E hene, 25.10.2021, 11:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Përmallime kosovare

E shtune, 19.10.2013, 04:32 PM


PËRMALLIME KOSOVARE

(Hysen Këqiku, Në prehër të idilës, Kurora, Gjilan 2013)

Nga Baki Ymeri

Nuk shterron malli për gërshetat, thot autori, dhe nuk shterron malli ndaj përmallimeve kosovare, themi ne. Libri i tij më i ri (Në prehërin e idilës) është një album i ri poetik që bashkon krijuesit tanë. Kush e ka shfletuar, para apo pas lansimit të tij, në kuadrin e Fillimit të papërfunduar, ka konstatuar se:“Mbirelievi i mbuluar me një shtresë tisi të zhdavaritur, kotet në kalamendjen e lodhur të ëndrrës së prishur. Qielli më shumë se kurdoherë, sivjet e tregoi zemërngrohtësinë kurse depoja e kujtesës së lodhur nga ecja, në siperfaqen e relievit të djegur,  na e përkujtoi lulen e dalë nga petalja. Ajo me zemrën e kalamendur ec angështirave  bleroshe të ograjave.”

Bota ka nevojë për risi dhe forma të reja shprehjesh letrare. Libri iaugurohet me një medalion proze poetike që të josh që në lekturim të parë. Sidomos kur “Lahet  Lotina me pika loti të vakët ujëvarave të thara për t’u bërë e ndjeshme  edhe petalja në shtratin e fantazisë. Po mos harro, më tha zëri  i një rrethi enigmatik. Drita nuk  huazohet. Meteori e ka dritën e dhuntisë vetëm aty ku  lëvizë rrugës ligjore. Kur ai ndërron vendin  shuhet dhe kurrë më nuk lind. Po në mes kësaj lëvizjeje  të padukshme lindin mite të paqena. Betohem në kripë se pa të, shija humbet në humbëtira të namatisura.” Imagjinata e autorit kaplon përmasa biblike të gërshetuara me një spektër meditimesh që të shpien në lashtësi: “Larg diku, shumë larg, fshehur në  kujtimet e harruara,  qyqja e mësonte përmendësh këngën për  Dhimitrin e nënës. Homeri ia mbante ison lahutës e cila e kishte mësuar përmendësh baladën  e nëntë vëllezërve. Ata kishin  shijuar hidhërimin e  250 shekujve nëpër të cilët  gjergjelezët kishin marrë plagë të lirisë, tërhequr zvarrë nga orakuj të çoroditur në vrapin e tyre  verbërisht  duke kalëruar pas mykëtinave me të cilat ushqeheshin.”

Kritiku i mirëfilltë nuk citon, por analizon lëndën e veprës respektive dhe del në pah me mendime personale. Ne e anashkalojmë këtë art të preferuar të problemeve të stilistikës letrare, duke i dhënë prioritet autorit: “Ecja nuk e ka drejtimin e duhur. Vetëm buburrecat e kuq kalërojnë me peshën e tyre tunxh të grumbujve në mesrrugë. Megjithatë ndodh diçka. Ndodh kronika e përvajtur. Ajo  nuk regjistron asnjë ditë të gëzuar se namët e zeza të asketistëve ngrisin faltore për t’i bërë zotat Zot të vetin.” Dhe, “Për habi të lakadredhur, degdisja më kapi për cepi të xhaketës dhe më veshi së prapëthi. Nuk do ta kisha hetuar po të mos më kapte ankthi pas vegullimës.”

Zanat e mitologjisë defilojnë edhe në spektrin e frymëzimeve të Hysen Këqikut: “Më ndoqi me atin e shaluar atje ku perëndojnë zanat në shajtim. Fjolla e buhnajës më doli përpara duke krijuar  mur mali  në përmasa tomorjane. Forca më humbi  në kalërimin e verbër Saharës së përmjerë nga karvane beduinësh. Duke  kërkuar burim uji e drite, ia pikturova dhembjen e përcëlluar, derisa buburrecat e kuq vazhdojnë pickimin tok me kërrabzën që brenë brerjet e brerosura... Dhe përsëri mu fanit hieja e këngës e komponuar për ditën e për natën, për lotin dhe qeshjen e harruar.” Fillimi i parapërfundimit të impresionon, që nga fillimi e deri në mbarim: “Mortja vazhdon ecjen e paçalamanuar nëpër shtigjet e hapura. Edhe ajo ia mban ison  Atij dhe vetëm Atij, të Cilit i është bindur për t’i qëndruar besnik. Që atëherë fillimi mbeti i papërfunduar.”

Libri strukturohet në katër kapituj (Angështirë, Angështirë e molepsur, Angështirë e nakatosur, Angështirë e përdalë). Që nga poezia e parë (Lotët e njelmët të harrimit), e deri te ajo e fundit (Ëndrrat çapiten), parakalon Kosova me dehje të dallgëzuara, me pagjumësinë që vjen si një trokitje ritmike e zemrës së përgjumur, me hijen e idilës në hirin e zjarrit, kur në prehër, si në djepin e ngrohtë, “idila  numëron yjet rreth hënës”. Djersë e tretur ograjave, Forcë e shpirtit në  rrugëtim endërrimi, Heshtja grindet nё qerpik loti, Ku mbeti kënga, Kudo jeni lule, Mes ngricash e përcëllimash, Edhe këtu, Heshtja ime e shurdhër, Më mori ëndrra, Ëndrrat çapiten, Fjalë dhe shprehje, janë disa nga titujt e poemave të kësaj vepre që josh kurreshtjen e lexuesve tanë.

BOX

Hysen Këqiku, u lind më 7 qershor 1944, në Velegllavë të Dardanës (ish Kamenicë). Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e mbaroi në Vaksincë dhe Llojan të Kumanovës,  gjimnazin në  Preshevë, kurse gjuhën dhe letërsinë shqipe e studioi në Shkup dhe në Prishtinë. Jeton e krijon në Gjilan dhe është anëtar i Lidhjes së  Shkrimtarëve të Kosovës. Ka botuar disa vëllime me pozi për të rritur dhe për fëmijë, dramën “Kufij që preken” dhe katër monografi. Është i përfshirë në librin me kritika letrare “Kosova letrare” (Bukuresht 2010), si dhe në disa antologji letrare.  Nga veprat e tij vlen të citojmë: Nëpërkëmbësi, Dritë mbi Lotinë, Melodi e pritjes, Vegim i përflakur, Në ty e kam shpirtin, Qëndresë me besa-besë, Një atdhe me dashuri, Etje e pashuar, etj.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora