E enjte, 25.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Myftari & Bozo: Rrezart Palluqi - ''Dallëndyshet pa fole''

E hene, 04.11.2013, 08:00 PM


Reçense nga Bahri Myftari dhe Vasil Bozo kushtuar romanit "Dallëndyshet pa fole"

Thelbi i romanit “Dallëndyshe pa fole” të autorit Rrezart Palluqi mund të etiketohet: Roman realist, me një kostum poetik modern. Le ta ilustrojmë me detajin artistik të mëposhtëm. Personazhin e romanit Mimoza një poete e talentuar përmend ca vargje interesante mes raportit trup-shpirt.

Në poezinë e saj të tërheq... një varg metaforik: - “Trupi – një tymnajë që digjet”.

Ka dy lloj djegiesh në jetë. Njëra është djegia biologjike e trupit – tjetra djegia metaforike, poetike, shpirtërore. Poetja bën fjalë për vrasjen shpirtërore. Kur na vrasin shpirtin me thashetheme, intriga, na vrasin edhe trupin e anasjelltas.

Poezia e saj është e qetë, konkrete, moderne, që i bie kambanave të triumfit të bukurisë universale në natyrë e në shpirt...

A nuk e vrasin trupin e bukur të Elbasanit me ngarkesa karbonike tej normave të lejuara, që vjellin oxhaqet metalurgjike.

Këto imazhe e mendime të ndjell poezia “Trupi e shpirti” i poetes Mimoza. Një poezi interesante lind një detaj artistik e interesant. Le të kalojmë tek një detaj tjetër artistik që është relaks gjatë leximit të tij...

Agimi personazhi kryesor i romanit së bashku me të dashurën e tij të re Mimozën marrin ca kafaze bosh dhe ja falin emigrantëve që shkojnë drejt Greqisë. Këto kafaze bosh i kanë për shtëpitë e reja të dallëndysheve.

Dallëndyshet janë simbole të shtegtimit të emigrantëve, simbole të mallit të tyre për vendlindjen e braktisur. Shpesh e kemi konsumuar zogun dallëndyshe, në poezi, prozë, këngë, si simbol a metaforë ndërlidhje me atdheun mëmë.

Asnjë dallëndyshe, asnjë lule, asnjë dhuratë nuk e kompenson praninë fizike të atdheut.

Një ditë dimri në atdheun tim vlen më tepër se dhjetra pranvera në mërgim... do shprehej bukur një poet i njohur rus. Në vendin e huaj, je i dyzuar.

E gjithë puna është të mos ndjehesh i huaj në vendin tënd shprehet autori Rr. Palluqi. Si ndjehesh i huaj në vendin tënd? Kur kthimi i pronave stërgjatet pafund, kur gjetja e një vendi pune është si të gjesh gjilpërën në kashtë.

Kur aksidentet në autostrada shtohen sikur ndodhesh në një front lufte me armikun etj... Detaji artistik i kafazeve bosh të dallëndysheve prej të cilit merr titullin romani është një detaj poetik, metaforik, i pashlyeshëm në kujtesë.

Le të hidhemi tek një detaj tjetër. Personazhi kryesor Agimi pas kthimit nga emigrimi ngre një biznes me lule natyrale të rritura në sera me teknologji holandeze. Ky detaj në përfytyrimin tim reflektohet si më poshtë. Serat me lule janë si kopsht shumëngjyrësh. Gojët e tulipanëve me ngjyra të kuqe të ngjajnë me buzët e kuqe të vajzave.

Detaji i serës të çon në meditime poetike... Tërësia e detajeve është stili, stili është “vepra letrare”. Thelbi i stilit artistik të autorit premtues Rr. Palluqi është tek kohezioni i temperamentit, mes kthjelltësisë, lirizmit, guximit më të shprehur.

Autori Rr. Palluqi vjen nga Elbasani e trevat rreth tij që shquhet për kulturë e arsim. Nga treva e Elbasanit në prozë ka pena të fuqishme si Dh. Shuteriqi, Dh. Xhuvani, B. Myftari, F. Kongoli, F. Açka, M. Vyshka, A. Abdihoxha, M.Kallupi, e të rinj E. Myftari, K. Agalliu etj. Ata i kanë bërë me veprat më të arrira radiografinë shpirtërore, etnopsikozën, koloritin gjuhësor e frazeologji të zonës etj.

Por magjia e Elbasanit nuk shtirret kurrë. Pret pena të reja, të kualifikuara t’ja skalisin më imët relievin shpirtëror të zonës patriotike, arsim e kulturëdashëse Elbasani...

Nga kjo zonë spikasin talentet popullore në këngë si Isuf Myzyri, vëllezërit Zena, Rafani etj. Bukuria, magjia Elbasanit ka shumë sekrete, por një sekret nuk i shpëton as syrit poetik të romancierit Rr. Palluqi sekreti i peizazhit natyror. Peisazhi i trevës Elbasanase i denjë për penën e Kadaresë e mjeshtrat e tjerë të penës së zonës, i denjë për penelin e V. Mios e penelin e mjeshtrave të pikturës së zonës si Andon Lakuriqi, Isuf Sulovari, Xhemal Lufta etj...

Stinën e vjeshtës Elbasanase e trajton bukur autori... Ai në përshkrimin e kësaj stine poetike ecën në gjurmët e poetëve të njohur që e krahësojnë vjeshtën si një pelë të kuqe, pela shtegtimi i përfytyrimit e kuqe e ndezur, ngjyra e gjetheve buzë muzgut dhe ashtu bukur skicohet Shkumbini. Dhe këtu të vijnë ndër mend prozator e poet të njohur që e kanë krahasuar lumin Shkumbin në vjeshtë si një kalë të azdisur, frelëshuar në shpinën e tij plot paleta të verdha, të kuqe, rozë gjethesh vjeshte...

Le të futemi në anën historike të romanit. Një histori emigracioni... Shkëmbim grash... zhgënjime, konkurrencë biznesi, zhgënjimi shprese... Mbijetesa në xhunglën e ekonomisë së tregut kur forti duhet të bëhet më i fortë që të mbijetoj (kjo pak a shumë historia). Historia e romanit është një pjesë e realitetit, i cili ndeshet përditë sidomos tek emigrantët.

Kryesorë që vlen të thuhet se në këtë roman Rr. Palluqi i ngre një himn jetës... Agimi heroi kryesor merret me biznes rritje lulesh. Lulet të zbusin në shpirt, ashtu si edhe muzika. Përveçse fitimit, biznesi luleve ka poetikën e vet. Ku qëndron poetika e një sere me lule? Një sërë lulesh, si qilim ngjyrash, si valle lulesh, si simfoni lulesh, vello lulesh... E gjithë vepra ka detaje poetike.

Simfoni lulesh, shtegtim kafazesh bosh, të dallëndysheve, raportin poetik trup-shpirt etj. Në thelb këto detaje artistike janë këngë për jetën njerëzore. Nëse detaji është vepra, vepra është njeriu e njeriu është jeta, e jeta është dhëmbje, ky është mesazhi i fortë i veprës.

Si ta bësh më të bukur jetën?

E mallkon jetën i pashpresë, i uritur, i diskriminuar.

E bekon jetën njeriu me vullnet, pasion e ideal... të lartë.

Autori duke jetuar në Hollandë e Greqi do të eksportojë Europën Hollandeze e Greke në Shqipëri. Duke i parë me syrin e ftohtë të emigrantit autori bën diferencat dhe do që këto diferenca të zbuten e të futemi sa më shpejt në Europë. Në shumicën e deduksioneve jemi dakord me autorin. Tema e integrimit sa më shpejt në Europë është lëvizja jonë, por rrugët drejt saj nuk arrihen vetëm duke gjetur defektet, por edhe duke pohuar thelbin evropian shqiptar. Europën më tepër duhet ta bëjmë këtu me punë cilësore konkrete e jo vetëm me përkthime të librave të Frojdit apo Niçes.

Në ca faqe edhe autori bie pse e mosrealizimeve, se si të hyjmë sa më shpejt në Europë. Europa të jep grepin dhe filispanjën, por peshkun (Europën) duhet ta zëmë vet thosh dikur politikani njohur amerikan Bejker. Pra në raportin difente dhe anë pozitive të kombit duhet ruajtur ekuilibri me sens drejt anëve pozitive të kombit tonë, si toleranca fetare, epoka e Skënderbeut, besa, qëndrimi ndaj çifutëve etj. Si përfundim romani i dytë i autorit “Dallëndyshe pa fole”, është roman realist me skena seksuale e erotike, por me një palcë të fortë epike. Epizmi, heroikja, qëndresa nuk duken vetëm në luftë me armikun pushtues.

Je epik edhe kur përball me dinjitet sfidat dhe egërsitë e ndryshme të jetës. Autori është kudo, por më tepër se ai vet është pezull në vepër fryma e tij.

Fryma poetike i rri romanit si kostum modern, si një dantellë e qëndisur të bukur kudo. Ekspresiviteti, nervi poetik është i pranishëm kudo në roman. Pak personazhe shumë karaktere e jetë. Pa karaktere të fuqishëm nuk ka vepër të fuqishme. Autori ka një fjalor të pasur poetik, kombinon euriditin me njeriun e mençur të popullit. Ai ka një bërthamë të fortë idesh, rreth të cilën rrotullohen imazhe, përshkrime, meditime. Autori shfaqet në librin e dytë në prozë të gjatë si një autor realist, lirik e me mjaft kolorit që premton më tepër në veprat e tjera i ka ngarkuar koha.

Bahri Myftari

Vasil Bozo Gusht 2013



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora