E shtune, 20.04.2024, 03:43 AM (GMT+1)

Mendime

Astrit Gashi: Kush do ta fitojë Vitinë?

E hene, 21.10.2013, 07:33 PM


KUSH DO TA FITOJË VITINË NË ZGJEDHJET E 3 NËNTORIT?

Nga Astrit G. GASHI

Zgjedhjet vendore të 3 nëntorit, kësaj radhe do jenë shumë interesante dhe përplot tensione në komunën e Vitisë. Këto tensione fillimisht vijnë  si rezultat i vlimeve të brendshme që e kanë karakterizuar PDK-në, pothuaj gjatë gjithë këtij mandati qeverisës në këtë komunë. Ndonëse nga radhët e PDK-së, Kryetari i kësaj komune, z. Nexhmedin Arifi, u “mohua” nga të vetët dhe qeverisjen komunale e përmbylli, jo me  anëtarë të Kryesisë së degës së PDK-së (“mohuesit”), siç kishte menduar e pritur opinioni (i PDK-së), por me figura, si të thuash, nga radha e dytë. “Mohuesit”, madje e paditën dhe e dërguan edhe  në gjyq për shpërdorim të detyrës zyrtare, për korrupsion... E atakuan edhe për keqqeverisje. Meqë z. Arifi u shpall i pafajshëm, “mohuesit” morën hapin tjetër: nënshkruan Marrëveshje me degën e AAK-së në Viti, për ta mbështetur kandidatin e kësaj të fundit, z. Hafir Hoxha, për Kryetar të Komunës së Vitisë, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kjo Marrëveshje, ndërkaq, do reflektojë në dy drejtime. E para, Kryesia e PDK-së në Viti, “mohuesit”, pra, do punojnë me mish e shpirt kundër z. Nexhmedin Arifi, që ky të mos zgjidhet assesi Kryetar i ardhshëm i Vitisë, sepse po ndodhi kjo, “mohuesit” vdesin politikisht dhe mund t’i fshijnë duart për murrizi, siç thotë populli. Prandaj, që të mos ndodh ‘vdekja’ e tyre, tërë energjinë, ata, do ta drejtojnë, jo në mbështetje të kandidatit të AAK-së, por në luftën kundër kandidatit të PDK-së. Kjo luftë, ndërkaq do ta favorizojë shumë LDK-në dhe kandidatin e saj, z. Sokol Haliti, i cili edhe në zgjedhjet e fundit ishte krejt afër fitores për të qenë Kryetar i Komunës së Vitisë. Kjo luftë, nga njëra anë, si dhe karizma që ka LDK-ja dhe, në mënyrë të veçantë, kandidati i saj për Kryetar të Komunës, z. Haliti, ka mundësi, që ky i fundit, t’i fitojë zgjedhjet që në raundin e parë. Ai, po ashtu, bazuar në informacionet që kemi nga terreni, ka mbështetjen edhe të pjesës dërmuese të elektoratit demokristian. Ndonëse PSHDK-ja ka kandidatin e vet në garë për kreun e Komunës, do thënë se kjo parti është minore në raport me Partinë Demokristiane për Integrim në Komunën e Vitisë, e cila është në mbështetje të kandidatit të LDK-së. Veç kësaj, kandidati i PSHDK-së del të jetë një anonymus dhe jo serioz edhe për vetë elektoratin demokristianë, thonë burimet.

Reflektimi, efekti i dytë i Marrëveshjes AAK-PDK (gjithnjë është fjala për Kryesinë e degës së PDK-së në Viti), do jetë irritimi  i vetë elektoratit të AAK-së, ngase nënshkruesit e Marrëveshjes nuk i bëjnë nder askujt. Kjo për pasojë do ketë ikje të njerëzve të AAK-së (patjetër edhe të PDK-së) dhe kalimin e tyre në taborin e LDK-së, gjë që do çojë në rritjen e përkrahjes për z. Sokol Haliti.

Shikuar në përgjithësi, të gjithë faktorët e konfirmojnë fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit,  z. Sokol Haliti. Ai e gëzon  edhe përkrahjen e bashkëveprimtarëve të dikurshëm, të kohës para e pas viteve ‘89 , të veteranëve të UÇK-së, të elektoratit me frymë rugoviane, e cila është shumë e madhe dhe e vendosur për fitore.

Patjetër, në figurën e Sokol Halitit, elektorati në Viti, sheh edhe personin e pakorruptuar dhe mirë të përgatitur profesionalisht; të njeriut i cili rreth vetës ka një ekip të mirë edhe nga radhët e partive të tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora