Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Kunguj Stambolli

| E diele, 27.10.2013, 11:06 AM |


KUNGUJ STAMBOLLI

(YouTube dudumëve)

NGA KALOSH ÇELIKU

Vërtetë, më lodhët me myslimanizmin e rrejshëm në Ditën e Madhe të Sotshme. Edhe me dalldisjet patriotike shqiptare të shekullit: “Amerika i ka autorizuar turqit që të kujdesen për Shtetin e Kosovës.” Mirë, them unë: po le të “kujdesen” për Kosovën, edhe për IRJ të Maqedonisë, edhe për Shqipërinë. Mos e teproj me thashetheme, po të duan le të “kujdesen” edhe për Malin e Zi. Hise kemi edhe në Serbi e Greqi. Pse të mos “kujdesen” edhe për këto troje shqiptare të coptuara nëpër Ballkan si Kashta e Kumbarës?! Ndoshta, atë që nuk e bënë “vëllezërit” gjatë pesqind vjetëve për shqiptarët si pushtuesë, e realizojnë në Ditën e Sotshme si “çlirimtarë” të Babadovletit. Dorën në zemër, tashti e shoh se shqiptarët nëpër shekuj paskan pasur shumë “vëllezër” dhe kanë nevojë për miq, por jo edhe zgjidhjen e çështjes shqiptare ta lënë nëpër këmbë, siç vepruan deri më sot, në duart e “vëllezërve politik strategjik”. E dini edhe se, më villet në këtë Ditë Historike Shqiptare?! Zorrët dua t’i nxjerr jashtë si “bërdhoqe” para këmbëve. Turreni me të katra dhe “vajtoni” Sirinë, në vend që të vajtoni Shqipërinë, Kosovën dhe IRJ të Maqedonisë se, gjithë jetën jetuat dhe po vdisni si argatë të shitur shqiptarë me një torbë taxhi përqafe. Fajin, gjithmonë jua kanë të tjerët, armiku i pabesë: sllavët dhe grekët, e kurrë nuk e vënduat gishtin e fajit në vete, kokë. Çka keni bërë dhe jeni duke thirrë me “Allahu Akber” në dobi të shqiptarëve majë minareve?! Vallë, mos e valvitni flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare?! Jo. Atëherë, flamurin e kujt e valvitni me thirrjen e ezanit: “Allahu Ekber?! Mirë bre dudumë “të soçëm me tru të moçëm”, që gjithë jetën u turreni përmbrapa partive politike si dhelpëra herdheve të dashit. Populli shqiptar sipas juve, lindi dhe duhet të vdes, fusi kokën në varr duke hëngër bar në grazhd ose livadheve të huaja pa gardh?! Përçudi, ju një grusht hoxhallarësh YuoTube, që nga koha komuniste deri në Ditën e Sotshme Historike ju bëhen padrejtësi fetare?! Dudumëve, të shtëtiur nëpër poste komunsite, redaksive, kabineteve qeveritare dhe “shoqatave humanitare”?! Sot, poshtu të shitur pa pare e me pare si kunguj Stambolli. Zërin e ngreni në kupë të qiellit se, ju ka fyer “njëfarë Kalosh Çeliku”?! Gabim. Askush nuk mund t’ju fyej juve si “myslimanë” shqiptar me “Din e Iman”, përveçse ju veten që e “shpërlani” nga mëkatet me këmbët dhe trutë në legen. Mjaftëni më, o dudumë me brekët mbi pantollona, që në vend të veshëve e keni lidhur çallmën! E dini se, nuk ju beson njeri i gjallë kur hipni në minare. Aq më pak kur çirreni e “qani” në YoTube para xhematit.  Ndoshta, ndonjë i vdekur mes varreve po, por ai më moti bënë “politikë madhore” mbi varrin e Babashehut, në Natën e gjykimit.

Vetëm ju si “misionarë të Allahut” për të drejtat e shqiptarëve, lindët dhe po cofni me “shqiptarizëm” në gojë nëpër kabinete të Qeverive të “vëllazërim-bashkimit”, ne të tjerët kotnasikoti i paskemi rënë fyellit të bariut mes maleve. E dini, edhe se: “patriotizmi juaj fetar” më ka ardhë në fyt?! Dita-ditës po ma zë frymën. Përditë po më villet, po nuk kam çka të vjell pëveç zorrëve. Nateditë ma kujtoni Dexhallin me trumbeta para Ditës Kiametit, kur tri ditë përpara Përmbytjes Madhe, delë me muzika në rrugë t’i mashtrojë kalimtarët (pastrojë botën nga mëkatarët). Vallen e heq krah për krahu me shokë. Vulën e tij famëmadhe, që “besimtarëve” të Allahut me “Din e Iman” ua vë mu në ballë. Mirë do të bënit ta mbyllni gojën, palarenë e keni të lirë ta ngreni për “hava” e në hale pas shtëpisë Zotit. E vetmja e drejtë e juaj legjitime qytetare. Shkaku se, falë “flijimeve të juaja patriotike - fetare”, ne shqiptarët e Skënderbeut edhe sot e kësaj dite nuk mund ta çojmë kokën në mes të Atdheut. Përpiletimi ende në pelena si popull më i vjetër i Ballkanit me traditë historike i lidhur në djep, e kurrësesi të ngritemi më këmbë, dalim në Lëmë si e gjithë bota përparimtare, ecim me kohën. Ose, siç thotë populli: Nateditë përpiqemi si krimbi në dru per Ditën e Nesërme Shqiptare.

“Vatanin dhe Imanin”, jua njeh e gjithë bota nëpër shekuj me trutë dhe këmbët në legen. Tjetër punë është ajo, nëse jua njoh unë si shkrimtar. Vallë, a nuk po e shihni se gjithë jetën mbetët nëpër “istikame” politike – fetare”. Varre, duke i shpallur familjarët “shehitë” dhe trima pas lufte larg Atdheut?! Shumë pak jeni rrokur fytas me vetveten si “pejgamberë” lufte?! Nateditë vajtoni Lirinë, e në anën tjetër e keni rrokur për fyti, jeni duke ia nxjerrë edhe shpirtin, e shtini të gjallë me gjithë tesha në varr. Ende nuk e dini se, u është thyer rrota e Koçisë mes maleve: Nusen ua ka ndërruar  Dexhalli me shokë. Tjetër Nuse u kanë shti në koçi, zbritur në lëmë me dajre. Babai, siç duket kotnasikoti ka shkrepur pushkë, nën hijen e Lisit midis livadhit. Hoxha i Dexhallit me zërin e Shejtanit ka hipur në minare! E mua, sot më ka marrë malli për Hoxhën me kësulën e bardhë të Bajram Currit, që pesë herë në ditë hipte si burrat e zbriste shkallëve teposhtë nga minaret, nuk çirrej përmes altopralantëve të Shejtanit ta shurdhojë qiellin e të na i trembë fëmijët në gjumë. Ëndërrat e Ditës së Nesërme, pasmesnate për Atdheun.

Tmerrohem në Ditën e Sotshme kur trumbetoni se, nuk keni Liri fetare: jua mbyllin gazetat, gojën dhe xhamitë?! Palarenë, së paku ua lënë të lirë. Palarenë. Vetëmse, jo edhe atë se, të gjitha këto jua bënë “armiku” i pabesë. Përmëtepër, kur ju vetë jeni armiku më i madh i vetvetes, popullit shqiptar. Kokën hidhni pas, çka bëtë ju si parashikues të Ditës së Nesërme?! Asgjë. E shitët dhe e shitni veten një torbë taxhi. Hoxhallarë, gazetarë, analistë dhe fotografë teknefesë, që i “zbuluat” para syve të botës tangat e Presidentes Kosovës. “Zbulim shkencor” historik Shqiptar, ë?! Nateditë “vajtoni” (nën duvakun turko-arab) për “sexi xhihad”, përpiqeni t’i “zgjidhni” me ilahi problemet e grumbulluara shqiptare. E dini pse, shkaku se: gjithmonë ma kujtoni Fishtën e Madh, burrin e Zanave të Maleve. Gomarin e tij të Babatasit me samarë në shpinë:

 

„Ani kush pra, me i pri kombit

Ju do pyka bijtë prej llomit

Që „Shqiptarë“ vedit thoni.

Jo pse ju Shqipninë doni.

Jo pse ju ndo‘ send kuptoni

Shka asht Atdheu e shka është Lirija.

Shka asht Vllaznija e Parasija

Përpraimi e Qytetnia.

 

Edhe, një askush tjetër me „Din e  Iman“, turret me të katra të dalë në skenë, Adamat Theranda (me siguri pseudonim halldupi), i cili në Lajm shkruan: „Thotë shumë fakti që historiani më autoritativ rreth Kosovës është një anglez, dhe ky anglez (jo turk) thotë se shqiptarët i ka lënë mbrapa komunizmi, jo Perandoria Osmane. Qesharake, ë?! Shqiptarët në kohën e komunizmit sa di unë (jo me të gjitha nishanet shqiptare), kanë pasur Shtet, edhe shkolla, edhe universitete, por jo edhe në Perandorinë Osmane. Historinë shqiptare nuk mund ta shkruajnë të tjerët, po vetë historianët shqiptar. Tjetër punë është ajo se, politikanët shqiptar historikisht e kanë shitur Atdheun, po jo edhe popullin shqiptar. Fishta i madh e ka thënë shumë bukur, përsëri te Gomari i Babatasit:

 

Por, veç pse ende der më sot

Një tyran s’po e gjeni dot.

Nën këmbë t’cilit ju me u shtrue.

Se un ma tash jam regjë me jue.

E jau njof shpirtin der m’palc:

Pleh i ndytë, me u bartun m’shkale

E me u qitë jashta Shqipnije.

 

Askushi, përsëri me gojën plot thotë: “Qeveritë tona kanë dështuar plotësisht në këtë aspekt, jo për shkak të ndonjë presioni të veçantë nga Ankaraja, por se janë servile ndaj çdokujt. E, shtoj unë si autor i këtij shkrimi: vërtetë janë servilë me përjashtim të “vëllezërve” dhe “Turqisë mike”. Kurrësesi, nuk pajtohem me mendimin e analistit, Mero Baze kur shkruan: “Tre Kryeministra për një komunë”. Prizreni nuk është vetëm komunë, po qytet historik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881). Edhe, për këtë qytet pak janë tre kryeminstra të këtij kalibri politik. Shkaku se, në këtë qytet jeton nëpër shekuj historia shqiptare. Vetëmse, pajtohem kur thotë: “Ka një ekzaltim të tepruar nga dy kryeministrat shqiptarë dhe ai turk, në Prishtinë dhe Prizren, rreth evokimit të historisë shqiptaro- turke, i cili në fakt bëhet jo për shkak të historisë, por për nevoja thjesht elektorale. Në këtë histori nuk ia vlen të qortojmë Erdoganin pse mësyu në Kosovë, pasi nuk është një lider që vjen nga delikatesa demokratike, por nga autoritarizmi.” E, sidomos kur thotë: “Edi Rama nuk është i ngjashëm me Erdoganin. Nuk është as autoritar, as aq i pushtetshëm, as aq jetëgjatë në pushtet, dhe as me atë formim politik si ai. Përpjekja për t’u dukur “vëlla” me të, është sforcim i tepruar. Dhe, ku nuk pajtohem me Mero Baze, kur thotë: “Të përdorësh kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Turqisë, për të fituar një komunë, është sikur të marrësh tankun me vra një mizë.” Unë e them pak më ndryshe, të kundërtën: Tanku është Prizreni historik i Rilindasëve të vërtetë shqiptar, e Tre kryeministrat e arratisur në Kosovë janë mizat. Duartrokitje, Mero Baze!

Gomari i Babatasit është satirë antologjike, të cilën nëpër librat e mi publicistik e përsëris me qindra herë, por siç duket gabimisht kot trokas në derë të shërbetorëve të Dexhallit. Haramët nuk kanë sy, veshë e as tru në kokë. Rrugën e shenjtë ta vazhdojnë për në Baba Tomor. Malin e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, lindë poezia. Tyrben, ku bëhet dashuri me Hënën. Shkaku, se: Sot për sot, dhiareve ju pri në ballë me trumbeta përmidis Çarshisë Shkupit, Dexhalli i Allahut. Nesër, hë për hë nuk e di çka mund të ndodhë mes këtyre rreshtave, që moti me qerre janë nisur për në Baba Tomor. Dhashtë Zoti Madh, mëkatarëve jua kthen ato të shkreta në kokë.

Edhe, Hoxha i Allahut krah për krahu me Rrumaducin dhe në mes Hojdodolen si “patriote”, nguten para Zotit Madh, më pyesin publikisht në mjetet e informacionit: Kur do të bëjë vetëvrasje?! Përçudi, i gëzohen fluturimit tim në qiell nga minarja e xhamisë si Azreti Isai, që ma parashohin edhe Ditën e Madhe, kur Zonja Vdekje do të më trokasë në derë. E unë, si njëfarë burri i grave  azgane do t’ia hap krah më krah jo derën, po edhe portën.  Gjithë natën e gjatë do të rrokullisim shtamba me verë nëpër dhomë. Pasmesnate, do të bëjmë edhe dashuri deri në agim. Vetëvrasjen, brez pas brezi nuk e kemi si fis kaçakësh traditë. Kurrë! Shkaku se, sipas Kur’anit, është haram. Pastaj, fisit tim të kaçakëve të maleve nëpër damarë me shekuj i qarkullon gjak shqiptari.

Përçudi, si “myslimanë me Din e Iman” ma parashihni edhe Ditën e gjykimit, kur një natë Zonja Vdekje, pasmesnate do të më trokasë në derë, marrë në pyetje për mëkate. E unë, përsëri si mik dhe kojshi i Xha Derallës do t’ia hap derën krah më krah, edhe dritaret. Vetëmse, jo edhe oxhakun. E dini pse, shkaku se: oxhaku është derë qiellore vetëm e kaçakëve të malit. Kaçakëve të fushës, nuk u duhet oxhaku, u mjafton dera e madhe e shtëpisë. Kokë më kokë me të gjithë natën do të zbrazim e rrokullisim nëpër dhomë shtamba me verë të kuqe. Përderisa, Xhebrahili me trumbeta më pret dhe më ka vënë pusi te xhamia e Katundit të më përcjellë me “nderime fetare” në Xhehnem, unë do ta mashtroj si dikur Xha Deralla në katundin Cërvicë, rrëzë Çukës. Tinëz, dhiareve pas Çuke duke u përshkuar te Dy Lisat binjak mistik, shtatstolisur nga Nuset e reja do t’i hyjë me lodra e dajre të cucave azgane, këngë e valle në Xhehnet…