E marte, 16.04.2024, 09:27 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një zemër që pikon luleloti

E enjte, 17.10.2013, 09:49 PM


NJË ZEMËR QË DI TË PIKOJË  LULELOTI

Mendime pas leximit të trilleve poetike “Lind nga perëndon” i poetit elbasanas Fatmir Musai

NGA PËLLUMB GORICA

Kam lexuar mjaft vëllime me poezi, por metaforën luleloti, edhe pse e kam hasur shumë rrallë, nuk më ka bërë aq përshtypje, se sa tek vëllimi poetik “Lind nga perëndon” i poetit elbasanas Fatmir Musai. Gjuha metaforike, e ngjeshur me elokuencë brenda një strofe katërvargëshe  plot nuanca popullore, më bën të them, se gjetja poetike “ luleloti”, është kuintesenca e gjithë vëllimit poetik, gjë që tregon, se poeti Musai, i pjekur tashmë artistikisht, njohës i thellë i të përditshmes, di të jetojë me dinjitet midis lotit të dhëmbjes dhe atij të gëzimit, të cilët janë të përjetsuara në damarët e jetës  e që kur duhet pesimizmin e kthejnë në shpresë e besim, dhe mbushin me plot luleloti sytë e njomzuar të pranverës së jetës.

Poeti e ndan librin e tij në gjashtë kapitull, ku secili titull sintetizon një periudhë plot tensione  jete  e pulsime dashurie: 1- Lotë të qelibartë, 2-Mos ma shisni fëmijërinë, 3- në një cep të hënës, 4- Si qindra hirushe, 5- Dashuri mëkatare, 6- Rishikimi i Ferrit.

Poeti  ëndërron për  qiejt e lumturisë, përkundet e bën sikur dremitet në pekulet e një kohe plot butësi e shkëlqim, endet në honet e një të shkuare që e josh me mirësinë e nostalgjinë e saj, por shpejt zgjohet, mpreh shikimin, kthjellon gjykimin dhe e sheh në sy realitetin që jeton, realitet që i ngërthen në vetvete gjithçka, sinqeritetin dhe djallzinë, egon dhe miopinë, hipokrizinë fetare dhe ëndrrën për dijen,  guximin për të ecur para, por edhe plogështinë që herë të gozhdon në vend e hërë mundohet të tërheqë prapa. “Ëndrra të përkund, realiteti të zgjon” – thotë Irvin Stoung. Ndaj edhe poeti Musai ëndërron kur duhet, e zgjohet e bëhet i gatshëm për tu zgjidhje problemeve shqetsuese të kohës.                                                                                                                             Brenda katërvargjeve që autori i përdor me mjeshtëri  të rrallë artistike, lëviz një koncizitet i madh, enden metaforat e ngjiten epitete, dhe ashtu si tulla të pjekura fort në nxehtësinë e zjarrmisë së jetës, vendosen në faqet e librit ndarë në 6 kapituj, si gjashtë dritare të mrekullueshme që shpërndajnë  rreze drite e vesë mëngjesi.

Për moshën e pjekurisë që ka arritur, poeti mundohet tu thurë një himn gjithçkaje që ka kaluar në jetë, por sidomos të ngrejë në piedestal  fëmijërinë me çapkënllëqet e saj, rininë me dashurinë e pavdekshme, që një zemër edhe pse e kalitur në dallgët e jetës, nuk i ndal dot lotët ë qelibartë.  “Mos ma shisni fëmijërinë”, është titulli i një kapitulli. Gjetje e bukur. S’ka gjë më të bukur, thesar më të vyer se fëmijëria, sidomos kur ajo është e vuajtur, kryeneçe dhe ëndërrimtare.  Ja se sa me ndjeshmëri mediton poeti para dy fshatarëve që shesin manaferra: “Pashë dy fshatrë që shesin manaferra/mes tregut të ëmbël ku grerat venë e vinë/sërish më dhëmbin të çarat e duarve në ferra/Dhe bërtita: Ej mos ma shisni fëmijërinë.” Është kjo arsyeja shtytëse e ndjenjave të tij që shkon e shpesh; “Koven e motiveve na e mbushka/në pusin e kulluar fëmijëri.”

Gjashtë kapitujt e vëllimit bëjnë bukur lidhjen morale e psikologjike të poetit me mjedisin rrethues, gërshetojnë natyrshëm moshën e pjekurisë që bëhet shpesh nostalgjike me çdo gjë të bukur që kaloi e që jeton, kritikën për të shëmtuarën dhe meditimin plot shpresë rreth vazhdimësisë së brezave, duke qenë kjo lidhje e mbrujtur  me afshin e pashtershëm të dashurisë së pavdekshme, ndjenjën më fisnike të njeriut.

Por dashuria te poeti Fatmir Musai nuk është deklarative, pompoze e mburravece, e fituar nëpër tavolina duke pirë limonata, por është e thellë e brendshme, që buron nga një shpirt i dlirë, që herë herë sikur i del padashur në sipërfaqe, por më shumë rri e fshehur, si motiv për arritje të mira e të pavdekshme. Ai kërkon dhe poetizon atë dashuri që të bëhet edhe akull edhe avull, të bëhet edhe gjethe peme e të çojë në zhveshjen e vajzave, por edhe të pulsojë gjak të freskët në damarët e njeriut. “Ajo kurrë s’më ka thënë/pse s’duhet të rrijë me të/Pse don të jetë me mua/Ma pëshpërit shpesh nën zë”

Herë nostalgjik, e herë ëndërrtar, herë mes miqsh e shokësh, e herë i braktisur nga ato, Musai kërkon të jetë kudo i pranishëm në konglomeratet e kohës, herë si erë që mbështjell gjithçka e herë si Robinson i vetmuar, herë duke lotuar mbi një varr e herë duke thur një varg për dasmën e nuseve, ndaj janë të plotkuptueshme vargjet: “Sa bukur të jeshë erë/ca flokë të ledhatosh/gjithkund dhe askund/Mbi tokë të mbretërosh./Sa mirë të jesh Robinson/në ishullin tënd të vetmisë/vec  dallga mesazh të dërgon /nga botë e zhurmërisë.”

“Lind nga perendon”, do të thotë se vazhdimësia e jetës është dialektike dhe e pandalshme, sado lot mjerimi e gjak pengesash të ketë.  E në këtë rrugë të pandalshme zhvillimi poeti vlerëson njerëzoren,arsyen, shpresën e besimin, ngre lart idealen dhe morale mbi pragmatizmin bajat : “Trupi është i pangopur/hambar që se mbush dot/ shpirti që të gjallojë/i mjafton vetëm një pikë lot.”

Në kapitullin “Si qindra hirushe”, poeti i thur himne dashurisë, ashtu si dhe në kapitullin”Në një cep të hënës”, por ndonëse“në cep të hënës ai kërkon e gjen dashurinë ëngjëllore, të cilën e zbret në tokë dhe e bën pjesë të pulsimit jetik, nëpërmjet “qindra hirusheve” ai bën dallimin mes dashurisë hipokrite dhe asaj të kthjellët njerzore, duke u çorrur maskën  tërë atyre besimtarëve, që mbajnë mjekra dhe çallma në sipërfaqe,por  në fakt mbajnë djallin në bark: “Me partinë e Krishtit ish bota/më pas me Muhamedin të tjerë/këmbëkryq mes tyre rri Buda/përqark- hosanna skllevërit e mjerë.” Është kjo hipokrizi fetare, më shumë për privilegj e interes se sa për Bibël e Kuran, që e “detyron” poetin që “të bëjë çorape me mjekrën e hoxhës e priftit” e të mos pajtohet me atë besimtarin hipokrit që me”perëndinë në stomak, ngrefoset i devotshëm se bën kurban”. Poeti i mallëngjyer për kohën e shkuar, që ndoshta qe e varfër në pasuri, por  që ishte plot njerëzllëk, plot shpirtbardhësi, ku njerëzorja mposht mekanikën, ndaj shkruan: “S’vinë më si dikur miqtë në shtëpi/Ku ison e ndizte flakë një dolli/ Miqëve u rezervojmë vend vakant/Mirëseerdhët u themi në restorant.”

Që nga vargu i parë ku “pisha qan me lot të qelibartë rrëshire” e deri tek vargu i fundit  tek “një natë e pagjumë”, bota e madhe e poetit është në luftë me të keqen dhe hipokrizinë dhe derdh pika djerse për tua shtuar më shumë lotët e gëzimit njerzëve, ndaj ai kërkon që të mbetet gjithmonë zgjuar, në lëvizje, në ndryshim sado që “deti mbetet po det”.  Poeti është i vetëdijshëm, se kush ka lindur pa tjetër do të vdesë, ashtu siç bëhet përsëritja dielektike, lind - perëndon e perëndon - lind, ndaj tregon hapur se është krenar për jetën që bëri, për kontributin e sinqertë që dha në këtë rrjedhë të vështirë jete, ndaj nuk është pishman për çka ka ikur. Atë e shqetson vetëm një gjë: Pas të lëjë emrin e mirë, shokë e miq të gëzueshëm, një shoqëri harmonike plot ndjenja njerëzore, që lindja të burojë gjithmonë nga perëndimi, e udhët e jetës të jenë plot dritë për brezat që vijnë. Ai pasi kërkon që për vete të lëjë një vepër të mirë pas e një emër që rrojë ndër vite, kur shkruan se: “Natën e mire po iki më parë nga ju/diku larg në humbëtirë/po shpirtin po e lë këtu/që tju thotë natën e mire” nuk mbetet vetëm tek meraku i vetvets, për të kaluarën, por e shqetson më shumë vazhdimësia e jetës, që pasardhësit të ecin në gjurmë të sigurta, ndaj ai shkruan me fjalë zemre për nipin: “Je mjalt i mjaltit/shpirti im në gen/sepse unë po iki/edhe ti po vjen.“

Kjo është më shumë se një ngazëllim poetik, është shprehje e garancisë së burrit, babait e gjyshit se kur je i përkushtuar, e ardhmja është në duart të sigurta.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora