E premte, 19.04.2024, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Gojçaj: Violeta Allmuça, Dashuria vjen nga jugu

E merkure, 16.10.2013, 08:21 PM


RECENSION

Dashuria dhe liria kanë nevojë për njëra-tjetrën       

(Violeta Allmuça, Dashuria vjen nga jugu, roman, botoi: OMBRA GVG, 2012, Tiranë)

Violeta Allmuça shkruan me një stil të shkathtë, të ndërlikuar, të mençur, deridiku eseistik. Çfarë ajo shkruan, ka shpirt. Romani "Dashuria vjen nga jugu" prek shumë tema dhe shtron shumë pyetje. Dhe jep një përgjigje të qartë: kur zhduket dashuria, rriten dhimbja dhe padrejtësia. Thotë po ashtu se dashuria dhe liria kanë nevojë për njëra-tjetrën.

Nga Anton Gojçaj

Po qe se rasti ose kureshtja të prin në pyllin narrativ të romanit "Dashuria vjen nga jugu" të Violeta Allmuçës, duhet të lëvizësh ngadalë. Labirinti sintaksor i mendimeve dhe thurja komplekse e syzheut kërkojnë përqendrim dhe kujdes maksimal, sepse filli humbet kollaj dhe leximi pastaj duhet nisur përsëri prej fillimi. Këtë aventurë mund ta çojë deri në fund vetëm ai që është i pajisur me durimin e plotësuesit të një "puzzle"-s me shkallë mjaft të lartë vështirësie. Episodet rrëfehen duke lëvizur në kohë, duke iu shmangur simplifikimit të tepruar në rrëfim.  Disa gjëra nënkuptohen, megjithëse nuk thuhen qartë, si një dritëhije (chiaro-scuro) në artin e pikturës..., bie fjala edhe te përfundimi enigmatik i Linës me sy të bukur. Narratori përdor teknikën e mjeshtrit të dritave në teatër, prozhektorët që ai drejton ndriçojnë vetëm ato ngjarje, figura apo personazhe ku duhet të drejtohen shikimet dhe vëmendja e lexuesit, pjesët e tjera të skenës mbeten në errësirë.

Përshkruhen historitë e dashurisë së disa çifteve: Tom Selës dhe Linës, Maksit dhe Dorës, Henrit dhe Dalinës... Mirëpo kryepersonazhi i vërtetë është kafka enigmatike e një gruaje, në zgavrat e së cilës, sapo lindte dielli, krijoheshin lotët. Kafka që përlotet në tryezën e antropologut Maks Berger shndërrohet në obsesion për profesorin.

Rrëfimi hapet me çastin kur studentja shqiptare e çështjeve ndërkombëtare, Dalina, sjell edhe një herë nëpër mendime dashurinë pasionante që përjetoi, në trenin e linjës Edinburg-Londër, me arkeologun e sapodiplomuar, londinezin Henri. Dashuria ndodhi derisa ajo po shkonte te  mikeshat në Londër, për të festuar Krishtlindjen dhe për të vazhduar pastaj për disa ditë në atdhe, që bashkë me nënën të priste ndërrimin e motmoteve.

Rrëfimi për kumbaren e Dalinës, Marijen, e sidomos për të ëmën e Marijes, Linën - dikur gruaja më e bukur e Butrintit, nuk është vetëm një digresion i zakonshëm sa për të shtyrë fundin e romanit. Lina shquhet me bukurinë e jashtëzakonshme, për çka mori epitetin - syndjellëse. Narratorja e përshkruan me ngjyrim lirik Linën: " Edhe zogjtë u ulën nga majat e shegëve të egra kur panë gruan e hijshme. Thanë se ishin grumbulluar shumë dhurata. Gratë dhe vajzat e bukura të qytetit u bënë xheloze.Burrat atë natë i harruan fytyrat e grave të tyre dhe jetuan me frymën e saj." Një bukuri e tillë s'kishte si të mos i ndillte probleme asaj që e posedonte. I shoqi, Tom Sela, ishte shumë xheloz, kurse asaj nuk i pëlqente që ai ta trajtonte si kukull. Ajo nuk donte të ishte vetëm lodër, as pronë e dikujt, madje as e njeriut që vetë e dashuronte. Tom Sela në kulminacionin e xhelozisë, një ditë, e nxjerr nga shtëpia të shoqen dhe e bija e vogël nuk e sheh më nënën e vet. Në marrëdhënien pasionante të Tomit dhe Linës, dy karaktere të forta, ka gjurmë të luftës së përhershme për dominim (në marrëdhënie, familje) ndërmjet dy gjinive, luftë kjo që jo rrallë e mbyt dashurinë, sado e fortë të jetë ajo, shpesh duke eklipsuar mbarë jetën e mëtejshme të protagonistëve. Një lidhje tjetër Tomit i kushtoi shtrenjt. Marrëdhënien me një pushtuese meshkujsh, bashkëshorte e një politikani të njohur, e cila ishte shumë e vetëdijshme për bukurinë e vet, e pagoi me jetë.

Henri, në linjën tjetër rrëfimore, i tregon të atit të vet, Maksit, se në tren kishte takuar një vajzë "me fytyrë të ngjashme me imazhin e kafkës së gruas së pazbuluar në laboratorin e tij". Imazhi i profesorit të antropologjisë "mes skeleteve që së bashku i ngjanin një ushtrie të zhdukur ose të ngrirë në reportazhet e tmerrit. Rrinin aq pranë njëri-tjetrit sa dukeshin se kishin të njëjtën histori, kishin marrë pjesë në të njëjtat beteja dhe aq më shumë vuanin nga vegimet e heronjve", më ngjalli, nuk e di përse, një asociacion të largët me gjeneralin e ushtrisë së vdekur të Kadaresë...

Shkencëtarët që bien në dashuri me fytyrën e përshtatur (me ndihmën e programit kompjuteristik) të kafkës së gruas së panjohur është një gjetje e bukur e shkrimtares. Në këtë kontekst edhe personazhi i bashkëshortes së shkencëtarit, Dora, ndërtohet me psikologji të veçantë. Ka diçka rrënqethëse dhe madhështore në temën e doktoraturës të profesor Maksit për të zbuluar identitetin e kafkës, ose "të vërtetën e kafkës pa origjinë".

Vera Broja, një grua e re, e palumtur, e cila përjeton traumë pasi e detyruar nga i shoqi ia shet vajzën e vet një zonjës angleze, është një portret tjetër që ngulitet në kujtesën e lexuesit, në këtë galeri femrash të pazakonshme.

Romani mund të lexohet edhe si një alegori për marrëdhënien e ndërprerë në mes Europës së Vjetër (kafkës) dhe Europës së Re (profesor Maksit, por edhe shkencëtarëve të tjerë), në rrafshin metafizik, apo edhe për rinjohjen e tyre, që këtu realizohet përmes dy të rinjve, anglezit Henri dhe shqiptares Dalina, si një lidhje dashurie (Shqipëri-Europë) me një perspektivë reale. Lina, ose personifikimi i pjesës së Europës së vjetër të njohur me emrin Shqipëri, u bë peng i bukurisë së vet së cilës s'i rezistonte njeri, ndërsa Dalina, personifikim i Shqipërisë së re, lufton "dufin kundër botës me dashuri". Këtë kuptim interpretimi e përforcojnë fjalët e narratorit, kur thotë: " Perandoritë e universit ua ndanë trungun. Megjithatë rrënjët i merrnin kudo me vete."

Në roman përshkruhet realiteti i brendshëm, emocional, i njerëzve, një Shqipëri e brendshme, shpirtërore. Në këtë drejtim mund të kuptohen fjalët e Dalinës, të cilën antropologu Maks Berger e quan intuitivisht Lina (vetë kafka misterioze ishte e Linës, ndoshta!?), që ajo i shqipton në fund të romanit: " I shemba muret që na ndanin", për të vazhduar: " Unë e dua gjithë botën. Askush nuk mund të jetojë i ndarë." Romani është një rekuiem për ndarjen e dhunshme të një koke nga trupi, të pjesës nga tërësia. Pse jo, edhe rekuiem për dashurinë e shkëputur në mënyrë të dhunshme nga liria.

Mos vallë romani na porosit se Europën e ftohtë, materialiste, mund ta ngrohë (kthejë në vetvete) pikërisht dielli i dashurisë që vjen nga jugu i saj, pra edhe nga Shqipëria...? " Dalina Heta u mbulua me diell. E kishte marrë me vete edhe atje larg diellin", thotë narratori në pasusin e fundit të romanit. Shqiptarët, jo vetëm gjeografikisht por edhe historikisht, janë pjesë e identitetit shpirtëror europian, por edhe vetë Europa, mund të gjejë diçka që e ka humbur e që mund të forcojë imunitetin e identitetit të saj (aktualisht në luhatje), duke u hapur dyert shqiptarëve dhe Shqipërisë. Shqipëria dhe Europa, pavarësisht nga joproporcionaliteti numerik, apo edhe ekonomik, janë dy copa të një shpirti që e kërkojnë njëra-tjetrën dhe që i duhen njëra-tjetrës. Përmasa polititike e romanit del në shesh edhe kur narratori parafrazon disa mendime të një profesori të Dalinës, sipas të cilit " planeti mbetej po aq i vërtetë dhe i madh, sa një atdhe i vogël i matur me milje. Pak nga pak, trupi i ndarë i çdo kombi kërkonte të bashkohej. Ky mbetej një amanet nga paraardhësit edhe pse ata ishin në atëbotë."  Mirëpo, në vend të imazhit të diktatorit, të cilin nuk e mbante mend, Dalina kujtonte fytyrën e të dashurit të vet, Henrit. Dalina është modeli i një shqiptareje të brezit të ri, me botëkuptime të emancipuara politike: " Ajo e konsideronte kundërshtarin politik si një qenie të natyrshme civilizimi dhe jo si armik." Sa shumë nevojë kanë demokracitë e brishta të Ballkanit për njerëz që kështu do ta perceptojnë politikën...

Rrëfimi ka thellësi. Idetë dhe situatat e sajuara mjeshtërisht, me figuracion të pasur e poetik, prodhojnë një diapazon të gjerë domethëniesh. Narratori i gjithdijshëm e influencon përjetimin e lexuesit më shumë sesa që fokusohet në paraqitjen e përimtësuar të ngjarjeve. Është roman i mendimeve dhe ndjenjave, e jo roman i përshkrimit të veprimit.

Violeta Allmuça shkruan me një stil të shkathtë, të ndërlikuar, të mençur, deridiku eseistik. Çfarë ajo shkruan, ka shpirt. Personazhet femërore dalin më të fuqishme sesa të meshkujve. Disa prej këtyre personazheve janë gra fatale (Lina, pastaj bashkëshortja pa emër e Ilir Gurit), kurse disa të tjera janë vetë viktima të fatit (Maria, Vera Broja...). Por edhe Maks Bergeri, Henri, Tom Selca, Martin Nagri janë karaktere të besueshme dhe të ndërtuara me dije.

Ky roman prek shumë tema dhe shtron shumë pyetje. Dhe jep një përgjigje të qartë: kur zhduket dashuria, rriten dhimbja dhe padrejtësia. Thotë po ashtu se dashuria dhe liria kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ky roman është, para së gjithash, një përpjekje në drejtim të vetëdijesimit të njerëzve  se bota, aktualisht, ka nevojë për më shumë dashuri. Apo, siç thotë në fund Dalina: "Le të ngremë një dolli për jetën dhe dashurinë... Cheeers!"

Për autoren:

Violeta Allmuça është shkrimtare bashkëkohore shqiptare. Deri tash ka botuar romanet: Era e pasionit, 1995, Zonjusha në mjegull, 1998, Julia, 2004 dhe Dashuria vjen nga jugu, 2012. Ka botuar edhe dy vëllime poetike dhe një libër publicistik. Jeton në Tiranë, si shkrimtare me profesion të lirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora