Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava

| E diele, 20.10.2013, 04:53 PM |


CIKEL POETIK

Lumturi Ymeri Bersava

 

 

NDOT.JET' NJERËZORE

 

*

E artë ndriti

në ninëzat e syve

të mi, të tutë

të gjithkujt

buzëqeshja, sovrane ndaj botës.

 

*

Stinët u përkundën

Vitet u lëkundën

Farëzat u shkundën

humbën në krisjet e çarjet e kohës.

 

*

Monotoni e grijtë. . .

Zemra kërkon jetë

Sytë duan dritë

Limfa do rrëmujë

shpirti, aventurë në skajet e tokës.

 

*

Përtej supit tim

qesh një dekolte

(çel një orkide)

Josh një kops-zbërthyer

(tulipan-shpërthyer)

Flirt, që nuk njeh cak

Trendy...s'ësht' mëkat.

 

Dhe unë, prapa teje

tjerr (ç')mendimin tim

dehur tek një shtrat

përpëlit...rënkim.

 

*

Ndezur bota zjarresh

digjet prapa krahësh

në flakë mëkatesh...

 

*

Ja! Nga lot fëmijësh

rrebeshe qiellore

rrëgjojnë, pastrojnë

ndotjet njerëzore.

 

Pendimi ngjyros ditët

me qiej të blujtë

për sytë e mi

të tutë

të gjithkujt. . .

 

 

AJO…

 

S’di pse dita

vuri nën hapat e mia

atë rruginë

ku bari s’kish mundur te mbijë…

 

Përpara meje ajo…

një shapkë mbante mbi kokë

Me dorën tjetër gërricte kofshën

tërhiqte bizhamen

zvarritur përtokë…

 

Mes nesh

ajri ngriu

Ngjethmishjet në lëkurë

më mpinë

Ankthe të akullta

më goditën në kocka…

 

Ndërsa ajo

asnjë cudi  vari në qerpikë

Ngecur në ta

dy rezervuarë të mjegullt

humbëtira të hirta

të ujta, të qelqta

të paqta…

S’ja gjej vështrimin kërkund

vetëdijen, askund…

 

Nën placentën e tejdukëshme

kërcëlliten ganxha të egërta

përtej bote

atje

tek një qoshe muri

mbetur ca flokë stërpikur me gjak…

 

Ajo

mbulonte

kokën me shapkë…

 

Më njohu…ndopak?!

 

 

PULSI IM...

 

Është pulsi im ai

anë 'arrzës' tënde që lëviz

sa herë kapërdin

një lot, shkaktuar meje

një fjalë, përtypur teje...

 

Është pulsi im aty

në atë butësi

qeton faqja ime

gërricmat e mjekrës rritur

ditëve ikur

mërzitur

duke pritur...

 

Ai është pulsi im

që ndjej në përqafim

tek mat me gjak

hovet e frymëjetës

vibrimet e ndjenjës...

 

Aty, tek pulsi im

yti është, e di!

Puliten qerpikët e mi

ngatërrohen lotët

me erëmim

mungese e ndjese...

 

Dy buzë që dehin

ndizen a ndezin

me afsh, një dëshirë

lëkurë e mish

një trup i shkrirë...

 

Është pulsi im ai

dhe ti, e di!

 

I kam vënë...vulë

në...vjolë...

 

 

FUSTANI PREJ AJRI

 

Ajo

veshi fustanin prej ajri

mesnatës së vonë.

Derdhej në shtrat, purpurimë

me butësine e një mjellme

 

Dy buzë

vizatonin dekoltenë

dhe gishtat që zgjidhnin

fjongo prej hëne.

Valëzonte fustani prej ajri

nën tingujt magjikë të frymës

U drodhën yjet tek shuheshin

 në castin e natës së fundit...

***

 

 

ND'AR'JE

 

Ja!

Ia ngritëm murin ndjenjës

Mëkatin lamë jashtë

dhe veten...

Duro tani!

Ti,

që ajri i tejngopur

t'a thërmon mushkërinë

Unë,

që boshin e krijuar

nga lotët e zbrazur

m'a mbush plaga e djega e mallit

 

Ja!

Jemi në majë.

Atje

ku na mori ëndrra

dhe era

që më sjell

më ndjell

për qiell...

 

Në t'u prefshin krahët që t'i dhashë

me pikën e lotit të mbështjell

rrokullisu në ortek trishtimi

në prehrin e Hënës

do të bjerë...

 

Unë

po pres dhe pak

sa, rëra në klepsidër

jetën të mat

dhe perëndimin

të më shpuzë kujtimin...

 

Ç'lëmshe bëka loti?!

Të tutë

i fshehe pas shpine

i ndjej!

Të mitë

ujitin buzën e tharë

s'të gënjej!

 

Prit!

Po një fjalë?!

Më uro,

të fundmin zë

në shpirt t'a lë!

 

- Të dashtë tjetërkush,

si unë!

- Dhe ty,

sa unë...!

 

Rëra në klepsidër mbaroi

ramë në hone

tutje

për në skaje shekujsh

që dashuria e fshehtë

s'njeh...!!

 

 

MË, AS DUAR KAM...

 

Për qiell të kthjellët

u plasën rrufetë.

Më plagosën duart

tek mbuloja sytë.

 

Kaos

brenda vetes

mllef

që derdhet furishëm

nëpër gjak.

Trondisin

shembin

thyejnë zemrën.

Si t'i fashoj frakturat, Njeri?!

Nuk kam më duar!

 

Si t'a mëkoj

me shpirt e frymë?!

Si t'a ushqej trurin?!

Nuk ka më ajër.

M'a ndote Njeri!

 

Si t'a gëlltis mykun

në pjatën e dhimbjes

që m'a servir?!

Si t'i largoj hijet e fantazmave,

heshta nëpër natë

më shpojnë tejpërtej?!

Si t'a duroj gozhdën e helmët

m'a ngule në kujtesë, Njeri?!

Nuk kam më duar

t'i shkul!

Nuk kam më krahë të fluturoj!

Më mer ti Njeri?!

Si?!

Në këmbim të shpretkës?!

. . . .

Gozhduar duarsh,

Sa i vërtetë

po më duket Krishti sot!

Në këtë qiell të kthjellët

ku lëshohen rrufetë

e godasin...fort!!

 

 

NËPËR SHI

 

Bie shi

jashtë xhamit

brenda mallit,

poshtë qiellit

larg diellit

dhe në iris,

portretin tënd

m'a shprish...

 

Bie shi, e

vlon në pëllëmbë

të nxehtë ende

prej shpinës tënde,

mbi gishtërinj

puthjen m'a shkrin...

 

Bie ky shi

mbi dorën time,

zgjatur drejt teje

fshehur pas reje,

që më grish

sërish,

e lagesh ti

prap në iris...

 

 

SI DO TË MBIJË…?!

 

. . . . . . . .

Nuk po vërshojnë më

lumenj nëpër dej!

 

Cdo rrahje që pulson,

preson plugje

që ngulen

athshëm e ethshëm

nën brinjë,

gërmojnë

në palcë të ashtit

trupit e shpirtit

thellë e më thellë

vragë edhe vlagë…

 

Si do të mbijë “Unë”

Në pranverë…?!

 

 

FRYMË…

 

*

Të shoh frymë njomëzake

puhizë me aromë gjiri

që derdhesh e purpurt mbi ninullë!

Të shoh tek mbjell

buzeqeshje pranvere

me tinguj të kaltër,

në vjershërime

e fluturime

zërash nëpër këngë…

*

Të kam frymë, që mekesh

nga kthinat, në pore

mbi ankthet mishtore!

Vibrimë amplitudash

mërmërimë prej avujsh,

përpëlimë prej zjarri,

oshëtimë prej xhani…

*

Të ndjej frymë!

Oh, sa t’i ndjej,

kërcitmat e lëndesës

në pragun e lotit

tek mësyn gjoksit,

shemb plasat e shpirtit

nga klithjet e heshtjes…

*

Të gjej frymë,

pas vjeshtës së zverdhët

tuneleve të errët,

zvarritur për mjegull

ngecur, mbetur pezull,

nën pritje

mbi lutje

si gjethe në keputje

për të fundmen udhë…

 

…e më, s’të ndjej…!

 

 

VËSHTRIMIT TËND…

 

E pashë dhimbjen e këtij agu

meziardhur, të përgjakur

prej natës së pangopur

me orë të  shekullta

të zhurmëta

Bymyer sytë, skutave të mendimit…

 

Mendimi yt, pa vertebra

përdridhet kujtesës

Je me fat!

As tronditja s’mundet t’a thyejë!

Mendimi im krisur

prej vështrimit tënd

qeshës, përbuzës, përcmues

vjen si thikë…

 

Fshikullon frymën

mekur, mbetur e nderë

Balsamos jehonat

e mi(j)a pendimesh

Dhe krahët stalaktike të mermertë

rrëzuar, thyer rëndimesh…

 

E pamundur zemra

ngjeshur mes shkulme dallgësh

që shqyejnë dhe brinjët

Si alabastër e plasaritur

enigmash, moskuptimesh

Çahet vështrimit tënd depërtues

Diku aty, dhimbja

pikon ne stomak

shijen e hidhur

të lotit të kripur

 

Sa…?!

Si…?!

 Ndjen dhe nje trup i

…fikur?!

 

 

SFIDË…

 

Sfidë

Kur të njoha?!

Kur të vunë përpara meje?!

Për t’u rritur a për të ditur

për t’luftuar a rrëzuar

për të bërë armiq a miq?!

 

Mos më kundërshto Njeri!

Lërma shpirtin të rrëfejë

fjalë e zjarr të më vërshojë!

 

. . .

 

(Ç)’sfidë më bëri koha

që u fali flokëve

trofe të argjendë?!

Vizoi rrudha në lëkurë

të ecë në to

mendimi thellë?!

 

(Ç)’sfidë më bëri jeta

që më dha të voglin gisht

cirkuitëve më vërvit

nga lindja në vdekje

të dashurive të mia

prej gjaku e ëndrre?!

 

. . .

 

Nuk është sfidë, Njeri

Kur ti can përpara meje

i vë ballë e gjoksin erës

e t’a di për falemnderës!

As kur shkoj unë para teje

bëhem shtrat e bëhem breg

lumit tënd që pas më ndjek

të dy bashkë puthim një det!

 

Është deti i mirësisë

mëkuar prej gjiri Nëne

blatuar prej gjaku Ati…

Testament prej Tyre le:

Duaj!

E mos urre!