E enjte, 28.03.2024, 09:48 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një ngjarje kulturore në Tiranë

E shtune, 19.10.2013, 06:27 PM


Një ngjarje kulturore në Tiranë

Nga Entela Binjaku

Prej datës 12 tetor në kryeqytet është duke u zhvilluar një aktivitet i rëndësishëm muzikor i quajtur PIANODROM.

Në Tiranë u çel edicioni i parë i këtij aktiviteti artistik që ka në qendër pianon, pianistët dhe kompozitorët për  piano.  Me iniciativën e një personaliteti të muzikës serioze shqiptare, z. Aleksandër Peçi, dhe me besimin dhe bashkëpunimin e një grupi të rëndësishëm të profesorëve dhe artistëve të mirënjohur  të Akademisë së Arteve,  Nestor Kraja, Eriona Rushiti, Elvis Peçi, kjo ngjarje muzikore nisi rrugën për të vazhduar  gjatë, dhe me synimin për ta kthyer Tiranën në një destinacion  muzikor ndërkombëtar.

I konceptuar si një “platformë  për avionë që ulen në një pistë”, kjo ngjarje muzikore nisi me një pianist spanjoll Gulliermo Gonzales. Në kuadër të miqësisë shqiptaro-spanjolle, ambasada e  Spanjës në vendin tone,  në kuadër të këtij aktiviteti si dhe në vlerësim të atmosferës së festës kombëtare të këtij vendi mik, solli përpara publikut shqiptar këtë pianist të mrekullueshëm, i cili luajti një repertor të pasur mbështetur edhe në përvojën e gjatë në skenat botërore, ashtu siç e dëshmon e gjithë karriera e tij artistike.

Koncerti i dytë u zhvillua me  datën 16 Tetor, me një recital të pianistit holandez, Marcel Worms me titull “New Blues and Dance Worldwide”. Ky pianist i mrekullueshëm solli miliona nota muzikore nga shumë anë të botës, dhe e vecanta në këtë natë ishte se thuajse 90 % e pjesëve të luajtura ishin të kompozuara posacërisht për këtë pianist të jashtëzakonshëm nga kompozitorë të ndryshëm. Në këtë natë publiku dëgjoi edhe dy pjesë të reja, premierë botërore, që kompozitori Aleksandër Peçi kishte krijuar posaçërisht për këtë aktivitet dhe këtë pianist, mbështetur mbi dy valle shumë të njohura shqiptare si vallja çame dhe e Tiranës.

Me përshtypjet e një qytetareje të apasionuar pas muzikës mund të them se të pranishmit e pëlqyen jashtëzakonisht shumë këtë pianist, i cili me shumë sportivitet edhe i shpjegoi paraprakisht disa prej pjesëve. Një ndër to ishte pjesa e një kompozitori sirian,  Kinan Azmeh e quajtur “Në pritje të së premtes”, ku autori shprehte përmes notave ankthin e një natë më parë, për ngjarjet e pritshme të së premtes. Kjo pjesë ishte planfikuar të luhej në Damask, por për shkak të situatës së konfliktit, ajo ende nuk kishte arritur të shfaqej për publikun të cilit edhe i kushtohej. Këtë ndjesi që përcolli zoti Ëorms publiku shqiptar e mbështeti me shumë duartrokitje si një shenjë solidariteti me popullin sirian që jeton kohë të vështira.

Sonte do të zhvillohet koncerti i tretë i këtij aktiviteti. Do të luajnë dy pianiste shqiptare, pjesë nga repertori shqiptar dhe botëror. Por duke i njohur të dyja artistet, njërën nëpër koncerte Etrita Ibrahimin dhe tjetrën që kur ajo ishte student,  Ardita Bufin,  pres të shijoj një mbrëmje të mirë.

Kjo ngjarje muzikore për vendin, për herë të parë në llojin e saj, po zhvillohet tërësisht e pambështetur nga institucionet kulturore të shtetit tonë, Ministria e linjës dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë treguar as më të voglin interes për këtë aktivitet. As në burime financiare dhe as në ato të interesimit përmes pranisë në sallë.

Ndoshta sonte mund të ketë ndonjë zhvillim të ri, por situata aktuale tregon se kjo ngjarje po zhvillohet në kushtet e një indiference, shumë tipike për institucionet tona kulturore të cilat e kanë braktisur thuajse tërësisht artin muzikor serioz shqiptar. Megjithëse artistët organizatorë e kanë mirëkuptuar këtë mosmbështetje nga ana e Ministrisë, me mendimin se sapo ka nisur nga puna drejtimi i ri i saj, sërish është e patolerueshme dhe e pakonceptueshme një mungesë e tillë. Vetë profesor Peçi thotë se “ftesën e ka dorëzuar personalisht në Bashkinë e Tiranës, i nxitur edhe nga ideja se luhej për herë të parë një pjesë muzikore e mbështetur mbi një motiv të trevës tiranase”, por sërish ky institucion mungoi i pangacmuar aspak nga kjo ftesë dhe ky fakt.

E megjithatë si artdashëse nuk mund të mos e pohoj se të ndërmarrësh një aktivitet të tillë kërkon një guxim të shumëfishtë. Nëse mendon të organizosh një aktivitet të tillë në Shqipëri do të përballesh me disa lloje vështirësish dhe për disa arsye njëkohësisht.

Së pari sepse ke me vete përvojën e mosmbështetjes së këtyre viteve, së dyti sepse do të përballesh edhe me  skepticizmin e artistëve të huaj që ende nuk e njohin Shqipërinë si destinacion kulturor, së treti sepse fondet, edhe kur jepen asnjëherë nuk mjaftojnë për të menduar lirisht për cilësinë e aktivitetit, së katërti sepse e di që ky nuk është një aktivitet misesh, apo fushate elektorale sic i ke mësuar qytetarët deri më tani dhe me vështirësi mund t’i bindësh të vijnë të të ndjekin.

Jo vetëm kaq, por në këtë Tiranë prej rreth 1 milionë banorësh, shteti as nuk ka menduar të  edukojë mjaftueshëm në radhët e tyre një publik që funksionon si grup presioni, në emër të shijes së kultivuar për të kërkuar që iniciativa të tilla të mbështeten e të bëhen traditë.

Sa e sa aktivitete kanë nisur si iniciativa të guximshme, dhe janë shuar rrrugës, sepse shteti i ka braktisur ose as nuk  i ka mbështetur, sepse është treguar skeptik ndaj ideve, apo se ka vlerësuar disa ide të tjera, të cilat sërish kanë nxitur pakënaqësira për cilësinë e vendimeve dhe mosbesimin tek vlerat e vërteta etj.

Por në cdo rast do të kishte qenë e udhës që institucionet e shtetit tonë së paku të kishin kuptuar nevojën që qytetarët kanë për aktivitete kulturore, rëndësinë e madhe që ka për ta kultivimi i shijeve të duhura përmes artit elitar, ushqimi i pasioneve të tyre për të pasur më pranë artistë ndërkombëtarë ashtu si dhe shumë qytetarë të tjerë të botës.

Në edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar Pianistik “PIANODROM” u mbështet  kryesisht nga miq ndërkombëtarë…të shpresojmë se vitin tjetër do të mbështetet edhe nga ata vendas përgjithësisht, dhe që punojnë në institucionet përgjegjëse shtetërore,  veçanërisht.

Entela me Marcel Worms

Entela, Aleksandër Peçi me bashkëshorten dhe Gulliermo Gonzales



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora