E marte, 27.09.2022, 01:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Jusuf Bislimi‏

E diele, 20.10.2013, 04:11 PM


Jusuf BISLIMI


E GJEN NË ËNDËR

 

Afër dritës së qiriut

e pash fytyrën tënde

vrapova të të takoj

ti

e fike qiriun

u trete në errësirë

 

Dridhesha nga meraku

duke të kërkuar

mbshtjellur në hijesinë

 

Një dritë e zbeht

e hënës drapër

but më pëshpëriti

 

-Shko flej sonte

mos gërhatë

në ëndërr do ta gjesh

pëllumbeshën.

 

ËNDËRR E GRISHUR

 

Më josh djepi i hënës

të nisem drejt qiellit lahur

pas aromës së parfumit

atje në lartësi

të prekë ballin tënd,

 

Në këtë natë

të yjeve që flakërijnë

ta gjej ëndrrën e tretur

 

Në mëndafshin e shprishur

të ëndrrës së grishur

 

MË JOSH E MË THËRRET

 

Fjala më mbeti peng

s’munda t’a them në log

mu bë

aritmi e zemrës

mehlem e dhimbë

në afsh dashurie

 

Nga zemra

më piku si xhevahir

gjoksin ma stolisi

jehona e joshjes është

 

Syt e tu

dëshmitare të mrekullisë

i lotit kristal

që më josh më thërret

që më thërret e më josh

 

BUKURIA TË VRAU TANUSHË

 

Brigjeve të detit

më rrëshqitnin kujtimet nën këmbë

guacat e sedefta theheshin

unë ecja ngadalë

duke kërkuar

dritën tënde.

Tanushë

 

Nuk të gjeta.

 

Buzëqeshja jote

kishte tretur në baladë

e gjeta në thërmojat

e skalitjes

 

Të vrau bukuria jote

Tanushë

 

SHKO I DASHUR

 

Paske qëndruar mes dy zjarresh

të lutem shko

rruga t’u bëftë dritë

edhepse ndarja po më dhemb…

të deshta

 

Shko…

mos më thirr në telefon

mos më kërko sërish

dashuria nuk blehet,

ajo nuk kërkon mëshirë

 

Lotët nuk e falin mashtrimin

një ditë do të ngrijnë

do të shëndrrohen

në akull kristal

 

Ik pra…

një copë qiell e morre nga unë

çka po pret...

 

NË SYTË E MI

 

Detit të vetmisë

hëna noton sonte

e kishte humbur

ngjyrën e argjendtë

 

Anomali

në sytë e tu

 

Pasqyra ime

fytyra jote

 

Flakadan olimpik

dhez në zemrën time

 

Zgalemët fluturojnë

deri në marramendje

 

Epshi dhe dashuria

ushtrojnë notin

 

MË KUJTOHET

 

Më kujtohet

kur bënim dashuri

në shoqërim të  xixëllonjave

 

Mbetëm gjatë

të lidhur

me diçka që nuk këputej

me diçka që shtërngonte ëmbël

e ku mbeti frika

atë natë

 

E mbaj mend

e lumtur ishe

e brisht

mbi bari të njomë

Afrodita

na përshëndeti

 

DASHURIA ËSHTË LULE

 

Dashuria është lule

ajo nuk vyshket

as thahet

rritet

nën hijen e aromës

 

Është krua i pashterrshëm

sa më shumë që pin

të shtohet etja

 

Është det

Për hënën e bardhë

Për diellin krenar

 

Dashuria është ëndërr

përjetohet

nuk plaket

nuk vdes.

 

Dashuria

lule është.

 

LOT GËZIMI

 

Nga syri

më pikoi një lot

se ku u tret

nuk ka gjuhë

se tregon vetë

 

Në qiell u shndërrua në re

shiu pikoi e pikoi

por nuk vajtoi

 

Me buzët e rreshkura

shijova njelmësinë e lotit

nën dritën e vetimës.

 

Nuk mu tret shikimi yt i humbur

sytë e tu u shndërruan

në liqe loti

 

Përsëri lot gëzimi

për kthimin tënd

 

LUM AJO

 

Edhe në moqalishtë

ka flluska të kristalta

ku shuajnë etjen fluturat.

 

Edhe në sytë e tu

shkreptinë bukuria

e shikimit joshës

 

Edhe puhiza

ka gishta ledhatues

lumë ajo

për flokët mëndafsh

 

FRYMËZIM

 

Gjuhë e zjarrtë

fjalë hyjnish  shqipton

në mbrendësi

rrezon gëzim

hedh valle,

ndezë zjarre

shuan vullkan

 

Mbi supe e qafë

kurthuron duar

gjen rrugë

shtrëngim e afsh

për të ëmbëlsuar ecje

edhe mbi thera

edhe mbi mëndafsh

 

Në kokën time

mendimet përplasen

si retë e shiut

ruaj kujtimet,

e takimit parë

 

Ti ike

pa menduar fare

se dikush

për sytë e tu të zi

vuan e vuan

derisa t’i mbyllë sytë.

 

Çdo ditë mendoj

të të mallkoj ty,

veten

apo momentin

që na bëri një trup

 

LUTJE

 

Në këtë botë

mrekullia vetë

e pazbuluar

nuk  vjetrohesh

as në ëndërr

as në zhgjëndërr

 

Koha të lut

mos ec me mua

në kujtime rri

 

Të lutem

për ato bebëza

me shiko pareshtur

të jetoj edhe nesër.

 

PROVO Ç’ËSHTË JETA

 

Mblidhi të gjithë lotët e mi

derdhi në një gotë,

me asgjë mos i përziej

le ta ruajnë  ëmbëlsinë

dhe pelimin vetë

 

Nëse e do përjetimin

puthe atë gotë

edhe me buzë

të shkrumbuara

 

Do të shndërrohesh në valë deti

do të luftosh edhe me zgalem

 

Provo se ç’është ëmbël

provo se ç’është idhët

 

MOS PROVO

 

Mos provo të shkrihesh për diell

dielli le të shkrihet për ty

mos e provo të shkrihesh për hënë

hëna le  të shkrihet për ty.

 

Mos provo  të zgjohesh për mëngjesin

mëngjesi le të zgjohet për ty.

mos provo ta vësh në gjumë natën

nata le të vej në gjumë ty

 

Mos provo ta  dobësosh dashurinë

dashuria le të dobësojë ty

mos provo ta mohosh takimin

takimi le të ju bashkoj ju

 

BASHKË NUMËRONIM YJE

 

Rrezet e argjenta

të hënës pogaqe

ranë në ujin e qetë

të lumit mjaltishtë,

shelgjishtet e brigjeve

flakëruan

 

Unë në njërin breg

e ti në tjetrin

ylber i këputur

nën pika loti

 

Syri yt magjik

tok me rreze hëne

mbi ujë bënte dritë

ne dy si xixëllonja në pyje

bashkë numëronim yje....

 

MOS KE LINDUR VALLË

 

Mos ke lindur vallë

në krahët e erës

që më vjen flokëshprishur

 

Mos ke lindur vallë

në rrezet e diellit

që më vjen me atë gjuhë të zjarrtë

 

Mos ke lindur  vallë

në prehër të hënës

që më vjen aq ëmbël

posi gjuhë e nënës

 

Nuk pata lindje të lehtë

kur dola nga skëterra

po të vi gëzuar

me lulet që mi dhuroi pranvera

 

KËNGËS IA NISTE

 

E  mban mend moj lule

pranë çarrit të vjetër

me ngjatjetime

e me bindje të pjekur

 

Dikush ta vodhi gjumin

të kujtoj të lodhur

me psherëtime kredhur

e bishtalec të dredhur

 

Me butkat e gishtave

mu bëre pianiste

bilbili në gemb lajthije

për mua edhe ty

këngës ia niste

 

KOT E KE OJ VALË

 

Në rërën e bregdetit

shkrova emrin tënd

një valë e sapo dalë

emrin tënd kapërdiu

me shkumb djersësh fshiu

 

E përsërita përsëri

aty  unë i shkreti

e njëjta valë erdhi

e mori me veti

 

Kot e ke oj valë

i thash me hidhërime

fshije po munde tash

-e shkrova në zemrën time

 

GËZOHU

 

Gëzohu ti që je

nga gjaku im

edhe ti nga gjaku

i gjakut tim

edhe ti nga gjaku

i gjakut të gjakut tim

 

gëzohu edhe ti

që i lutesh Zotit

edhe ti që kalon zbathur

shtigjeve të gjembosura

 

gëzohu edhe ti

që rritë fëmijë

 

gëzohu edhe ti

që qanë e qesh

në zemrën time

kur unë qeshi e qaj

në zemrën tënde

gëzohu!

 

PAS

 

Pas çdo lindjeje

gëzim

 

Pas çdo gëzimi

rritje

 

Pas çdo rritjeje

dashuri

 

Pas çdo dashurie

dashuri

 

Dikur vijnë

thinjat

 

Në ballë e gushë

prrockat

 

Derdhen

në oqeanin e pafund

të amshimit.

 

KOHA T’I KA MARRË

 

Të lutem oj valë

falma edhe një herë

atë buzëqeshje të  ëmbël

buzëqeshjen e parë

 

Të lutem  trupselvi

falma atë  përqafim

me duar e me faqe

kur mbetëm të shtanguar

 

Të lutem oj zemër

nxirre krejt pikëllimin

ta përjetojmë  fuqishëm

si atëherë gëzimin

 

Po të them o trim

nuk prehet uji me sharrë

të gjitha nga pak

koha t’i ka marrë

 

Shënime për autorin

Jusuf Bislimi u lind  më 10. 05. 1949 në fshatin Bukovik, komuna e Gjilanit. Shkollën fillore katër klasëshe  e kreu në vendlindje, ndërsa katër klasët e tjera i vazhdoi në fshatin Pogragjë. Shkollën e mesme – gjimnazin në Gjilan ndërsa Shkollën e Lartë Pedagogjike Dega Fizikë – Kimi në Mitrovicë. Ka punuar 12 vjet në procesin mësimor dhe gjatë kësaj kohe, pa shkëputje nga puna,  ka vazhduar studimet në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë, në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në shkollat fillore në Bukovik, Uglar, Malishevë, Pogragjë dhe në Qendrën Teknike në Gjilan. Gjatë viteve 1982 - 1990 ka punuar në Televizionin e Prishtinës në Programin Informativo - Politik. Pas përzënies me dhunë nga regjimi okupues serb, nga TV i Prishtinës është marrë me punëdore – dekorative  për sigurimin e ekzistencës. Me shkrime ka filluar të merret që nga viti 1975.  Shkruan për fëmijë dhe të rritur në prozë dhe poezi.  Jeton dhe vepron në Gjilan dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprat: “Kush e zgjon ditën”, poezi për fëmijë; “Loti në qepallë” , poezi për fëmijë; “Flakë në zemër”, libër me tregime; “Shprishja e ëndërrave”, poezi për të rritur; Mbi krahët e lumturisë, tregime, 2013; “Ferr apo parajsë”, dokumentar, 1013; “Shprishja e ëndrrave” në gjuhën rumune, Bukuresht 2013 (libri gjendet në shtyp).



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora