Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: 70 vjetori i bombardimit të Tiranës (3)

| E premte, 25.10.2013, 08:36 PM |


13  TETOR  1943

70 VJETORI I BOMBARDIMIT TË TIRANËS

Pjesa III

“PSE NUK DENONCOHEN  KRIMET  E  KOMUNIZMIT ?!”

Nga Fritz RADOVANI

Mbas bombardimit të Tiranës, vetem ky “mur”...mbeti në Europë!

Tue shikue këte copë “muri” që shumkujtë i duket si “monument”, më shkon nëpërmend një fjalë popullore: “Ishin nda rrisqet!”, kështu, thonë disa...

Plot 70 vjetë që “Historia e Shqipnisë”, ka marrë pamjen e disa legjendave, ku me vështirësi mundesh me kuptue se kapitujt e saj, nuk janë “përralla” të mbledhuna nga goja e Popullit, po janë të menduem e të shkruem prej “dr. prof. e akademikëve” tanë të dijtun...si thonë disa: “deri aty!” Edhe sot të bajnë me mendue “ku, kishim vojtë!?”

Mercenarët në Shqipni “drejtojnë” shtetin... Mercenarët janë edhe “akademikë” të Akademisë së Shkencave të RSh, dhe po, prap mercenarët, janë “dr. Prof.” e disa universiteteve të Shqipnisë... bash ata, që jo vetem shkruejnë “Historinë”, po edhe janë tue pergatitë “brezin” e dijetarëve t’ ardhshëm! Dhe, ma e shemtuemja gja asht se edhe ata e dijnë mirë, se po pergatisin një brez tjeter mashtruesish e gënjeshtarësh si veten.

Cili shtet në Europë nuk ka një Histori të vertetë të shkrueme, si Shqipnia?

Nga viti 1939 Shqipnia kje e pushtueme nga Italia fashiste dhe ma vonë, në 1943 në Shqipni, erdhën forcat ushtarake gjermane. Në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman, shkruhet: “Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi... Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.” Ishte e para herë në Histori, që Shqipnia ishte bashkue me Trojet e veta të mohueme dhe të masakrueme...

Në pragun e sulmit gjerman ndaj Jugosllavisë, Stalini ka nenshkrue një Traktat me Beogradin, dy palët i qendruen “besnikë” per aqsa u interesoi...Këte vertetoi Jalta!

Nga libri i z. Henry Kissinger “Diplomacia”, botue në Tiranë, 1999, kam mujtë me krijue bindje të plota per të gjitha ata fakte historike, që per vite të tana nuk i “kishe lexue në asnjë dokument historik të botuem.” Ju falemnderës z. Kissinger!

Kush ishin komunistët “tanë” dhe kush e formoi Partinë Komuniste tek ne?

Pse Aleatët u lidhën me komunistë, dhe pse i ndihmuen ata tradhëtarë?

Ruzvelti deklaron në Jalta: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” (fq. 396)

Nuk ua kishin tregue padronëve Aleatë, oficerët e tyne që ishin nder Malet tona besen, burrninë e bujarinë e Shqiptarëve të Veriut, që per 4 vjet nuk u vra një oficer?

“Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërçillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan.” (fq. 404)

Nuk e dinin Aleatët se mercenarët e PKSh, janë të shitun tek bolsheviku Tito, dhe se Enver Hoxha asht një tradhëtar anadollak, që do të shesin Shqipninë tek sllavët, per të mbushë xhepat...dhe se, lufta e tij kishte subjekt shkatrrimin e Veriut të Shqipnisë?

A e dinin Aleatët qendrimin e Shtetit dhe të Shqiptarëve ndaj çifutëve tek ne?

Po, sa çifutë mërrijtën në ShBA me pasaporta Shqiptare, a e dinte Ruzvelti?

“Ruzvelti pranoi planin e Stalinit, per të spostuar kufijtë e Polonisë në Perëndim dhe vuri në dukje se nuk do ti bënte presion Stalinit per Balltikun...dhe as per të spostuar në Perëndim dhe kufirin Perëndomor deri në lumin Oder...” (fq. 411)

Po kur vune firmen në dokumentin e “Vendimeve të Jaltës”, nga 4 deri 11 Shkurt 1945, nuk ua vrau synin as Ruzveltit dhe as Çërçillit, “mungesa” e Shtetit Shqiptar, si Shtet i Lirë, demokratik dhe i Pavarun në Harten e Ballkanit të pergjakun?

Ruzvelti shkruen: “Mendoi se ai (Stalini FR), është përfaqësuesi i vërtetë i zemres dhe i shpirtit të Rusisë, dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (fq. 413)

Atëherë, pse po sakrifikohej Europa Lindore deri poshtë në Shqipni Europjane?

Pse Aleatët në Jalta ishin kunder vendosjes së demokracisë, në zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945, dhe pse u pajtuen me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipni?

Nuk ishin të dijtun per perpjekjet e Popullit Shqiptar nder shekuj me shpetue nga zgjedha sllave e aziatike e osmanllinjëve, dhe sa i kishte kushtue këtij Populli lufta?

“Dy vitet e para të luftës, vetem Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatatura komuniste... ‘demokraci të reja’ Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia dhe Shqipëria.”

Sa pushkë kanë shprazë Aleatët per me na “çlirue” këta 100 vjetë, apo duhen pyet:

Sa sterlina dhe mitraloza i keni dhurue Enver Hoxhës, per me zhdukë Atdhetarët?

Kur u pushkatue grupi antikomunist “Bashkimi Shqiptar” i drejtuem nga një demokrat 25 vjeçar Mark Çuni, që kerkoi zgjedhje pluraliste në Shqipni, ku ishin ata Aleatët që predikonin “Liri, Demokraci dhe Barazi mes Popujve të Botës!”?

Nuk i kishte shpjegue padronëve Aleatë, koloneli Niell, kerkesen e Don Ndre Zadejës, dhe cila ishte e ardhmja e jonë, kur u pat takue me té në qelen e Sheldisë?

As pushkatimin e Don Ndreut me Prekë Calin... nuk e morën vesh Aleatët?

As pushkatimin e deputetëve dhe qeveritarëve Europjanë në Tiranë, nuk ua tha asnjë nga oficerët e misioneve të tyne, as mbasi u takue me ta Imz. Vinçenc Prennushi, në zyret e misionit anglez dhe i shpjegoi persekucionin e katolikëve në Shqipni?

Ku perfundoi Imz. Jul Bonatti, mbasi anglezët e sollen nga Roma në vitin 1946, dhe ua dorzuen komunistëve të Tiranës, që e derguen në manikomjo...çka u ba me Té?

Po, Mark Gjomarkagjoni me dhjetra ushtarakë tjerë... që Aleatët, u thanë: “Ju, na  pritni nder male e shpella, se shpejt rikthehemi me vendosë demokracinë, çka u banë?

Po, per perkthyesit me Aleatët, z.z. Xhelë Meta, Ndrekë Kodheli etj., a moren vesh çka bani E. Hoxha, e ku perfunduen kufomat e Tyne, vetem pse dinin “sekretet”?

***

Kush ishin Aleatët ? – Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli...

Kush e bombardoi Tiranën me 13 Tetor 1943 ? – Aleatët...

Kush ua dorzoi Shqipninë, Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit...?

***

“Numri i sovjetikëve të vrarë (përfshirë civilët) ishte mbi 20 miljonë. Perveç kësaj, numri i të vdekurve në spastrimet e Stalinit, kampet e përqendrimit, kolektivizimin e detyruar dhe uria e krijuar qellimisht, llogaritet 20 miljonë të tjerë e ndoshta, 15 miljonë vetë mbijetuan burgun e gulagun.” (“Diplomacia” fq. 438). Kjo ngjau në BRSS...

Pa hy nder shifrat e panjohuna të shteteve të Europës Lindore, sot me të drejtë duhet të pyesim: “Sa asht numri i të vramëve dhe të zhdukunëve nder burgjet, kampet e shfarosjes apo të masakrimit komunist në Shtetin Shqiptar, dhe ajo ma kryesoria:

PSE NUK DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT NË EUROPË DHE NË SHTETIN MA TË SHPARTALLUEM E TË VARFEN, SHQIPNINË EUROPJANE ?

***

Presidenti Ronald Reagan, porsa mori postin e Presidentit Amerikan me 20 Janar 1981, shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme:

“Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm:

Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë: Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilët do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne... Perandoria e së keqes luftohet me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë.”

Fjala e Tij historike mbyllej:

“Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

Të shpresojmë !

Melbourne, Tetor 2013.