Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Vdekja lodh jetën

| E hene, 21.10.2013, 07:16 PM |


Vdekja lodh jetën

Nga Ilir Muharremi

Nuk do të jem i ashpër me vetën, me  atë që e dua dhe kundërshtoj. Asnjëherë nuk do të pohoj mbi ekzistencën, edhe pse vërtet zhgënjimi vërtitet, mblidhet mbi vetën si një rreth absolut, pa fillim, pa mbarim, lojë patetike, për t’u argëtuar mbi të vërtetën. Cilën të vërtetë? Atë që e shohë, që e prek?! Atë që e vërtetoj e zotëroj. Kaq mund të konstatoj. Unë konstatoj, sepse unë mendoj për të. Ndjenjat përcjellin atë që shohin, atë që nuhas, por kjo a është kështu? Skeptike për t’u dukur e bukur, bukuria vuloset mbi shëmtinë. E ftohta mbi nxehtësinë, e zbrazëta mbi të mbushurën. Kjo është ajo që duhet të jetë mbi atë që e mendojmë.

Ndonjëherë ndodh të nisesh diçka pa planifikuar , pa ditur se çfarë ke nisur dhe ku të çon rezultati. Por, a është e rëndësishme kjo? Njerëzit zhyten në mundin e përfitimit, duke shpresuar se diçka vërtet do nxjerrin nga puna, do përfitojnë nga jeta e lodhshme, do ngjisin gurin në maje, me mend të përfitimit, por prapë ky gur rrokulliset poshtë. Rezultati i takon jetës, jeta krijon pauzën, për të na bërë më të fuqishëm, sepse edhe ajo kërkon të mbushet nga zbrazëtira. Gjithnjë kjo. Ajo dhe kjo. Ai dhe ajo. I forti dhe i dobëti. I përuluri dhe shtypësi. Mbreti dhe shërbëtori. I varfëri dhe i pasuri. Kjo si konflikt në mes për ta analizuar, kritikuar këtë mes pauze. Pauzë e ekzistuarit, për të shpikur luftën, konfliktin, mbi atë që ndodh. Kjo pauzë është çlodhëse dhe na bënë më shumë për të menduar si për të fortin dhe për të dobëtin, aty distancojmë luftën, raportin kohën. Cili fiton le të fitoj, të dytë janë fitues sepse shpartalluan spermatozoidet e tjerë. U zgjedhën, si fituesi si humbësi. Ndoshta e dini se ku përpiqem të dal.  Si heronjtë, mbretërit, edhe humbësit janë fitues. Fitorja ngritët mbi të gjithë.

Lidhja e historisë, e tregimeve, ngjarjeve përpiqet të vulosë diçka absolute, që gjithnjë do të ekzistoj me  vazhdim. Njeriu është i krijuar për diçka të re, për tu ngritë mbi të vjetrën, tamam futuristë i të shkatërruarit së kaluarës. Ndoshta futurizmi nuk duhet mohuar. Por, mohimi kryesor është se si duhet vazhduar duke mos ditur rrënjën. Rrënja është tek koha, dhe çdo ditë e re vendosë të ardhmen e re. Herakliti mirë e shpjegon: Dielli çdo ditë është i ri. A nuk përpiqet të na shkëput nga e kaluara, nga prejardhja? Po tamam futuristë i një modernizmi të padëshiruar. Rastësisht e ka pohuar ai këtë. Ndoshta vërtet diçka mbetet tek lëvorja e lëkurës së re. Ajo që zhduket, avullohet, përçohet dikund, sepse nuk erdh nga askush për tu kthyer te askush. Nuk jemi as ne askush. Ajo që vjen, edhe kthehet. Ajo që bie, shërben dhe mbinë diçka, kjo diçka prapë i servilizohet asaj nga ka ardhur.  Edhe muzika e mirë ka larmi, vibrime, tonalitete. Ka ritëm, ka ndryshueshmërinë e asaj që e kundërshton. E kundërshton për të lëvizur dhe prapë për tu kthyer nga u nisë më herët, nga heshtja për të zhurmuar. Piktura, fillon nga pëlhura e bardh, me qëllim për tu ngjyrosur. Ngjyra, vetëm prezanton tonalitetin e vet vetjak, si kundërshtim të bardhës, e cila prapë në shpirt është e bardh dhe ngjyrë. Të dyja. Bardh dhe ngjyrë. Neutrale dhe e shërbyer, e vyeshme. Por, prapë ajo që ishte, për të qenë. Shkrimtari, pohon nisjen, vazhdon, luan, na kthen prapë ku ishte më herët, si magji, si fjalë, ngjarje, ndodhi, kujtesë, por asgjë, fletë e bardhë e mbushur me larmi kthyese. Edhe unë pohoj sepse më herët nuk kam pohuar tash duhet pohuar për ta kundërshtuar atë që nuk e kam pohuar.

Lojë mrekullish luftë e izoluar në një gëzhojë që dirigjohet ndoshta nga vetja ndoshta nga dikush që edhe ai dirigjohet. Nëse është si viktimë e dirigjimit, përse të gjithëve të na viktimizojë duke menduar të nxjerr fitimtarin i cili prapë shndërrohet në viktimë? Përse kjo luftë të panjohurish? Gjithmonë jemi viktimë, por edhe ai është viktimë. Nuk më falet sepse kështu mendoj, por as atij nuk do t’i falet, sepse më viktimizon duke ma ngulitur pyetjen, pa përgjigjen e duhur. Përgjigjen ndoshta e gjejmë aty ku e ka mbështjellë duke na munduar për ta gjurmuar, ose për të na lodhur, të mos jemi të përgatitur për sfidën, ballafaqimin. Lodhja të bënë shtjerrës ndaj asaj që kërkon. E vlerëson lodhjen sepse të ka sjellë deri këtu dhe e shpërblen. Andaj, ne viktimizohemi si shpërblyes për atë që e bëmë deri këtu sepse nuk kemi ndonjë ndërgjegje të të pyeturit. Jemi të stërlodhur për të bërë diçka. Jemi të dënuar për tu plakur, për tu servilizuar jetës, e cila shpall publikisht viktimën, fitoren e valëvitë, duke na quar drejt tek ajo. Duke na hipnotizuar deri te ajo, dhe ne vrapojmë kah jeta, derisa lodhemi për të kaluar te vdekja. A nuk vendosa mendime kot? Nuk shtrydha vetën kot. Nuk bëra lojë larmish, luftë estetikë, për të më pëlqyer. Jo. Aq më pak propagandë të vetës. Dua të shprehem i lirë, si dikush që ka një shpirt të burgosur në trup e që do të lirohet mbi kaltërsinë monotone. Prapë, zbrazëtira mbi diçka për tu mbushur. E bukura për tu kritikuar derisa koha e nxjerr vet vlerësimin. Në pritje të saj, artistët nuk kanë durim dhe shtyhen ta paraprijnë luftën. Jo. Dhe shumë herë do ta pohoj me jo. Çdo gjë për tu viktimizuar vdekjes. E kemi një hapësirë një kohë për ta ç’veshur, dikush më herët dikush më vonë, në fakt njëjtë jetuam. Si ata që vdiqën më herët, si ata më vonë, jetuan dhe vdiqën . A nuk është kjo e bezdisshme duke ditur të dyja anët dhe prapë vazhdojmë. Gjithnjë me atë se duhet vazhduar...

Botuar në shtojcë të kulturës në të përditshmen “Kosova sot”