Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Haxhi Vokshi - iku në lartësinë e qiellit

| E premte, 25.10.2013, 07:21 PM |


Në vend të përkujtimit për poetin Haxhi Vokshi

 

Sejdi BERISHA:

 

SHPIRTI I TIJ I ZEMËRUAR IKU NË LARTËSITË E QIELLIT...!

 

E, unë e dija punën e tij, elanin dhe entuziazmin për të bërë e për të dhuruar diçka për kulturë, për letërsi, për vargun që shkruhet shqip e tingëllon e therë shqip...!

Ti, poet, edhe në varr rri syhapur, dhe prej atje vështro, por mos u zemëro edhe nëse ti heshtë,

sepse vargu yt kurrë nuk heshtë, por është shtyllë që e mbanë ndërgjegjen, që i troket asaj, si njeriu që troket derë më derë për të kërkuar diçka...!

Kaq dita të them për Ty poet, Haxhi Vokshi...! Ndoshta, kjo modesti imja do t’i provokojë të tjerët të shprushin e të lërojnë krijimtarinë tuaj letrare dhe rrugëtimin tënd jetësor, për të cilën gjë, kujtoj se pak ose fare pak është thënë deri me tash.

Tash, lamtumirë poet e mik i dashur! Të lutem ik nga unë Haxhi Vokshi, ik nga vlimi im, sepse, edhe i tillë në mua mund të përcëllohesh dhe të digjesh...! Kështu edhe shpirti i tij i zemëruar iku në lartësitë e qiellit si në heshtje...!

_______________________

 

Ka kohë sikur e ndjeja se një ditë duhet të shkoje! Dhe, ike se ike... Kur u takuam në Mitingun e sivjem të Poezisë në Gjakovë, diçka m’u ngatërrua në mendje, në zemër dhe në gjuhë. Nuk kisha ide se si të bisedoja me poetin e lindur në Vokshin historik të Rrafshit të Dukagjinit, me Haxhi Vokshin. Mu bë se i tëri ishte rrënuar si lisi shekullor, i cili, nga pak harxhohet nga koha e kurrë nuk flet. Dhe, unë vërtetë jam shpirt-naks. M’u ngatërruan të gjitha gjërat e rrugëtimit dhe të jetës së këtij poeti karakteristik, por gjithmonë me pamje e shtat prej kreshniku. Po them kështu, sepse, dikur, ama dikur, në Voksh, në Deçan, në Gjakovë, në Prishtinë e në Gjilan, edhe në Koloninë e Shkrimtarëve, që për çdo vit organizohej atje nën freskun e pishave të Deçanit, secili njeri nxitonte dhe disi kishte kënaqësi por edhe privilegj të takohej e të bisedonte, ose, së paku t’ia thoshte një “mirëdita” poetit vokshian. Kurse, në manifestimin letrar dhe kulturor, Mitingun e Poezisë në Gjakovë, i cili edhe një vit i rrumbullakon pesëdhjetë vite pune e suksesesh, pothuaj se secili njeri, secili poet, sikur ikte nga Haxhi Vokshi, nga Haxhi Panxha, sepse, tash ndoshta e hetonin “ikjen” e tij, dhe vlera tash, siç është zakon tek ne, dergjet, vdes apo fare nuk përfillet. Sa keq, kështu! E, unë e dija punën e tij, elanin dhe entuziazmin për të bërë e për të dhuruar diçka për kulturë, për letërsi, për vargun që shkruhet shqip e tingëllon e therë shqip...!

Me të gjitha këto “llahtari” jete e kohe, nganjëherë sikur më imponohej indinjata për të menduar për peshën e cilësinë e kësaj feste kulturore, kur i tërë ai “malukat” vargjesh e poezish, kolegun e tyre sikur e kishin “lëçitur” nga rrugëtimi i përbashkët i jetës. Andaj, më besoni, sjelljet e tilla janë për analizë “gjaku” të vlerave letrare dhe njerëzore të nënqiellit tonë. Nuk mundem pa e thënë: jemi të çuditshëm... Nuk dua të them diçka edhe më rëndë, që edhe e meritojmë!

Kështu, pas ikjes së poetit, Haxhi Vokshi, më kujtohen të gjitha. Atëbotë(në Miting të Poezisë), kishte ngelur duke i tërhequr këmbët zvarrë , dhe hapat sikur i bënte për t’u dhënë fund aty diku. Ndoshta edhe mirë do të ishte që aty të përfundonte, pasi që veç një gjë e tillë duhej të ndodhte pak më vonë siç edhe ndodhi.

Poetin e Rrafshit të Dukagjinit, gjatë mitingut të këtij viti(2013), e shihja herë në restorantin e Pallatit të Kulturës, herë në verandën e tij, ashtu, qyqekall vetëm, dhe të bëhej se sikur ishte duke e kërkuar dikë të cilin kurrë nuk do ta gjente. E tërë kjo “lëvizje” reflektonte shumëçka për jetën dhe historinë jo të tij por tonën!...

Tërë këtë që e thash deri me tash, ma ngacmoi përfundimi i rrugëtimit të poetit, të cilit, në Gjilan, bukur larg Vokshit, përgjithmonë i pushoi së rrahuri zemra e tij, sigurisht e plasur, sepse, krijuesit, poetët e vërtetë e kanë zemrën katralëmsh, apo të kapërthurur me përplasjet e jetës, me therrat dhe trëndafilat e saj.

Për ikjen e Haxhi Vokshit, së pari mësova nga lajmi i Xhevat Latifit në Facebook. Kjo më tronditi, por në të njëjtën kohë, sërish më lidhi me Mitingun e Poezisë. M’u duk lajm i heshtur, i ndrydhur, i trusur, i fikur, si diçka që nuk jehon as mirë as keq! Dhe, tani shfletoj biografinë e tij, punën dhe veprën e tij, e cila, edhe pse është e shkapërderdhur, ajo është e begatë dhe shumë domethënëse. Dhe, për këtë mendoja se shpejtë, me dhembje shpirti e me respekt, do të mblidhen asociacionet e shkrimtarëve të Kosovës, të Gjilanit, ato kulturore prej nga vjen Haxhi Vokshi, Deçani, nga Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës etj., bile në një mbledhje komemorative. Në këtë tubim të fundit për te, ku do të kujtohej ky njeri, hisetar i një pjese të rrugëtimit më delikat të historisë sonë. Ku do të mblidheshin edhe asociacionet e arsimit, ku një kohë të gjatë ka përhapur diturinë dhe arsimimin ndër gjenerata.

Por, jo. Nuk ndodhi ashtu. Dhe, deri në momentin e varrimit, shpirti i tij sikur i rrinte sipër trupit për të vështruar se kush do t’i japë falënderimin dhe kush do ta japë fjalën e fundit për të. Këtë, sikur e kishte “zbutur” pak telegrami i ngushëllimit i z. Lutfi Haziri. Andaj, kështu edhe shpirti i tij i zemëruar iku në lartësitë e qiellit si në heshtje...!

Se pse ndodhë kështu, edhe në shumë shkrime të ngjashme të mëhershme kam kërkuar përgjigjen, por kurrë nuk e kam gjetur, bile as në horizont. Për tërë këtë dukuri, dikur ndoshta dikush do të vrasë mendjen dhe do t’i qaset analizave dhe studimeve?!...

Tërë këtë idhëcim të shpirtit tim, sikur ma zbutë një çikëz shkrimi i Sabit Rrustemit, i cili, po ashtu tregon për “lodhjen” e hapave të poetit, për shëndetin që nuk i shërbeu edhe aq mirë, por tregon edhe për “harresën” tonë ndaj njerëzve. Ishte “vegzë” e shkrimit të S. Rrustemit si duket pyetja e poetit se pse nuk e kishin ftuar në një manifestim letrar, në Gjilan, të cilat ngjarje aq shumë i donte dhe se asnjë ngjarje letrare mundësisht nuk e lëshonte anekënd Kosovës dhe më gjerë.

Edhe shkrimi i Haxhi Muhaxherit, i cili në diasporë bën punë të shkëlqyeshme për afirmimin e vlerave letrare dhe kulturore kombëtare, më “zbuti”. Atij i kishte dhimb zemra për poetin, Haxhi Vokshi, dhe e kishte përjetësuar në shkrim, në shkronja. Po ashtu edhe shkrimi i Tefik Selimit kishte dhënë sinjalin se poeti kishte ikur për të mos u harruar.

Dhe tash, ta vëmë në peshojë këtë ikje të poetit, i cili, siç thash edhe më fillim, ishte lindur në Voksh të Deçanit, ishte pjesë e asociacionit letrar të Kosovës, ishte punëtor arsimi në Gjilan, punëtor dhe drejtues në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës edhe në organet e arsimit kosovar. Çfarë thoni Ju?! Ose, thoni çfarë të doni për ikjen e poetit, për dhënien e lamtumirës dhe për varrimin e tij...! Në këtë kontekst, nuk po i theksoj pa qëllim disa nga veprat e tij, që vetvetiu shtrohen si çështje, si komentim dhe si pyetje: “Përralla e kulla”, “Koha e ditës sonë”, “Shqetësimi i vargut”, “Udhëtimi me korbin”, “Lirika këndon vetë” etj.

Tash, ndoshta poetit sytë i kanë ngelur hapur e të drejtuar kah Kosova dhe atdheu, që janë ende duke u përpëlitur me vetveten por edhe me përplasjet e njeriut përbrenda dhe jashtë vetvetes!

Për të gjitha këto, unë po them, punë e madhe... Ti, poet, edhe në varr rri syhapur, dhe prej atje vështro, por mos u zemëro edhe nëse ti heshtë, , sepse vargu yt kurrë nuk heshtë, por është shtyllë që e mbanë ndërgjegjen, që i troket asaj, si njeriu që troket derë më derë për të kërkuar diçka...!

Dhe, në këtë shkrim, dua te ta them Ty, Haxhi Vokshi-Haxhi Panxha, se ti ndoshta nuk e di, por ke qenë njeri i veçantë, me rrugëtim, krijimtari e zë të veçantë e karakteristik, dhe si i tillë ike, por veprës sate, shpirti yt do t’i rri kujdestar drite e lumturie për ty, për njeriun, për atdheun. Por, po ashtu dua të te them se në mënyrë të veçantë ike dhe bëre një grimë rrugë gjer në shtëpinë e përhershme. Emri yt mbi dheun që ta gjelbëron dhe lulëzon varrin, do ta lumturojë shpirtin dhe eshtrat, dhe kështu do të dëshmojë pavdekësinë tënde.

Kaq dita të them për Ty poet, Haxhi Vokshi...! Ndoshta, kjo modesti imja do t’i provokojë të tjerët të shprushin e të lërojnë krijimtarinë tuaj letrare dhe rrugëtimin tënd jetësor, për të cilën gjë, kujtoj se pak ose fare pak është thënë deri me tash.

Tash, lamtumirë poet e mik i dashur! Të lutem ik nga unë Haxhi Vokshi, ik nga vlimi im, sepse, edhe i tillë në mua mund të përcëllohesh dhe të digjesh...!