E enjte, 18.04.2024, 03:25 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përshpirtje otomaniste që marrin jetë jo vetëm për Halloween!

E premte, 01.11.2013, 10:18 PM


Përshpirtje otomaniste që marrin jetë jo vetëm për Halloween!

Nga Elvi Sidheri

Mbrëmë pas muzgut dhe darkës së errët (që si për koinçidencë, neve në gjuhën tonë të bukur shqipe, i themi “darkë”...ashtu siç në anglisht “dark” domethënë pikërisht “errët)...bashkë me fantazma të ndryshme të çdo lloji, njerëzish të vdekur e pakallur me hanxharë majë kresë, me sy të varur e gojë të shqyer tërë pikla gjaku dhe mbetjesh trush apo mishërash humanë, në këtë natë Halloween-i, ku bota kujton shpirtërat e “të përtejshmes”, m’u duk si shpesh kohët e fundit, se një vello po mbulonte qiejt shqiptarë.

Një fantazmë e veçantë dhe unike në llojin e saj, kishte nisur tashmë prej vitesh (thonë se “mendimtari” Davutogllu, andej nga 2001-shi pati hedhur idetë në kartë duke sajuar ashtu edhe teorinë e re neo-otomaniste)...që të qarkullonte pandalur jo vetëm ditëve shqiptare, por edhe gjatë natës së mistershme, pa bërë dallim midis agimit apo muzgut, në funksion dhe punë papushim 24 orë në 24.

Fantazma osmane, e personifikuar për të thënë të drejtën, deri para pak kohësh në mendjen time, më tepër me pamjen e ndonjë sulltani çallmëmadh dhe harem-frekuentues, i rrethuar përditë nga një shpurë grash dhe eunukësh, i shtrirë bythazi përmbi shiltet komode të pallatit të Topkapisë (përveç Portës vërtetë të Lartë në hyrje të tij dhe pamjes së pashoqe mbi Bosfor dhe Bririn e Artë, personalisht brendësia e atij pallati pak përshtypje të vlerësueshme më ka lënë, me dritarëzat nga ku sulltani i gjithëfuqishëm spiunonte gratë e veta të panumërta, apo me shfaqjen për sytë kuriozë të turistëve, të veshjeve sulltanore, që prapa në kohë, i tregojnë paturpësisht këta sundimtarë, si turko-mongolë të vërtetë, të shkurtër, këmbështrembër dhe trupvegjël)...sesa nga fytyra e Davutogllut, nëpër troje shqiptare, kjo fantazëm sidoqoftë nuk fanitet vetëm pas mesnate!

Davutogllu, në trupin e të cilit, siç duken bathët, kanë depërtuar tejpërtej gjithë lugetërit e osmanizmës ndër shekuj, duke ia pushtuar trutë e nënshtruar gjykimin e lirë dhe duke e transportuar të ngratin nëpër shekuj të kaluar, ku “lavdia” osmane ndihej fort në Stambollin sulltanor dhe kur këmba e jeniçerëve dhe bimbashëve turq arrinte gjer pranë mureve të Vienës, kohë kur një Itali e tërë bërtiste “Mamma li turchi” nën vizionin e ushtarëve osmanë dhe jataganëve të tyre të mprehtë, ai pra është vënë në krye të kësaj teorie “fantazma”...-gorike, duke u vetëtransformuar kështu, në një Princ të Errësirës, një Gjeneral Ushtrie të Vdekur siç do t’a kishte titulluar mrekullisht i madhi Kadare!

Italianët kanë një shprehje të bukur dhe tejet të përshtatshme në lidhje me këtë fenomen...që thotë tekstualisht pra:”A volte ritornano”!-gjë që domethënë se “ndonjëherë kthehen” disa specie të menduara dhe besuara të zhdukura, si kjo e ashtëquajtura neo-otomane apo yeni-osmane a t’a quajmë si të duam.

Dikur, vite më parë, ndërsa autori i këtyre rreshtave (unë)...vijonte me sukses relativ shkollën atëherë ende 8 vjeçare, kujtoj se për hartim final të klasës së tetë (provimi i letërsisë atëherë përbëhej nga prova në gjuhë shqipe dhe një hartim i tillë)...zgjodha pikërisht një temë të tillë që kishte të bënte me “Ndonjëherë kthehen”.

Mbaj mend që sado në moshë ende të mitur, kam pas shkruar për disa bunkerë që qenë “fundosur” në dukje, diku në oborrin e ndonjë pallati në kryeqytetin tonë, në kopështet e ndonjë shtëpie private të ndokujt, ashtu siç qëndronin “të fjetura” edhe rifuxho të ndryshme antiajrore e budallëqe të tjera megallomane të regjimit të kaluar enverist, nga ato që patën mbushur e bunkerizuar Shqipërinë ndërsa monizmi ndihej në luftë imagjinare më botën e tërë, kapitaliste apo socialiste të ishte ajo!

Këta bunkerë mua atë kohë, nuk më dukeshin aq të paqtë sidoqoftë, po fare-fare të tillë nuk i pandehja dhe gabim s’e kisha ndërkohë!

Kujtoj të kem përshkruar gjendjen e tyre, faktin që mbi betonin e bunkerëve, luanin fëmijët, si aty përplaseshin topat e futbollit apo edhe sesi brenda tyre, pasi qenë shqyer dyert e rënda prej hekuri, ndokush edhe gatuante ose shiste peshk e kështu me rradhë.

Por ajo që më çukiste mua në tru atëherë, ishte që ata bunkerë, përveçse memorie e dukshme e çmendurisë së regjimit diktatorial të kaluar, qenë edhe një pamje që të jepnin të kuptoje, se ajo e kaluar, nuk qe larguar njëherë e mirë dhe rrezikonte që sërish ndonjëherë të kthehej.

Sipas përshtypjes sime të kohës, bunkerët dhe pesha e rëndë e sistemit që ata ngërthenin si simbol opresiv në vetvete, nuk i pengonte asgjë konkrete, që të nxirrnin kryet jashtë barishteve që i patën mbuluar gjatë viteve, të linin prapa oborret ku qenë fundosur në llucë dhe harresë, e figurativisht, të ktheheshin edhe njëherë mes nesh, bashkë me tërë ato gjëra që një fakt i tillë do të nënkuptonte eventualisht për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.

Konflikti dhe lajthitja kolektive e 97-ës, më treguan sadoqë ende jo në moshë të konsiderueshme edhe me ligj, si i rritur, se përshtypja ime, e kanalizuar dhe fokusuar tek elementi “bunker” si reminishencë i një të shkuare të egër dhe vrasëse, që ende mund të lëshonte hijen e saj të errët përmbi vendin tim, kishte qenë gjithësesi e drejtë dhe mesa dukej, kisha goditur në shenjë.

Në fakt, zysha ime e kohës në gjuhë-lexim, zonja Tefta, një mësuese e nderuar dhe me stazh të gjatë pune tepër të respektuar tek shkolla ime traditë-gjatë në qendër të Tiranës, na pati qëlluar të ishte edhe cazë si e majtë për nga bindjet politike.

Kështu që falë edhe “titullit”...”Djali i Beut” që më kishte ngjitur ajo gjatë kohës kur më pati dhënë mësim (s’thoshte dot “bir kulaku” a ndonjë gjë të ngjashme, se qemë për fat në demokraci, por edhe se unë do të qeshë ndjerë tejet krenar për ndonjë emërtim të tillë dhe ashtu qëllimi i saj s’do arrihej dot)...kuptova më pas edhe arsyen përse hartimi im, që u përshëndet me ovacione nga “trupa” pedagogjike që do vlerësonte përmbajtjen e tij, në të vërtetë, mori një notë inferiore nga “10”-a që aty prisja me të drejtë dhe bindje (gjë që s’e kam pretenduar kurrë në matematikë, fizikë e lëndë të tilla).

Të shkuara sido që të jetë!

Zyshë Teftën e kam harruar dhe kujtimi i saj, më kthehet në mendje, vetëm në tilla raste kur evokoj atë kohë dhe mënyrën sesi unë “parapashë” (se parashikova nuk them dot)...sipas syve dhe botëkuptimit tim ende adoleshent, ato zhvillime dramatike që Shqipëria dhe banorët e saj, bashkë me mua, përjetuan në “vitin e çmendur”.

Nuk dua të bëj asnjëherë krahasime, mes situatave të ndryshme, që në aparencë nuk kanë kurrëfarë lidhje me njëra-tjetrën.

Bunkerët dhe memoria kriminale dhe shkatërrimtare e regjimit monist, është diçka më vete nga kujtesa e bëmave turke-osmane në tokat shqiptare.

Ç’kanë bërë turqit është diçka që nuk lidhet me atë që i ka shkaktuar vendit tim Partia dhe Kumandari për të cilin ende ndokënd se ç’e pret malli!

Por fakti që vetë dora e Davutogllut na ka shkruar e zezë mbi të bardhë se:”Çdo element tradicional islam i asgjësuar në kuptimin kulturor janë një gur themeli i shkulur prej ndikueshmërisë përtej kufitare të Turqisë në këtë zonë.Tashmë Turqia është e detyruar të prodhojë politika të mesme alternative.Është e pashmangshme që në themel të këtyre politikave të mesme, të zerë vend mbajtja gjallë e kulturës osmane-islame në Ballkan.Përpjekjet të dy elementeve themelorë të mbetjes osmane në Ballkan, boshnjakëve dhe shqiptarëve...e bën të domosdoshme mbështetjen e themelit të lidhjes historike-kulturore të përbashkët në mes të këtyre dy aleatëve të natyrshëm dhe Turqisë”...të vë në mendime.

Së pari njëherë, ky njeri mendje-currufjepsur nga kujtimet e një lavdie të rënë nga fiku prej një shekulli, asaj osmane, mendon dhe gjykon se feja islame në territore shqiptare ose boshnjake, buron dhe determinohet nga osmanët e sot turqit dhe jo nga libri i saj i shenjtë (Kurani) ose edhe nga profeti të cilit myslimanët mbarë bote i besojnë (Muhameti).

Unë vetë, nuk mendoj fare se Jezusi apo Bibla, janë të të njëjtit nivel, me gjuhën greke ose latine, që janë përdorur për shkrimin e fjalëve të shenjta pas aramaikishtes së origjinës.

Më tej, bëhet mëse e qartë edhe arsyeja e reagimit të ashpër, të shumëkujt kur kritikohen qëndrimet dhe deklaratat injorante dhe dashakeqëse, si ajo e Erdoganit në Prizren.

Ka shumë njerëz ndër shqiptarë, që turkun e barazojnë katërcipërisht me fenë myslimane dhe kjo s’është aspak diçka normale.

Të mos ndash të njëjtin qëndrim apo edhe të kesh ndonjë objeksion të drejtë ose të thuash të vërtetën e zhveshur, lidhur me ato të këqija që ka lënë pas Perandoria Osmane në trojet tona, nuk do të thotë së pari të kesh ndonjë gjë me vetë popullin turk, aq më pak me lidhjet normale që pas shumë shekujsh (të cilat tejkalojnë ushqimet e përbashkëta, serialet turke, fjalët e mbetura nga turqishtja në gjuhën tonë dhe vijojnë të jenë të pranishme tek shumë tradita dhe sjellje të ngjashme)...janë vendosur midis popujve tanë.

Edhe më pak, kjo do të thotë të kesh gjë me fenë e turqve dhe atë të shumë bashkëkombasve tanë të nderuar.

Por siç unë nuk fyhem fare kur dikush shan apo kritikon qëndrimet apo sjelljet dhe të kaluarën shpesh shoviniste të shtetit grek ndaj shqiptarëve, sadoqë me fe kam zgjedhur dhe më është trashëguar nga familja të jem ortodoks, ashtu edhe një katolik nuk e vë ujin në zjarr së tepërmi, po tha dikush gjë për italianët e kështu do të nevojitej të ndodhte edhe kur flitet ndonjë gjë lidhur me turqit.

Pastaj kur siç sipërcitova, se Davutogllu, qartësisht flet dhe dirigjon politikën neo-otomane, me qëllim dhe objektiv të dukshëm, që të mbahet gjallë “kultura osmane” në Ballkan, ai është normalisht në të drejtën e tij, teksa dëshiron të tilla gjëra, por për ne si shqiptarë, kjo do të nevojitej të tingëllonte si një këmbanë alarmi.

Pse ç’qenkemi ne, kulturë osmane kështu?

Kërpudha që paskan mbirë pas shiut 5 shekullor osman, qënie që nuk paskan ekzistuar para ardhjes së dhunshme dhe totalisht të paftuar të turqve në këto anë  qenkemi ne gjë?

Davutogllu, në vizionin e tij osmanist, na shikon dhe ëndërron të na përdori, për arritjen e qëllimeve ekspansioniste turke dhe aq, asgjë më tepër!

Në përfytyrimin e tij, shqiptarët, po edhe boshnjakët, nuk janë asgjë përveçse, mbetje osmane në Ballkan dhe këtë gjë e ka shkruar hapur fare.

Pra s’bëhet këtu fare fjalë, që të themi, të na kishte konsideruar të paktën si popuj më vete, me historinë dhe traditat e tyre eventualisht edhe të lashta, të cilët për shkaqe të ndryshme, të quheshin edhe si aleatë nga turqit.

Për të jemi thjesht “mbetje osmane”, gjurmë të lëna prapa nga osmanët njëherë e një kohë, të gatshme për t’u shkelur sërish nga turqit e sotëm, me oreks të zgjeruar osmanist dhe për t’u përdorur për përfitimet e shtetit turko-erdoganist.

Fjalët e bukura janë tjetërgjë, e vërtetë është kjo dhe Davutogllu ka menduar ekzaktësisht ato që ka shkruar.

Unë “mbetje osmane” nuk ndihem për vete, as fosil turk, as ndonjë gjë e përngjashme me këto!

Davutogllu dhe shefi i tij hijerëndë, po të duan miqësi reciproke, pa prapamotive dhe tendenca nënçmuese e shfrytëzuese, do t’a gjejnë atë tek unë dhe besoj edhe shumë shqiptarë.

Ndryshe, edhe këto lajthitjet e fundit neo-otomane, do t’i vështroj dhe quaj...”Përshpirtje të rradhës (për Halloween)...të lugetërve osmanë”!

Lugetër e gogolë, fantazi janë e mbeten, ashtu si edhe këto ëndërrat otomane.



(Vota: 26 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora