E premte, 29.03.2024, 12:20 AM (GMT)

Mendime

Andi Bushati: Nuk jam mik i Kryeministrit Erdogan

E hene, 28.10.2013, 06:44 PM


Unë nuk jam mik i Kryeministrit Erdogan

Nga Andi Bushati

Përtej tambureve me tingëllim otoman, përtej deklaratave shokuese se Kosova qenkësh Turqi, përtej ndryshimit të beftë të doktrinave për të gjetur partner të rinj strategjikë, përtej përbetimeve vëllazërore mes tre kryeministrave, sa në Prishtinë, ku kish kuptim, aq edhe në Prizren ku kish shumë më pak, nga e gjithë shfaqja e treshes Erdogan - Thaçi - Rama, një gjë më bëri shumë përshtypje. Deklarata ndoshta në nxitim, ndoshta në delir të Edi Ramës, që nuk nguroi ta etiketojë Kryeministrin turk, si mikun e madh të shqiptarëve, a mund të jetë Rexhep Taip Erdogan, një i tillë? Për mua dhe për një pjesë të madhe të shqiptarëve që mendoj se besojnë në të njëjtat vlera, absolutisht që jo. Madje edhe për të gjithë ata që kanë 20 vjet që janë kundër modelit të një lideri autoritar, që janë për një shtet thellësisht laik, që janë për një demokraci funksionale, kundër dhunës dhe represionit ndaj kundërshtarëve politikë, ftesa që bën Rama për një miqësi me pahir, është e papranueshme. Kush është në fakt ky kryeministër islamik-konservator që prej dhjetë vjetësh udhëheq Turqinë në mandatin e tij të tretë? Ai është vërtet një lider i fortë, kryeministri i një vendi anëtar të NATOS-s, i njërës prej ekonomive më dinamike në botë, që në dhjetë vitet e fundit ka pasur një rritje ekonomike mesatare prej 5%, në fund të fundit kryeministri i një shteti 75 milionësh, por megjithatë, ai është larg të qenit shembulli më i mirë për t’u eksportuar në Shqipërinë e rilindësve. Sepse ky politikan që do të ringjallë otomanizmin, që ëndërron të bëhet sulltani i 37-të i një perandorie të zhdukur, që e udhëheq vendin e tij më shumë si një pasha sesa si një demokrat, është pikë së pari shumë i ndryshëm edhe nga filozofia politike që e solli në pushtet qeverinë e re të Tiranës. Ai është një armik i lirisë së mediave dhe opozitarizmit! 76 gazetarë janë aktualisht të burgosur në Turqi sipas OJF-ve të besueshme ndërkombëtare, pa përmendur këtu politikanët dhe deputetët e prangosur. Ai është njeriu që po kërkon të zhbëjë, ditë për ditë dhe pak nga pak të gjitha arritjet e shtetit laik, të imponuara pas themelimit të Turqisë moderne, në 1923, nga Mustafa Qemal Ataturku. Duke e parë veten po aq si një sulltan, po aq edhe si një kalif, ai po rikthen mbajtjen e shamisë në institucionet zyrtare, po e mbush vendin me objekte delirante kulti dhe po e shndërron partinë e tij islamike në një shtet okult paralel. Kjo rrëshqitje drejt një shteti fetar ka qenë edhe një ndër shumë arsyet që përparimi i Turqisë drejt Bashkimit Europian ka mbetur në vend. Nëse bisedimet për anëtarësim në BE janë hapur që në tetor të vitit 2004, vetëm një nga 35 kapitujt e këtyre negociatave ka përfunduar gjatë kësaj dekade. Pra a është ky modeli që duhet sjellë në Tiranë? A janë shembulli i liderit autoritar që burgos kritikët dhe opozitarët, që shkallmon kufijtë e shenjtë të shtetit laik, që bëhet pengesë e shtuar për përparimin europian të vendit të tij, vlerat për të cilat duhet ta kemi mik të rrallë Erdoganin? Por, kjo histori nuk mund të përfundojë këtu, ndërkohë që këtë ftesë për miqësi na e propozon Kryeministri Rama. Po po, pikërisht ai, që gjendet sot në pushtet edhe si pasojë e një vote plebishitare dënoi vrasësit e 21 Janarit dhe mbytësit e dhunshëm të protestave të opozitës. Pikërisht ai që vazhdon të përbetohet për atë datë! Dhe sikur të mos i mjaftonin aleancat politike dhe zgjedhjet e deputetëve që ka bërë, ai po na tregon edhe me vëllazëritë e reja ndërkombëtare, se vetëm di të tallet me kauza dhe ngjarje si 21 Janari. Sepse pikërisht ai, po na propozon si mikun tonë të madh, atë që vetëm pak muaj më parë, u soll si kundërshtarët e protestuesve në 21 janar. Askush nuk i ka harruar në Tiranë pamjet e egra të dhunës në parkun Gezi dhe të rinjtë që shpërndaheshin të tmerruar e të përgjakur, përgjatë sheshit “Taksim”. Askush nuk i ka harruar gjithashtu britmat e Erdoganit, për “vandalë”, “rrugaçë”, “banada kriminale”, që donin të pengonin prerjen e disa pemëve dhe ngritjen në vend të tyre të një qendre tregtare që pushteti i islamikëve e kish projektuar sipas modelit të një kazerme të vjetër otomane. Edi Rama mund të jetë në të drejtën e tij, ta bëjë edhe vëlla këtë njëri, që qëllon kundër protestuesve dhe i etiketon ata si puçistë. Por, ai kurrsesi nuk mund t’ua ofrojë atë për mik, një pjese të madhe të shqiptarëve! Sepse kjo pjesë e tyre, para Erdoganit, është me Anxhela Merkelin që e quajti si të tmerrshëm reagimin e shtetit mbi protestuesit. Sepse po kjo pjesë, përpara se të jetë mik me sulltanin e ri të Anadollit, ndihet më afër me patriarkun e letërsisë turke, Jashar Qemalin, që shkoi t’i përshëndeste që në ditët e para të rinjtë e parkut Gezi. Sepse kjo pjesë, përpara se të pranojë ftesën për miqësi të Edi Ramës, pëlqen të renditet me nobelistin Orhan Pamuk, të cilit nuk i ka lexuar vetëm “Borën” dhe “Muzeun e pafajësisë”, por i ka dëgjuar edhe kritikat për një politikan që “ka rëshkitur në autoritarizëm”. Edi Rama mund t’i zgjedhë miqtë e tij, despotë, islamistë e të dhunshëm, por ai nuk i imponon dot shoqërisë, modelin e një miku të rremë. Jo Erdogan! Për atë që përfaqëson, nuk mund të jetë miku ynë! Nuk e dimë për sa kohë ai do të arrijë të jetë edhe miku i Kryeministrit tonë, sepse me liderët e tipit Erdogan, të mbrojtur me teka dhe delire madhështie, miqësitë janë tejet të brishta. Mjafton të përmendim vetëm raportin e tij kontrovers me paraardhësin e Ramës. Fillimisht ai e nëpërkëmbi Berishën në opozitë, sepse mbante për aleat Nanon të cilin e kishte edhe dëshmitar në dasmën e të birit. Pastaj e bëri aq “vëlla” sa erdhi dhe i mori pjesë në fushatën elektorale të vitit 2009. Dhe e përfunduan këtë lidhje përsëri si armiq, kur ndryshe nga sa i kishin kërkuar amerikanët, ai i imponoi Berishës, të jepte votën e Shqipërisë në OKB, në favor të Palestinës. Pyetja shtrohet: a do të jetë edhe më tej Edi Rama vëllai i Erdoganit, pasi në të ardhmen ta vërë përballë dilemash të tilla? Zor se mund të parashikohet. Po, kjo në fund të fundit, është çështja e tij. Ajo e modeleve që do, e miqësive që ndryshon, e partnerëve strategjikë që mbivendos. Sipas këtyre kritereve ai mundet t’i mbajë apo t’i ndërrojë vëllezërit e tij sipas qejfit, mundet të pijë po të dojë gjak me ta, por nuk mundet, nuk mundet kurrsesi, t’ia imponojë shqiptarëve si miq, këta vëllezër të rastësishëm, me të cilët nuk ndajmë të njëjtat vlera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora