E premte, 19.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kastrati: Kosova nuk është Turqi, por Evropë

E hene, 28.10.2013, 08:23 PM


Kosova nuk është Turqi, por Kosova është Evropë

Nga Rexhep Kastrati

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan, ashtu edhe siç kam paralajmëruar vazhdimisht, në Prizren shpalli protektoratin mbi kombin dhe territoret shqiptare. Dhe këtë e tha aq hapur dhe aq qartë sa nuk ka ku shkon më tej: “Kosova dhe Shqipëria janë Turqi dhe Turqia është Kosovë e Shqipëri”. Në këtë mënyrë, Rexhep Taip Erdoan bëri të qartë se ai nuk po vjen në Kosovë, as në shtetin shqiptar për të ndërtuar raporte miqësore, por raporte vasaliteti dhe shtrirje të ndikimit të saj në rajon nëpërmjet shqiptarëve. Në këto synime strategjike të Turqisë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama janë vetëm dy sejmenë që kryejnë detyrat që kërkojnë të tjerët prej tyre. Është kështu për faktin se Hashim Thaçi nuk di tjetër të bëjë përveçse të realizojë interesa të të tjerëve, përfshirë interesat serbe, turke etj, kurse Edi Rama është dëshmuar si politikan që e ka distancuar veten nga nacionalizimi shqiptar, dhe e ka paraqitur veten si jonacionalist, apo edhe si kundërnacionalist. Në të dy rastet, si te rasti i Hashim Thaçit, ashtu edhe te rasti i Edi Ramës, bëhet fjalë për njerëz agresivë kur bëhet fjalë për çështje të brendshme, kurse janë tepër puthadorë, kur bëhet fjalë për raporte me shtete apo diplomatë të huaj. Hashim Thaçi, në skenën politike të Kosovës ka mbijetuar duke keqpërdorur gjakun e dëshmorëve dhe të të rënëve të tjerë gjatë luftës, pra duke e bërë të fortin, si dhe nga përkrahjet joparimore për shkak të angazhimeve politiko-diplomatike, që i bien ndesh idealeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe të të rënëve të tjerë.. Në anën tjetër, Edi Rama ka ardhur në pushtet në emër të politikave sociale përtej komuniste, madje edhe utopike, siç janë ato që kanë të bëjnë me sigurimin shëndetësor falas; në emër të politikave fiskale që përjashtojnë nga sistemi fiskal bizneset e vogla; në emër të politikave administrative-qeverisëse më të leverdishme, por që për më pak se dy muaj qeverisje, ka treguar se ka kërkuar pushtet për të shkatërruar administratën publike, për të shkelur ligjet dhe kushtetutën dhe për ta shndërruar shtetin shqiptar në një ramistan të keq dhe të rëndë për qytetarët, për shtetin dhe për kombin. Si të këtillë, edhe Hashim Thaçi, edhe Edi Rama kanë qenë dhe janë profile politike dhe publike të përshtatshme për të gjithë ata që kanë strategji të ndryshme kundërshqiptare, siç është Beogradi dhe Ankaraja. Dhe mbi këtë bazë, duhet kuptuar edhe pamjet tepër miqësore, madje vëllazërore që japin media edhe ndërkombëtare, ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, të Edi Ramës dhe të Boris Tadiqit, të hashim Thaçit dhe Rexhep Taip Erdoanit, të Edi Ramës dhe të Rexhep Taip Erdoanit, të Ivica Daçiqit dhe të Rexhep Taip Erdoanit, pra ndërmjet katërshes kundërshqiptare të Ballkanit. Puthadorë dhe të dobët përballë diplomatëve dhe burrështetasve të ndryshëm të rajonit dhe atyre botërorë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, në hapësirat shqiptare në Ballkan, përfundimisht e kanë prurë frymën osmano-lindore dhe turko-lindore, pikërisht atë frymë që në shekullin e XIX dhe të XX kishte bërë që të copëtoheshin territoret shqiptare dhe t’u jepeshin sllavo-ortodoksëve serbë, malazias dhe grekë. Në këtë kuptim, duhet thënë se përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për të ndërtuar një partneritet strategjik me shqiptarët, duhet kuptuar si një shprehje tjetër për një aneksim modern me tiparet e një aneksimi ekonomik, kulturor dhe të etnopsikologjisë së shqiptarëve. Deklarata e Rexhep Taip Erdoanit në Prizren se “Kosova dhe Shqipëria janë Turqi, dhe Turqia është Kosovë e Shqipëri”, në të vërtetë, mëton pikërisht ndërhyrjen në psikologjinë e racës shqiptare, e cila është krejt e ndryshme nga ajo turko-orientale. Pra, Rexhep Taip Erdoan, dhe nëpërmjet tij, Turqia, mëton më shumë sesa një aneksim të thjeshtë ekonomik dhe gjeostrategjik; ajo mëton ndryshimin e bazës psikologjike, e së këndejmi edhe të konstitucionit etnopsikologjik të kombit shqiptar. Dhe këtu duhet përqendruar e tërë vëmendja e shqiptarëve, sepse të të ndërhyjë në gjenetikën psikologjike, është shumë më e rëndë sesa një aneksim i thjeshtë ekonomik, është të të ndryshojë veçantinë e gjuhës, të personalitetit kolektiv, të veçorive thelbësore identitare. Në funksion të kësaj duhet kuptuar edhe agresionin kulturor nëpërmjet filmave dhe serialeve filmike, të cilat televizionet tona po i shfaqin me bollëk dhe përkundër përgjegjësisë publike që kanë si media publike dhe që transmetojnë mesazhe tepër të rrezikshme për konstitucionin psiko-emocional, dhe psiko-social të shqiptarëve. Ky agresion kulturor, ndërkaq, duhet parë bashkë me agresionin ekonomik, i cili në Kosovë, thuajse është i plotë, pasi që kompani turke, tashmë ose kanë privatizuar segmente strategjike të ekonomisë sonë, ose kanë marrë me koncesion, sepse deri më tash kompani turke kanë marrë rrjetin e shpërndarjes së KEK-ut,  kanë privatizuar një nga gjigantët e ekonomisë së Kosovës, “Ballkanin” e Suharekës, kanë marrë me koncesion aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, janë në rrugë për të privatizuar Post-Telekomin e Kosovës, dhe po shtrihen edhe drejt ish-fabrikës së tekstilit “Printeks” të Prizrenit. Këtu nuk po e përmendi agresionin tregtar, me ç’rast kompani të mëdha të Kosovës janë të mbushur me mall turk, sepse pesha e këtij agresioni do të dilte edhe më e madhe. Kur t’i shtohet kësaj fakti se pjesën tjetër të marrëdhënieve tregtare Kosova e ka me Serbinë dhe me Maqedoninë, atëherë del se Kosova është në një pushtim ekonomik, politik tradicional: sllavo-ortodoks dhe turk, ashtu siç ka qenë dikur. Në këtë kontekst, duhet thënë se Hashim Thaçi me mënyrën e sjelljes politike, diplomatike dhe ekonomike, si dhe me mënyrën e qeniesimit të tij në skenën politike të Kosovës, vetëm sa ka krijuar terrenin e përshtatshëm dhe ka ndihmuar në forcimin e këtij pushtimi. Në fakt, roli tepër i madh që i është dhënë Turqisë në këto raporte shumë të rënda për shqiptarët, ka bërë që në Kosovë, të diskutohet për bashkërendim të interesave sllavo-ortodokse dhe turke, ashtu siç po ndodh edhe më gjerë në kontekstin rajonal, pasi që në këtë aspekt është përfshirë edhe qeveria e Edi Ramës, dhe parti politike shqiptare në Maqedoni. Vizitat e shpeshta të zyrtarëve turq në Beograd, Tiranë e Prishtinë, duhet kuptuar pikërisht në kontekst të bashkërendimit të interesave sllavo-ortodokse dhe turke në rajon, kurse Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, vetëm si sejmenë që bëjnë të mundur nga ana e shqiptarëve gjithë këtë bashkërendim të interesave kundërshqiptare. Roli prej sejmeni që këta dy kanë marrë në raport me interesat sllavo-ortodoske dhe turke, ka bërë që Hashim Thaçit t’i dalin rrena, ashtu siç kam thënë muaj e vite me radhë, të gjitha deklaratat prej të forti të bëra që nga fillimi i negociatave Prishtinë – Beograd, për karakterin teknik të tyre; për mosdiskutim të çështjeve të brendshme të Kosovës; për mosdiskutim për çështje të veriut të Kosovës etj., ashtu siç po i dalin rrena edhe deklaratat për ndalimin e futjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Mirëpo, çështja është më serioze sesa kaq, pasi që tashmë u konfirmua edhe nga deklaratat e Daçiqit dhe të Hashim Thaçit, se kryeministri serb kishte ardhur në Kosovë për t’i nxitur serbët të bëjnë koalicion zgjedhor me partinë e Hashim Thaçit, ashtu edhe siç u veprua shumë shpejt në disa komuna, dhe për të bërë fushatë pro tij, pra pro Hashim Thaçit. Dhe në këtë kontekst duhet parë edhe vizitën e Rexhep Taip Erdoanit, i cili ardhjen e tij e arsyetoi me inaugurimin e terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, por që në fakt, kishte ardhur për të bërë bashkë të gjithë soj-sorollopin e Hashim Thaçit për të mbajtur në pushtet atë, në mënyrë që të vazhdojë pa pengesa agresioni etnopsikologjik mbi shqiptarët, agresioni ekonomik, diplomatik, gjeopolitik e gjeostretagjik, si dhe të vazhdojë bashkërendimi i interesave sllavo-ortodokse dhe turke në Kosovë dhe më gjerë. Dhe ironia e gjithë kësaj, qëndron në faktin se kryeministri turk, sikurse edhe Hashim Thaçi, u thirrën në sakrificën sublime të Adem Jasharit me familje, sikur të donte të thoshte: sakrifica e tyre duhet t’i shërbejë Hashim Thaçit për të qëndruar në pushtet, ani që vizioni, qëllimi dhe sakrifica e Adem Jasharit me familje ka qenë për lirinë e shqiptarëve, dhe liria si territor ku shqiptarët do të ndërtojnë dhe realizojnë veten në aspektin e forcimit të lidhjeve gjeopolitike, gjeostratgjike dhe qytetëruese me Evropën dhe me një miqësi të përhershme me SHBA-të, i cili në fakt ishte vizioni i presidentit Rugova, i përqafuar dhe i pranuar nga gurrilja shqiptare për të gjallë të Adem Jasharit, Sali Çekajt e Zahir Pajazitit. Dhe cinzimi qëndron pikërisht këtu: në emër të luftës dhe të sakrificës pë liri, shqiptarët duhet ta pranojnë agresionin etnopsikologjik, ekonomik, gjeopolitik e gjeostrategjik sllavo-ortodoks dhe turk! Dhe këtij cinizmi shqiptarët i thanë “jo”, pasi që treshja Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Rexhep Taip Erdoan në Prizren, u bojkotuan nga qytetarët prizrenas, kurse sheshi në Shatrivan u mbush me njerëz të prurë nga qytete dhe shtete të tjera me dhjetra autobusë të paguar, si dhe nga policë dhe kategori të tjera të njerëzve. Prizrenasit, moti e kanë kuptuar hilenë turke, ashtu siç e kanë kuptuar se me Hashim Thaçin dhe me Edi Ramën, interesat  e tyre dhe të kombit shqiptar do të rrëgjohen gjithnjë e më shumë. Në fakt, bojkoti që iu bë nga prizrenasit qëndrimit të Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Rexhep Taip Erdoanit, pati vetëm një mesazh: Kosova e Shqipëria nuk janë Turqi, e as Turqia nuk është Kosovë e Shqipëri, pasi që shqiptarët janë popull evropian, me rrënjë dhe kontribute të forta dhe të pazëvendësueshme për atë që quhet qytetërim perëndimor.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora