Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: ''Feniksët e Lirisë-15''

| E marte, 15.10.2013, 08:22 PM |


U BOTUA MONOGRAFIA  “FENIKSËT E LIRISË-15”

KËTA EMRA TË NDRITSHËM JANË YJE QË NDRIÇOJNË TË ARDHMEN E LIRË TË KOSOVËS

Nga Milazim KADRIU

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” nxori në dritë monografinë “Feniksët e lirisë-15”. Në  këtë monografi janë përfshirë biografitë e  60 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga të gjitha zonat operative të luftës , dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të rënë  për liri.

Në librin “Feniksët e lirisë-15” janë përfshirë  jetëshkrimet e këtyre dëshmorëve : Abit Pajazit Sinani, Abush Liman Loku, Adnan Adem Berisha, Afete Hamzë Jashari, Albesian Salih Mataj, Altin Sadri Haskaj, Bekë Sadri Muslijaj, Bekim Shaban Isma, Beqir Sadiku – Beqa, Besim Sylejman Qarri, Besim Shyqri Sopa, Besim Tefik Fazliu, Blerim Selman Lokaj, Bylbyl Hazir Breçani, Bylbyl Jahë Ferizaj, Dinë Alush Koleci, Ekrem Shukri Gudaçi, Enver Hyzri Rashiti, Feriz Abdurrahman Susuri, Gazmend Selman Lokaj, Gëzim Qazim Ademaj, Hamdi Muharrem Mulaj, Hidajete Rifat Jashari, Hysni Shaip Kajtazi, Ilmi Smajl Bahtiari, Isa Adem Ferati, Isak Shefki Lutolli, Isen Rrustem Elezi, Jahë Salih Kabashi, Jeton Idriz Dedushaj, Kadri Muhamet Berisha, Kujtim Avdyl Qallakaj, Mirush Kurtish Dakaj, Mujdin Qerim Aliu, Murtezan Merxhan Hetemi, Naser Ademi, Nazim Misin Buduri, Nexhmush Qamil Elezi, Përparim Qazim  Shala, Raif Azem Krivanjeva, Ramadan Rexhep Rexhepi, Ramiz Isuf Shala, Refki Sokol Salihaj, Sadik Murat Mujota, Sali  Bajram Vlashi, Selvete Hamzë Jashari, Skënder Haxhi Ferizaj, Sylejman Rrahim Statovci, Shemsi Vehbi Jusufi, Shkëlzen Gani Berisha, Tafil Nuhi Zyberaj, Valdete Rifat Jashari, Xhafer Hamëz Vehapi, Xhemajl Nuredin Kuçi, Xhemajl Ahmet Mehmeti, Xhemajl Halil Agushi, Zabit Ahmet Shabandula, Zejnullah Rrahim Zejna dhe Zeqir Isuf Gashi.

Këta emra të ndritshëm janë yje që ndriçojnë të ardhmen e lirë të Kosovës .Ata janë roje  e përjetshme të kësaj kalaje  të pashembshme  që quhet Kosovë. Sa herë që mund të kërcënohen portat e kësaj Kalaje ,janë feniksët e lirisë  ata që sërish do të flijohen  në themelet e saj. Prandaj,për ët gjithë ne  është detyrë mbi detyrat të mos i harrojmë  për asnjë çast të gjithë ata shpirtra të shenjtë  të kësaj toke  që ngritën lart flamurin e lirisë, flamurin e Skënderbeut.

Me rastin e përurimit që u bë në Bibliotekën Kombëtare Universitare, në Prishtinë, duke folur për librin, anëtari i Redaksisë, Ahmet Qeriqi foli për punën e palodhshme rë redaktorëve dhe bashkëpunëtorëve të Redaksisë si dhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet kjo redaksi, e cila deti tani ka botuar 15 vëllime të këtij libri. Në vëllimin “Feniksët e lirisë-15” janë përfshirë biografitë e 60 dëshmorëve të kombit të rënë në Kosovë dhe në Iliridë, ish-RJ të Maqedonisë, si dhe vullnetarë nga Shqipëria të rënë dëshmorë në luftën e UÇK-së. Qeriqi mes tjerash tha se ne në Redaksi kishim paraparë që edhe në këtë vëllim të përfshiheshin biografitë  për 70 dëshmorë, ashtu sikur në vëllimin paraprak,  por ndërkohë, gjatë gjurmimit të lëndës për hartimin e  librit, u nda nga jeta bashkëpunëtori i Redaksisë, dr. Zenun Gjoci, vëllai i dëshmorit, Agim Gjoci, të cilin sot e përkujtojmë me pitet për kontributin e tij të gjithanshëm, që i ka dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shkencës dhe letërsisë, arsimimit të brezave por edhe Redaksisë, Feniksët e lirisë dhe Radios-Kosova e Lirë.

Në këtë vëllim është prezantuar edhe biografia e heroit të katër luftërave Çlirimtare, Naser Ademi nga Negotina e Gostivarit, pastaj  biografia e komandantit emblematik të UÇK-së, Mirush Dakaj, biografia e njërit nga komandantët e  Zonës së Neredimes, Ramadan Rexhepi,  biografitë e katër dëshmorëve nga Shqipëria të rënë në Kosovë, biografitë për katër  dëshmorë të tjerë të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, katër dëshmore nga familja e ngushtë e legjendarit, Adem Jashari, (dy bija të Rifat Jashari dhe dy bijat e Hamëz Jasharit), ndërsa dëshmorët e tjerë u përkasin shtatë zonave operative të UÇK-së.

Simboli i rezistencën kombëtare dhe anëtar nderi i Redaksisë, Adem Demaçi ka përshëndetur stafin e kësaj Redaksie për punën dhe aktivitetin e përkushtuar në drejtim të zbardhjes së jetës dhe veprave heroike të dëshmorëve, duke qortuar institucionet e vendit, të cilat nuk kanë treguar gatishmërinë e duhur për ta realizuar sa më parë këtë projekt të rëndësishëm për historinë e luftës së UÇK-së. Demaçi, në kontest të luftës së UÇK-së ka folur edhe situatën aktuale politike, sidomos për qëndrimin jo parimor të disa shteteve të Evropës, të cilat me qëllim për ta ruajtur status-quonë po i bëjnë lëshime të  njëpasnjëshme Serbisë, gjatë negociatave me Kosovën.

Në emër të familjeve të dëshmorëve ka përshëndetur të pranishmit, Nakie Daka motra e heroit të kombit, Nakije Daka. Ajo falënderoi Redaksinë për punën në ndriçimin e jetës dhe veprave të dëshmorëve.

Në fund të këtij aktiviteti kulturor, familjeve të dëshmorëve u shpërndanë nga një libër të monografisë “feniksët e lirisë-15”.