E shtune, 20.04.2024, 08:51 AM (GMT+1)

Mendime

Donika Omari: Xhamia “e re”

E hene, 21.10.2013, 07:33 PM


Xhamia “e re”

Nga Donika Omari

Përsëri për projektin e xhamisë te sheshi i Namazgjasë në Tiranë. Është vënë brenda thonjëzave cilësori i emrit (“e re”), donika omaripër të treguar se në fakt kemi të bëjmë me një xhami mesjetare. Kjo vërtetohet fare lehtë po t’u hedhim një sy të shpejtë në internet objekteve të kultit islamik në botë.

Xhamia e Namazgjasë në qendër të Tiranës na rezulton e stilit turko-otoman! Arkitekturë që haset vetëm në Turqi e jo në vendet e tjera myslimane. Në këto vende shohim stilin elegant arab. Me këtë nuk dua të them se arkitektura turko-otomane nuk ka bukurinë e vet. Nuk e merrja me mend se xhamitë e Stambollit mund të ishin aq të bukura derisa i vizitova para disa vjetësh.

Por nuk është gjë e panjohur që Shqipëria ka qenë e pushtuar për gjysmë mijëvjeçari nga Perandoria Osmane. Një simbol të këtij pushtimi e kemi tashmë në qendër të kryeqytetit, krahas shtatores ekuestre të Heroit tonë Kombëtar që e luftoi për çerek shekulli atë pushtim. Mos qenka e nevojshme të kemi tani në fillimshekullin XXI një simbol të dytë? Që do të ndërtohet jo nën shtrëngimin e ndonjë pushtuesi por me nismën, vullnetin e shpenzimet tona?

Arkitektura e projektit të xhamisë në fjalë, më shpie te besimtarë të veshur me veshje orientale otomane-turke, me çallma në kokë e me mjekra e mustaqe të mëdha. Duke e vështruar atë projekt përfytyroj karroca që shpien sulltanin dhe familjen e tij, vezirët, pashallarët, bejlerët e agallarët për orët e lutjes. Përfytyroj gra të mbuluara, papuçet karakteristike majëpërpjeta të lëna në hyrje etj., etj. Për fat të keq, më vijnë në kujtesë edhe dumbabistët tanë…

Këtë përshtypje ta përforcojnë edhe më shumë katër minaret tipike të xhamive të Stambollit. Në vende të tjera shumë rrallë mund të hasësh ndonjë xhami me kaq shumë minare. Një, a e shumta dy minare, do të ishin mjaft për Tiranën tonë të vogël.

Por po i lëmë mënjanë ato 500 vjetët e pushtimit, meqë e paskemi kaq të lehtë ta bëjmë këtë gjë. Le të shohim çështjen e ecjes me kohën. Mos është e udhës të ndërtosh objekte kulti të njëjta me ato të kaq shumë shekujsh të kaluar? Mos koha për ne shqiptarët duhet të ngecë në vend, e madje të ecë mbrapsht? A nuk jemi prapa botës duke mos zgjedhur nga bota modele xhamish të ndërtuara në vende myslimane, por edhe në vende të krishtera nga komunitete myslimane?

Po sjellim disa shembuj: në Algjer, në Dubai, në Kazablanka, në Tashkent, në Moskë, në Nju-Jork, në Londër etj., etj., asgjëkund nuk hasim arkitekturë xhamish turko-otomane. Mos në këto vende myslimanët janë më pak të devotshëm se nuk i kanë të tilla objektet e kultit? Komuniteti mysliman i Romës ka ndërtuar një xhami moderne me një hijeshi e finesë të veçantë. Është e kuptueshme: nuk mund të bënte përjashtim xhamia në këtë vend që quhet “il bel paese”.  Por jo më pak elegante është edhe xhamia e re e Sarajevës, e ndërtuar tani vonë.

Për fat të keq, në Shqipëri nuk është i vetëm rasti i kësaj xhamie që flet për marrëdhënien tonë primitive me kohën. Kisha ortodokse e Korçës mos është më pak mesjetare? Kisha e madhe ortodokse e Tiranës ka sjellë këtu Shën Sofinë e Kostandinopojës, por sidoqoftë të stilizuar me elementë modernë.

Kur është fjala për t’iu përmbajtur traditës në arkitekturën e objekteve të kultit, nuk mund të mos kemi parasysh se tek ne ajo lidhet me pushtime të caktuara: bizantin, turko-otoman…Shqiptarët e sotëm nuk kanë pse t’i kthehen së kaluarës, nuk kanë pse ngjallin kujtime kohësh që fatmirësisht kanë kaluar, shpresojmë, njëherë e përgjithmonë. Për komunitetet fetare shqiptare a nuk do të ishte e udhës, a nuk do të ishte përbashkuese të forconin, krahas ndjenjës fetare, atdhedashurinë?

“Kur të doni më shumë atdheun, do të doni më shumë njëri-tjetrin”, – na jep Nënë Tereza këtë porosi me kuptim të thellë e largpamës, që mbetet gjithnjë aktuale.

Dhe dashuria për atdheun është e qartë që nuk dëshmohet duke sjellë mu në mes të Tiranës së shekullit XXI simbole perandorish të perënduara, që na lanë në prapambetjen që po dëshmojmë pikërisht me ndërtime të tilla kaq pa vend. Xhamia “e re” e Namazgjasë e ka kohën dhe vendin në Stambollin e sulltanëve e jo në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora