E enjte, 28.03.2024, 08:35 PM (GMT)

Mendime

Mentor Shala: Festat kombëtare të Kosovës

E hene, 26.05.2008, 01:10 PM


FESTAT KOMBËTARE TË KOSOVËS

Nga Mentor Shala

Kadale po sigurt po ‘meremetohet shpia e re’! Shteti brina s’ka.

Shteti i bjen me vete edhe elementet e veta që e përfaqësojnë – flamurin, stemën dhe himnin. E bjen me vete kushtetutën e vet. I bjen me vete datat ma të rëndësishme të historisë së vet. E këto data bahen festa kombëtare. Me këto festa që nesër e masnesër do të mburren gjeneratat e ardhshme. Sepse kanë për çka me u mburrë.

Me nji fjalë, shteti e bjen me vete identitetin e ri!

Vendimi i fundit i Qeverisë për projektligjin për festat kombëtare të Kosovës ma së miri e dëshmon këtë. Qeveria vendosi që 17 Frori me qenë Dita e Pamvarësië dhe e Flamurit të Kosovës. Gjithashtu, vendosi që 28 Nandori, Dita e Pamvarësisë së Shqipnisë dhe e Flamurit,  me qenë datë e respektume, por jo festë kombëtare.

Vendim i pritun!

Ajo që më bani nervoz mas këtij vendimi të Qeverisë, ishin mediat e Shqipnisë. Ma konkretisht, televizioni ALSAT. Ishin shku e t’i kishin gjet nja dy vet n’qytet e i kishin pyet për këtë vendim. Nuk muj me rrejt, e kishin gjet edhe nji të tretin që ishte pro vendimit të Qeverisë. Po ai mbet nën hijen e këtyne dy tjerëve që dominonin në storie. Dhe tanë storien e ndërtojnë mbi qëndrimet publike të këtyne dy vetave dhe vijnë n’përfundim se qytetarët e Kosovës nuk e pranojnë këtë vendim të Qeverisë.

Tendencë e rrezikshme e nji mediumi shqiptar. Pikë ma s’pari, anketa me qytetarë nuk bahet vetem me tre vetë. E dyta, kur bahet anketa me qytetarë në TV, gjithmonë duhet me thanë se qëndrimi i atyne që i anketuem asht ky ose ky. E treta, n’anketë me qytetarë duhet me pas mosha të ndryshme dhe mendime të ndryshme, të tana moshave. E kur anketa bahet me tre persona dhe dy prej tyne janë kundër një vendimi, dhe që të tre janë pleq, nuk ka si me u definu ndryshe krejt kjo pos si nji tendencë e rrezikshme për me acaru situatën n’Kosovë.    

Kur po i ndigjoj disa kolegë të mi kosovarë se janë skeptikë, po muj me i kuptu, sepse ende s’janë mësu me idenë e shtetit. Ende po ju doket andërr! 

Asht interesant qysh disa media të Shqipnisë mbas Pamvarësisë së Kosovës kanë fillu me na kallxu se sa nacionalista janë. Aq nacionalista që nganjihere t’bajnë me u ndie si “shpiun” e “tradhtar”. Po e shfrytëzoj rastin publikisht me i adresu këto media:

A e kish ba festë kombëtare Shqipnija Ditën e Pamvarësisë dhe Flamurit të Kosovës dhe a kishin pranu ata me u bashku me Kosovën e me pas kryeqytet Prishtinën e kryeministrin me pas nga Kosova?

Nuk po e paragjykoj përgjigjen, veç nuk kisha besu se kisha me marr përgjigje pozitive. 

 “Kufijtë e Kosovës nuk janë dhuratë politike e askujt. Ata janë shprehje e një realiteti territorial, tashmë i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht. Shteti i pavarur dhe demokratik i Kosovës nuk është ndërtuar mbi parimin etnik. Është shtet i ndërtuar mbi idenë e demokracisë qytetare, që njeh identitetet kulturore të të gjithë qytetarëve të tij dhe i garanton me Kushtetutë. Në themele të këtij shteti qëndrojnë vlerat e patriotizmit kushtetues” Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike a religjioze. Në Republikën e Kosovës dallimet nuk do të jenë kërcënim, por pasuri”.

Kjo asht përgjigja ma e mirë që deri sot e kam ndigju. Këtë e ka deklaru kryeministri Hashim Thaçi në Gazetën ‘Shqip’ të Shqipnisë. Ndërsa, për raportet e Kosovës me Shqipninë, në këte intervistë të hatashme, thotë: ‘Bashkëpunimi rajonal është një nga rrugët e vendeve tona drejt strukturave euroatlantike’. Nuk don koment!

Vendimet dhe veprimet e deritashme institucionale, kallxojnë se kjo klasë politike asht plotësisht koshiente për nevojën e nji identiteti të veçnatë shtetnor të Republikës së Kosovës. Kjo klasë politike po kallxon se na jemi tash Zot Shpije. Na i vendosim rregullat n’Shpinë tonë. Nuk mundet kojshia me na kallxu qysh me u sill n’Shpinë tonë. Personalisht po më gëzon fakti se institucionet e Kosovës e kanë kuptu rrugën e ardhmënisë dhe e kanë zgjedh ate rrugë – rrugën drejt Bashkimit Europian. Shikojeni Serbinë se ku po e çon rruga nacionaliste.

“Shteti i pavarur dhe demokratik i Kosovës është rezultat i përpjekjeve të gjata të popullit të saj për liri. Kjo është meritë e popullit të Kosovës dhe e të gjitha shteteve demokratike të botës që ndihmuan në krijimin e shtetit tone”. Kështu thotë kryemnistri.

E une po jua baj Për Hajr - Ditën e Pamarësisë dhe të Flamurit - 17 Frorin, tash edhe zyrtarisht!

E gëzofshim bashkë me festat tjera kombëtare të Kosovës!

Shteti brina s’ka.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora