Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Historia në sytë e një burri

| E marte, 29.10.2013, 08:12 PM |


HISTORIA NË SYTË E NJË BURRI

(Neim Cërrikut)

NGA PËLLUMB GORICA

Në Kamuna të Elbasanit jeton prej shekujsh familja e madhe Cërriku. Në rrjedhat historike, fama e saj, në kuptimin e vërtetë të fjalës, i kalon kufijtë e krahinës Sulovë. Në ç’do kohë, Cërrikasit, janë shquar ndër familjet e tjera të Sulovës për patriotizëm, fisnikëri e mençuri. Dera e tyre më shumë burrërore, mikpritëse, bese. Poshtë shtëpive të tyre, dikur kalonte rruga e karvaneve Elbasan - Berat. Kush kalonte në atë rrugë e njihte Kamunaun dhe të shumtë ishin ata që ktheheshin në konakët e Cërrikasve, të paktën për një kafe, kur u jepej rasti apo të urdhëronin për drekë a kalonin natën. Cërrikasit të denjë në kohëra, me burra atdhetarë si: Merko Cërriku, Xhaferr Cërriku, Çeç Cërriku, Neim Cërriku,  Selman Cërriku, Hamit Cërriku, Halim Cërriku, Yzeir Cërriku, Kodhel Cërriku, Riza Cërriku etj. Në ngjarjet tragjike për fatin e kombit tonë, sa herë që ai gjendej në fije të perit i tregonin armët çdo pushtuesi. Cërrikat të lidhur miqësish me familje të mëdha elbasanase të kohës e sidomos me patriotin Aqif Pashë Elbasani, ishin halë në sy për klikat qeverisëse, pushtuesit, ziliqarët. Faktet historike, përpos të tjerave, dëshmojnë guxim e trimëri. Qëndresa e refuzimi i pagimit të tatimit ndaj taksidarëve turq, spikati Merko Cërrikun, i cili përherë, përballej me pushtuesit osmanë. Me qëllimin që të njihemi me imtësi, ngjarjet historike kanë ardhur deri në ditët tona jo vetëm në histori gojore, por janë përjetsuar edhe në vargje:

...Ç’ke Puçe që rri mejtuar,

Asqerët të kanë rrethuar .

Që ke porta,  gjer te fiku,

Bënë dyfek Merko Cërriku.

Janë të njohura pjesëmarrjet e Cërrikasve në fillim të luftrave Ballakanike. Shqipërisë i kanosej rreziku i coptimit të trojeve. Grekët, serbët, malazezët u derdhën rrëmbimthi. Pikërisht për këtë shkak dhjetra vullnetarë të armatosur edhe nga familja e njohur e Cërrikasve në Kamuna, duke vazhduar traditën luftarake shkuan në mbrojtje të kufijve më 1912 -1913 nga andarët grekë. Midis 80 luftëtarëve sulovarë të inkuadruar në një batalion vullnetarësh në ndihmë të Shkodrës së rrethuar më 1912 ishin edhe pjestarë të familjes Cërriku. Pjesëmarrje edhe në Luftën e Vlorës kundër pushtuesëve italianë më 1920. Në vitet e Luftës së Dytë Botrore, shtëpitë e Cërrikësve u kthyen në çerdhe mikpritje për partizanët. Dhjetra djem të Cërrikasve u rreshtuan në radhët e formacioneve partizane si Shefqet Cërriku, Hazis Cërriku, Yzeir Cërriku, Sulejman Cërriku, Neshat Cërriku, Maliq Cërriku, Xhevat Cërriku. Ra dëshmor në 14 gusht 1944 në Berat Kodhel Myslim Cërriku. Riza Cërriku kontriboi në Komandën e vendit në Mollas dhe arsimimin e brezave në Sulovë. Neim Cërriku u zgjodh kryetar i këshillit Nacional Çlirimtar krahinor të Sulovës së Poshtme.

Neim Cërriku ishte një ndër burrat e dëgjuar të krahinës së Sulovës,  në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, me veti të veçanta morale dhe koncepte të thella patriotike. Lindi më 1869. Luftërat, trimëria e çartur, patriotizmi i pashoq, bujaria e mikpritja e familjes ndikuan dukshëm në formimin e tij. I brymosur në këtë mjedis me pasuri shpirtërore, të nderimit edhe si derë e parë në Kamuna, tregohej nga bashkëkohësit, se Neim Cërriku, ishte natyrë e gjallë, zemërbardh e bujar, i zhdërvjellët e tepër guximtar. Me cilësitë e sipërmenduara, ashtu siç dinte të përdorte fjalën dhe gjykimin, dinte të përdorte edhe pushkën në ngjarje të rënda që kaloi krahina e Shqipëria. Në ngjarjet e rëndësishme të kohës është shquar edhe si organizator i patriotëve sulovar. Për të ilustruar më mirë në detaje, sipas historive gojore, që i kanë rrezistuar kohës, thuhet se në vitin 1913, në këtë vit të rëndë për fatet e kombit, së bashku me dhjetra vullnetarë sulovarë rroku armët e u vllazërua me luftëtarët e viseve shqiptare në juglindje të Shqipërisë, në mbrojtje të popullsisë në Kolonjë nga andarët grekë. Në këto ngjarje shkëlqeu trimëria dhe guximi i tij. Meritë është se me pjesëmarrjen e tij i kapërceu vlerat e një luftëtari të thjeshtë, sepse përveç luftoi, u paraqit si një prijës i vullnetarëve nga krahina e Sulovës. I habiti të gjithë, kur vetëm me vëllanë Çeç Cërriku dhe bashkëfshatarin e tij Abdulla Menkshi përballoi sulmin e një grupi andarësh grekë të armatosur, që synonin zaptimin e viseve shqiptare. Andarët greke nuk kishin lënë gjë pa bërë ndaj banorëve: vrasje, shtëpi të djegura, rrëmbime bagëtish, duke i detyruar banorët të largohen nga vatrat e tyre. Mik i Sali Butkës, Vexhit Hoxhës, rendi deri në krahinat e Gjirokastrës.

I vlerave historike është kontributi i patriotit Neim Cërriku në vitin 1920. Vullnetar në mbrojtjen e punimeve të Kongresit Historik të Lushnjës, së bashku me 50 luftëtarë nga Sulova si: Yzeir Baku, Sali Hoxha, Bajram Mëhalla, Çeç Cërriku, Hamit Çela, e të tjerë, të cilët zunë kodrat rreth Lushnjës. Forca të shumta vullnetare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë u angazhuan për mbledhjen e delegatëve dhe zhvillimit me sukses të Kongresit të Lushnjës nga kundërshtarët e shumëllojtë. “Ishin më shumë se 14 mijë forca ushtarake kombëtare” do të shkruante gazeta ‘‘Populli’’ e datës 6 Shkurt 1920. Pas Kongresit të Lushnjës, qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina krahas masave të tjera krijoi njësi të armatosura nën komandën e Bajram Currit, për të asgjesuar lëvizjen reaksionare me ngjyrë esadiste, që vepronte në Shqipëri të Mesme. Në këto çeta pjesmarrëse morën pjesë edhe sulovarë e midis tyre edhe Neim Cërriku. Një ngjarje tjetër e rëndësishme për popullin shqiptar ishte edhe Lufta e Vlorës më 1920. Vullnetarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, duke iu përgjigjur thirrjes së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” luftuan me arëm në dorë me synimin të largonin pushtuesin italian, duke treguar akte heroizmi. Sipas dokumentave nënprefektura e Gramshit (krahinat Vërçë-Sulovë) me inisiativën e patriotit Refat Dyrmishi dërgoi rreth 400 luftëtarë, në disa grupe. Edhe vullnetarët nga Sulova treguan një shpirt të lartë sakrifice. Një nga ata ishte edhe Neim Cërriku. Pas mbarimit të Luftës së Vlorës, një tjetër rrezik, iu paraqit Shqipërisë:agresioni serb. Aqif Pashë Elbasani me cilësinë e prefektit të Elbasanit luftëtarëve të krahinave të Elbasanit (dhe sulovarëve) u bëri thirrje që të shkojnë përsëri në luftë. Iu përgjigjën mjaft vullnetarë sulovarë, krahpërkrah me luftëtarë dibranë, tiranas, kavajas, mirditor, krutanë, shpatarak në Çermenikë e Martanesh. Serbët, duke ndjerë peshën e gadishmërinë, pësuan humbje e u larguan. Po kështu në Korçë pas largimit të trupave franceze iu kanos rreziku tjetër i madh i pushtimit të saj dhe fshatrave të Kolonjës, Bilishtit nga bandat andare greke. Në këtë kohë patriotët dhanë alarmin për ti mbrojtur këto vise. Që të pengonin hyrjen e forcave greke në brendësi të kufijëve të Shqipërisë. Çetat luftëtare nga Jugu e patriotë të tjerë bashkë me 50 luftëtarë sulovarë, sprapsën vërshimin e andarëve grekë. Por edhe në ngjarjet që erdhën më vonë, të vitit 1924, Neim Cërriku bashkohet me patriotë nga Elbasani dhe merr pjesë në kryengritjen kundër feudalistëve deri në vendosjen e Qeverisë Demokratike të udhëhequra nga Fan Noli. Vendlindja e tij Kamunau dhe e gjithë familja e madhe e Cërrikasve e përkrahu dhe u rreshtua në forcat demokratike. Pas përmbysjes me dhunë të qeverisë së Nolit, nga Zogu në dhjetor 1924, të ndihmuar nga serbët, pikërisht për këtë pjesëmarrje ai përndiqet nga regjimi i Zogut. Mandej, në gjithë krahinën e Sulovës, e më gjërë emri i atdhetarit Neim Cërriku zuri të përmendej me respekt të veçantë. Ajo që bie më tepër në sy, është se Neim Cërriku u shqua në periudhën e mbretërimit të Zogut për një mençuri mes burrave të krahinës, duke fituar një autoritet të pamohueshëm, ç’ka bashkëfshatarët i kërkonin shpesh këshilla. Ai zgjidhej vazhdimisht në këtë periudhë kryeplak në Kamuna. Bashkohësit e tij tregonin episode interesante. E  gjente shpesh veten, pa i u trembur syri, të përfshirë në ngjarje ptotestuese me qëndrimet e tij dhe të bashkëfshatarëve, që ishin në kundërshtim me regjimin. Por, ai nuk u dha as nga presionet e xhandarëve, e as nga arrestimi e burgosja për këto qëndrime.Madje tregojnë një episod që i arrestuar në postkomandën e Mollasit me zgjuarsinë e tij u shpëtoi xhandarëve që e mbanin ë lidhur  në birucë dhe u arratis. Në vitin 1926 me patriotë të tjerë sulovarë protestoi në prefekturën e Elbasanit për mos mbylljen e shkollës shqipe në Mollas. Shkollë,që u bë çerdhe për zhvillimin e arsimit dhe kulturës në  krahinën e Sulovës. Mësuesi i parë nga Sulova, Riza Cërriku në kujtimet e tij, kur fliste për protestën e patriotëve sulovarë në radhë të parë përmendte Neim Cërrikun. “ Historiku i zonës së Mollasit” shkruan “Patriotëtë arsimdashës sulovarë kundërshtuan vendimin e qeverisë. Një grup prej tyre i përbërë nga: Neim Cerriku, Musa Hoxha, Sali Hoxha, Bajram Mëhalla, Isuf Qevani, Hasan Frakulli, Mehmet Asllani, Rrapush Asllani, Shaqe Gjini, Beqo Gjini shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan vendimin e qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e saj. Përpjekjet e patriotëve ishin mbinjerzore dhe të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e arsimimit të fëmijëve, duke sakrifikuar në qiell të hapur për ditë të tëra dimri para derës së prefekturës. Qeveria nga presioni i  tyre u detyrua që të hap shkollën.”

Ashtu edhe për banorët e Sulovës, sidomos në fillim të prillit 1939 ishte bërë e qartë se sulmi i Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë po trokiste në derë. Sikundër të tjerë edhe Neim Cërriku, iu bashkua sulovarëve në Mollas tek postkomanda, që kërkonin armë të shkonin në Durrës, për të penguar ardhjen e fazhizmit, por ishte tepër vonë. Pushtimi fashist i Shqipërisë u krye më 7 prill 1939 në mëngjezin e së “Premtes së zezë” siç u quajt. Fashistët pushtuan vendin, për një kohë të shkutër me gjithë qëndresën. Ky lajm i kobshëm u përhap si vetëtim edhe në Sulovë. Pushtim që u karakterizua edhe nga urrejtja e Neimit edhe për mbretin Zog të arratisur, të cilën e shprehu hapur në bisedat me bashkëfshatarët. Ishin fillimet e organizimit të Luftës Nacional Çlirimtare për liri. Si kudo në Shqipëri edhe në Sulovë, djem nga Elbasani, Gramshi e Berati të arsimuar dhe përkrahës të ideve përparimtare si: Dhimitër Shuteriqi, Ibrahim Stafa, Esat Dishnica, Kadri Musai, Mehmet Bajraktari, Ali Myftiu, Petrit Hakani, Kiço Samara, Enver Liço, në Sulovë ngritën moralin e banorëve, që të ishin të gatshëm për të luftuar kundër pushtuesëve, sidomos me familjet patriotike. Demaskuan tradhëtarët e vendit me domosdoshmërinë e luftës për shporrjen e pushtuesëve. Cërrikasit zgjodhën përkrahjen e Lëvizjes Nacional Çlirimtare, për të mos ndenjur pasiv në këto çaste vendimtare, duke mos e pranuar nënshtrimin e huaj. Zgjerimi i luftës kundër pushtueseve po merrte përpjesëtime të mëdha. Edhe pse i moshuar, Neim Cërrikun, me vlerat e virtytet që gëzonte: trimërinë, mençurinë, influencën, nderimin dhe respektin, sulovarët, në Dragot-Sulovë, kur u krijua më 4 nëndor 1943 Çeta partizane e Sulovës së Poshtme e zgjodhën Kryetar të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar Krahinor. Sipas kujtimeve të veteranit Abas Ago, në mbledhjen që u bë, i deleguar i qarkorit të Partisë Konuniste Elbasan, Dhimitër Shuteriqi u foli të pranishmeve për domosdoshmërinë e luftës kundër pushtuesve, për kryengritjen e armatosur dhe për pushtetin e ri, që duhej ngritur i përfaqësuar nga burra të mençur të cilët vetë sulovarët i zgjodhën. Si përherë, edhe në këto ditë të rënda, Neim Cërriku u shqua për aftësitë drejtuese, ndershmërinë, përkushtimin, drejtësinë. Ndihmoi formacionet partizane me ushqime, veshmbathje e strehim. Gjithashtu pregatiti të rinj vullnetarë, për të mbushur radhët partizane. Mendoi dhe veproi për problemet e banorëve të krahinës Sulovë, por edhe drejtoi pa anshmëri.

Neim Cërriku mbylli sytë në vitin 1952, në moshën 81 vjeçare, por kujtohet me respekt, si burrë me gjurmë vlerash patriotike.