E enjte, 25.04.2024, 08:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Ibrahim Hajdarmetaj: Kur di të nderosh të tjerët

E diele, 20.10.2013, 10:48 AM


KUR DI TË NDEROSH TË TJERËT, JE DHE VETË I NDERUAR…

(…dhe një mesazh, dërguar prof. Murat Gecaj, nga krijuesi  Fatmir Gjestila)

Nga: IBRAHIM  HAJDARMATAJ

Nga e djathta: Fatmiri, Murati e Ibrahimi (Tiranë, 9 tetor 2013)

Ju kërkoj ndjesë lexuesve, që nuk do të shkruaj një artikull të mirfilltë. Pra, qëllimi im është vetëm t’u paraqes një mesazh, të cilin ia  ka dërguar prof. Murat Gecajt-publicist e studiues- poeti e shkrimtari, autor i disa librave, Fatmir Gjestila. Që të jem i çiltër me ju, para pak ditëve edhe unë isha bashkë me mjaft të ftuar të tjerë, në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, kur ky autor përuroi librin e tij më të ri për fëmijë, “E fshehta e kështjellës së zezë”.

Për këtë ngjarje të shënuar e mbresëlënëse, jo vetëm për F.Gjestilën, por dhe për ne, pjesëmarrësit e tjerë në atë veprimtari mbresëlënëse, që atë ditë, pra menjëherë dhe pa u “ftohur” ajo në kujtesën tonë, M.Gecaj shkroi një artikull dashamirës, të cilin e dërgoi në disa gazeta e faqe Interneti.

Me të drejtë, dikush mund të shprehet se: “Këtu nuk ka asgjë  për t’u theksuar, se shpesh herë mësojmë për njoftime të tilla?!”. Kjo është më se e vërtetë. Por, në rastin për të cilin po shkruaj, ka diçka të veçantë. Unë nuk e dija, por e mësova në atë përurim, se prof. Gecaj e z.Gjestila nuk e njihnin nga afër njëri-tjetrin. Megjithatë, vërejta se ata u përqafuan ngrohtësisht, si të kishin patur miqësi të kahershme. Sigurisht, secili prej tyre kishte dijeni për krijimtariunë dhe botimet e ndërsjellta, kjo gjë e arritur përmes faqeve të shtypit të shkruar dhe Internetit.

Pasi autori F.Gjestila u njoh me shkrimin e publikuar nga M.Gecaj dhe, sigurisht, kjo gjë i bëri përshtypje të posaçme, ai i nisi atij një përshëndetje e falenderim të bukur e domethënës, përmes e-mailit të tij. Pra, ky është edhe qëllimi kryesor i këtyre radhëve, duke e vendosur edhe këtë mesazh, më poshtë. Pastaj, natyrshëm, secili nga lexuesit është në gjendje të gjykojë vetë. Por, në këtë rast, desha të theksoj edhe mendimin e njohur, që: “Kur di të nderosh e vlerësosh të tjerët, je dhe vetë i nderuar e i vlerësuar…”.

2.

“Përshëndetje,  prof. Murati!  Prania juaj,  në veprimtarinë për paraqitjen e librit tim, ishte aq e mirëpritur dhe ju erdhët…Mirënjohje dhe falenderime për ju!

Më befasuat dhe njëkohësisht ma bëtë edhe më të çlirshme sjelljen time, mes miqësh, kur vëreja dhe ndjeja se, një personalitet si ju, ishte aq i thjeshtë, dashamirës dhe i qetë, me një buzëqeshje që buronte edhe nga sytë e ta lehtësonte aq shumë komunikimin. Ju lutem, mos m’i merrni për komplimente këto fjalë, asesi si “ledhe”, pasi njerëz si ju s’kanë nevojë për to; janë thjeshtë fjalë respekti për ju dhe punën tuaj.

Çka më ka befasuar më shumë, ka qenë dhe reagimi juaj i shpejtë dhe dashamirës, në lidhje me veprimtarinë: pra, publikimi përmes postës elektronike i rrjedhës së saj dhe i mendimeve të para për  librin tim, që u paraqit para atij auditori të nderuar, me poetë e shkrimtarë, publicistë dhe njerëz të kulturës e artit.

S’di se ç’keni bërë për njerëzit tjerë, në përgjithësi, në këtë rast për njerëzit e penës, që botojnë disi të tulatur edhe për arsye të pamundësisë për t’u përshfaqur gjërësisht. Por, fakti që ne të dy s’kemi patur më parë asnjë lidhje të drejpërdrejtë, më bën të mendoj dhe të them, se jeni i përkushtuar shumë për njerëzit dhe ata, me siguri, të janë mirënjohës, ashtu  si edhe unë. Mbase, s’them ndonjë gjë të re, por rasti juaj tregon se njerëzit e mirë e të mençur i kërkon edhe çasti, për t’u dhënë dorën të tjerëve.

Edhe një herë: Ju faleminderit! Me respekt: Fatmir Gjestila”.

Tiranë, 14 tetor 2013



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora