E premte, 29.03.2024, 09:45 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Të gjunjëzuar karshi Erdoganit

E merkure, 23.10.2013, 07:35 PM


Të gjunjëzuar karshi Erdoganit

Nga Arbana Xharra

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pret sot “vëllain” e tij Rexhep Taip Erdogan, për ta përuruar terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili tashmë është në duart e kompanisë turke “Limak Holding”. Erdogan duket se është një politikan finok. Ai disa herë ka luajtur lojën politike gjoja “kërcënon” Serbinë se do ta mbrojë me ushtrinë e vet Kosovën (edhe pse Kosovën e mbron ushtria më e fortë në botë NATO) ndërsa gjatë vizitave të tij në Serbi ai është shfaqur si mik i sinqertë i serbëve duke kërkuar bashkëpunim ndërshtetëror politiko-ekonomik.

E sot, padyshim që ka mikpritjen e kreut të qeverisë, bile po të kishte qëlluar ditë e premte me siguri Thaçi se do ta shoqëronte atë deri në Xhaminë e Madhe të Prishtinës për ta falur drekën bashkë, ndonëse Thaçi zor se di ndonjë lutje, por kur është puna për t’i bërë qejfin Erdoganit ai bën dhe më shumë, siç i ka dhënë Aeroportin edhe Distribucionin.

Kryeministri i Turqisë vjen në mes të fushatës elektorale dhe nuk besoj të ketë qëlluar rastësi koha kur është vendosur të mbahet kjo ceremoni. Ka mundur të shtyhet pas zgjedhjeve. Por, siç po shihet qartë, Thaçi është në gjendje të dëshpëruar për ta mbështetur dikush, kështu që kush mund t’i vijë në ndihmë veçse ai që po pret ta fusë edhe më thellë këmbën në Kosovë. Këtë herë në politikën e brendshme.

Kjo “vëllazëri myslimane” (siç) është sinjal i qartë për marrëdhëniet e dyshimta të Thaçit me Erdoganin e sidomos pas dhënieve të aseteve kryesore e së fundmi edhe hapjen e tregut të Kosovës për mallrat që vijnë nga Turqia duke i liruar nga të gjitha doganat. Erdogani vjen ekskluzivisht për ta mbështetur Hashim Thaçin në fushatë, tek e fundit është pritur pas gjithë atyre të mirave ekonomike që i ka ofruar Turqisë.

Ky përafrim i politikanëve më sjell ndërmend detajet të argumentuara nga libri “Mosmarrëveshja” e Ismail Kadaresë, i cili përshkruan aq mirë nënshtrimin e politikanëve edhe të kohës sonë ndaj Turqisë. Ai paralajmëron qartë hapat drejt turqizimit të shqiptarëve dhe interesin e Serbisë për defaktorizimin e shqiptarëve, duke rikujtuar se qysh një shekull më parë ish-ministrit Serb Ilia Grashanin i kishte rënë kambanës. “Vetëm e tillë e turqizuar pra thellësisht joevropiane Shqipëria do të ishte përherë e padashur prej Evropës”, shkruan Kadare duke shtuar se shumë shqiptarë për arsye të ndryshme i tremben Evropës, disi i frikësohen dënimit të krimeve që Evropa demokratike do t’iu kërkojë.

Sot një ngjarje e tillë na sjell përpara syve këta udhëheqës tek i “gjunjëzohen” Erdoganit i cili me agjendë haptazi islamike arriti të shtrijë fare lehtë edhe ndikimin e tij ekonomik duke marrë në dorë asetet kryesore. Sepse këtu është esenca e veprimeve të tij edhe brenda Turqisë. Duke përdorur fenë, arriti të marrë dhe të mbajë pushtetin.

Po feja nuk është e mjaftueshme për të ndërruar identitetin e një populli. Erdogan me të gjitha politikat që ndjek ndaj Kosovës kërkon të na zhbëjë edhe historinë. Pas kërkesës për të ndryshuar librat e historisë na vjen një shembull i vogël e domethënës. Dje në Obiliq u paralajmëruan protesta se Qendrës Kulturore që mbante emrin e një dëshmori të UÇK-së, i ishte vënë emri Sulltan Murat, pasi e kishin financuar e renovuar. Pra, pikërisht emrin e pushtuesit që la kockat në betejën e Fushë-Kosovës kundër popujve të Ballkanit.

E sot ndihmë nga Erdogani kërkon edhe një grup tjetër, Lëvizja Islamike Bashkohu, e cila organizon protestë në Prishtinë për t’iu qarë Erdoganit se politika në vend nuk po u lejon bartjen e shamisë.

Këta burracakë, do të duhej të dilnin në protestë, për të kërkuar të drejta për qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur në Turqi, pas marrëveshjes me Turqinë të cilët kanë humbur pothuaj plotësisht identitetin.

Sa për shaminë, e morën përgjigjen edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo këtë herë foli qartë që ta dëgjojnë edhe veshët e Erdoganit; “Bartja e shamive nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sepse Republika e Kosovës është shtet laik”.

E ne jemi shtet laik, e laiciteti nënkupton liri nga dogmat, e liria nënkupton arsye për ekzistencë. Ne do ta mbrojmë lirinë tonë, deri në fund!



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora