Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rezart Palluqi: Mafia e librit!

| E hene, 21.10.2013, 06:43 PM |


Mafia e librit!

Nga Rezart Palluqi

“Nëse dje, egzistonin 3 milion spiunë, sot duhet të egzistojnë 3 milion shkrimtarë ose poetë”

“Sa më shumë libra, aq më i famshëm dhe i talentuar shkrimtari”

Ky ishte vizioni dhe motoja ime, përpara se të merresha me industrinë e librit shqiptar, të cilën, unë së bashku me disa të tjerë, e kemi shndërruar në industri mafioze.

Mallin për atdheun, dhimbjen e arratisë se miliona s...hqiptarëve, unë e tregtoj si mos më mirë. Gjysma e bashkëatdhetarëve të mi jeton jasht kufijve. Ata duan t’i ruajnë rrënjët në gjirin e tokës shqiptare. Këte e di edhe bufi, por si arrihet kjo? Ha, ha! Duke e hedhur dhimbjen e tyre në letër të trashë sa lëkura e qafës, gërma të mëdha sa një buburrec, dhe emrin e tyre të shkruar me shkronja të mëdha dhe mbushura me shkëlqim floriri. Rëndësi ka që pakoja me euro të bjerë mbi tavolinën time mafioze.

Botërisht,sot njihem si një botues librash, por në fakt jam pronar i një shtypshkronje super-moderne. Dikur, punoja si redaktor i shtëpisë botuese 8 Nëntori. Atëherë, detyra ime ishte jo vetëm të operoja mjeshtërisht idetë e rrezikshme, por të spastroja edhe gjuhën nga shprehjet e dykuptimshme si dhe fjalët e huaja. Sot, këtë s’kam përse ta bëj më.

-Më falni pak se po më tringëllin telefoni. Mund të them se ai, merr flakë në orët e mesditës.

-Eja, tek tri kullat, zoti shkrimtar! Po ju pres atje me një filxhan kafe mbi tavolinë.

-Ishte një emigrant nga Italia. Si gjithnjë, ata, të flasin me zë të dridhur, të vrarë dhe të shpejtë. Nuk janë të pakta rastet kur unë i kërkoj atyre të flasin pak më ngadalë për t’i kuptuar.

Emigranti Robert Famozi, u paraqit me korrektesë për ta pasur zili në orën e marrëveshur.

-Do ma botosh, marrësh përsipër librin?- më pyeti ai me zë gati përgjërues, fytyrë mëshirëlypëse.

Për pak sa nuk plasa në gaz. Doja të qeshja dhe zgërdhihesha si skile. E përse do ta refuzoja unë ty shtypjen e librit? A refuzohet topi me euro?- doja t’i thoja shkrimtarit të vuajtur emigrant.

Dëshira e zjarrtë e shkrimtarit vjen ndoshta ngaqë unë kam ndërtuar një emër prestigjioz në tregun e botimit të librave. Unë kam botuar dhe botoj shkrimtarë me emër të madh artificial. Dhe, unë, punësoj ca redaktorë, që në fakt ata janë mësuese të gjuhës shqipe, që i trajtojnë krijimet e shkrimtarëve, si mësuesja diktimet e nxënësve. Çmorrisin sa gabime drejtshkrimore trashanike. Sa për strukturën e romaneve,poezive, saktësinë matematikore të ngjarjeve, konceptin, origjinalitetin, etjer, etjer, as që i kalojnë në sitë.

-Ë…- kruaj majën e hundës dhe bëj si interesant para emigrantit. Krijoj një sferë policore, që reflekton pasiguri. Emigranti nxihet në fytyrë. Pandeh se do ia refuzoj shtypshkrimin.

-Hajde se po ta marr përsipër edhe këtë vepër. E bëj këtë, meqë ke botuar më parë tek mua trembëdhjetë libra. Përndryshe… Jam tepër i zënë këte muaj- e vë në dijeni.

Në vazhdim diskutojmë rreth anëve teknike të librit.

-Qysh të dojë zemra ty. Shëno këtu dëshirat tuaja. Llojin e letrës, trashësinë, madhësinë e gërmës, sfondin e letrës, trashësinë e kopertinës. Një mijë kopje the?

-Po.

-U bë! E përshëndes përzëmërisht dhe nuk harroj kurrën e kurrës të marr me vete zarfën me kartmonedhat e eurove. I mjeri. Ka punuar si qeni andej nën qiellin italian, për pak famë, njohje, erë atdheu. Dhe unë ia ofrova. Rezervova sallën më luksoze të kryeqytetit. Thirra gjashtë profe-s-korë të nderuar(pjesë e skuadrës time promocionale) dhe recituam si bilbila të dhimshëm vargjet e tij poetike. Në fund,(sa i mirë që jam o zot) faturova edhe taksi me portbagazh të madh të cilin e mbushëm me 900 kopjet e librit të tetëmbëdhjetë të shkrimtarit Robert Famozi! Sepse me shpërndarjen e tyre s’ merrem unë. U çmenda unë të humb kohën me punë të tilla të kota? Koha është flori, dhe shtypshkrimi i radhës më pret me frymën e prerë.

Jam në fakt pronari i një ndër shtypshkronjave më moderne dhe të fuqishme të Shqipërisë por edhe ballkanit. Nuk shtyp vetëm krijime letrare të emigrantëve por edhe të shqiptarëve të izoluar nga shoqëria dhe pushteti.

Duke e bërë këtë, unë jo vetëm pasurohem gjithnjë e më shumë, por vras edhe shpirtin e një revolucioni të mundshëm ndaj të keqes shqiptare. Urrejtja, mllefi, zemërimi i qytetarëve të vendit tim duhet shkarkuar në faqe libri që jetojnë një javë. Ai gdhendet në libra që nuk do të lexohen kurrë.

Librin e kam shndërruar në një pllakë varri, që shqiptari i gjallë e mban të varur në kurriz.

“Libri nuk vritet vetëm duke ia hequr kirurgjikisht nervin, mbytur shqisat e kobrës, siç bënte ish punëdhënesi im i dikurshëm, të 8 Nëntorit, por edhe duke e lënë atë të lirë, si një qen rrugësh, pa ushqim, pa kolibe, si sot! Mund të them se autori shqiptar ngjan sot me librat e tij: te dy, te braktisur, pa zinxhir,pa kolibe...

Kjo punë, bie era mafie. Unë jam i vetëdijshëm. Por çrëndësi ka kjo?

Emigrantët e harruar dhe dëbuar tutje barbarisht nga miqtë e mi intimë, anijedrejtuesit, unë i bëj të ndjehen edhe pse për dy javë Tolstoj, George Orwell. Kush vend tjetër në botë, i ofron shkrimtarit kaq respekt dhe lavdi edhe pse për një javë? O burra, shqiptarë, oj pena të mëdha, të frytshme dhe palodhura! Sa më shumë libra, aq më shumë famë dhe lavdi letrare dhe përfitime stratosferike për mua.

Më falni, o lexues të këtij rrëfimi sekret. Më falni se sapo më telefonoi një Pushkin i ri, njëjavor. Jeton në Boston, dhe ka tre libra të gatshëm për t’i shtypur (ai thotë botim, zavalli, ha ha) në shtypshkronjën time.

E thamë: nësë dikur kishim tre milion spiunë, sot duhet të kemi tre milion shkrimtarë, poetë, këngëtarë. Momentalisht kemi krijuar dy milion e tetëqind mijë të tillë. Brënda një trevjeçari do krijojmë edhe dyqind mijë Pushkinë ose George Orwellë të tillë. Rroftë sa malet libri shqiptar!

Amsterdam, tetor 2013