Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Dasëm me nuse mbi gomar

| E premte, 25.10.2013, 09:08 PM |


DASËM “ALLAFRANGA” ME NUSE MBI GOMAR

NGA KALOSH ÇELIKU

Librat” e trusakatëve me urdhër të partive politike i mbushin sallat e përurimit të pispilosur e stolisur fundekrye duke u shtyerë me bërryla e fotografuar para kamerave televizive. Intelektualë të dy-tri Unioneve të viçave, doktorë shkence me tituj universitar (me shumicë e pakicë), Shkrimntarë oborri, analistë e gazetarë në rendin e parë rrinë paluar si kukubecë bostani. Vend të lirë nuk gjen nga “politikanët” e arratisur dhe argatët e tyre dudumë, që gjoja merren edhe me arsim dhe kulturë, e përfundojnë gjithë jetën e tyre “patriotike” në varr duke e lëvduar njëri-tjetrin për “flijime artistike”. E, ti si shkrimtar rebel ku ta rehatosh së paku Kryengritësin shqiptar (veteran lufte), që deri më sot nuk e ka lidhur as Kral e as Mbret në ndonjë shpellë?! Kanarin e Çajupit mes këtyre kukullave shqiptare sa për sy e faqe?!

Vetëm Rrufjani përurohet me dhjetë burra e gra në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, ku fatkeqësisht dhe fatmirësisht drejtoresha është shqiptare. Dhe, ekipin e RTV të Redaksisë në gjuhën shqipe. Edhe atë, në Kryeqytetin e shqiptarisë me gjithë këta “intelktualë, shkrimtarë, analistë e gazetarë” me qerre, që e “kërkojnë” lirinë e fjalës në rrugë të stolisur me tituj shkencor e poste politike nëpër redaksi e kabinete partiake të Qeverisë. Unione të viçave, shoqata të historianëve, shkrimtarëve të Oborrit, Lidhje të arsimtarëve e Shoqata ”humaniatare”. “Aktorë - gjeni” Bit-Pazari, që e thyejnë kokën copë-copë duke vrapuar pas shpërblimeve (një torbë taxhi) me talent hutini qorr, dhuratë të partive politike në Qeveri.

Libri për Nesër, u doli në dyluftim në mes të Shkupit. Edhe atë: në Institucionin shtetëror, ku para autorit në fjalë janë përuruar edhe nga dy-tri herë me radhë partizanët e partive politike dhe i kanë mbushur sallat me dreka e darka të përkrahur edhe nga Komuna e Çairit. Rrufjani erdhi vetë i shtati në Qendrën Informative Kulturore në Shkup. Përçudi, nuk erdhën atë natë miqtë e tij të arratisur: Hojdodolja, Rrumaduci, Dudumi, Hoxha i Allahut dhe Këlyshi me zgjebe. Pse jo, edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti?! Trëndafiles si “patriote” kuqezi t’i duatrokisin në skenë. Rrufjanin, Natën e Madhe e shtinë me dajre e këngë dhëndër pa Nuse. Dudumët, me siguri gjatë kësaj kohe pinin çaj rusi në Bit - Pazar, ose i luteshin Zotit për mëkate me bythët në “hava” në xhami e trutë në legen në mes të udhëkryqeve të Bit-Pazarit.

Dukuri e pazakontë shqiptare kjo në Ditën e sotshme, kur personazhet e dashur të librit Rrufjani, nuk patën guxim të ballafaqohen me veteveten, realitetin e hidhur artistik në skenë. Ironia më e madhe, vetë drejtoresha shqiptare nuk ishte prezente në “dasmën” e saj të “burrave e grave të kombit”. Nikoçire, që fatkeqsisht siç duket nuk e di traditën e dasmave shqiptare brez pas brezi nëpër shekuj. Gjithë punën organizative ia lë në dorë zv./ drejtoreshës maqedonase. Apo, me siguri e kanë lodhur zhurmat e përditshme kulturore shkel e shko me përurime të librave dhe hapjen e ekspozitave figurative?! Moment historik ky, kur fabrika partiake non – stop prodhon mallëra serik me afat të skaduar me shumicë e pakicë të shkrimtarëve e piktorëve. Reklamimin e tyre institucional shtetëror, që kësaj radhe nuk flasim e as shkruajmë në këto çaste për këtë fenomen të çuditshëm shqiptar. Që, padashtas ma përkujton satiristin e madh shqiptar, Niko Nikolla i cili në një Akademi Përkujtimore për Mehmedali Hoxhën në Strugë tha: Nuk ka popull shqiptar, po ka popull shkrimtar. Punë me të cilën duhet patjetër të merret Ali Ahmeti me shokë, nëse vërtetë me gjithë mend ka vendosur të na shpie në Evropë. Alarm politik se, me kuadër të paaftë politik të marrë nga rruga pa kritere shkencore, trusakatë dhe qorra nuk bëhet politikë madhore, arsim dhe kulturë shqiptare. Edhe atë, në kohën kur kuadri më i aftë shqiptar shkencor, shkaku kësaj “ajke të zgjedhur politike partiake”, na bredh rrugëve pa punë nëpër Bit-Pazar. Përmëtepër, kuadri i tyre partiak është nën nivelin e organizimeve amatore kulturore të shoqërive artistike të dikurshme komunsite. Anësh t’i lëmë “akademikët”, gjithë këta shkrimtarë Oborri të stolisur me çmime shtetërore, gazetarët dhe analistët politik, që natë e ditë na i shurdhuan veshët në mjetet e informacionit me zhurmë politike, arsimore e kulturore. Personazhet e gjallë dhe të vdekur të Rrufjanit, këmbëkryq ulur mes faqeve të këtij libri, që të marrin guximin kulturor e intelektual, të vijnë në përurimin e vetëvetes si dëshmorë lufte për liri. Pse jo, edhe t’u duartrokasin “fitoreve historike” të personazheve të këtij libri, kënaqen së qeshuri me vetëveten si “dëshmorë” lufte kokë më kokë në Librin për Nesër. Përmëtepër, t’u gëzohen duartrokitjeve frenetike në sallë krah për krahu me zonjat e rënda kuqezi të salloneve politike me Nusen mbi gomar. Gjumi Arushës t’u dalë në Shkupin historik, dëgjojnë mendimin e kolegëve të tyre të penës: Fatmir Minguli nga Durrësi, Nikolla Spathari nga Shkodra dhe Safet Hyseni nga Kërçova.

Burra e gra Bit - Pazari, hidhni ferexhetë dhe kësulëleckat në përrua se na morët më qafë, dilni në fushën e mejdanit ku përqafohen gushë më gushë “hutat” letrare! Mjaftë më, gjithë jetën u strukët nën sjetullat dhe bythët e partive politike, në xhepat e grisur të “vëllezërve” arnë përmbi arnë! Vite e vite i turreni përmbrapa dashit me brirët e përdredhur shtatë herë me radhë rreth veshëve si dhelpëra dinake, mos i bien udhës. Publiksht, doni t’ua them edhe këtë: Dashit me këtë kapicitet politik, shkencor, arsimor dhe kulturor që keni ju, kurrën e kurrës nuk do t’i bien udhës. “Guximi” juaj intelektual, me shpatën e Skënderbeut në brez, hipur mbi kalin e shaluar në parkingun e makinave dhe Hasan Prishtinën të varrosur për së dyti herë pas vdekjes në një copë parku mes kafeneve në Shkup, të cilit i jeni ngjitur si rriqëra ta propagandoni veten para kamerave televizive si “patriotë”, përfundon me zhurmë historike të “vëllazërim-bashkimit” duke shënuar përditë ditëlindje e ditëvdekje të personaliteve historike nëpër Bit-Pazar. Vallë, si politkanë shqiptar mos i keni duarëzuar armët e luftës?! E, ne shqiptarët ende nuk e dimë “strategjinë e juaj historike” pas Çuke në ribërjen e Atdheut?!

Jo! Atdheu nuk bëhet me trusakatë dhe partizanë të partive politike që nuk shohin më larg se, në Lëmë. Gra me pashterka të kuqe, që nuk e dinë ku e kanë kokën e ku bythën. Burra - gra të dasmave “allafranga”, që dalin në skenë me ferexhetë krahëve. Nateditë fotografohen para kamerave televizive me zhurmën e tyre të dalldisur arsimore, shkencore e kulturore. Përdridhen e hidhen gjithë natën e gjatë nëpër dasma me këngë “tallava” e u bijnë duarve shuplakë, herë më një anë e herë në tjetrën anë si sorra të zeza. Këngëtarët duke i mbuluar me para e hedhur dengje me dhjetëra mijëra euro e dollarë mbi kokën e tyre nëpër sallë. Shkrepin allti e kallashë në mes të Shkupit, kur vetëm një fishek kushton sa një libër. Kohë kjo, kur fëmijët e tyre janë pa tekste shkollore. Realitet, që na është ulur këmbëkryq në sofrën shqiptare. Nateditë përpiqet të na bind si popull se, tjerë burra e gra janë ata që punojnë për Atdheun. Trusakatët, gjithë jetën mbetën duke u marrë me tekste shkollore e përpilimin e lektyrave shkollore. Shkolla shqipe. Gjuhë shqipe. Turren me të katra pas shpërblimeve shtetërore me emërime të datave historike e personalitete të “vëllezërve” të Njerkës, pa e ngritur zërin se edhe shqiptarëve si popull shumicë në këtë shtet të “përbashkët” u takojnë dy-tre shpërblime shtetërore me emër e mbiemrër të datave historike e personaliteve shqiptare. Përditë trumbetoni shkolla shqipe gjysmake e flamur kuqezi të harruar pas fushatave zgjedhore nëpër “bandere”. Kohë kjo, kur pala tjetër maqedonase veç më këto dëshira historike i ka realizuar në vepër, që në “kohën e artë” komuniste dhe sot po e shpallë botërisht veten pronar Shtëpie.

O Imzot, po deri kur do të merren shqiptarët me vetveten, me “politikë madhore” të katundeve?! Dyluftime mes partive politike shqiptare për argatë në pushtet: Qytetin e Lidhjes së Prizrenit ta shpallin në Ditën e sotshme qytet të Turqisë?! Turren me të katra për interesa personale e pasuri materiale, e jo me rimëkëmbjen e Atdheut???!!!...