E enjte, 25.04.2024, 09:12 PM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Vizita e Daçiqit, ngjarje e rëndë

E shtune, 19.10.2013, 04:54 PM


Vizita e Daçiqit, ngjarje e rëndë për Kosovën

Nga Gani Qarri

Ditë si kjo, nuk janë ditë nderimi,as të shenjta,nuk festohet shtetësia as shpallja e pavarësisë,nuk kujtohet dita e flamurit dhe nuk ka të bëjë fare me festa as gëzim kombëtar për shqiptarët. Përkundrazi,mund të konsiderohet  fatkeqësi e cila paralajmëron lëkundjen e të ardhmes së tyre.

Është ditë brenge, frike dhe mërzie, ditë e vështirë mallkimi dhe turpërim mbarëpopullor,për të gjithë ne. Ditë nga më të rëndat sidomos për bashkëfamiljarët e të pagjeturve,të cilët që nga pas lufta,presin me ankth kthimin e bijve të tyre për më shumë se 14 vite me radhë, pa fije shprese as ngushëllimi.

Ditë kur edhe një herë në vendin tonë mbërrin ish bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit, pasuesi më i flakët e besnik,partiak dhe shtetëror,i cili edhe sot e kësaj dite mbanë peng mbi 1730 trupa të kidnapuarish shqiptar, nga ish babai i tij ideologjik.

Ditë kur kryeministri aktual i Serbisë Ivica Daçiq, pas gjithë atyre katrahurave që kanë pësuar shqiptarët, vije pa asnjë pengesë të mbaj fjalime e zhvillojë edhe fushatë parazgjedhore në Kosovë.

Ditë kur qeveria jonë,në vend të punëve të mira dhe me mend vizitat e munguara të zyrtarve të lartë ndërkombëtar, i kompenson me vizita funksionarësh serb, të cilët pa asnjë rregull dhe kriter,vërshojnë njëri pas tjetrit, në mënyrë legale dhe ilegale,fshatra dhe qytete gjithandej,për mbështetjen e  listës "serbe" të propozuar nga Serbia në fushatën zgjedhore të vendit tonë.

Ardhjet e programuara serbe që moti dhe të deklaruara prej kohësh nga ta, edhe pse nga shumica shqiptare cilësohen të dëmshme për Kosovën,ato për të realizuar qëllimet e Serbisë, kamuflohen si fetare dhe në të drejtën për të vizituar manastiret, ani pse ritet fetare,si proces nuk do duhej të kishin asgjë të përbashkët me fushatat parazgjedhore të një shteti fqinj.

Është vërtet e çuditshme sesi vizitat zyrtare të funksionarëve serb,planifikohen dhe renditen shumë kohë përpara, dhe në atë mënyrë që me çdo kusht të ndodhin dhe realizohen pikërisht në kohën e ngjarjeve publike dhe politike, siç është edhe fushata e tanishme zgjedhore në Kosovë.

Prijësit aktual, përkundër përvojës së hidhur me cilëndo vizitë të funksionarëve serb në vendin tonë,nuk u mbushën mend asnjëherë, ngase edhe kur ato lajmërohen si fetare, nuk nisin as përfundojnë me  karakter as natyrë kishtare,por secilën herë lidhen me politikë dhe shprehin urrejtje si për vendin e pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për bashkësinë tonë kombëtare.

Kështu që nuk ka si të kuptohet mossanksionimi i ndalesave të proklamuara më parë nga organet e shtetërore ndaj tyre, as në raste zgjedhjesh dhe ngjarjesh kombëtare. Ndaj, mbi çfarë parimesh e bazon shteti ynë sovranitetin dhe pavarësinë e tij, atëherë.

Mbivendosja e vizitave serbe, mbi ngjarjet madhore publike dhe shtetërore, kalon të gjitha caqet e të drejtave të besimit dhe respektimit të riteve fetare, sidomos atëherë kur ato kthehen në ndërhyrje të drejtpërdrejta politike mbi zgjedhjet, sistemin shoqëror dhe mënyrën e jetesës në vendin tonë.

Qeveria e Serbisë dhe ministrat e saj, kurdo që duan, mund të takohen me"Zotin" e tyre edhe në kishat e manastiret ortodokse në Serbi dhe jo të zhvendosin misionet e tyre fetare, në objeketet tona të kultit  për realizimin e qëllimeve të tyre politike në Kosovë.

Tashmë është e njohur për të gjithë se asnjë ministër serb dhe as kryeministri i tyre, nuk vijnë vetëm sa për tu lutur në vendin tonë,por misioni i tyre ka për qëllim "zaptimin" e rrugëve,shesheve dhe hapësirave të këtij vendi,dhe shuarjen e etjes serbe, për dukjen dhe ngritjen e Serbisë mbi kokat tona, edhe në raste zgjedhjesh,festash e gëzimesh sërish në Kosovën e lirë.

Qeveria serbe, për institucionalizimin me çdo kusht të prezencës së saj në Kosovë, së fundi ka filluar ti rrah dhe frikësoj me hedhje bombash e eksplodime të të gjitha llojeve edhe kandidatët vendor serb,madje cilindo nga ta,që nuk u takon të zgjedhurve të saj,duke luftuar për fitoren pa tjetër të listës së Serbisë në vendin tonë.

Ekspeditat e tilla,nuk dinë të ndalur,ani pse për të satën herë është dëshmuar se shëtitjet e funksionarëve serb,nuk kanë të bëjnë aq me manastire as rite fetare, sa kanë të bëjnë me ndërhyrje të qëllimshme politike në vendin tonë.

Ato përdoren vetëm si arsyetimi i përshtatshëm, gati pa mundësi mohimi dhe si rrugë gjithmonë e hapur për Serbinë, përmes të cilës ajo më së miri instalon nacionalizmin serbomadh në Kosovë, mision ky të cilin me lejet dhe pavendosmërinë e saj,ka kohë që e ndihmon edhe qeveria  jonë, gjë që po përsëritet edhe një herë me rastin e këtyre zgjedhjeve në vend.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora