shumë se dy dekada drejtohet nga individë jo profesionistë dhe pa integritet, pa staturë, (mes tyre edhe matrapazë socialë), që spekullojnë dhe diskriminojnë fëmijët jetimë me një veprimtari pse jo edhe të dyshimtë në lidhje okulte edhe me fondacione të huaja, me synimin për të rritur performancën e mashtrimit dhe të përfitimit në dëm të fëmijëve jetim. Nuk mund të vazhdohet më me praktikat e vjetëruara, me manipulimin e mjerimit, lypsarisë dhe të mëshirës sociale në emër të jetimëve, ku në më shumë se dy dekada, shoqata të tilla, pa backgraund dhe aspak produktive, pa asnjë rezultat pritshmërie për grupin e interesit, (jetimët) subvencionohet nga shteti ynë “zemërgjerë” dhe i “dhembshur” në këmbim të heshtjes, të mbulimit të realitetit tragjik, për të mos deklaruar dhe për të mos u ballafaquar me gjëndjen e rëndë dhe reale të fëmijëve dhe të rijnve jetimë sot anë e mbanë Shqipërisë. Situata bëhet edhe më e rëndë, kur bëhen lojra të shëmtuara politike nga këta matrapazë social, sherbëtorë e sahanlëpirës partiak me tesër partie në xhep, të identifikuar tashmë si të tillë edhe në opinionin e gjerë publik, të cilët, pretendojnë se i përfaqësojnë jetimët, ashtu siç ka ndodh rëndomë në gjithë këto vite nëpër fushata elektorale, duke i përdorë këta fëmijë për kapital politik e llogari të (x) apo (y) force politike për qëllime të ulëta të përfitimit po nga këta individë spekullantë. Kjo është një çështje tepër serioze që lidhet me abuzimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë ende të ndodhin në kurriz të fëmijëve jetimë,  si nga institucionet  shtetërore, ashtu dhe  nga këta  individë që prej 20 vjetësh, abuzivisht kanë penetruar dhe vegjetuar tinëzisht, në mënyrë të rafinuar dhe të pashpirtë brenda Shoqërisë Civile nën petktun  e “misionarit të bamirësisë”, në “ndihmë të jetimëve”. Fëmijët jetimë sot janë të rrezikuar edhe nga elementë pervers e pedofilë të infiltruar në shoqërinë civile, të cilët, sapo legalizojnë një pseudoshoqatë fantazmë me një vendim gjykate dhe një copë certifikate QKR - je, nisin të bubërojnë skutave të errëta të mashtrimit dhe orgjive me vese e sjellje antisociale duke viktimizuar pikërisht këtë kategori të dobët dhe të pambrojtur të shoqërisë. Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre,  me sjelljet e tyre të hapura, spekullative dhe abuzive,  i kanë sjellë  një kosto të lartë dhe dëm të konsiderueshëm integrimit dhe kauzës së fëmijëve jetimë. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës z. Adriatik Llalla dhe Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani që të hetojnë në thellësi dhe në gjerësi situatën dhe të trajtojnë seriozisht jo vetëm çështjen e fëmijëve romë, por edhe çështjen e fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi jetimët në Shqipëri janë shumë herë më të rrezikuar dhe të viktimizuar nga çdo grup tjetër shoqëror në vendin tonë.