E marte, 23.04.2024, 10:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Bisedë me poeten Adi Hoxha

E diele, 20.10.2013, 04:22 PM


ME SHPRESË, DASHURI DHE OPTIMIZËM PËR JETËN…

(Bisedë e shkurtër, me poeten Adi-Adivije Hoxha)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

 

Nga e majta: Adivija e Murati (Tiranë, 13 tetor 2013)

1.-Tani, kur po bisedojmë, sjell ndërmend takimin tonë të para pak ditëve, në Akademinë e Shkencave, ku u zhvillua një veprimtari përkujtimore, kushtuar Migjenit të Madh…Për lexuesit, cilën poezi recitove aty, që u prit aq ngrohtësisht nga të ftuarit?

-I falënderoj nga zemra gjithë të pranishmit në atë sallë, që më përkrahën dhe e duartrokiten aq fuqishëm paraqitjen time, me poezinë migjeniane, “Bota makabre”, shkëputur nga libri im i parë, "Parajsë, pa engjëj”…

2.-Në faqen e Internetit “Facebook” kam lexuar disa poezi tuat, që janë aq të bukura e të frymëzuara…Desha të di, kaq është tërë krijimtaria jote apo i ke botuar poezitë tua në vëllime të veçanta? Nëqoftëse po, cilët janë ata dhe na trego përmbajtjen e tyre kryesore…

-Në profilin tim, në faqen e Internetit “Facebook”, kam të publikuara shumë krijime të mijat, por jo gjithë krijimtarinë. Deri tani, kam botuar tre libra me poezi: “Parajsë pa enjëj”(2004), “Kam mall”(2008) e “Pshërëtrima jote, jam”(2010). Jam në kërkim të ndonjë sposorizimi për librin e katërt, poezitë e të cilit, pothuajse,  i kam gati.
 
Në librin e parë, është e pasqyruar në vargje dhimbja njerëzore. Jo e një njeriu “të rrëzuar”, por me shpresën e dashurinë dhe vendosmërinë për jetën, të cilat ngrihen fuqishëm mbi çdo vështirësi. Ky mendim shprehet aq bukur edhe në lirikat e librit të dytë e të tretë, shoqeruar dhe me mjaft vargje filozofike, të vlerësuara nga lexuesit dhe kritika...

3.-Të gjitha kemi një jetë, vetjake e familjare…Pra, a mund të na flasësh diçka më tepër për  ato?

-Unë jetoj me prindërit dhe vëllezërit. Bëj një jete aktive në familje  dhe në shoqëri, duke dhënë ndihmesën time vetjake  dhe duke sfiduar gjendjen, njëkohësisht...Shpesh marr pjesë në përurimet e librave të krijuesve të ndryshëm, sigurisht më tepër, kur kam njohje me ta. Kjo gjë më sjell kënaqësi e ngrohtësi shpirtërore, pasi aty takoj kolegë, miq e dashamirë dhe bisedat tona sillen, kryesisht, rreth krijimtarisë letrare.

4.-Me sa jam në dijeni, ju bëni pjesë në një Shoqatë me persona, që kanë aftësi të kufizuara… Çfarë veprimtarishë kryesore zhvilloni dhe si mbështeten krijuesit prej saj?

-Po, unë jam e aktivizuar në Shoqatën e Personave me Aftesi të Kufizuara Fizike, si pjesëmarrëse e rregullt nëpër tajnime dhe duke e ngritur zërin në takime të ndryshme, me përfaqësues të pushtetit, local ose qendror. Në fakt, kjo Shoqatë është e fokusuar vetëm në problematikat, që i shoqërojnë anëtarët e saj.

5.-Duke të falënderuar shumë për përgjigjet dhe duke shprehur kënaqësinë, që u njohëm bashkë, a mos dëshiron të shtosh diçka tjetër, në mbyllje të kësaj bisede?

-Si përfundim, ju falënderoj nga zemra dhe shprehi gjithë kënaqësinë time, që u njohëm dhe për bisedën tonë modeste, gjithashtu! Ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese! Gjitha të mirat dhe respekte për ju!

x   x    x

Me qëllim që lexuesi ynë të krijojë, sadopak, një mendim për krijimtarinë poetike të autores, Adi-Adivije Hoxha, më poshtë po vendosim tri poezi të saj, përmes të cilave shprehen qartë, dashuria dhe optimizmi për  jetën.

1.-Më prit, vendlidlinja ime!...

Me mallin "100-vjecar"
po vij tek ti, 
vendlindja ime.
Të ta thith ajrin,
t'i hap mushkëritë,
të zgjohem,
t'i flak tej kujtimet.....
Më prit!...

2.-Eh, kjo flokarta vjeshtë!
Tek shihja yjet një natë, 
shkëlqenin si në pranverë, 
një gjeth, që ra, më trembi, 
sikur tha: 
-Është vjeshtë! 

Puhizë e lehtë në faqe 
ëmbël, kur më ledhatoi, 
fëshfërimë e gjethit të manit, 
tek ti, mendjen më çoi. 

M'u kujtua ajo natë, 
kur rrija në krahët e tua, 
kur gjithçka u ndez flakë, 
si një zjarr i pashuar. 

Buzët flake m’u dogjën 
dhe shpirti akull ngriu, 
fëshfërimë e gjethit më foli 
dhe puhizë e ftohtë veriu... 

Eh, kjo flokarta vjeshtë, 
sa mall më ndezi në gji, 
për udhët e pashkelura, 
për...
... të pajetuarën, dashuri!

 

3.-TË SOTMEN JETO!...

E djeshmja iku.
Të sotmen, jeto!
E nesërmja, PIKPYETJE, që rëndon...

Gëzoju asaj që ke,
puno për atë që synon;
nëse nuk e arrin,
mos u lëndo...

Jeta nuk është: sot për nesër,
është sot per sot...
Ndaj, gëzoju!
E nësermja është FAT,
Nuk e shkruan dot!..

Tiranë, 17 tetor, 2013



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora