E enjte, 18.04.2024, 11:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Nehat Ramizi

E marte, 05.11.2013, 07:53 PM


Nehat Ramizi

 

Malli i pashuar

(Kujtim për djalin)

 

Shkoj shpesh në Prishtinë, në sofrën e djalit

Shpirti më gazmon nga drita e syve të mi

Në çantë i dërgoj luleshqerrat nga livadhi

Në duar ca molla të bukura nga kopshti.

Ulemi në tryezë si dy shokë të vjetër

E Tërnoci na vjen të dyve si vëlla gjaku

Bekuar qoftë liria, urojmë me gota verë

E sytë tanë shkëlqejnë si kopshti n’ pranverë!

Unë e bëra rrugë të gjatë deri në Prishtinë

Rrugë e ndaluar me më shumë pengesa

Tërnoci të përshëndet djalë me shtatë lugina

Në ëndërr ta shohësh ti bir pash shpirtin tim!

Muzgu në kryeqytet sa shpejt arriti

E përqafova djalin mallin ta shuaj

Bukur gjatë kohë nuk e kisha parë

E ka të ndaluar, se shkeli padrejtësinë!

Po i them, mos e harro pragun e lindjes

Mos e harro Tërnocin e di e ke mall

Një natë e kaluar, po kurrë e ngopur

Kthehem sërish ku linda, ku më pret vendi.

Këtu më pret lagja dhe shkolla me nxënës

Këtuu më presin lulet, varret dhe kështjella

Në kopshte edhe ara këtu në Luginë

Në vatrën e vjetër, ku e kaloj vetminë!

 

Kosovë, djep i përkundur në mote

 

Dhe kur shpirti heshti në boshtësi

Ti, Kosovë, notove e lirë dhe përmbi re

Rruga jote na vjen si me magji

Na rrit brenda vetes një lis a luleshqerrrë

Çdo pjesë e jetës tënde është larë me stuhi

Qëndresa jote nga mot është lakmuar

Kërrusjen s’e provove kurrë në histori

Po le gjurmën e sfidës së pambaruar.

Mes shtypjes, mjerimit rritëm fëmijë

E kurrë s’na panë të dorëzuar

Kush si ne në botë e deshi lirinë?

Kush si ne i deshi plisat e bekuar?

Në stinimin e kohërave ne vumë kurora

E dora mbeti përherë e palodhur

E dhimbja u bë murranë në kohëra

E dashuria u bë kala e pamposhtur.

E sërish u hodhëm në krahë të ëndrrës

Nga hiri ngritëm një mal me krisma

Në tel të lahutës e në sup të këngës

U bëmë feniks në male e fusha lugina.

 

Më fal, shumë!

 

Më fal, e dashur se të desha fort

Më fal, e dashur, se të lëndova shumë

Më fal për thashethemet që ecën si shqotë

Më fal për lotët që s’shterruan kurrë

Më fal për miqësinë që keq e shkatërruan

Më fal, më fal, për të gjitha më fal

Më fal për fundin e egër, të shkretuar

Më fal se shumë dashuri ty të dhashë

Të lutem, më fal e shihmë si më parë

Vëre në garë dashurinë e ndërsjellë

Merre zemrën time si një flakadan

Merre të vërtetën zbukuro një jetë.

Më fal që shumë herë të hapa telashe

Dashurinë e sinqertë kurrë s’e kuptove

Më fal, më fal për dhjetra e dhjetra faje

Që dashuria mbeti si fjalë boshe

Të vërtetën askush s’mund ta zbulojë

As dheu i varrit s’do përballojë një ditë

Më fal e merre të vërtetën kudo

Ndoshta në botën tjetër gjejmë amëshim

Të dashurova më fal s’kam të drejtë

Po zemra ime jeton me një shpresë të rrallë

Edhe pas asaj mos më gjyko kaq rreptë

Se fort vështirë po i bëj sonte ballë

Ta njoh shpirtin që vuan për mua

Një dru i rëndë që zemrrën ta rëndon

Mos lëndo zemrën aq shumë të plagosur

Në shpirtin tim ke një fole të ngrohtë.

 

Ofshamë zjarrmije

 

Zjarri në deje si qumështi po gufon

Ky shpirti im qetësi për dreq, jo nuk ka

Kthema pranverën që në sy të bleron

Të pushoj në qetësi me këtë ofshamë

Kthemi ylberet me aq drita shumë!

Ta jetoj dhe unë jetën me dritën e gëzuar

Merre shpirtin e si në djep ma përkund

Mikloje me kujdes e me duar paluar

Shtrëngoje me duar aty, thellë në gjoks

Në zemrën tënde bëj një vend të ri

Përkëdhele atë shpirt, kudo ledhatoje

Dritësoja errësirën me dritë e lumturi.

 

Premtim lajthitjesh

 

Pranoj se u deha nga premtimet

E puthjet në jetë m’u ngatërruan

Nga jehona e fjalëve mbeta jetime

Me intriga pushoi puthja e pambaruar.

Më gënjeu fjala që atë ditë besova

Me gënjeshtra që i preka në çdo cep

Pikëla lotësh goditën shpirtin në kohëra

Zjarri në zemër krijoi humnerë.

U deha atë ditë sikur dehesha me verë

I gënjyer nga premtimi i pambaruar

Në zemrën time bëra kala rëre në det

Ekstazë magjie në shpirtin e shkrumbuar

Në atë kurorë shkëlqimi u deha pa masë

Luaja me buzë me ikonë virgjerëshë

Afshi i dehjes krijoi një pallat të lartë

Shtigjet e jetës më përplasën cep më cep

 

BOX

Poezia e një poeti që ka rrahjen e përjetshme të zemrës së kombit në jetën dhe veprën e tij. Namik Selmani Shkrimtar Kur nisa të lexoj një nga një veprat letrare të Nehat Ramizit, të flas për zhvillimin e letërsisë shqipe në Zonën e Luginës së Preshevës ku ai është edhe nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të kësaj zone dhe të punoj pak te poezitë e tij, më shkoi në mendje një letër që ia dërgonte të madhit Jeronim De Radës romantiku shumë i shquar francez Lamartin. Ishte viti 1844 e frëngu i mençur sapo kishte lexuar dy poemat që poeti ia kishte dërguar për t’i lexuar. Ishte rënduar shumë nga shëndeti De Rada aso kohe ishte vetëm 30 vjeç. “Fjalët e poemave tuaja do të mbushin me krenari çdo njeri”-i shkruan ai e për të ardhur te ato fjalë Lapidarë që do t’i kishte zili çdo krijues në rrugën që e priste pas botimit të veprave. “POEZIA KA LINDUR NË BRIGJET TUAJA DHE ATJE DUHET TË RITHEHET”-i shkruan ai me kaq entuziazëm në letrën e tij falënderuese dhe përshëndetëse. Edhe për 60 vjet ky urim dhe falenderim francez do ta ndiqte poetin tonë që u thinj si një bekim shqiptarizmi për atë që do të bënte deri në atë vdekjen më të dhimbshme e më të bukur si një mësues i gjuhës shqipe në moshë 90-vjeçare.

E në historinë e kulturës shqiptare në të gjithë trevat shqiptare në diasporë ky letërkëmbim ishte dhe mbetet shumë simbolik në mesazhet që ajo sjell De Rada u bë një thinjosh i moshuar që vdiq i varfër, pa zjarr, pa bukë, por me librat e gjuhës shqipe për fëmijët arbëreshë për shkronjëshkrimin e shqipes në atë zonë paksa të humbur të Italisë diku në Jug të saj.. Po, po, edhe poezia e Nehat Ramizit ka lindur në Luginën e Preshevës dhe është pasqyra shpirtërore e popullsisë shqiptare të kësaj zone. Unë nuk dua të imitoj saktësisht dhe miqësisht Lamartinin e madh që përfaqësonte në një farë mënyre edhe kulturën franceze, për mikun tim, për poetin, për mësuesin, atdhetarin Nehat Ramizi. Edhe pse druaj shumë sinqerisht, por edhe me një fytyrëskuqje se mos nuk ia jap aq sa e si duhet “hakun” për atë që ai ka bërë. Edhe unë po i jap urimin për këtë libër të radhës së Nehat Ramizit si një mesazh falenderimi nga Çamëria. Po ia jap këtë urim këtë falenderim si shqiptar. Si një shqiptar që mbaj në supet e mia jo pak halle të Kombit si ka edhe ai atje në Tërnocin e tij shumë të dashur për të cilin thotë se i është borxhli për vargun për djersën, për përkushtimin, për për të ardhmen. Poeti dhe entografi Nehat Ramizi mund të kishte kujtesën e brezave edhe me lavdinë e Njeriut të Punës edhe me zilet shkollore që e ndjekin prej dekadash në një shkollë që mban emrin e nderuar të Muharrem Kadriut shumë të njohur në Zonën e Tërnocit, të Bujanocit.

Në fund të fundit është një “Shqipëri tjetër e vogël” brenda “Shqipërisë së copëtuar që para 100 vitesh. Po ai dhe ne të gjithë e dimë se atje në Tërnoc zilja shkollore nuk është e njëjtë si në zonat e tjera shqipfolëse. E të bëhesh mësues i fjalëshqipes në një fshat shumë të madh me rreth 10 000 banorë dhe me rreth 2000 familje kryesisht shqiptare është fort e bukur, e bekueshme. Vetëm pak kilometra larg është Presheva me aq halle mes të cilëve është edhe gjuha shqipe. Nuk është vetëm një dërrasë e zezë, dhe një fletore ku shkruhen disa fjalë, fjali ku recitohen disa poezi. Poezia e tij është në të njëjtën kohë e ndarë në dy pjesë në atë të fëmijëve dhe për të rritur. Ajo ka një “prapavijë” shumë të fortë. Poeti Nehat e ka ngjizur poezinë e tij në Tërnoc, në Bujanoc e më tej në Prishtinë në atë kryeqendër kulturore shqiptare për ish Jugosllavinë. I duhet që të merrte shumë obligime për shqiptarët e atij shteti të stërmadh. Poezia e tij është një pasaportë e sigurtë e asaj që ai ka në jetë. Ka obligimin prindëror. Shihni se sa e ngrohtë është poezia për djalin e tij që i banon në Prishtinë! Shihni se sa i ngrohtë është ai kur flet për nxënësit e tij të dashur, për historinë, për të sotmen! Në poezinë e tij ka nderim për dëshmorët. E pamë këtë edhe në takimin që bëmë në Trekëndëshin e Paqes në Zhegër të Gjilanit, ku u takuam në përvjetorin e 12-të të fitores së forcave të Natos mbi ushtrinë serbe dhe Çlirimin e Kosovës.

Poezia e tij ka rebelim kundër padrejtësisë që ende është pjesë e jetës sonë sociale, po që kësaj radhe ai e ka parë me poezinë e tij. Ai trishtohet shumë kur sheh këtë padrejtësi që ende ekziston në shoqëri. E në hartën e dhimbjes së tij njerëzore është edhe pamundësia e tij për të ndihmuar të gjithë njerëzit që janë në nevojë. Ka gjeografi mbarëkombëtare si vepron me Kosovën, me jehonën shkronjore të Manastirit. Brenda Tërnocit të tij ka lumë të bukur, ka përkëdhelje shqiptare, ka festa të bukura, ka njerëz që besojnë te Zoti dhe te ardhmja e kombit të tyre Nehati është mësuesi që në çantën të tij ka vetëm libra, libra, libra, poezi, qëmtime të folklorit të zonës duke përfshirë këtu me qindra fjalë të urta të zonës që janë vertet visare për këtë zone. Vëllimi që po ju paraqesim patjetër që është një arritje e madhe jo vetëm për këtë poet po edhe për poezinë shqipe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës si quhet në emërtimin shqiptar banorët shqipfolës të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Pjesëmarrja aktive e tij në të gjitha aktivitetet letrare në shkallë kombëtare pa folur për ato lokalet e ka bërë Nehat Ramizin një zë të fortë të sigurtë edhe në poezitë e tij. E pra poezia e tij që është në këtë vëllim është “pasaporta”‘ që do të donim që ta kishim të gjithë në shpirtin tonë shumë ëndërrimtarë dhe të palodhur për atë që nuk do të mungojnë kurrë në jetën në poezinë e Nehat Ramizit. (Namik Selmani)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora