E enjte, 18.04.2024, 02:31 AM (GMT+1)

Mendime

Bleron Baraliu: Demaçi ledhaton Turqinë

E marte, 29.10.2013, 08:22 PM


Demaçi shtrembëron historinë, ledhaton Turqinë

Nga Bleron Baraliu

Përfshirja masive e klasës politike të Kosovës në frymën konspirativiste duket të ketë arritur edhe viktimën e fundit, duke gëlltitur në këtë vorbull edhe mendimtarin e denjë Adem Demaçi! Posaçërisht deklarata se “Turqinë e ka autorizuar Amerika të përkujdeset për Kosovën” është jo vetëm konspirativiste, por edhe goditje e rëndë kundër logjikës zakonisht të qëndrueshme të vetë Demaçit gjatë më se gjashtë dekadave politikbërjeje dhe analizash gjeopolitike.

Analizues i denjë i situatave dhe përllogaritjeve diplomatike të koalicioneve të ndryshme rreth Kosovës dhe shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, Demaçi jo rrallëherë ka guxuar të kundërshtojë bindjet populiste, duke na ardhur në skenë me vlerësime kontrariane që kanë sfiduar intuitën në favor të logjikës dhe vëmendjes përtej sipërfaqësore. Këtu vlen për t’u theksuar stoicizmi i tij si përfaqësues politik i UÇK-së për mosdorëzim në Rambuje, një botëkuptim i braktisur më vonë nga vetë ai, por që duhet studiuar me kujdes për meritat domethënëse – ani pse kontraverse dhe vështirë të mbrojtshme para gjykimit publik.

Mirëpo, vlerësimi, dhe përmëtej, deklarimi publik i Demaçit se “vëllazërimi me Turqinë” edhe sikur vetëm në metaforë t’i përngjajë një aleance të re, të dirigjuar nga “miqtë tanë kryesorë”, bie ndesh dhe relativizon vlerën e simbolizmave historikë të rëndësishëm në mes këtyre dy shteteve dhe dy popujve për më shumë se 600 vite. Me evokimin e historisë së hidhur të shqiptarëve gjatë sundimit të Perandorisë Osmane nuk duam assesi të zhvlerësojmë shpirtin e gjerë të popullit shqiptar apo nevojën për të falur të pandehurit edhe për krimet e rënda, vetëm për hir të paqes së fëmijëve tanë, sidomos në lidhjet Shqipni (natyrale)-Turqi. Thjesht, këtu duam të vëmë në dukje faktin se përkushtimi ndaj së vërtetës historike dhe kontekstit të së kaluarës dhe së sotmes shqiptaro-turke do të thotë përkushtim ndaj mbrojtjes së vlerave europiane dhe ardhmërisë së vetë popullit shqiptar.

Pra, duke qenë se Turqia e sotme madje është ndërtuar edhe mbi supet e kontribuuesve të denjë shqiptarë, si Kemal Ataturk dhe Sami Frashëri, është e natyrshme që shtetet shqiptare të jenë vende mike me Turqinë brenda Europës, së cilës i takojnë së bashku, por kjo assesi nuk mund të mohojë as edhe vetëm në mënyrë implicite apo kalimtare dëmin e madh të Perandorisë Osmane në tokat tona, e aq më pak përkatësinë e paluajtshme natyrale të Kosovës në Shqipni.

Përkujdesja ndaj vlerave dhe vlerësimeve historike nuk duhet ndalur vetëm rreth historisë makabre të 500 viteve famëkeqe. Pa dyshim, me rëndësi është po ashtu të bashkërendisim edhe kontekstin aktual të sulmit të vlerave kombëtare e tradicionale shqiptare në dy rrafshe: një, atë të fanaticizmit islamist në rritje alarmante në Kosovë (dhe njërën prej pasojave specifike, atë të pseudo-asimilimit të prizrenasve në Turq, kur bota mbarë e di qe në Prizren ka turq autoktonë po aq sa në Plavë-Guci ka boshnjakë të tillë); dhe dy, atë të krijimit të kushteve optimale të asimilimit të miliona shqiptarëve brenda kufijve të Turqisë moderne.

Në momente kur ekstremizmi islamik dhe erozioni i vlerave tradicionale në përgjithësi cenojnë evolucionin e identitetit të lavdishëm shqiptar, Demaçi ka përpirë një helm të madh dhe ka gëlltitur një gafë logjike, duke kontribuar po në këtë drejtim, dhe njëkohësisht duke relativizuar “të vërtetën e paluajtshme” që i ka garantuar atij qëndrueshmërinë dhe diturinë e dekadave edhe gjatë keqtrajtimeve më mizore. Demaçi e ka bërë këtë në favor të optimizimit të kalkulimeve konspirativiste me asnjë vlerë përtej “llafeve spekulative”.  Megjithatë, për hir korrektësie, duhet nënvizuar se Demaçi gjithmonë ka qenë njëlloj i gatshëm edhe “të digjet për Shqipni”; luhatjet e tij janë shenjë e përtej-pjekurisë politike dhe filozofike, dhe jo çfarëdo nuance lëvizjeje nga determinizmi atdhedashës.

Prandaj, me përgjegjësinë më të lartë morale e kombëtare, por pa anashkaluar as konsekuencat relevante politike dhe pa anashkaluar respektin për të, i drejtohem Bacit me thirrje që të konsideroj me vëmendje të shtuar edhe rrethanat kontekstuale brenda popullit dhe vendit, dhe jo vetëm të vështrojë nga lart. Demaçi duhet të distancohet nga deklaratat relativiste të fundit, duke rishkruar mendimin e tij të vërtetë në lidhje me këto çështje. Ai duhet mbajtur mend në çdo çast se deklaratat e tij përbëjnë tulla kyçe në ndërtimin e historiografisë dhe evolucionit tradicional shqiptar për shumë gjenerata, dhe nuk meritojnë nënçmim ditor për hir të rrethanave të përkohshme apo në llogaritje të ndonjë beneficioni margjinal për një parti apo ndonjërin nga “shtetet” tona.

Kosova është Shqipni!  – kjo është e vetmja e vërtetë që mund t’u qëndrojë gërryerjeve të kohës, dhe Demaçi e di këtë tejet mirë, po aq sa dhe gjithë të tjerët që nuk dëshirojnë të gënjejnë veten!

*Autori ka lindur në Prizren dhe prej 19 vitesh është aktivist i komunitetit shqiptar në Amerikë



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora