Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Rrustem Geci

| E premte, 18.10.2013, 06:59 PM |


Biografia e shkurtër e poetit, gazetarit dhe eseistit, Rrustem Gecit

Rrustem Geci u lind në Roganë të Dardanës, 06.01.1950. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjilan dhe Dardanë. Rrustem Geci u kulturua në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës. Pas mbylljes së RTP-së, Geci mërgohet në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton. Me poezi Rrustem Geci merret që nga fëmijëria. Poezia e Rrustem Gecit është e vlerësuar nga studiuesit e letërsisë. Geci deri më tash ka shkruar e botuar 17 libra, 2 monografi, dhe 15 libra me poezi; 1.“Demonstratat e luleve“, 2.“Antologjia personale“ 3. „Jeta në letër“,4.”Mielli dhe uji“, 5. ”Afeida”“, 6. Arbdheu“, 7. “Dridhjet e barit“, 8. “Këngë qipshte“ 9.„Erdhëna“,10.„Një rrënjë ulliri jemi“, 11.“Shqipëri në çdo shtëpi”, 12.“Milenium”, 13. “Rogana”, 14. “Heroika”, 15. “Gacat e prushit”,16. “Pasha këtë tokë”, dhe 17.“Atdhetarët”, dhe së fundi, “Kanuni poetik”, një përmbledhje librash me  2 mijë faqe. Rrustem Geci viteve të fundit është prezentuar në 5 antologji të poezisë shqipe, dhe me një antologji të Gazetarisë shqipe. Dy antologji ku është prezentuar edhe Rrustem Geci, janë në poces të botimit. Rrustem Geci, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës prej vitit 1995. Këtë jetëshkrim të shkurtër,për poetin Rrustem Geci e mbyllim me një poezi të tij : Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /. Këto dhe 23 mijëra vargje të tjera, janë bota poetike e Gecit, e përmbledhur në librin monumental ,“Kanuni poetik”.

DERADA GASHI - FRANKFURT

 

Cikël poezish nga libri, “Kanuni poetik” !.

 

 

A D R E S A

 

Krejt në fillim ishte toka

ishte ajri, fryma dhe shiu

dielli, mëngjeset, mesdita

pemët e egra të fushave

 

Krejt në fillim ishte rëra

shkretira e territ të gjelbër

shija e bukës dhe kripës

zanafilla e plot fillimeve

 

Krejt në fillim ishte zjarri

mendja që s´ mbyll sy

e krejt më pastaj ia behën

lulet e kopështit,të lashtat

 

Krejt në fillim ishte ugari

mbjellja farërave në tokë

arbërimi i emërvendeve

dhe mbëltimi i të folmes

 

 

I burgosuri i idesë

 

Jam zë i fjalës së plagosur

jam zë i fjalës së ndaluar

dhe jetoj ku jeton Kosova

dhe jetoj ku jeton Shqipëria

 

Në flakët që vetëm rriten

goditem nga valë të ashpra

nga përsëritjet monotone

të akteve të konferencave

 

Jam zë i fjalës së murosur

jam vetja ime e paluajtshme

në këtë tokë të përjetshme

sa jam i lashtë, aq edhe i ri

 

Në luftën që kemi përpara

kam plot të pashpërthyera

jam arti që nuk mburrem

jam arsyeja që nuk jepem

 

 

GJUHA SHQIPE

 

Jam nënë e disa gjuhëve

mëmën e kam pellazge

ajo mua më trashëgoi

të jem e gjithmonshme

 

Ky mesazh i shekujve

10 mijë vjet pellazgji

dhe 3 mijë vjet Iliri

është gjuha jonë shqipe

 

Kosovë, Iliridë, Çamëri

trualli im g j u h ë s o r

me ju unë jam shqiptar

me ju unë jam Shqipëri

 

Gjuhë indoevropiane

bijë e gjuhës shqipe

sa gjuhë nga gjuha jonë

u bënë gjuhë më vete

 

 

A D H O A N I

 

Na ishte njëherë një zog

me qiell shumë të gjerë

Dardani e kishte emrin

Iliriane e kish mbiemrin

 

Në mbretërinë e tokës

atë zog të gjelbërimeve

të ngjashëm me kaçubat

mëllenjë atë e thërrisnim

 

Ai zog poetik i fushave

I motshëm 13 mijë vjet

rron Fushës së Kosovës

po s´ i një lirik i madh

 

Adhoani, një trim dardan

nga shkambijtë e Trojës

Trojën e pa si e varrosën

kufijtë Ilirisë t´ia tkurrin

 

 

ÇKA THA LIRIA ?

 

Zemrën e kam të fortë

po trupin në pesë pjesë

e v r o p a t më copëtuan

kur Evropa s´ish e drejtë

 

Kosovës shumë po flitet

se bisedat s ´ janë mirë

Kosovën e duam tamam

pa pranga e pa mynxyrë

 

Imja është kjo tokë

foli liria, vetëtima e saj

unë jam e juaja, sa të më

mbroni, dhe të më mbani

 

Zemrën e kam të fortë

po trupin në pesë pjesë

më shumë se një shekull

jam nën degë të rrufesë!..

 

 

L U A R D I

 

Fjala e shkruar në letër

shprehë gjuhën, identitetin

të folmen shqip të popullit

artin në jetën e përditshme

 

Fjala e shkruar në letër

është krijimi më hyjnor

është qënia, është kultura

është gjaku ynë gjuhësor

 

Në shpirtin e një letërsie

ka frymë, ka personazhe

dhimbje të grumbulluara

udhëve të pavullnetshme

 

Fjala e shkruar në letër

dhe e pjesërishmja e jetës

janë shumëfishi i shpirtit

është përballja më sublime

që gjuhën e bëjnë të gjallë

 

 

R R Ë N J Ë Z A

 

Shoqe shoqe kallamoqe

misrin tim pse ma hoqe

misërin tënd pse se poqe

shoqe shoqe kallamoqe

 

Shoqe shoqe kallamoqe

posi bleta pas më ndoqe

posi rrodhe sot s´mu hoqe

shoqe shoqe kallamoqe

 

Shoqe shoqe kallamoqe

misërin ti pse s´e poqe

misërin tënd pse e dogje

shoqe shoqe kallamoqe

 

Shoqe shoqe kallamoqe

djemtë neve sot na duan

djemtë duan të na puthin

në misërishte këtu pranë

 

 

Lidhja e shkronjave

 

Jetojmë në të njëtën kohë

nën të njëjtin qiell me yje

ku e bukura dhe i bukuri

dihatin me të njëjtën frymë

 

Jetojmë në të njëjtën kohë

ku valë të ashpra të jetës

thyhen nëpër kundërthënie

dhe shpërndahen qyteteve

 

Jetojmë në të njëjtën kohë

me të njëjtën etje të shpirtit

ku koha është krejt pakëz

për të krijuar më shumë

 

Jetojmë në të njëjtën kohë

Me të njëjtin gjak të kohës

Ku bashkimi i shkronjave

Ngre zërin e përbashkimit

 

 

QERPIKËT E HËNËS

 

Poezia, lokja e gjitha këngëve

nënëemadhja e gjitha arteve

me gjak muzash është lindur

me gjak muzash është rritur

 

Kjo dritë e të gjithë zemrave

me mijëra vjet e qytetëruar

herë-herë e lënë mes udhëve

po ato rreze jete i shpërndanë

 

Në proceset e gjata të krijimit

poezia e ruajti frymën e saj

mardhënjen poetike me kohën

fal frymës poetike të shpirtit

 

Në prehërin e art të letërsisë

rritet më e bukura e arteve

më e portokallta e ndjesive

dhe më e shenjta e dhimbjeve

 

 

Kujtesa e diellit

 

Ky breg shkëmbor i detit

I ruan të gjitha kohët e tij

shijen e ajrit dhe erërave

lagështinë e mëngjeseve

 

Ky breg shkëmbor i detit

I veshur me rreze e hije

është shpresë e vetë detit

heshtja poetike e tokës

 

Ky breg shkëmbor i detit

është dritësim i lumejve

dhe shkon përtej anijeve

që ky det të ketë një jetë

 

Ky breg shkëmbor i detit

I ruan të gjitha kujtimet

të anijeve të skllevërve

dhe tregëtarëve të luftave

 

 

KËSHILLTARËT

 

Me ajrin e bardhë të fushave

me ajrin e bardhë të maleve

me ajrin e të gjitha dritareve

shqiptarët do të bashkohen

për aq sa ndarja na ka ndarë

Shqiptar të të gjitha trojeve

merrni frymë zjarrit që ndizet

historia shkruhet me të bëra

që nga e hëna në të djelen, që

nga mëngjesi, deri natën vonë

Shqipëri, e gjithë shqiptarve

afrohu më pranë tokave tua

tokave që fqinjët ty t´i morën

bëhu bashkë me Kosovën

bëhu bashkë me Iliridën

bëhu bashkë me Çamërinë

për aq sa ndarja na ka ndarë

 

 

E DIELA E FJALËS

 

Vetmi,pse duhet të jetoj me ty

më mërzinë dhe shoqet tua

me rrapëllimat e erës tënde

me përsëritjet tua monotone

 

Ji më e kujdesshme me mua

mbretëria jote s´më pëlqen

hije, ti s´më bën dot të lumtur

unë çdo çast jam i burgosur

 

Në jetën time të përditëshme

unë nuk jam krejt i vetëm

ti je shqetësimi im i bukur

pse unë sot jam kaq i dehur

 

Poezi, ma hiq qafe vetminë

dhe aventurën e nënhijeve

muzë, pse më rri aq e heshtur

e më deh, me aq pak aromë!..

 

 

GJAKU I SHTËPISË

 

Ku i ke trimat moj shtëpi

derën ty kush ta ka mbyllur

luftë ka kudo nëpër Kosovë

i zoti shtëpisë ku do të jetë

 

Shtëpia heshtë, shtëpia s´flet

retë nga pak pluskojnë shi

dritaret qajnë për pak diell

era pemët sa shumë i dridhë

 

Ku i ke trimat moj shtëpi

dikur këtu kishte pesë djemë

dy vajza dhe prindërit e tyre

athua tani ku mund të jenë

 

Shtëpia heshtë, shtëpia s´flet

këtu munguakan edhe fqinjët

me pika gjaku qenka oborri

me pika gjaku qenka shtëpia

 

2

-----------------------------------

 

Nënë e Luftës e hapi derën

eja hyn brenda ti o njeri

në kopësht kam dy kufoma

o udhëtar i mirë më ndihmo

 

Kush je ti o Nënë e fisme

jam prej gjakut të shtëpisë

tre djem i kam në luftë

ata janë te Mali i Martirëve

 

Shoku qytetar prej qytetit

kë po e kërkon këtu i vetëm

kërkoj djalin dhe nusen

janë në UÇK, a i keni parë

 

Dreni yt dhe nusja Derada

janë në mbrojtje të atdheut

me ta janë tre djemtë e mi

me ata është tërë Kosova!..

 

 

Shqipeve të lirisë

 

- Xhevës e Fehmi Lladrovcit

 

Kosova i deshi për vete

të vuajtur ishin të dy

ata deshën të vdesin në

këmbë, të vdesin për liri

 

Lirinë e kishin në zemër

një pushkë kishin të dy

ata jetuan për të vdekur

ata vdiqën për të jetuar

 

Në pamje ishin të fisëm

në luftë qenë të bukur

ata e deshën Kosovën

më shumë se veten e tyre

 

Xheva e Femi Lladrovci

që kur ishin fëmijë

fletoret i kishin me zogj

dhe duart me shqiponja

 

 

T R E P Ç A

 

Në Trepçë është palca e Kosovës

qenia që të adhmen ma cakton

le të çmenden gjitha perënditë

Trepça Iliriane mua s´më mohon!..

 

Në të dielat e arit dhe të argjendit

në të hënat e shiut dhe metaleve

u vetëlind plumbi , zinku, argjendi

dhe kristalet me flori të Trepçës

 

Hapini ballinat e faqeve të tokës

të shihni feldspathet,...manganin

në të reshurat...mes vullkaneve

u vetëlindën Trepça dhe Opali

 

Qahen thëngjillet, floriret e tokës

qahet humusi.. dhe argjilet blu

me gjunj të natës m´i bien tokës

qahen pemët për degët kërcu

 

Fol gjuhë e lashtë e kësaj toke

Trepça e Kosovës prindin e di

Në Trepçë Kosova ka një emër

Mëmë e baba ia quajnë, Shqipëri

 

 

Komandant Lleshi

 

Fjala e fundit e Ridvan Qazimit

 

Zotërinj të historisë

Zotërinj të Luginës

unë fjalën e mbajta

gjaku ynë të mos thaj

 

Mes heshtjes e pritjes

fjalën e armatosëm

që Pushka e Preshevës

të dëgjohet Evropës

 

Zotërinj të l u f t ë s

Zotërinj të historisë

O do të jemi të lirë

O lufta jonë s´ndalon

 

Miq , vëllëzër , popull

të gjallë dhe të rënë

unë fjalën e mbajta

Lugina të jetë e lirë!..

 

Kënga e mbjellësit

 

Qysh kur arrës fletët i ranë

nën arrë u deshëm e u ndamë

fati neve pakëz na ndihmoi

derisa fletët arra i mbaroi

 

I mbetur vetëm me mbrëmjen

s´doja të shtrëngoja më veten

jetes unë ia hapa gjitha dyert

le të dehet me kë të dojë

 

Plot vite shkuan e do shkojnë

dhe ne njëri-tjetrin kërkojmë

jeta s´i uji përroit merr e ikë

po dashuria shumë ka meritë

 

Në kraharorin e një mbjellësi

zemra punon të mos pushojë

përjashta koha dhe ndërron

po zemra shpirtin s'e harron

 

 

ARBËNESHËT

 

Arbëreshët e Arbëneshit

e ruajtën frymën , gjakun

gjuhën e zakonet, folklorin

kujtimet dhe frymëzimet

Zërin ( kuq e zi) të këngës

 

Intervistës sime në Zarë

Deshpali i dha përmbajtje

Tek ata ullinj të gjakut

Shprehej poeti arbëresh;

„Me fjalë gjuhën e mbajmë

pa fjalë gjuhën e thajmë“!

 

Emri arbëresh,... tronditë

emri arbëresh zjarrmon

në trung të këtij emri të

moçëm; dega e thyer qan;

„kam edhe pak gjak në trup

kam edhe pak lot në sy“ !..

 

Po të ishim të kujdesshëm

barku i butë i arbëresheve

do bënte më shumë fëmijë

dhe arbëreshët do të kishim

më shumë fshatra dhe shkolla

dhe gjuha jonë arbëreshe

do të kishte më shumë fjalë

 

Arbëreshët e Arbëneshit

e ruajtën frymën, gjuhën

gjakun kuq e zi të këngës

falë Zarës zemërim-mirë

falë Zarës zemërim-gjerë!

Zarë, 1979

 

 

T A R A B O S H I

 

Ky diell i vluar në largësi

që vjen drejt nga gjithësia

vjen me rreze stinësh, të

ndritë ku është Shqipëria

 

Ky diell i vluar n´largësi

ulet i kthjellët n´Shqipëri

takon pemët këtej pari

dhe ngjitet vetë në qershi

 

Ky diell i vluar në largësi

që derdhet mbi Shqipëri

nuk është i zgjedhuri ynë

por i dashuruari i tokës

 

 

KËNGA e REXHËS

 

( sipas motivit popullor )

 

Nëna Rexhën e kishte djalë

Rexha nusen e kishte parë

Nusja e b u k u r , Rexha i ri

Të njohur ishin me dashuri

 

Dasmë e Rexhës, dasmë në zë

Katër shtëpi mbushur me miq

I gjithë gëzimi ishte në dasmë

Kënga e vallja nuk pushonin

 

Rexhën në dasmë do e vrasin

gjaku i Rexhës të mos shtohet

Ëndërr e nënës për djep të ri

ishte shpresa e saj për të birin

 

Vrasës i territ Rexhën e vranë

vrasja Rexhës, nusen e ndanë

nusja e bukur ,.. Rexha i ri

vrasës quhej një k a l ë i zi

 

Gjaku i Rexhës nuk do thajë

gjaku i këngës do ta mbajë

plagë e nënës s´mbyllet kurrë

vdekja e të birit i preu udhë

 

 

Kulla e Martirit

 

Ka ndal diell mbi Prekaz

E ka vu b u z ë n në gaz

Në Drenicë s´hyhet me sy

Tahir Meha vëzhgon n´dylbi

 

Ushtri e serbit po vjen zih

Vjen me tanke e me ushtri

Duan lirinë gjallë me lidhë

Po qëndresa udhën s´ mbyll

 

Tahir Meha një dardaniot

Pushka ime s´ flet veç sot

Plumbi i tij vret një Dodek

S´jepet kulla unë pa vdekë

 

Plumb i dytë vret një Milan

Vetë më hyri ai qen n´nishan

pikë e gjakut ku ka ra, pemë

e tokës kund s´ është tha!

 

2 )

 

Nebih Meha thërret. Tahir

Të lumtë dora o im bir

Tahir Meha shkreh në ´iq

Ne në luftë nuk jemi të liq

 

Dielli shëndrit mbi Prekaz

Tahir Meha po qesh me gaz

Babë e bir ngrehin një këngë

Babë e bir vrasin një gjëmë

 

Të lumtë zemra o azgan

Kështu luftohet për vatan

Ndal o serb o serbomadh

Kthehu prapa nga ke ardhë

 

Qysh kur ishte pellazgjia

Unë jam këtu n´tokat e mia

Tahir Meha pushkën mbush

Zjarri e do të ketë pak prush!..

 

 

G J I L A N I

 

Poetit të vrarë, Rexhep Elmazit

 

I vetëm, i vetëm

si një qytet në shi

vrasësi të vrau

tek v a r g u i ri!...

 

Gjilanit në këngë

më i m i r i djalë

Gjilanin e deshe

në Gjilan të vranë!

 

Zemra tha paguan

kënga do të mbesë;

të vranë e të shanë,

të shanë e të vranë!

 

Gjilanit në këngë

më i m i r i djalë

Gjilanin e deshe,

në Gjilan të vranë!...

 

 

E BUKURA MORE

 

Vëllëzërve të mi arbërereshë!..

 

Zemra zemrën qan e pyet

Malli mua m´i mbyti sytë

Në ëndërr shoh unë Morenë

Dheun e t´atës dhe atdhenë

 

Flet De Rada, flet dhe Ujko

Dushko Vetmo çon mesazh

Qan e bukura, qan i bukuri

Për Morenë e kam një mall

 

Flakë e shpirtit nuk shterron

Prush i zemrës nuk harron

Kujtoj hënë dhe kujtoj det

Sa herë gjaku im më thërret

 

Unë të desha po s´u pamë

Gjaku i shprishur edhe than

Gjuha jonë dritë shumëzon

Rrënja fort gjakun pastron!

 

 

Shqipja e Roganës

 

Kushtuar, Nevzad Balë Kryeziut

 

Ai nuk pranoi të dorëzohet

i refuzoi urdhërat e tyre

dhe për atë kundërshtim

Nevzadin Serbia e vrau

 

Ai s´pranoi të dorëzohet

as të tregoj emra e adresa

ai luftoi gjoks për gjoks

për ta mbrojtur pragun e tij

 

Nevzadi nuk u dorëzua , ai

i ndihmoi djemtë e lirisë

Luftën e UÇK-së e çmonte

si luftën tonë më çlirimtare

 

 

Ç E L Ë S I

 

Në një çelës që hap derën

përpiqesha të gjej veten

të gjej të kaluarën time

disa nga kujtimet e shkuara

 

Në një çelës që hap derën

lexoj numra të pafundmë

ëndrra të një kohe inerte

hije copash të shpërbëra

 

Në një çelës që hap derën

doja ta gjeja të kaluarën

pjesë të jetës së jetuar

që unë i kisha për zemër

 

Në një çelës që hap derën

plot gjëra s´kanë kuptim

plot gjëra s´ thonë asgjë

plot gjëra s´dua as t´i kujtoj

 

 

A R B A N I T Ë T

 

Unë flas gjuhën shqipe

i pat thënë mikut të tij

Aristidh Kola - Arbaniti

para se grekët ta vrisnin

 

Asgjë nuk ka mbaruar

më duhen 4 shekuj jetë

për ta kthyer mbarë, të

kaluarën tonë të shkelur

 

Nën atë qiell të Greqisë

të të vërtetave përmbys

shqipja bën luftën e saj

Çamëria të mos bjerë

 

Homeri shkruante shqip

në shqipen e pellazgëve

në pellazgjisht Odisenë

Aristidhi e kishte lexuar!..

 

 

P O E T I

 

Në poezi është gjaku im

Kosova e të gjitha kohrave

sa herë qan a ngec historia

vetëton e bubullon poezia

 

Midis ajrit, frymës dhe ujit

midis bimëve dhe bëmave

jeta jo ( rrallë ) pluskon

në heshtje, dhe pa beteja

 

Koha na do si do vetë

jo ashtu si e ( duam ) ne

ëndërrës zëshëm i thërras

po edhe ajo më del e zënë

 

Dhjamin dhe figurat zih

asnjë lloj i artit si duron

poezia skuqet dhe zbehet

kur me emër shenjëzon

 

 

LUTJA E ÇAMIT

 

A më lë o tokë të qaj

unë dua tek t´i një varr

unë dua këtu të rritem

gjaku im të mos thajë

 

Gurë gjyshi kam këtu

në beteja i ka mbjellë

brenda kam disa këngë

gjyshi im i ka shkruar

 

Toka ime, shumë të dua

më prano të vdes këtu

të betohem kam ardhë

tek shtëpia ku kam jetu

 

Çamëri o zemra ime

zëri i nënës më troket

guri gjyshit atje brenda

ngritu o bir, më thërret!..

 

 

Betejat në shtrat

 

Erosi më bëri të zhvishem

ju gëzova ardhjes së tij

mikun shumë e përqafova

derisa bërtisnja në dalldi

 

Populli ynë e do seksin

dhe di të bëjë dashuri

në mbrëmje drejt agimit

Iliri më mbërtheu për të tij

 

Erosi është i të gjithëve

erosi është i të gjithave

erosi mua zemrën ma njeh

erosit të ëmblen ia hongësha

 

Për të ëmblën e dashurisë

unë i thyej të gjitha rregullat

se shpirti sa jep, edhe merr

në shtrat, Erosi bën sherr!..

 

 

Britmat e Preshevës

 

Jam degë e Mollës së Kuqe

jo luginë, po krahinë e gjerë

jam Shqipëria e zvogëluar

jam një flamur me Kosovën

 

Si të jetoj nën terr të serbit

nën duart e tij të përgjakura

më sheh sa jam zvogëluar

për çdo ditë jam e burgosur

 

Në këtë tokë me Preshevë

me Bujanoc dhe Medvegje

Presheva këtu i ka varret

të rënët e të gjitha kohërave

 

O ti që flet krejt ndryshe

Jam degë e Mollës së Kuqe

Kosovë është emëri im!Dhe

Shqipëri është Presheva, hej!...

 

 

Elegji për Shpresa Gecin

 

Zemër e lules, zemër e jetës

vdekjes të gjithë i përkasim

në çdo çast ecim drejt saj

vdekja i zgjedhka të vetët

 

Zemër e lules, zemër e jetës

i ftohti saj të bukurën e than

vdekjes të gjithë i përkasim

mbretër, të pasur, shenjtorë

 

Vdekjes të gjithë i përkasim

gjeniut të saj si dilet përpara

po jeta qenka udhë e pafund

vdekja lotin e paska të rëndë

 

Zemër e lules, zemër e jetës

vdekjes të gjithë i përkasim

Shpresa, ti na le të pikëlluar

e mua më le të qaj me shiun

 

 

B A B U S H I

 

poemë për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun

 

Në bashkësinë e kombeve

dhe në historinë e luftave

nuk ka hero të ngjashëm

që mund ta ngrejë aq lart

emrin e dhéut dhe atdhéut

dhe emrin e popullit të tij

sa trimi, Gjergj Kastrioti

Në kohën e Babushit tonë

Shqipëria ishte një tërësi;

e zgjuar në çastet e kohës

E zgjuar për luftë dhe beteja

Nën qeverisjen e Gjergjit

edhe guri kishte kurajon

që atdheun e shqiponjave

askush të mos e lakmojë

Në atë epokë të ndritur

Gjergj Kastrioti, Babushi

i bashkoi gjithë shqiptarët

në luftë kundër armikut

 

2

----------------------------------

 

Në takimet e tij në Durrës

në Gjirokastër , e Shkodër

në Shkup, Thanë, e Kosovë

Gjergji e thërriste popullin

që populli ynë t´i përgjigjej

proceseve të qytetërimit

Në Thanë, ai i foli popullit

“S´di çfarë ju bën të dashur

s´di çfarë ju bën të lumtur

por, nën tehun e shpatave

me shpatë duhet të luftojmë!”

Pra, para se t´ia behë lufta

përpara se të vijnë Osmanët

këtu ishte Gjergj Kastrioti

g j a k u ynë i l i r i s ë

Në ç a s t e t më të duhura

në çastin më të vështirë

Gjergji i dha shkëlqim tokës

dhe i çau të gjitha rrethimet

Shqipëria të mos shkilet

 

3

--------------------------------

 

Në njëzet e katër luftëra

në njëzet e katër beteja

në njëzet e katër fitore

Gjergji ishte lavdia jonë

ai që i dha përgjigje kohës

të rrojë për jetë Shqipëria

Princa të mirë të Arbrit

i fliste Këshillit të luftës

mos u ligështoni, mbahuni

jini në detyrë të atdheut

kjo pasuri e vetëdijes suaj

për të mbrojtur Shqipërinë

veten dhe gjënë e gjallë

na bënë nder të gjithëve

që liria të jetë Shqipëri

që liria të jetë shqiptar

dhe që liria të jetë flamur

Princa të zgjuar të Arbrit

lufta është ekuacion , me

të papritura e të panjohura

kjo luftë kundër pushtimit

është luftë për Shqipërinë

 

4

------------------------------------

 

Princa të nderuar të Arbërit

princa të paqes dhe të luftës

gjaku i lirisë sonë nuk tretet

edhe sikur të na vrasin , edhe

sikur të na mundin e therin

farë e huaj këtej s´do të mbijë

Shqipëria është gjak i moçëm

g j a k i shkruar nëpër libra

gjak i shkruar nëpër këngë

gjak i shkruar nëpër beteja

gjak i shkruar nëpër rrënjë

Në këtë vend shumë të pasur

me klimë të butë dhe me det

të gjitha parajsat janë këtu

për të lindur e të palindur

këtë pasuri të dhënë nga zoti

duhet ta ruajmë e ta mbrojmë

që shtetin ta bëjmë të fortë

të qëndrueshëm dhe modern

Shqipërisë sot i duhen fitoret

mbase vetëm me fitore,mund

 

5

------------------------------------

 

të ndërtojmë atdheun tonë

Këtë tokë me det e me diell

që ne e quajmë Shqipëri

vetë duhet t´i dalim zot, për

këtë kam urdhër nga zemra

kam urdhër dhe nga ai lart

që humbjet të mos i ndjejmë

Shqiptarë të të gjithë vendit

mbajeni njëri tjetrin, duajeni

I munduri vet do të paguajë

gjobën e rëndë të pushtimit

Në këtë orë të proceseve

në këtë orë të historisë sonë

Shqipëria është gjaku ynë

adresa e jonë në këtë botë !..

 

 

MOLLA E K U Q E

 

( Trimit popullor, Heto Kokajt )

 

Mollë e kuqe - mollë me gjak

Tri Serbia - tye t´kanë hak

Mollë e kuqe - mollë me fletë

E tërë Toplica, tharë ka mbetë

 

Zogu i shqipes - kah fluturon

Shqipja në shqip,veten këndon

Pikë e gjakut, Mollë, ku ka ra

Pemë e tokës kund s´është tha!

 

Bjeshkët tona s´janë veç dushk

Bjeshkët tona janë plot pushkë

Mollë e kuqe - Mollë me fletë

Çështja tokave- keq ka mbetë!

 

Heto Kokaj - një trim me nam

Zaptuesit serb kudo i vranë

Kjo Kosova- s´ është pa trima

Troshat e bukës i bën vetima!

 

2 )

 

Burgu i Nishit - një Kafkë-kullë

Tokat tona shumë i ka s´rrudhë

Besa e burrave e dhënë n´Sefer

Më urdhëron të rrojë me nder!

 

Në Kosovë plotë janë kullat

Brez pas brezi luftojnë burrat

Në një mesnate - në terr të zi

Molla e kuqe - i shfaqet në sy

 

Memzi erdha - o trim i madh

Unë jam Molla e tharë e ndarë

Heto Kokaj, Mollën e pëvetë

Pse kjo hënë veç hyn e s´flet

 

( Është hënë burgu, o im vëlla

Shih Serbia s´i na ka nda )

 

Burgu i Nishit - një burg i zi

Vret me pranga - trimat s´i ti

Burgu i Nishit- liri ndëshkon

Vret me pranga-Kosovën tonë

 

3 )

 

Heto Kokaj, në këmbë është qu

Gurët me gjak m´i kanë mbulu

Bjeshkët tona s´janë veç dushk

Bjeshkët tona kanë dhe pushkë

 

Motër e gjakut - pse po qan

Plagët tua i kam n´çdo anë!

Në Kosovë kur lindet djalë

Kah molla e kuqe e puthin në ballë

Mollë e kuqe - mollë me gjak

Tye Serbia shumë t´ka hak!

 

Oj Kosovë, Kosovë e luftës

Në luftë jam lind e në luftë po vdesë

- buzët tokës m´ju kanë tharë

Pa luftuar dhe gjak pa marrë!..

...............................................

Ah Toplicë... e Jeni Pazar !..

Plagët tuaja i kam ( këtu ) varr.

 

Burgu i Nishit thërret “pomoq”

Heto Kokaj “Nishin” e dogj

Heto Kokaj - thyen qelinë

Flakë për flakë vret xhandarmërinë

Heto Kokaj dhe Gjelo Guri

Ranë në luftë - të rrojë flamuri!..