E premte, 26.04.2024, 12:26 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Erdo hedh gurin dhe fsheh dorën

E diele, 27.10.2013, 07:20 PM


Erdo hedh gurin dhe fsheh dorën (prapa përkthyesit)!

Nga Elvi Sidheri

E morët vesh ore njerëz që Rexhep Taipi ishte interpretuar gabim?

Po se fajin e kishte pasur përkthyesi i tij Bekim Mustafoviç (shqiptar i fortë ky “viçi”)...apo diçka e tillë, sepse të ngratin bashbakan turk, na e paskan keqpërkthyer në Prizren ku lëshoi qëllimisht mufkën tashmë të bërë në pak ditë legjendare, atë të Kosovës që na qenka Turqi, e të Turqisë që rrjedhimisht na del Kosovë!

Rexhep Taipi në të vërtetë, ndryshe nga ç’përflasin natë e ditë gojët e liga dhe ata që vëllait tonë turk i duan vetëm të keqen, ata që janë xhelozë dhe që tinëzisht provojnë një smirë të paarsyeshme kundrejt ndjenjave të thella dhe tejet miqësore e pikërisht vëllazërore të popullit dhe qeverisë autokratike turke ndaj popullit tonë shqiptar, ai pra në Prizren e Kosovë, nuk ka thënë kurrësesi atë për të cilën u përfol, por vetëm që një kosovar në Turqi do të ndihej i shtëpisë, ashtu si edhe në Kosovë një turk do të kishte po atë ndjesi.

E mirë, u sqarua edhe kjo dilemë që po na linte pagjumë fare prej kaq ditësh!

Pyes veten unë retorikisht, përse vallë gjithë këto ditë, me tërë këtë cirk mediatik që pasoi pohimet e Erdos në Kosovë, kur Serbia desh ngriu marrëdhëniet me Turqinë për një shkak të tillë dhe kur brenda shoqërisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë plasi anembanë debati pro ose kundër deklaratave të Rexhep Taipit, përse nuk u shpreh më parë kështu “sqarueshëm” ky përkthyesi i tij “i bekuar” Bekimi?

Ku e kishte gojën ai vallë, po zyrat e shtypit të komunikimit të qeverisë turke, të ambasadave të tyre në Tiranë, Prishtinë e Beograd ku qenë strukur vallë dhe nuk u ndjenë fare ndërsa poterja në fjalë valonte e desh u transformua në cunami fare?

Apo aty në Ankara ky debat u hap qëllimisht dhe u vendos që së paku “zyrtarisht” të vuloset si i mbyllur falë këtij sqarimi të cekët dhe gjysmak, në momentin kur u gjykua se qe vajtur shumë përtej normales dhe kur pilafi nuk mbajti ujë më?!

Deklarata e Erdos, nga kushdo që njeh turqishten, do jetë dëgjuar dhe interpretuar në kuptimin e saj real dhe ky është ai mbi të cilin të gjithë ne kemi kaq ditë që diskutojmë.

S’ka ndodhur asnjëherë që deklarata kaq të forta dhe të mirëstudiuara në tavolinë lidhur me efektin e përgjithshëm mediatik, popullor dhe politik që do të kenë, më pas të përkthehen apo më keq, të interpretohen “rastësisht” gabim!

Mos e besoni një gjë të tillë, sepse kjo nuk qëndron as në qiell e as në tokë kurrësesi!

Ndryshimi mes kësaj deklarate dhe asaj pallavrës mediatike që qarkulloi ca kohë më parë vjet me ripërsëritje ciklike, që gjasme na bënte të ditur, nga burime fantazmagorike, se ky miku dhe vëllai ynë i dashur dhe tejet i përkujdesur Erdogan-sulltani, do hynte me ushtri të mbronte shqiptarët nga fqinjët grabitqarë, diferenca midis tyre pra, qëndron vetëm në faktin themelor, që kësaj rradhe Rexhep Taipi bashkë me aparaturën propagandistike ekonomiko-neo otomaniste shtetërore turke, e vuri turirin e tij së paku pas fjalëve që iu atribuan.

Se herën e kaluar mbeti tip misteri i ngjashëm me ekzistencën e ndonjë rrace aliene, vërtetësia e asaj deklarate të Erdos, e cila kurrë nuk gjeti qoftë edhe një grimcë verifikimi në realitet!

Po kështu kanë mbetur përralla me mbret dhe ëndërra në diell, edhe gjasme thëniet trimërore të ish kryeministres turke Tansu Çiller në vitin e nëmur 97, që duan të thonë se na kishte kërcënuar me ndërhyrje të turqve të saj, në rast se greqërit, do të kishin vazhduar me mbështetjen e tyre antiligjore ndaj Komiteteve të Jugut, në shkelje të kufijve dhe ligjeve ndërkombëtare dhe të shtetit shqiptar (një zyrtar grek kaloi pa leje kufirin e pakontrolluar shqiptar atëherë, ndërsa shteti kishte rënë e nuk kontrollonte as Tiranën dhe vajti diku në jug të takonte kryengritësit më duket).

Që grekët janë ata që janë, e dimë dhe s’ka ç’të shtojmë.

Pse ndodhi ajo që ndodhi para 16 vjetësh në Shqipëri, shkaqet janë të shumta dhe nuk do dal t’i sqaroj unë.

Por që turqit trima, me zonjën e nderuar Tansu si kryeministre laike, apo Erdon si bashbakan filo-fetar dhe dorë e hekurt autokratike në krye, nuk kanë lëvizur as thoin e gishtit të vogël të këmbës, ndonjëherë në këto 101 vjet ekzistencë të shtetit të pavarur shqiptar në favor të çështjes shqiptare, edhe këtë e di fort mirë unë dhe shumica e shqiptarëve.

Mbaj mend shumë mirë sesi Turqia para dhe gjatë luftës së Kosovës e kishte larguar të pasmen pa shumë diplomaci nga zjarri i konfliktit dhe po ashtu i kujtoj deklaratat e zyrtarëve turq të kohës, që i trembeshin ndonjë përfshirje në konflikt si pasojë e lidhjes së tyre me shqiptarët për shkak të afrimitetit fetar dhe pranisë në Turqi të miliona banorëve me origjinë shqiptare.

Listat e kohës, të dhënat e vetë NATO-s, na tregojnë sesi edhe një shtet-dukat me 350 mijë banorë si Luksemburgu, ka marrë pjesë në bombardimet mbi Jugosllavi, me plot 4 copë avionë, kurse vëllai ynë i dashur turk, kruante hundën dhe dridhte qetë-qetë mustaqet e thithte nargjilen në Stamboll duke bërë letrarisht, për t’a thënë fiks në turqisht...”SEHIR” dhe parë sesi mijëra shqiptarë (këta që Erdo tani i ka vëllezër) vriteshin, përdhunoheshin e përziheshin masivisht nga shtëpitë dhe toka e tyre amëtare.

Të mos kenë asnjë iluzion post-dehjeje neo-otomane “DumBabiste” apo “HaxhiQamiliste” as shumë filo-turqit dhe Erdo-dashësit e shumtë shqipfolës, se të mos kishte qenë për forcën dhe vendosmërinë amerikane dhe PIKË, sot këmbë shqiptari (jo-kolaboracionist, jo poshten albanac) nuk do të kishte mbetur gjallë në Kosovë!

Se nga do të kishin vajtur 2 milionë shqiptarët e Kosovës, një Zot e di?!

Se që t’a dinë Erdo-adhuruesit e sotëm, Turqia e 1999-ës kishte mbi 70 e ca milionë banorë dhe vend për emigrantë, ”jabanxhinj” të rinj nuk kishte më si dikur në 1912-ën, vitet 20-të apo 50-të shekullit të kaluar, kur në marrëvjeshje dhe mirëkuptim të hapur me autoritetet mbretërore apo komuniste jugosllave, turqit tuaj të dashur, pranuan me kënaqësi të theksuar përzënien masive të qindra-mijëra shqiptarëve të ish Jugosllavisë, me qëllimin shumë “fisnik” të popullimit të humbëtirave dhe djerrinave të shtetit turk, vende ku s’mbinte as patatja dhe ku edhe pula hante gur.

Dhe e gjithë kjo, bëhej hapur, falë tezës turko-serbe, se çdo shqiptar jugosllavie i fesë myslimane, konsiderohej vetëm dhe vetëm TURK!!

U kuptuam tani?

Doni të fshiheni pas gishtit, asnjë problem, por gjërat shihen si janë, aq më tepër kur duken qartë dhe nuk ka sens t’i biesh nga Kina, kur shtegu normal ekziston, për t’u përballur me një çështje si kjo e punëve tona me “vëllezërit turq”, i fundit në rradhën e të cilëve, që na vjen pranë portave megjithë ngarkesën e turqizmave të tij, është edhe ky Rexhep Taipi në fjalë.

Të thuash sot se Kosova, kjo krahinë shqiptare, shtet tashmë i pavarur dhe i drejtuar pakthyeshmërisht në rrugën e tij të sigurtë të forcimit të ekzistencës dhe shtetformimit të vet, me bekimin amerikan dhe trupat e saj që i mbrojnë dhe garantojnë sovranitetin dhe të ardhmen (sa dhjetëvjeçarë ka Taivani që i qëndron si gjemb në shpinë Kinës së madhë për shkak të mbështetjes amerikanë ndërkohë?)...na qenka Turqi, është një krim i vërtetë ndaj banorëve të saj, ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj kujtdo që ka derdhur gjak për atë vend, në emër të shqiptarizmit dhe flamurit tonë kombëtar të shqiponjës dykrenare.

Për çfarë u derdh gjaku shqiptar në shekuj, kundër serbësh e turqish, për të përfunduar në 2013-ën tek teza Erdoganiste se Kosova është Turqi?

Turq kanë qenë ata qindra-mijëra shqiptarë që dhanë jetën për shqiptari dhe Kosovë gjë?

Adem Jashari emrin e të cilit mban sot aeroporti i ri i Prishtinës, mos e sakrifikoi gjë vetveten dhe tërë familjen e tij, për ideal të Turqisë, apo të shqiptarisë?

Azem Galica apo Hasan Prishtina mos kanë qenë gjë ithtarë të turqizmës dhe unë nuk e kam ditur kështu?

Nënë Tereza që origjinon pikërisht në Prizrenin që ndyu me gojë para ca ditësh Erdo, mos na ishte turke me fe katolike edhe ajo gjë?

Abdyl Frashëri mos drejtoi gjë Lidhjen “turke” të Prizrenit në 1878-ën?

Se mesa duket historinë po i bie t’a kemi mësuar totalisht “gabim” dhe mbetet vetëm që Erdo-dashësit dhe turkomanët e shumtë që një Zot e di përse për të pohuar marrinat e tyre turkofile të pafre gjejnë të udhës të përdorin gjuhën e “nëmur” shqipe (atë që me ferman sulltanor, u urrye, ndalua dhe luftua me çdo mjet gjatë shekujve të gjatë dhe të errët osmanë), që ata pra të na “shëndrisin” mendjen dhe të na tregojnë “faktet” e tyre po të ketë të tillë e të mos këndojnë më kot së koti, si qeni që i leh hënës!

Por në mungesë të fakteve dhe në prezencë të pallavrave dhe idiotësive të jashtëzakonshme, mashtrimeve dhe trushpëlarjeve pafund e pa krye, që na stisen e ofrohen ditë për ditë, me burim në kuzhinën e pasur turko-centrike të institucioneve neo-otomaniste në Ankara (vartësve të Erdos dhe mbi të gjitha, mëkëmbësit të tij besnik Davutogllut), atëherë të dhëna konkrete në mbështetje të tezave turkomane nuk do të gjejmë kurrë, ndërsa legjenda e qime të bëra tra, sa të duash, këtë e dimë dhe e shohim papushim.

Të thuash pra që Kosova është Turqi, është mashtrim me brirë, humor pa kripë, gjellë e prishur turkofile, gënjeshtër e ulët dhe pohim fyes për çdo shqiptar me pak tru në kokë e ndërgjegje të panjollosur kombëtare.

Është po aq kjo një tezë armiqësore, sa edhe kur ndokush në Beograd, pohon se Kosova është Serbi!

E njëjta gjë 100% është!

Kosova është së pari Kosovë, një shtet i ri që ka luftuar në ekstrem të vuajtjes dhe sakrifikimit për lirinë e popullit të saj, i cili është në 95 % shqiptar.

Ku qëndron atëherë e vërteta e një pohimi Erdoganor se kjo tokë 95 % shqiptare, tashmë e qeverisur dhe e njohur nga mbi 100 vende të botës si shtet më vete, na qenka Turqi?

Këta 95 % banorë, nga shqiptarë Erdos dhe pasuesve të tij, u duken gjë si turq?

Apo dardha me bisht prapa, këtyre u thotë se feja e tyre myslimane, i bënka turq?

Pse jo indonezianë, arabë, berberë të Magrebit, malejzianë apo Pakistanezë?

Se kriteri i fesë na u merrka parasysh siç duket!

Atëherë kush mbështet teza të tilla, përveçse shqiptar mund të jetë vetëm në emër dhe për efekt të gjuhës shqipe që i kanë lënë prindërit, do të thotë se mendon edhe se në Shkodër ka italianë për shkak të shqiptarëve katolikë e në Korçë grekë për shkak të shqiptarëve me fe ortodokse.

Më antishqiptarizëm sesa këto fara helmatisëse që hidhen kaq lehtë në tokën pjellore për përçarje...të qënësisë së përbashkët shqiptare, unë nuk mundem të imagjinoj dot edhe po të dua!

Ana tjetër e medaljes se Turqia është Kosovë, diku edhe qëndron, por siç është Kosovë prej miliona shqiptarëve të Kosovës të përzënë për atje me dhunë, po aq është edhe Shqipëri, Greqi, Bosnje, Serbi, Ukrainë apo Gjeorgji (nga e ka familjen me origjinë edhe Erdo)!



(Vota: 38 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora