E premte, 19.04.2024, 03:10 PM (GMT+1)

Sport

Nga topi i leckes tek ai prej lekure lope dhe derri i perziere me material sintetik

E diele, 25.05.2008, 08:36 PM


Nga Leonard Karaj    
 
Ishte deklaruar prej kohësh madhështia dhe bukuria e topit të futbollit për evropianin e sivjetshëm. Aq sa më 2 dhjetor të 2007, në ditën e prezantimit, nuk munguan personalitetet më të mëdha të botës së sportit dhe jo vetëm. "Europass", topi zyrtar i EURO 2008, u paraqit para sportdashësve dhe mediave në një ceremoni madhështore të organizuar nga UEFA në Lyzern të Zvicrës. Topi është prodhuar nga kompania "Adidas", e cila ka qenë edhe "shpotia" e disa prej topave të tjerë zyrtarë të evropianëve të kaluar.
 Për të është përdorur materiali më i mirë sintetik, por  dizenjuesit i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë sipërfaqes dhe formës së tij, duke bërë një top i cili jo vetëm nuk ndryshon absolutisht përkundrejt kushteve atmosferike, por edhe menaxhohet më lehtë nga futbollistët. Emri "EUROPASS" i referohet kampionatit evropian, ndërsa pjesëza "pass" është shtuar nga dy vendet organizatore dhe kufitare mes tyre, Zvicra dhe Austria.

"Europass"

"Europass" i prodhuar nga "adidas" kombinon traditën me modernitetin. Ngjyrë klasike, bazë e bardhë mbështetur me ngjyra të zeza si dhe pjesëza të koloriteve të flamujve të 16 vendeve pjesëmarrëse në këtë kampionat. Përqark topit janë dizenjuar edhe 12 vijëza të zeza, të cilat sinjifikojnë 12 kampionate evropiane të zhvilluar deri tani. Pra në pak fjalë, topi zyrtar i EURO 2008 më tepër se një objekt për një veprimtari sportive, është konsideruar si një bashkim idesh, ndjenjash dhe virtytesh të një Evrope gjithnjë e më shumë unike, e bashkuar. "Europass" i ngjan shumë "Teamgeist", topit zyrtar të "Gjermani 2006" përsa i përket materialit të ndërtimit kjo edhe për faktin se është dizenjuar dhe nxjerrë në treg po nga kompania adidas. Ndryshimi qëndron më së shumti në ngjyrat dhe ajo çka më tepër përfaqëson "Europass" përkundrejt "Teamgeist".

Historia

Përshkrimi i parë zyrtar i topit të futbollit është bërë në vitin 1872 kur Federata Angleze e Futbollit vendosi edhe se si do të ishte realisht ai. Sipas tyre duhej të ishte sferik me një perimetër, i cili shkonte nga 68 centimetra në 71 centimetra. Ndërkohë që vetëm pas më shumë se 60 vjet u vendos që pesha e tij nuk do t'i kalonte 450 gramët, ose më saktë duhej të peshonte jo më pak se 410 gramë dhe as më shumë se 450. Rregullat e mësipërme ekzistojnë ende dhe janë baza e prodhimit të topit të futbollit për çfarëdolloj veprimtarie futbollistike për të cilën ai do të jetë si objekt. Ndërkohë që materiali për prodhimin e tij ka variuar shumë në kohë. Teksa në fillim të shekullit XX përdorej lëkura e derrit pas viteve 70-të kjo e fundit u përzje edhe me lëkurë lope, e cila jepte më shumë butësi dhe e afronte më shumë standardeve gjithnjë e më të larta të kërkuara nga FIFA dhe UEFA.
 
Topi "antik"

Rreth viteve 1800 u prodhuan topa të thjeshtë, të cilët përbëheshin vetëm nga një hapësirë sferike me ajër nga e cila dilte një pipëz dhe ku gjithçka përfundonte me qepjen me spango të pjesës së çarë të mbulesës më të fortë, të jashtme. Madje këta lloj topash futbolli u përdorën deri në vitet e fundit të shekullit XX në shumë vende të Evropës Lindore, kjo për faktin se teknologjia ishte e vjetër dhe prodhimi i tyre dilte me kosto të ulët, çka lejonte që këto vende, përfshi këtu edhe Shqipërinë, që të posedonin këta topa futbolli. Ndërsa rreth viteve 1950 këta lloj topash futbolli u zëvendësuan nga një tjetër material sintetik, kjo për faktin se kur ata lageshin bëheshin shumë të rëndë, çka ndikonte në lojën e futbollistit. Ndërsa materiali sintetik dhe mbyllja e përgjithshme (duke eliminuar qepjen me spango) do sillte edhe mos-ndryshimin e topit kundrejt kushteve atmosferike.
 
Evolucioni

Pikërisht në këto vite në Danimarkë prodhohet topi me 32 panele, i cili është akoma në përdorim. Ky tip topi ndërhyri fuqishëm në tregun botëror duke u pranuar si zyrtar edhe në Kupën e Botës të vitit 1970 zhvilluar në Meksikë. Që prej kësaj kohe FIFA nga njëra anë dhe UEFA nga ana tjetër janë munduar të prodhojnë topa specialë për çdo aktivitet botëror ose evropian, madje edhe për finale të kompeticioneve të tilla si Kupa e Kampioneve, Kupa UEFA, Kupa Interkontinentale, etj.

Topi evropian

Evropa vetëm pas viteve 80 filloi t'i kushtonte më shumë rëndësi topit të futbollit në mënyrën se si prodhohej. Deri në atë kohë me dizenjimin dhe nxjerrjen në treg ishte marrë vetëm FIFA. Kështu topi i parë zyrtar i prodhuar enkas për një kampionat evropian ka qenë "Tango Mundial", i cili u përdor në evropianin e 1984-ës të zhvilluar në Francë. Ndërkohë që e njëjta kompani prodhoi edhe topin zyrtar të EURO 1988 të zhvilluar në Gjermani, i quajtur "Tango Europa". Ndërsa katër vjet më vonë në Suedi një kompani italiane u mor me dizenjimin e topit nga ku doli "Etrvsco Unico", një top që revolucionoi edhe më tepër nga ana estetike prodhimin e tij. Në fakt ky lloj topi u përdor edhe në botërorin shtëpiak "Italia 90". Ndërsa në evropianin anglez të 1996-ës në lojë u hodh "Questra Europa" i prodhuar nga kompania "Nike". Në mijëvjeçarin e ri, në EURO 2000 në Belgjikë dhe Holandë u përdor topi "Terrestra Silverstream", i cili i la stafetën katër vjet më vonë "Roteiro", topi zyrtar i "Portugali 2004".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora