E enjte, 28.03.2024, 03:06 PM (GMT)

Mendime

Astrit Lulushi: Vetëdija e emrit

E diele, 25.05.2008, 09:29 AM


Vetëdija e emrit

Nga Astrit Lulushi
     
Nuk ka njeri pa emër dhe nuk ka gjë në botë që ai të mos ketë emërtuar. Kjo ndoshta që nga kohët përtej lashtësisë, kur homo sapiens sapiens u bë i vetëdijshëm se ekzistonte, por edhe kuptoi se ishte i vdekshëm. Shkencëtarët thonë se evoluimi i organit të të folurit, ka qënë hapi parë i ndarjes plotësisht të njeriut nga kafsha. Krijimi i vetëdijes mund të cilësohet hapi i dytë, pasi njeriu arriti të kuptojë se vdekja ishte e pashmangshme dhe se pa ushqim jeta e tij bëhej e pamundur. Njësoj i egër, por tani edhe i vetëdijshëm, ekzistenca u bë qëllimi apo interesi i tij kryesor. Por për të mbrojtur këtë interes, njeriut i duhej njohja e cdo gjëje për rreth dhe secilën prej tyre atij i duhej t’a dallonte qartë. Kështu mendohet të kenë lindur emrat, fjalët e gjuhët, por mbi të gjitha, UNI. Kështu emri i parë i njeriut mund të ketë qënë vetë-emërim, i shtyrë nga interesi i tij për mbijetuar. Në vazhdim të arsyetimit, edhe emërtimi i një vend-banimi në kuptim të ngushtë; familje, fis, fshat, qytetet, apo në kuptim të gjerë; shtet, kontinent, por jo botë, duhet të këtë shërbyer fillimisht për të mbrojtur interesat e veta. Popujt afër e larg, për grekët e lashtë ishin barbarë, vetëm sepse flisnin gjuhë ndryshe. Fqinjët e tyre në veri ata i quanin edhe me emrin e përgjithshëm, Ilirë, ndoshta sepse këta jetonin në gjendje të lirë, të përcarë, jo të bashkuar. Por kur grekët ranë në kontakt me ta, atëhere filluan të shfaqen në histori edhe emrat e vecantë të fiseve ilire. Dardanët, p.sh., përmenden për herë të parë nga Homeri tek Iliada ku ata duke qënë aleatë të trojanëve, nuk mund të mos përfilleshin nga grekët, të cilëve u interesonte t’a njihnin me emër kundërshtarin, pasi kështu mund t’a dallonin më mire e rrjedhimisht të mbroheshin prej tij.
Gjithashtu, kur grekët e lashtë filluan të zgjeroheshin, ata hynë thellë në territoret e panjohura, “barbare” dhe aty ku ndaleshin ngrinin tempuj e vendosnin kolonë, duke e bërë vend-banimin në dhe të huaj një qendër interesi për veten. Nëse një vend-banim të tillë ata do ta kishin quajtur përgjithshëm, “toka e barbarëve”, kolonëve ose ushtarëve, do t’u duhej të endeshin gjatë për të arritur ku kishin në plan. Prandaj, për të kolonizuar e mbrojtur një qëndër të tille me interes ekonomik, kulturor a ushtarak, atyre u duhej t’i jepnin asaj një emër, mundësisht sa më të qartë, të kuptueshëm e të lehtë në komunikim, për t’iu shërbyer sa më mirë këtyre interesave. Perandoria romake, tepër e ndikuar nga kultura e lashtë greke, gjithashtu ndoqi të njëjtin sistem emërtimesh. Për romakët, kërcënimi apo shqetësimi kryesor nga lindja vinte nga përtej Adriatikut, nga rajone të mbizotëruar kryesisht nga fiset ilire, prandja edhe të gjithë rajonin ata e thërisnin Iliri, sepse i gjërë ishte edhe interesi i tyre strategjik. Pas disa shekujsh sundimi, ky interes strategjik u bë më i qartë e më i vecantë, për cdo zonë. Shqipëria e sotme, nga të huajt quhet Albania, emër i dhënë ndoshta nga romakët të cilët e kishin më të lehtë për ta shqiptuar pasi ishte thuajse i ngjashëm me emrin e rajonit italik, Alba-Longa. E njëjta gjë duket se ndodhi edhe me një rajon paksa në lindje, i cili për qindra vjet shërbeu si pikë strategjike e interesi për romakët pasi ishte një nga zonat kryesore të përqëndrimit të trupave të tyre. Kur perandoria romake u shpërbë dhe këto trupa u shpërndanë, shumica e prej tyre u bashkuan me banorët vendas. Shumë shpejt ata filluan të quheshin rumunë dhe vendi i tyre i ri, Rumani.
Historiani gjerman Barthold Georg Niebuhr (1776-1831) tregon një tjetër shembull domethënës se si emri i qytetit Epidamnus u shndërrua Dyrrhachium (Durrës). Duke iu referuar traditës që kishte mbritur deri ne shekullin XVIII, Niebuhr thote se emri i qyteti duket se ndryshoi me një vendim të Senatit romak, pas një kërkese të Qezarit i cili argumentonte se kur legjioneve romake t’u jepej urdhëri për të marre qytetin Epidamnus, ai donte që ata t’a pushtonin dhe jo të tërhiqeshin a dorëzoheshin. Qezari shqetësohej se urdhëri mund të kuptohej gabim, pasi Epidamnus ngjasonte me latinishten “damnum” që do të thotë “humbje”. Në këtë rast, po për qëllime strategjike e lehtësi komunikimi, të huajt parapëlqyen “Dyrrhachium”, sic quhej qyteti nga vendasit, ilirët. Argumente të ngjashëm mund të përdoren edhe për shpjegimin e emërtimeve të huaja sllave e turke, emërtime të cilat u panë nga pushtuesit a kolonët si të domosdoshme për ekzistencën dhe mbrojtjen e tokave të pushtuara apo interesave të tyre. Parë nga një kënd më i gjërë, nëse mendohet për një moment që njerëzimi është një organizëm dhe njeriu një molekule e tij, atëhere arsyeja që planeti Tokë nuk ka një emër të përvecëm, tregon se njerëzimi si racë, nuk ka frikë se interesi i vet mund të preket a kërcënohet nga krijesa të ndonjë planeti tjetër, pasi deri tani nuk ështe provuar se jeta ekziston edhe gjetkë. Por gjithashtu është fakt se njerëzimi u ka vënë emra të pervecëm të gjithë planetëve që njeh si dhe shumë trupave qiellorë, ndërsa planetin ku jeton e quan me emër të përgjithshëm, si botë, tokë a glob. A mos tregon kjo se njerëzimi, si organizëm, ende nuk ka arritur shkallën e vetëdijes, që karakterizon molekulën e tij, njeriun? Sepse si individ, njeriu e di se është i vdekshëm, ndërsa si i tërë, njerëzimi mendon se do nuk të shuhet kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora