E enjte, 18.04.2024, 04:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Mesazh nga një amerikane e verbër

E shtune, 19.10.2013, 03:15 PM


CARRIE HOOPER: “I  DUA SHUMË SHQIPTARËT,  SEPSE KANË NGADHNJYER DHE MBIJETUAR, ME GJITHË KUSHTET  E  RËNDA, GJATË HISTORISË SË TYRE”

(Mesazh nga një amerikane e verbër, që dëshiron ta vizitojë Atdheun tonë)

Nga Prof. Murat Gecaj

1.

Tashmë, janë të njohura shkëmbimet e ndërsjellta të mesazheve ndërmjet njerëzve, të njohur ose të panjohur. Këtë mundësi na e jep një ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit, siç është Interneti. Ndër këta, sigurisht,  jam edhe unë, që kam dërguar ose kam marrë mesazhe të shpeshta, në shtete e kontinente të ndryshme të botës, por dhe që kam komunikuar përmes “Skype” etj. Natyrisht, nuk kemi se përse të “mburremi”, as vetë as ndonjë tjetër, nëse shprehemi se, gjatë ditës, dërgojmë ose marrim mesazhe përmes Internetit, nga të njohur ose të panjohur, të cilët jetojnë jo vetëm në vende të ndryshme të Europës, por dhe në shtete të tejera në kontinentet: Amerikë, Kanda, Australi, Afrikë ose Azi.

Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’u tregoj lexuesve, se pikërisht sot, mora një ndër mesazhet, që më duken më interesantë dhe më domethënës. Atë ma dërgonte znj.Carrie Hooper, nga Nju Jorku i SHBA-ve. Më bëri shumë përshtypje se, megjithëse e vërbër, kishte një veprimtari shumë të dendur dhe se, ndër vendet,  që ajo nderon e vlerëson, është Shqipëria jonë dhe, ndër gjuhet e shumta, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare.

Meqenëse ajo më shkruante se e-mailin tim e kishte gjetur përmes kolegut e mikut tim publicist, Dalip Greca, botues i Gazetës “Dielli”, në Boston të Amerikës,   po sot,  i dërgova këtij një mesazh të shkurtër, në përgjigjen e të cilit ishin këto fjalë:

“I dashur Prof. Murat Gecaj! Të gjitha ato, që ju shkruan Carrie Hooper, janë të vërteta. Edhe letrën, në gjuhën shqipe, ajo e ka shkruar 100 për qind vetë. Edhe flet shqip-shkëlqyeshëm. Shkruan dhe poezi shumë të bukura shqip e këndon shqip. Sa për kërkesën e saj, për ta vizituar Shqipërinë, është e mira që ta marrë përsipër ndonjë instituticion shtetëror, sepse ka nevojë për shoqërues…Sinqerisht: Dalipi”.

2.

Për të kënaqur kureshtjen e  lexuesve, letrën që ka shkruar znj. Carrie Hooper, po e publikoj të plotë dhe pa bërë asnjë korrigjim gjuhësor në të. Me këtë rast, e përshëndes atë përzemërsisht, nga kryeqyteti ynë dhe e falënderoj sinqerisht, për tërë atë veprimtari të dobishme dhe, veçanërisht, për dashurinë dhe respektin, që ajo ka për Shqipërinë dhe gjuhën tonë amtare.

Duke marrë parasyshë gjendjen shëndetësore të kësaj mikeje të mirë amerikane, e cila është me gjendje të rënduar shëndetësore dhe, megjithatë, shprehë dëshirën e saj për ta vizituar Atdheun tonë, po u drejtohem  edhe organeve tona të larta shtetërore në Tiranë, por dhe përfaqësuesve tanë diplomatikë në Vashington, që ta shohin me dashamirësi dhe përparësi këtë kërkesë dhe të bëjnë të pamundurën, që asaj t’i plotësohet dëshira, për të ardhur sa më shpejt në Shqipëri.

Ja, letra e znj. Carrie Hooper:

“I nderuar Prof. Murat Gecaj,
Përshëndetje! Unë quhem Carrie Hooper dhe jam nga Elmira të Nju Jorkut në ShBA. E mora emailin tuaj nga Dalip Greca, redaktori i Gazetës Dielli. Kam lexuar shumë shkrimet tuaja dhe më pëlqyen shumë.
Jam amerikane pa asnjë prejardhjeje shqiptare. Jam krejt e  verbër që nga lindja dhe punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe  të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes. Më  tej jap piano dhe kanto në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale  në vende të ndryshme. Përveç kësaj këndoj në dy kore dhe i bie  pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe përveç italishtes  dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak  finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.
Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe pasi kisha një  student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Në fillim  përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kaset me  përralla në shqip. Gjithashtu bleva një fjalor shqip-anglisht që  një grua e transkriptoi në brail për mua. Në verën e vitit 2009  dhe në verën e vitit 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek  Arizona State University në Tempe të Arizonës.
Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në  Gazetën Dielli si dhe në revistën Kuvendi që botohet në shtetin e  Michiganit. Më tej kam shkruar artikuj për Gazetën Dielli.  Gjithashtu kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion e  diela, një program që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për 
emisionin Shqiptarët e Amerikës me gazetarin kosovar Qazim Doda,  si dhe për Gazetën Dielli dhe për gazateren Rajmonda Moisiu. Për  më tepër kam kënduar për veprimtari të organizuar nga bashkësitë  shqiptare në Nju Jork, Detroit, dhe toronto. Më tej këndova në  Kishën e Shën Elia në Jamestoën të Nju Jorkut dhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachusetts-it. Jam anëtare e një  ansambli folklorik, Bashkimi Kombëtar, me drejtor Gjergj Dedvukaj  dhe kam mësuar t'i bie çiftelisë.
Dëgjoj programet e Radio Tiranës, të Radio Vatikanit, dhe të  Radio Marisë, të cilët shoku im më inçizon nga interneti, dhe  lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim  të aksesshëm.
Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë  shqiptarët sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar megjithë kushtet  e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga  Carrie Hooper (e-maili: hoot751@stny.rr.com)”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora