E shtune, 26.11.2022, 03:10 PM (GMT)

Kulturë

Flet ish i përndjekuri politik, piktori Lirim Biçaku

E merkure, 16.10.2013, 05:58 PM


Flet ish i përndjekuri politik, piktori Lirim Biçaku: Vite të tëra, katër familje në një dhomë

Në Savër na çuan në një stallë kuajsh

Nga Albert Zholi

Jeta e tij është shumë e vështirë. Madje, deri diku e pabesueshme. Në vitin 1945 babai i tij arratiset së bashku me gjyshin dhe kështu rritet jetim, vetëm me nënën. Kishte ëndërr të bëhej piktor. Vjen një ditë dhe konkurroi për piktor, ku fitoi, por për arsye biografie nuk e pranuan në shkollë. Por, të qenit i internuar për 50 vjet, bëri që ai të lexojë mbi 2 200 romane. Diktatura ia shoi ëndrrën e tij për pikturë dhe e degdisi murator dhe punëtor ferme, por ai asnjëherë s’e la mënjanë librin;  u rrit me të dhe me dëshirën që një ditë t’i kthehej penelit. Me ardhjen e demokracisë ëndrra e tij u realizua.

Pse ju internuan dhe kur ju internuan?

Fill një vit pas çlirimit. Filluan vuajtjet e papara, më keq se në Aushvic. Internimi i familjes sime erdhi pasi babai im, Isufi me gjyshin Hazizin u arratisën në vitin 1945, pasi nuk e pëlqenin regjimin që erdhi pas Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk e donin komunizmin. Kishin pikëpamje të tjera. Nuk ishin për zhdukjen e pronës private. Donin një shoqëri të vertetë demokratike, ku prona private të ishte në themel të saj. Pra, të respektohej e drejta e pronësisë. Pas arratisjes, ata shkuan në Stamboll. Vite më vonë babi im, Isufi shkoi në Bruksel, Belgjikë, ku dhe u martua sërish.

Nga është prejardhja juaj?

Origjina ime është nga një fshat, Lotëm, në periferi të Librazhdit. Pra, një fshat i mirë, i pasur. Ishim një familje e kamur në atë kohë.

Cilat ishin vendet që ju internuan?

Nga viti 1945 deri në vitin 1950 kaluam nga Berati në Kuçovë, pastaj në Turan. Nga viti 1950-‘54 në Tepelenë dhe prej vitit 1954 deri në vitin 1992 në Savër të Lushnjës.

Cilat ishin dallimet midis këtyre kampeve, apo internimeve?

Në Kuçovë ne rrinim në një kapanon të gjithë të burgosurit, meshkuj dhe femra bashkë. Hanim nga “kazani” ose “gjellë kazani”, kështu quhej atëherë. Pra të gjithë kalonim para kazanit me një tas alumini në dorë dhe na hidhnin një garuzhde me një lëng që kurrsesi s’mund të quhej gjellë. Aty mund të lundronte vetëm një kokërr fasule, apo një kokërr oriz. Kjo ishte supa jonë e famshme që mbanim shpirtin gjallë. Na jepnin dhe një copë bukë misri, sa për të kaluar radhën. Shumë njerëzve u binte të fikët, pasi nuk mund të mbaheshin dot me atë ushqim. Sëmundjet bënin kërdinë.

Pas Kuçovës në Tepelenë? A kishin ndryshime në këto dy kampe-burgje?

Mënyra e të fjeturit ishte e nëjtë. Në Tepelenë flinim në një kapanon të madh të kohës së luftës, të ndërtuar nga italianët. Në tokë kishim shtrirë nga një copë dërrasë dhe të gjithë të radhitur si fishekët në karikatore. Kështu quhej organizimi i të fjeturit tonë, të konservuar si fishekët në karikatore. Për  5 vjet s’e pamë kurrë ngjyrën dhe ngrohtësinë e zjarrit, s’e pamë kurrë të larit e lirshëm, apo një dhomë të veçantë, ku mund të rrije me bashkëshorten apo me fëmijët. Rifuxho të gjithë. Në shesh të gjithë. Banjat i kishim 200 metër larg, në breg të lumit. S’dinim se çfarë ishin ndërresat. Na kalonin sa në një kamp-burg në një tjetër duke na hedhur në tokë, duke mos pasur asnjë ndërresë, por dhe asnjë lloj leku.

Ç’do të thotë kjo, s’kishit asnjë lekë me vete?

Jo. S’kishim, ku ti mirrnim dhe s’kishim ku të blinim. Po të them se prej vitit 1945 deri në vitin 1954, s’më kish rënë në dorë asnjë lloj leku. S’e kisha idenë se si blihej, pasi ne nuk na linin jashtë.

Pra, më 1954 shkuat në Savër. Po aty nuk ishit të burgosur?

Jo, në Savër ishim të internuar. Pra, na çuan në një kapanon, ku ne na ra të ishim në hyrje të derës. Aty hynte i ftohti dhe i nxehti si të donte, por nga ana tjetër ishim të detyruar që të duronim të shkelurat e njerëzve që dilnin natën jashtë. Sa shkelma kam ngrënë në atë derë. Ishte një stallë kuajsh. Të nesërmen na çuan katër familje bashkë në një dhomë. Më vonë u ndërtuan dhe 7 dhoma si barake, ku rrinim disa familje bashkë.  Shpesh herë përdornim dritaren si derë dhe anasjelltas.

Internimi kishte midis të tjerash një të keqe shumë të madhe. E keqja e madhe ishte se çdo ditë duhej të paraqiteshe në apel, pra shikoheshin mungesat, pasi kishin frikë mos arratiseshim.

Kjo për gjatë gjithë kohës. Pra gjatë gjithë kohës që ke qenë aty duhej të zbatoje apelin?

Jo, gjatë gjithë kohës. Varej nga masat që të dënonin. Nqs të ulej dënimi, atëherë quheshe i dëbuar dhe jo i internuar. Kishte një dallim esencial.  Eh, sa të internuar donin të shpalleshin të dëbuar!

Nga dallonte një i internuar nga një i dëbuar?

Pra, pas disa vjetësh nëse shikonin se punoje mirë, ishe korrekt, kishe rendiment, nuk të dëgjonin të flisje kundër Partisë dhe shokut Enver, atëherë të ulej masa e dënimit dhe nuk quheshe i internuar, por i dëbuar. I internuar ishe i detyruar, të ishe në të dy apelet që bënte oficeri i sigurimit, ndërsa i dëbuar nuk paraqiteshe në apel, por kishe kufizime në lëvizje. Pra, si i dëbuar unë s’mund të shkoja më shumë se qyteti i Lushnjës, pasi për çdo shkarje në Tiranë, apo gjetiu, duhej të merrja leje. Nqs më miratohej mirë, nëse jo nuk lëvizja më shumë se Lushnja. Ky ishte dallimi midis të internuarit dhe të dëbuarit.  Kur shkonim në lumin e Semanit për banjo, shokët e mi e kalonin lumin, unë deri aty e kisha lejen si i dëbuar.  Po të kaloja matanë, do më quhej arratisje. Me dëbim mund të kishe liri lëvizje deri në tre rrethe.

A njihej më parë Savra e Lushnjes?

Unë kam lexuar shumë për këtë  fshat interesant. Ai bëhet i njohur që në kohën e Skënderbeut, pasi aty janë gjetur shumë armë të asaj kohe që tregojnë vërtetësinë e një lufte shqiptaro-turke. Por, si fshat internimi u formua në vitin 1949.  Pra, kur shkova unë, ai kishte pesë vjet që funksiononte. Në Savër sillnin për punë familjet e të përndjekurve politikë, dhe ish kulakët si i cilësonte Enver Hoxha. Aty kishte njerëz nga gjithë Shqipëria, madje intelektualët më në zë, të cilët s’e donin regjimin. Kishte shumë njerëz nga dyer të fisme. Ishin afërsisht 200 të internuar dhe po kaq në fshatin Plug.

Pra, këtu filluat të paguheshit?

Po. Këtu filluam të njihnim lekun. Punonim dhe paguheshim. Punonim në fermë. Tre muaj na mbajtën “gjellë kazani”, pastaj paguheshim sa punonim. Dmth sa të donin ata që na drejtonin, pasi ne punonim shumë, por se dinim sa ishte vlera e punës. Mblidhnin deri 120 kg pambuk në ditë për 12 lekë, Kur merrnim 14 lekë në ditë, eh, sa gëzoheshim! Puna ishte e rëndë në vjelje pambuku. Gratë ishin më të palodhura në këtë punë.

Po si murator ke bërë ndonjë ndërtesë të veçantë?

Unë pas disa vjetësh punë, mora kategorinë e shtatë. Kisha bërë një shkollë pa shkëputje nga puna. Në vitin 1967 na thanë të ndërtonim shtëpinë e pritjes në Lushnje. Aty do vinin udhëheqësit. Punuam nga 14 orë në ditë. Kontrolli ishte i rreptë. As kokën nuk ngrinim. Ishte një ndërtesë bashkohore. E bëmë para afatit. Për këtë punë na falënderuan. Atëherë qarkullonin fjalë se këtë shtëpi pritjeje do ta inauguronte vetë Enver Hoxha, por unë nuk mora vesh se çfarë u bë më vonë. Por, di që ajo diskutohej gjithmonë si shtëpi e veçantë, që të gjithë udhëheqësit, kur u binte rruga, kalonin nga ajo për pushim.

Kur e ke ndjerë veten më mirë në internim, apo dëbim?

Kur në vitin 1988 më dhanë një dhomë prej tulle në një shtëpi apo pallat në Savër. O Zot! Nuk e besoja. Një jetë të tërë vetëm në barraka, apo stalla kuajsh. Një jetë të tërë pa parë banesë të rregullt, pa banjë, pa sobë, pa ngrohje, pa lëre për freskim. Ajo dhomë m’u duk si shtëpi princërish, si vilë nga më të bukurat në botë. S’e besoja. Kur kam fjetur atë natë, vetja m’u duk si perandor. Një dhomë e vërtetë shtëpie të rregullt. M’u duk vetja si perandor!

Po banjat ku i kishit në Savër?

Jashtë. Rreth 20 metër larg kapanonit. Në të ftohtë apo ku di unë, do kaloje në pellgje balte për të shkuar aty.

Po kur u martove si bëre?

Bëra një shtesë me kallama tek baraka, ku jetoja. Mos e fol. Dhoma ime ishte 3,5 metër, unë e zgjata pak. Pra, sa mbaronte kasollja, ishte një furrik pule dhe më poshtë banja.

Po shkollimin si e bëtë?

Kur u quajta i dëbuar, unë shkoja në Lushnje dhe bëja shkollën fillore, pastaj të mesmen dhe një shkollë për  murator.

Kë do të veçoje nga gratë e fermës?

Vajzën e Gjon Markagjonit. Ajo ishte më e nëpërkëmbura, por se jepte veten. 

Po nga meshkujt kë do të veçoje?

Tasim Spahiun, një ish ushtarak i cili në kohën e luftës ka bërë një debat me Enverin në Poçem. Përplasja kishte të bënte për ndërtimin e shoqërisë së re pas lufte. Enveri ia vuri vath në vesh. Pas lufte, duke qenë se ishte një ushtarak i përgatitur, Enveri e la 4 vjet pedagog në shkollën ushtarake dhe pas katër vjetësh e internoi në Savër.  Ishte njeri me kulturë, i paepur. Kishte një pamje fisnike. Nuk e jepte veten, deri sa vdiq i harruar aty.

Ku varroseshin ata që vdisnin?

I çonin në varrezat e Lushnjes dhe më vonë u hapën varrezat e Savrës.

Cili intelektual të ka bërë përshtypje më shumë? 

Zenel Prodani, një burrë i pashëm, dy metër. Njeri i ditur që, kur fliste, mrekulloheshe. Por kishte shahistë me famë, boksierë me famë, përkthyes me famë.  Kur është diskutuar “Komedia Hyjnore”, të gjithë ata personazhe, në Savër i gjeje.

Kishte nga zonat e Jugut?

Por ajo që s’më besohej, ishte se aty ishte dhe djali i xhaxhait të Enver Hoxhës, Vehib Hoxha. Ai binte në sy. Kishte dhe tri vajza.  Rrinte i heshtur në hallet e tij. Ne thoshim se kur s’i vjen keq për djalin e xhaxhait, si do i vijë keq për ne Enverit. Ndonjëherë dhe e paragjykonim, por ai ishte një burrë zotni, i heshtur dhe që i donte njerëzit.

Kë tjetër do të veçoje?

Ah, po do të them se ishte një njeri tepër i veçantë. Ai quhej Lazër Radi. Ishte nga Shkodra. Ishte ndër nismëtarët e krijimit të grupit komunist të Shkodrës, së bashku me Qemal Stafën. Një njeri shumë i ekuilibruar dhe i dashur. Ishte një luftëtar i zoti. Pas vrasjes së Qemal Stafës, atë e akuzuan si një ndër pjesmarrësit në vrasje. Madje, pas çlirimit dhe e burgosën. S’e di sa vjet bëri, por pas dënimit, e sollën në Savër. Ai kurrë s’e pranoi se ishte pjesmarrës në vrasjen e Qemal Stafës, pasi e kishte shok të ngushtë dhe e donte shumë. Jeta e tij ishte shumë e koklavitur. Vdiq disa vjet, pas demokracisë. Aty kam parë shumë njerëz që me të vertetë duhej të vlerësoheshin, por jo, Enveri i çoi aty ku ishte dhembja më e madhe.

Kush ishte persekutimi më i madh që ju bënin?

Kur bënin diskretitim publik. Pra, të nxirrnin në mes të sheshit të kinemasë dhe të pështynin. Kështu bënë dhe nëjherë me mua, më nxorën në mes të sallës të më pështynin, si një njeri me baba dhe gjysh të arratisur, në kuadrin e luftës së klasave. O Zot, ç’kisha bërë! Ç’ishte kjo gjëmë komuniste e pashembullt? Por vura re se shumica s’e bënë këtë gjest. Nuk më pështynë. Oficeri i sigurimit u çudit. Madje kishte dhe komunistë që nuk më pështynin.

Internimi mbetet internim, çfarë të mire ke pasur në ato vite?

Mbase internimi më lidhi shumë me librin. Ne ishim katër shokë dhe ishim lidhur me librarinë në Lushnje, ku çdo libër që dilte, shitësi na e mbante. Ne do kursenim çdo gjë për të blerë një libër. S’e si, s’e di! Por e mira më e madhe ishte, se në internim njiheshe me njerëz me emër të madh që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit dhe kishin një kulturë të jashtëzakonshme. Ata ishin intelektualë të mirëfilltë, madje të gjithë dinin nga 3-4 gjuhë të huaja.

Çfarë bëje në kohën e lirë?

Lexoja dhe vetëm lexoja. Qysh nga viti 1950 dhe deri në vitin 1962 unë kam lexuar 2 200 romane. Pra, në 12 vjet në çdo tre ditë mbaroja një roman.

Po pas përmbysjes së diktaturës, u morët me politikë?

Aspak. Çdo gjë ia kushtova fëmijëve, arsimit të tyre dhe artit, pra pikturës. Kam tre fëmijë të arsimuar që kanë zënë pozicione në jetë.

Edhe pas përmbysjes së komunizmit ndenjët në Savër?

Jo. U punësova në Lushnjë dhe në vitin 1998 erdha në Tiranë, ku m’u duk vetja emigrant, pasi në kryeqytetin tonë nuk kisha asnjë të njohur. Bëja xhiron e ditës qendër-shtëpi dhe anasjelltas pa patur një shok. Isha dhe i papunë dhe mendova t’i futem ëndrrës time të pikturës, apo të rri e të luaj domino. Iu futa pikturës, dashurisë sime të parë si profesion. Punova 4 vjet pa pushim ditë e natë, pa njohur asnjë piktor në Tiranë. Pas katër vjetësh duke parë punët e mia u bëra mik me shumë piktorë.

Ditët e fundit ju morët pjesë në një ekspozitë të artit pamor për gratë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Si e keni filluar pikturën dhe çfarë punimesh ke pasur në këtë ekspozitë?

Unë kam rreth 20 vjet që merrem me pikturë direkt pasi më iku djali në Belgjikë. Pra, ëndrrën time të parë, ëndrrën time të bukur munda ta prek me ardhjen e demokracisë?

Cilët ishin piktorët që të inkurajuan më shumë?

Falë dy piktorëve, Bujar Zajmi dhe një piktor që punonte në Teatrin Popullor munda të hap ekspozitën e cila nuk u hap në Galerinë e Arteve për mungesë diplome, por u hap në galerinë T&G. Pas hapjes së kësaj ekspozite, unë u njoha me shumë piktorë të tjerë, të cilët kanë lënë shënimet dhe impresionet e tyre në librin e përshtypjeve për mua. Pas kësaj ekspozite kalova nga punimet në akuarel, në punimet në vaj.

Sa  ekspozita personale dhe të përbashkëta keni hapur deri tani?

Deri tani kam hapur 7 ekspozita personale dhe më shumë se kaq të përbashkëta. Thuajse çdo vit kam hapur një ekspozitë vetjake dhe një të përbashkët.

Tek ekspozita “Gruaja Shqiptare” me rastin e 100-vjetorit si morët pjesë dhe sa punime kishit?

Në këtë ekspozitë u përzgjodha nga një komision nga Galeria e Arteve. Në radhë të parë për këtë ekspozitë duhej të kishe piktura vetëm për gratë, femrat . Unë paraqita disa punime femrash dhe komisioni përzgjodhi tre punime të miat.

Si ndihesh sot?

Rininë e kalova me vuajtje të madhe, pleqërinë po e kaloj me art.

Sa piktura keni në fondin tuaj?

Mund të jenë mbi një mijë. Mendoj aq, por mund të jenë dhe më shumë.

Ju thatë se nga akuareli keni kaluar në vaj. Po tani i përdorni të dyja llojet e bojërave?

Po, nga akuareli kam kaluar në akrelik dhe së fundi në vaj. Pra, sot punimet e mia dominojnë në vaj. Secila lloj boje ka hiletë dhe delikatesat e saj. Por, të gjitha duan kujdes në përdorim.

Sot rendet pas pikturës abstraksioniste. Ju e përdorni këtë rrymë, apo jeni në për pikturat reale dhe peizazhit?

Unë pikturat i kam filluar me punime reale, të cilat i paraqita në ekspozitën e parë. Në këtë ekspozitë pikturat kishin vetëm pesë për qind dritë dhe dominonte errësira. Pastaj ishte këshilla e djalit që e kam piktor në Bruksel, i cili më tha: Babë, duhet të shohësh dritë, nuk u ngope 50 vjet me errësirë?

Dhe tani po të shohësh punimet e mia, kanë 95 për qind dritë dhe pesë për qind errësirë. Në ekspozitën e fundit Naxhi Bakalli  tha tri fjalë: “Lirimi është i lirë, që s’i ngjan kurrkujt”.

Kjo tregon se ke individualitetin tënd?

Po. Mendoj se e kam krijuar këtë individualitet. Por dua të them se vitet e fundit kam kaluar tek abstraksionizmi, pasi kur lexova një libër të një piktori abstraksionist Kandist që shkruante që 70 vitet e mia i humba për të prekur të virgjërën natyrë, të cilën nuk e arrin askush, tani ju ktheva ëndrrave të mia që më bën të qartë. Ndërsa Salvador Daliu mbetet piktori më i mirë abstraksionist. Unë sot punoj 8 orë në ditë, duke pasur parasysh këta njerëz të mëdhenj të abstraksionizmit.

Po në regjimin komunist nuk u more fare me pikturë?

Si të merresha? Puna më lodhte, por kryesorja nuk kisha vegla pune, penela, kanavaca, bojëra. Ku kisha mundësi t’i merrja? Por edhe të bëja, kush më linte t’i ekspozoja?

Cili është vlerësimi më i madh që ju është bërë si piktor?

Nga një amerikan, i cili ndoqi një ekspozitë timen. Ai tha kështu (thënien e tij e kam në librin e përshtypjeve): “Në toka të pashkelura, gjen lule të paprekura”!..

Keni konkurruar dhe nuk iu kanë dhënë të drejtën e studimit?

Po. Në vitin 1956 unë konkurrova në Lice për pikturë, fitova, por nuk u futa asnjë minutë në ambientet e Liceut Artistik, pavarësisht se e fitova konkursin. Kështu që fillova dhe mbarova gjimnazin dhe fillova punë në ndërmarrjen NSHN të Lushnjës. Pastaj dhe pse usta me kategorinë e shtatë, përfundova punëtor në parcelat e Myzeqesë deri në vitin 1992, ku ishim të internuar

Kur u takuat me babanë?

Pas 48 vjetësh. Kur unë u bëra gjysh, pasi më lindi vajza, unë takova babanë, i cili erdhi në Shqipëri.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora