E hene, 20.05.2019, 07:59 PM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Ditën që të humba ty

E diele, 03.11.2013, 06:26 PM


DITËN QË TË HUMBA TY

 

POEZI NGA PËLLUMB GORICA

 

 

DITËN QË TË HUMBA TY

 

Si çajkë klithte dita në të sosur,

mjegull në heshtjen e zgjatur,

shtrirë mbi shpirtin e plagosur,

diku me britmën e tromaksur.

 

Ç'ka kërkova, iku largësish,

diku në një cep të heshtjes harruar,

ti kurrë në gjoksin tim më s’do të vish,

mugëtira gjithësinë ta ka mbuluar.

 

 

HËNËS I DHASHË NJË TË PUTHUR!

 

Kupës qiellore hëna hidhka shkëlqim,

kaherë më mbeti ajo mike,

mes yjesh loz ngazëllim

dhe kolovitet mes ëndrrash mistike.

 

E prita mbrëmë në udhë e shteg,

por retë sytë ia kishin zënë,

një erë e lehtë frynte në breg...

e varkat në një rresht ishin vënë.

 

Qiellit pastaj u var hëna si një grua,

një heshtje e bukur i ka rënë,

sonte ajo vjen enkas për mua,

takim buzëdetit me të kam lënë.

 

Në plazhin e heshtur, ku rri një meduzë,

vala me erën krijon një refren,

yjet e qiellit më trokasin në muzë,

hënë, te zemra ime ç'kërkon, gjen.

 

Po varet një hënë mbi qiellin e brishtë,

tek - tuk yjet ndrijnë nëpër netë,

muza kaq thellë më gërvisht

dhe ëndrrat m’i djeg si kometë.

 

Oj, hënë e bukur, veç ti më kupton

brengat në rendje ditësh plot mall,

ëndrrat e mia dëshira i shpon

e largësia le të shporret në djall!

 

Hëna veten lehtë-lehtë e lëmon,

sy më sy ca yje po flasin,

largësia në heshtje prej saj trishton,

ndaj duan pak rreze të zhvatin.

 

Hënës i dhashë një të puthur,

ndër vetulla ngrita njërin sy,

një yll mes nesh është këputur,

se takim kisha lënë veç me ty!

 

 

DREJT  NJË  RRUGE

 

Drejt një rruge nisem pa mbarim,

në dritëhije dëshirash ngushëllohem,

eci pa e ditur në një botë pa kthim,

pengohem e humbas në krahë hapësirash.

 

Po udhëtoj drejt botës së panjohur,

kjo jetë e mbrapshtë m’u neverit,

përballë së sotmes flas i ndrojtur,

përballë së nesërmes ngre një mit.

 

 

MIKES SIME POETE!

(Migena Arllatit)

 

Bulevardi me mjegull ende të pret,

por ti ke zgjedhur, laureshë, tjetër për këngën.

Ç’mesazhe i erdhën zemrës së shtrenjtë,

që ike larg, o ëndërr?

 

 

JOSHJE U DHËNTË BUZA E HUMNERË!

(Miqve të rremë)

 

Kohën e mbushin me furtuna fjalësh

të endin gremina në horizontin gri,

si det nopran tallazitur prej valësh,

në shpirtin e zbrazur fshehin ligësi...

 

S’njohin dashuri dhe urrejnë të tjerët

me doza helmi në çdo fjalë,

shalojnë erën duke mbajtur frerët,

si vemje vrasin miqësinë ngadalë.

 

Ndonëse si derrat lerosen në llum,

të shfaqen qingja me shpirtin qelibar...

ata janë të lig, më shumë

se ujku i përrallës këmbëbardhë!

 

E pabesë është miqësia me ju,

siç është çdo çast buza e humnerës!

U tretshi si reja në qiellin blu,

në ditën e fundit të verës!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT