E enjte, 25.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Gent Ulqini: Vladimir Muça - “Kaleidoskop”

E marte, 05.11.2013, 08:20 PM


Koncepte dhe shkrime kritike në përgjegjsi dhe sens për estetikën e të bukurën në letërsi

Mbi librin me studime,ese “Kaleidoskop” te Vladimir Muçës

(Vladimir Muça ka një pasion të shumfishtë plasmon artin e fjalës,shkruan poezi dhe proze me frymzim,koncepton ese dhe shkrime kritike dhe përgjegjësi dhe sens të drejtë dhe të pagabueshëm për estetikën dhe të bukurën.Libri tij “Kaleidoskop” synon një profil të qartë të meditimeve të shqetësuara dhe të sinqerta të autorit mbi librat dhe botë.) Dr Moikom Zeqo

Nga Gent Ulqini

Përmes një optike të mprehtë reflektive, analitike dhe kritike në lidhje me vlerat etiko-estetike të prodhimit letrar shqiptar të ditëve të sotme, autori i përmbledhjes me ese dhe refleksione”Kaleidoskop”, Vladimir Muçaj, bën përpjekje nëpërmjet analizës së veprave të veçanta të autorëve të ndryshëm bashkëkohorë, të prekë dhe shënojë risitë, prurjet, problematikat dhe dukuritë e letërsisë shqipe në këtë kohë të re.

Si një lexues i zellshëm dhe pasionant i letërsisë në të gjitha zhanret, siç shprehet edhe vetë përgjatë refleksioneve, por ku ndjehet edhe aparati i pasur analitik me të cilin operon në procesin e zbërthimit të vlerave të veprave e autorëve të ndryshëm, ai ka ngritur kaleidoskopin për të shqyrtuar dhe vlerësuar në rrafshe të ndryshme letërsinë shqipe bashkëkohore. Vetëm se, me anë të një leximi profesional të kësaj letërsie, ato vepra dhe autorë nuk shihen në optikën e ngushtë të risive teknike të formës, por analizohen në dritë të re dukuri dhe çështje që i përkasin vendit që zë dhe duhet të zërë kjo letërsi shqipe në ballafaqim me atë botërore. Ndjehet nëpër rreshtat e këtyre refleksioneve bagazhi i konsiderueshëm i autorit në mjetet dhe etalonet që përdor për krahasimin e autorëve shqiptarë me vlerat më të mira botërore të letërsisë. Përqasja autoriale është një nga karakteristikat me të cilat operon autori, duke sjellë në vëmendje ata elementë që e vënë këtë letërsi dhe këta autorë në rendimin e tyre të gjithëmbarshëm letrar.

Vërehet në të shumtën e herës se ai ka një tendencë të arsyeshme për të mos rendur pas emrave “të mëdhenj” të letërsisë shqipe, pas atyre që promovohen rëndom mediatikisht, por të marrë në vlerësim pikërisht ato prurje letrare që për të përbëjnë risi dhe sjellin një frymë të re në letërsinë shqipe të kohëve të sotme. Kështu, ai në gjininë e romanit kërkon “sfidën romaneske” në realitetet e sotme tek Fatmir Terziu, konceptualitetet e reja tek Sulejman Mato, vlerat dhe “thellësinë retrospektive” të romanit historik tek Bilal Xhaferri, “absurdin dhe gjenetikën” e përditshmërisë shoqërore tek Artur Llana, psikoanalizën terapeutike të familjes shqiptare tek Miho Gjini dhe Miradije Maliqi, modernitetin e formës dhe strukturës tek Bashkim Çuçi, elementët psikoanalitikë dhe psikoterapeutetikë tek Laureta Targa. Ndërkohë që në prozën e shkurtër ai kërkon “kuptueshmërinë e shumëfishtë” të saj në sinopset e Moikom Zeqos dhe vrojton ngrehinën enciklopedike të prozaizmit të ri tek po ky autor, individualitetin dhe estetikën e re tek Gjergj Vlashi, procesin e trazuar të shkrimtarisë tek Erjon Muça, prozën “amalgamike kripto-lojcake” si dukuri moderne tek Adem Zaplluzha, apo arketipin e jetës të shprehur në vepër tek Shpend Topollaj. Më tej, në korpusin e veprave poetike, Vladimir Muça spikat modernitetin dhe futurizmin në poetikën e Moikom Zeqos, risitë e poezisë kosovare përmes bisedës me eseistin Fatmir Minguli mbi krijimtarinë poetike të Adem Zaplluzhës, “tendencën inteligjente” poetike tek Agim Mato, motivin e “dashurisë origjinale” tek Sazan Goliku, dukuritë e reja të haikut tek Muharrem Gazioni, shpirtin rebel dhe natyralizmin jetik tek Alfred Molloholli, “profecinë e modernitetit” tek Irena Gjoni, modernitetin poetik tek Bedri Neziri, “thjeshtësinë” mjeshtërore përmes kolazheve poetike tek Bardhyl Agasi, apo lirizimin dhe shpirtin rebel tek Stavri Risto.

Një vështrim i mprehtë mbi krijimtarinë dhe problematikën e letërsisë për fëmijë vjen duke analizuar punimet letrare të Milianov Kallupit, Nikolla Spatharit dhe Agim Bajramit. Këtu nuk gjejmë vetëm shqyrtimin e veprave më të reja në këtë zhanër të autorëve në fjalë, por edhe nervin social të vetë autorit kur trajton me shqetësim dukuritë që shfaqen në këtë letërsi për fëmijë dhe rrugët e mundësitë për ta lëvruar në funksion të qëllimit pedagogjik dhe shoqëror këtë lloj letërsie, si një ushqim për gjeneratat e reja.

Një korpus i veçantë në këtë përmbledhje esesh dhe refleksionesh kritike pasqyron analizat mbi disa vepra studimore të karaktereve të ndryshme. Në vëmendjen e autorit janë punimet e Nikolla Spatharit, Skënder Kapitit, Fatmir Mingulit, si dhe një reportazh i zgjeruar dhe tepër i ndjerë autorial mbi zhvillimet retrospektive dhe aktuale në artet figurative të qytetit të Shijakut.

Siç vërehet, Vladimir Muçaj nuk është një kritik skolastik i veprave letrare, por ka një diapazon kërkesash dhe interesash shumë më të gjera në hulumtimin e vlerave dhe dukurive letrare e shoqërore në përgjithësi. Një veçori tipike e tij është se përdor gjerësisht mekanizmat e psikoanalizës përgjatë shqyrtimit të veprave dhe autorëve, duke i kundruar dhe analizuar përmes mjeteve shprehëse dhe mekanizmave të kësaj lënde. Në ndihmë përqasëse për këtë i vijnë autorët më autoritativë të fushës, si Frojd, Jung, Lakan etj. Por edhe mjetet shprehëse të arteve figurative janë pjesë e arsenalit të mjeteve në dorën e hulumtuesit Muçaj, mjete që i shërbejnë për një përqasje edhe figurative të elementëve të veprave letrare që merr në shqyrtim.

Mund të themi se në vakumin e sotëm të kritikës letrare dhe refleksionit mbi krijimtarinë letrare, libri “Kaleidoskop” i Vladimir Muçës është një kontribut i mëtejmë për ripërtëritjen e kësaj gjinie në të ardhmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora