E marte, 07.04.2020, 05:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Pikturat e panjohura të të huajve që dashuruan Shqipërinë

E diele, 11.05.2008, 05:38 PM


Nga Admirina Peçi

Katër tablo të panjohura të Edward Lear, prezantohen për herë të parë në Shqipëri. Kruja, Qeparoi, Shkodra dhe Himara. Jemi në vitin 1848. Më shumë se 10 vjet pasi piktori dhe poeti anglez vendosi t’u kushtohet tërësisht udhëtimeve të tij në vendet e Lindjes. Në Shqipëri, Lear i shoqëruar nga shqiptari Gjergj Kokalli udhëtoi dy herë dhe realizoi mbi 100 vizatime, akuarele, litografi dhe tablo me ngjyra vaji me temë nga Shqipëria. Këto imazhe mbresëlënëse hedhur në akuarel nga piktori anglez Lear, janë veç fillimi i një udhëtimi me tablo, vizatime, akuarele e skica thuajse të panjohura për publikun shqiptar, që studiuesi Ferid Hudhri sjell në botimin e tij më të ri “Shqipëria përmes artit”, botuar nga “Albanian Arts Foundation” nën kujdesin e Donika Bardhës.
Vepra e parë nga katër akuarelet e panjohura të Lear, titullohet “Kruja”. Detaji i parë që na njeh me Krujën është kalaja, e cila shfaqet në sfondin e veprës. Në qendër janë një grup personazhesh veshur me kostume kombëtare. I ngjan më shumë një tabloje se një akuareli. (Pjesa më e madhe e akuareleve me temë Shqipërinë janë peizazhe nga zona të ndryshme të vendit që janë vizituar në kohë të ndryshme nga artistët e huaj). Të njëjtën ndjesi të shkakton edhe punimi tjetër i Lear, me temë nga Shkodra. Sërish në sfond është kalaja e Shkodrës. Në plan të parë figura njerëzore me kostumet e trevës, pas tyre lumi i Bunës, dhe në sfond kalaja dhe malet. Janë katër plane që rriten e rriten vazhdimisht. Dy punimet e tjera të Edward Lear, që i përkasin të njëjtit vit, duket janë realizuar gjatë të njëjtit udhëtim që Lear zhvilloi në Shqipërinë e 1848-ës. Himara ka në plan të parë skica të thjeshta të një grup personazhesh, figura grash që mbajnë pesha të ngarkuara mbi kurriz, tre figura meshkujsh ulur pak më përtej, gjelbërimi deri në një lartësi ku shfaqen shtëpitë himarjote dhe përtej deti. Lear ka lënë dhe disa shënime mbi këtë akuarel, ku mes të tjerash dallohet “Himara, October 25’ 1848". Në veprën tjetër realizuar po në tetor të 1848, shfaqet Qeparoi, ku dy figura njerëzore skicuar tjeshtë janë veçse një detaj i vogël para madhështisë së peizazhit të zotëruar nga një dritë e veçantë dhe ngjyra të thella e mbresëlënëse. Vetë Lear shkruan në ditarin e tij mbi befasinë e i kanë krijuar këto dy elementë pikturimi, drita dhe ngjyrat në Qeparo dhe Himarë.
Studiuesi Hudhri thotë se ka rënë në gjurmët e këtyre veprave pas kërkimeve që zhvillonte në Londër nëpër disa koleksione private dhe në institucione të ndryshme, ku e kanë njoftuar se një pjesë e madhe e veprave të Edward Lear ndodhet në Universitetin e Harvardit në Amerikë. “Në Londër ndodhet tabloja më e madhe dhe ndër më të bukurat e Lear-it me temë nga Shqipëria, ajo me titull “Mali i Tomorit”. Ndër veprat e tij, pjesa më e madhe janë akuarele. Në Londër më thanë se pjesa më e madhe e veprave të tij ishin blerë nga amerikanët pas vitit 1945. Dhe vërtet pas kërkimeve të mëvonshme zbulova se pjesa më e madhe e koleksionit të Lear me teme shqiptare ndodhej në Harvard”, - shpjegon Hudhri, ndërsa ndalon te një autor tjetër i rëndësishëm që ka realizuar shumë vepra me temë shqiptare, francezi Leone Gerome, i cili gjatë udhëtimeve të tij në Egjipt, Turqi dhe Siri u magjeps më shumë pas shqiptarëve që takoi në vendet e lindjes. Në pjesën më të madhe të tablove të tij ka pikturuar figura shqiptarësh me veshje Kombëtare. Hudhri thotë se në botimin e ri, ku ka një numër të madh veprash krejtësisht të panjohura, veprat e Gerome-it janë të botuara edhe më parë. “Në këtë botim nga Leone Gerome nuk ka tablo të reja, por ka disa prej tyre që janë botuar më parë bardhë e zi, dhe në këtë botim vijnë me ngjyra. Një prej tyre është tabloja “Shqiptar me qen” të cilën e kam gjetur në një koleksion privat”, - thotë studiuesi, ndërsa thekson se pjesa më e madhe e veprave me temë shqiptare, të të dy autorëve si anglezit Edward Lear ashtu edhe francezit Leone Gerome, sot ndodhen në koleksione të ndryshme në Amerikë.
Por mjaft interesant shfaqet me veprat e tij edhe autori Joseph Cartwright, piktor anglez, i cili shkeli në trojet shqiptare më 1813. Pas udhëtimit të tij realizoi shumë vepra me temë nga Shqipëria. Ai është nga të parët që botoi një album mekcostume shqiptare dhe ka pikturuar me realizëm deri në imtësi të gjithë detajet e veshjeve dhe zbukurimeve. Ai është i vetmi që ka pikturuar drejtpërdrejt Ali Pashë Tepelenën, i cili jepet i ulur në një minder, me mjekër të bardhë e sytë e kaltër ndërsa në sfond shfaqen armët e varura në mur.
Studiuesi Hudhri thotë se ajo që vlen të përmendet në rastin e Cartwright është fakti se mbi bazën e tablove të tij janë mbështetur shumë autorë të njohur europianë. “Për mua është zbulim fakti se mbi veprat e tij është ndikuar dhe mbështetur një nga artistët më të mëdhenj europianë Eugene Delacroix. Piktori i famshëm francez ka realizuar një tablo me katër figura veshjesh kombëtare, duke u ndikuar e mbështetur drejt për drejt në katër figurat me veshje kombëtare realizuar nga Joseph Cartwright”, - thotë studiuesi Hudhri ndërsa saktëson se kjo vepër e Delacroix –s, e cila botohet për herë të parë në këtë botim të ri, gjendet në Londër. Vetë Delacroix nuk ka qenë në Shqipëri dhe as në Greqi, - thotë studiuesi Hudhri, - megjithëse në shumë tablo të tij shfaqen sidomos veshje e zbukurime nga këto dy vende. Ai është nxitur kryesisht nga Bajroni për të realizuar tablotë e tij. Në ditarin e tij një ditë maji diku rreth vitit 1820 ai shkruan: kur lexoj Bajronin, ndizem i tëri…”. Është fjala për pikënisjen e frymëzimeve të tij mbi këto vise që Bajroni i përshkruan me aq dashuri. Në këtë kohë Delacroix ka realizuar shumë vepra mbi Shqipërinë, për realizimin e të cilave është mbështetur mjaft te Joseph Cartwright si dhe ka përdorur armë, veshje e objekte të tjera etnografike që ia kishte siguruar miku i tij Robert August. Siç tregon Hudhri, August kishte ardhur në Shqipëri para 1820 dhe kishte udhëtuar në shumë vise shqiptare e ku kishte mbledhur veshje kombëtare e shumë objekte të tjera etnografike si armë dhe zbukurime. Miku i tij bashkë me objektet, duket i ka dhënë Delacroix-së edhe shumë të dhëna mbi zonat ku përdoreshin veshjet apo zbukurimet. Në shtëpinë muze të Delacroix në shumë skica me temë nga Shqipëria gjenden shënime plotësuese. Diku në fund të një skice shkruan “këpucë nga Gjirokastra”, dhe te një tjetër pikas shënimi “këmishë nga Mirdita”…
Ndërsa shfletojmë botimin e ri me titull “Shqipëria përmes artit” dhe ndalojmë në shumë vepra krejt të panjohura të këtyre autorëve të mëdhenj europianë, kuptojmë se historitë e tyre nuk mund të përmblidheshin të gjitha në një shkrim të vetëm. Ndalojmë kësisoj tek fakti i fundit, mjaft interesant. Një tablo që botohet për herë të parë me ngjyra dhe që përcjell dëshmi të cilat sot nuk ekzistojnë më. Është tabloja “Gjirokastra”, ku shfaqet ujësjellësi që çonte dikur ujin në kala, një monument i zhdukur, gjurmët e të cilit, falë frymëzimeve të autorëve europianë, mund ti gjejmë sot vetëm në të këtë tablo dhe në një litografi të Edward Lear të vitit 1848.

Një libër që rrëfen Shqipërinë përmes Artit

Z.Hudhri, botimi juaj i fundit “Shqipëria përmes artit”, një botim në gjuhën angleze, përmbledh thuajse gjithë kërkimet tuaja të këtyre viteve. Si është konceptuar ky libër?

Libri është konceptuar i ndarë në tre pjesë dhe unë ndonjë herë e quaj një libër ku janë përfshirë tre libra. Libri i parë ka një historik të shkurtër të artit shqiptar nga gjurmët më të hershme që kemi në art, deri në ditët e sotme. Është i ndarë në kapituj të veçantë kryesisht sipas periudhave dhe i ilustruar me vepra arti të secilës periudhë. Jam përpjekur që për herë të parë të përmbledh në një botim të veçantë të gjithë periudhat e historisë së artit shqiptar. Në histori-grafinë tonë të artit thuajse nuk është bërë ndonjëherë kjo në mënyrë të plotë. E kam pasur si një synim të hershëm që tashmë arrita ta realizoj. Kapitujt i janë kushtuar Artit Ilir, Periudhës greko-romake, Diasporës së hershme, Artit Pasbizantin, Arkitekturës, Artit Katolik, Artit Islam, Artit popullor, Artistët e huaj, Artit të Rilindjes dhe Pavarësisë, Artit të Realizmit Socialist, Artistët e Diasporës, Artit në Kosovë dhe treva të tjera shqiptare dhe në fund drejtimet e reja bashkëkohore.

Po libri i dytë?

Libri i dytë titullohet “Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj”. Kjo është një temë rreth të cilës unë kam vite që kërkoj nëpër muzetë e huaja dhe koleksionet private kudo në botë për të grumbulluar të gjithë veprat me temë shqiptare. Në të vërtetë këto kërkime janë objekt i një botimi enciklopedik që do të vijë pas këtij libri e do të jetë rezultat i gjithë kërkimeve të mia 20-vjeçare ku do kem rreth 500 autorë, shënime biografike të karakterit enciklopedik për ta, si dhe imazhet më të zgjedhura. Ndërsa në këtë botim që është tashmë në duart e lexuesve kam përmbledhur kryesisht veprat më të mira të autorëve më të njohur. Këtu janë përmbledhur mbi 100 piktura me temë shqiptare të këtyre autorëve të huaj. Shumë nga ato tablo botohen për herë të parë dhe janë rezultat i kërkimeve shumëvjeçare në galeri, muze, arkiva dhe koleksione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Dhe pjesa e fundit e këtij botimi, apo libri i tretë i kushtohet artit shqiptar...
Po libri i tretë titullohet “Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë”. Në këtë pjesë janë zgjedhur mbi 100 tablo nga autorët e parë të Rilindjes dhe të Pavarësisë si Idromeno, Mio, Kolombi etj, piktorët më të shquar të periudhës së realizmit socialist dhe përfundon me disa nga autorët më të njohur të ditëve tona. Është konceptuar në formën e një albumi, duke dhënë imazhet e pikturave më përfaqësuese për pasqyrimin e Shqipërisë nëpërmjet gjuhës së artit.

Pse tre libra në një?

Mund të qëndronin secili si libër më vete. Por u mundova ti fus në një libër të përbashkët, për të krijuar një imazh të plotë për kulturën dhe traditën tonë. Pas botimeve të pakta të këtij lloji për disa periudha të veçanta, është hera e parë që në një botim të vetëm pasqyrohen të gjitha periudhat e artit kombëtar, botohen mbi 300 imazhe të jetës shqiptare të realizuara nga autorët e huaj si dhe nga artistët më të njohur shqiptarë. Është një përpjekje për t’i pasur në një botim të veçantë për të gjithë artdashësit shqiptarë, por kryesisht ata të huajt. Për këtë arsye, libri është botuar në gjuhën angleze dhe së shpejti pritet edhe botimi në gjuhën shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT