E merkure, 05.10.2022, 07:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Dukagjin Hata: Hekuran Halili - ''Misioni''

E diele, 20.10.2013, 04:54 PM


Përsiatje rreth përmbledhjes me tregime “Misioni” të shkrimtarit Hekuran Halili

Rrëfime të skalitura mbi fatin tragjik të Çamërisë, vëzhgime të holla psikologjike dhe psikoanalitike

Nga Dukagjin Hata

Ajo që quhet letërsia e çame, si pjesë e rëndësishme e letrave tona kombëtare, në rrugën e saj të afirmimit ka përcjellë autorë dhe vepra të spikatura, vektori estetik i të cilave, i përndezur nga tragjikja e një etniteti që ka ecur në zgrip të humnerës ekzistenciale, përcjell nga ana tjetër një botë të madhe dashurie e shprese, farkëtuar në gjirin e një etnie mbresëlënëse në fatin e vet historik.

Duke lexuar përmbledhjen me tregime “Misioni” të shkrimtarit çam Hekuran Halili, të vjen parasysh, si në një ekran gjigand, fati i një populli të refuzuar, kalvari i tij biblik drejt tokës së premtuar, përballja historike mes njerëzve të një trualli që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre gjenetik dhe makinës genocidiale greke, që me ingranazhet e saj të përgjakura i kundërvihet jetës dhe shpresës njerëzore, duke dashur t’i shkelë ato me çizmet e rënda të krimit të përbindshëm.

“Misioni” është një libër që sjell një prurje të re në prozën e shkurtër shqiptare, për shkak të fuqisë së dokumentit autentik të ngritur në estetikë të mirëfilltë, me anë të një narracioni befasues. Në rrugën ku kanë lënë gjurmë Bilal Xhaferi, Namik Mane, Bedri Myftari, më të rinjtë Shefki  Hysa, Abaz Veizi e të tjerë, në gjurmët e prozatorëve më të mirë të botës shqiptare në përgjithësi, vjen me një fytyrë të tijën, të pandikuar nga askush, Hekuran Halili, me një tufë tregimesh të denja për çdo antologji të përbotshme, me pretendime të epërme estetike.

Në tregimet e Halilit përzihen erërat e vjeshtërave çame me kujet e krimit pa alibi, monologjet psikoanalitike dhe dialogjet e zhdërvjellët, kohë-hapësira e gjymtuar e ëndrrës, tentativa e njerëzve të truallit kombëtar çam për të gjetur vetveten e bjerrun në një kohë të pa kohë.

Shkrimtari Hekuran Halili duket se është një kërkues realist në psikologjinë dhe shpirtin çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të tokës së shenjtë pellazge, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip. Në këtë përmbledhje me tregime ku ka aq origjinalitet e freski, aq sharm gjuhësor dhe teknikë rrëfimi, Halili e ka shndërruar temën e fatit të Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë.

Me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, depërtimi psikologjik dhe psikanalitik, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, Halili na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli të ndaluar, të sakrifikuar në rrugën e kalvarit të pashembullt greko-zervist.

Në rrëfimet e tij, autori e risjell artistikisht Çamërinë, këtë copë truall epik të gjymtuar nga vrazhdësia e kohërave. Ai rrëfen për një botë ku gëlojnë ende ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të lirë, se një ditë do të kthehen në Edenin e mohuar. Duket se Halili është shkrimtar i vëzhgimit të hollë psikologjik, i narracionit të gjallë, ku gërshetohet përshkrimi, dialogu, monologu dhe mpleksen fort e shkrihen në njëra-tjetrën realja dhe fiksimi, e mundshmja dhe transhendentja, ëndrra dhe veprimi ivetëdijshëm, një botëqë me anë të protagonistëve që veprojnënëtë, apelon për më shumë liri, paqe e humanizëm.

Në këtë këndvështrim, libri me proza të shkurtëra “Misioni” i shkrimtarit çam HekuranHalili, është një vizatim narrativo-poetik me dorë të lirëi një bote të virgjër e të etertë, ku personazhet kërkojnë fatet e tyre dhe fatet e një toke të mbetur pa njerëz, të një populate ikanake, peng i një historie të keqkuptuar e të devijuar deri në absurditet.

Nuk është vetëm tematika e hapësirës çame me të veçantat e saj, me dritëhijet, misterin, botën transhendente të miteve e legjendave çame, të panjohura ose fare pak të njohura në letrat tona, që e bëjnë këtë libër të lexohet me një frymë.Mbi të gjitha, është magjia e rrëfimit, sugjestioni i mjediseve dhe situatave, zhdërvjelltësia e tipave dhe karaktereve të vizatuar, kumti i asaj bote të përndezur nga prurje emocionale të shkallës së epërme, përcjellë në optikën estetike të shkrimtarit Hekuran Halili me një realizëm të fortë, që shkon deri në tragjizëm, por duke lënë të hapur perspektivën e shpresës dhe kumtin e dashurisë njerëzore.

Në tregimin “Misioni”, me një gjuhë të ngrohtë dhe filmike, vihen përballë dy botë, dy mendësi, dy botëvështrime të kundërta, përgjatë një aksioni të një grupi partizanësh shqiptarë, që marrin detyrën të shpëtojnë nga pengmarrja zerviste disa gra dhe vajza çame të mbyllura në një xhami, ku i qenë nënshshtruar torturave, përdhunimeve dhe akteve të tjera çnjerëzore të bishave greke dhe puthadorëve të tyre shqiptarë. Në rrëfim ka aksion, analiza psikoanalitike, tablo madhore të shpirtit të rezistencës çame, dialogje dhe monologje që shkrihen në një në frymën thellësisht realiste të tregimit…

Një sagë tragjike brenda një kohe të shkurtër kronologjike, por që mbart farët e një dhimbje me përmasa apokaliptike,fate dhe fatalitete që zhvendosen në kohë dhe hapësirë, përcjell tregimi domethënës “Qan kalmaja”, ku krahas rrëfimit të ngjeshur dhe plot dramacitet që shkon deri në tragjizëm, ka dhe elementë eseistikë. Me një stil të kursyer, figura të gjalla dhe tablo rrënqethëse autori vizaton me ngjyra të përndezura dhimbjeje ikjen biblike të çamëve nga trojet e tyre etnike, lumin e lotëve dhe të gjakut që lanë prapa të shpërngulurit me dhunë nga varret e të parëve të tyre. Jeta dhe vdekja parakalojnë bashkë në atë karvan pengjesh të vetvetes dhe tëmallit, kunë vend të gjurmëve të zakonshme, koha dhe hapësira maten me varre të njomë fëmijësh dhe me kumte pavdekësie.

Një ankth ekzistecial endet në tregimin mbresëlënës “Usta Muedini”, ku përzihet e shkrihen në një vektor estetik tragjizmi dhe poetika e përkujdesit njerëzor, mizoria e barbaria zerviste dhe kulti i dashurisë së botës çame, tejkalimi i dhimbjes dhe ngërçit kolektiv me anë të aktit të fisnikërisë, si pjesë e kondicionit psiko-etik të këtij populli të refuzuar nga kohëra të këqija dhe armiq pataologjikë, që kanë lypur në shekuj shfarosejn e tij në mënyrë masive.

I një stili dhe prerje tjetër, po me të njëjtin intensitet dramatik dhe parabola transhendente,  vjen tregimi “Mallkimi’, ku një krim për lakmi mban peng breza të një familje, duke shuar deri dhe thëngjinjtë e asaj vatre ku u ngrit dora vrastare. Ky tregim, mjaft autentik dhe i shkruar me një gjuhë mjaft të përpunuar e fine, të kujton rrëfenjat e Kutelit, frymën  parathënëse kuteliane, oshëtimën e largët të atyre kumteve, që duket sikur e mbajnë pezull frymëmarrjen e lexuesit.Por Halili është vetvetja, i veçantë; ai e ushqen pemën e fantazisë me prush të gjallë kujtese, me të ndodhurat e përcjella gojë më gojë, që vijnë si të gjalla, me koloritin idiomatik dhe kulturën e mbijetesës së botës së trazuar çame.

Përtej kontureve të trishta të dhimbjes, të lotëve e vuajtjeve apokaliptike, përtej psherëtimave të të shpërngulurve me dhunë e terror shtetëror nga trojet ku prehen varret e të parëve, shpresa mbetur gjallë, pulson e nxit sensacionin e pritjes, si bie fjala tek tregimi “Kthimi”, një sagë e mbijetesës së ëndrrës së lirisë e dinjiteit njerëzor.

Me një stil alla çehovian, (por me një origjinalitet që shfaqet në çdo rresht e frazë, në stilin e zhdërvjellët dhe gjuhën e pasur me shëmbëlltyra e njësi frazeologjike çame), me penelata të kursyera ku me pak fjalë thuhet sa më shumë tekst e nëntekst, shpaloset bota e traditave, zakoneve, rrënjëve çame, hiri dhe fisnikëria e brezave, që pasojnë njëri-tjetrin, në tregimet “Rrëmbimi” dhe “Rrënjët”, rrëfenja që ndonëse ndryshojnë në rrafshin temtaik dhe ideor, i bashkon depërtimi psikologjik në misterin e një bote dhe realiteti që duket se autori e njeh mirë, i bashkon hymni i vazhdimësisë së jetës, kulti i nderimit për të kaluarën, si pjesë e kujteseës kolektive dhe vetë historisë, magjia e mbjelljes në këtë botë të pemës së mirësisë dhe dashurisë njerëzore

Ajo që të bën përshtypje në prozat e shkurtëra të Halilit është mpleksja fort në një rrëfim të ngjeshur e sugjestiv i fatit individual të protagonistëve dhe fatit kolektiv të Çamërisë, shkrirja e gjendjeve dhe tablove individuale të pesonazheve me gjithë atmosferën e zezonës çame, siç mund të thoshte sghkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare.

Tregimet e Hekuran Halilit kanë në themel ngjarje që bazohen mbi fakte  e dokumente autentike, pra janë një përkujtesë e gjithë asaj zulme tragjike që përpiu tokën e shenjtë çame, e shpirtit heroik të mbijetesës së një populli, që nuk e shuan dot, por rilindi si Feniksi në çdo akt përkujtese e në çdo mesazh përjetësie.

Autori nuk gjykon, por  vetëm  rrëfen, një rrëfim i pastër dhe pa kahje, po ku qëndrimin dhe gjykimin objektiv, akuzën dhe pretencën  ndaj të keqes, ndaj krimit pa alibi,  e japin vetë grekët e mirë, këta protagonistë të shumë treguimeve të Halilit. Autori nuk bën thirrje per hakmarrje, por për mosharresë historike, që bota e krimit dhe genocidit të mos përsëritet më, port ë mbetet vetëm një relike turpi në muzeun e të kaluarës dhe çamët të gjejnë vetveten në trojet etyre etnike.

Thamë që dokumenti kthehet në këto tregime në një mjet të fuqishëm identifikimi të plagësve histiorike të Çamërisë, por falë një stili të përpunuar letrar, gjuhës së pasur dhe me figura mjaft të gjalla e tërheqëse, falë përkujdesjes së epërme për të na dhënë përshkrime të skalitura mjeshtërisht nga ana estetike, me spektër të pasur gjuhësor dhe ngarkesa të forta emocionale, prozat e Halilit i tejkalojnë kronikat dokumentare dhe kthehen në një testament estetik të vazhdimësisë së një populli të ndaluar.

Mozaiku i pamjeve të jetës që gëlojnë në prozat e Halilit dhe duket sikur janë të shkëputura dhe rrinë më vete, në të vërtetë plotësojnë njëra tjetrën dhe synojnë në plotësimin e konturimit të plotë të kontrastit mes botës së pasur çame, riteve, traditave, kulturës dhe genit të trashëguar historik, mbijetesës mes lotëve e plagëve, nga njëra anë, dhe ankthit sindromik të genocidt e shfarosjes, që vënë në veprim zervsitët, nga ana tjetër.

Efektet psikologjike, emocioni i fortë, bashkëshoqërimi në kohë i mbresave, impresioneve, sensacioneve të brendshme shpirtërore, gjendjeve e tablove që përcjellin këto proza, buron sa nga realiteti gri, i përdoruar nga autori me mjete të spikatura letrare, aq dhe nga  fuqia dhe magjia e përshkrimit, nga arti i rrëfimit,  teknika e strukturimit të ngjarjeve dhe shpalimit të botës së personazheve.

Kjo prirje e brendshme, shpirtërore, psikologjike dhe në thelb mentale, që buron nga njohja e thellë e jetës, nga kultura e gjerë dhe diapazoni po aq i gjerë i mjeteve shprehëse që vë në shërbim të synimeve të tij narrative, e bëjnë prozën e Hekuran Halilit një mbartëse të filozofisë ekzistenciale të dashurisë njerëzore, e cila ishte dhe mbeti kryefjala e Çamërisë dhe gëlon e gjallë e dinamike në çdo shkronjë,  rresht, frazë e rrëfenjë të këtij autori.

Përmbledhja me tregime “Misioni” i shkrimtarit Hekuran Halili është prurje në dosjen e letërsinë shqiptare, në llojin e tregimit nga treva çame, një mundësi që ndalesa historike e çamëve nën genocidin grekoshiven të jetë një kujtesë e hapur për reflektim…



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora