Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ja pse jemi kundër ndërtimit të xhamisë

| E hene, 14.10.2013, 06:10 PM |


Banorët i dalin në mbrojtje Shaip Mujës - ja pse jemi kundër ndërtimit të xhamisë

Nga Express

Grupi i përfaqësuesve të komunitetit të lagjes “Kalabria” ka reaguar sot ndaj sulmeve që po bëhen nga disa hoxhallarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, në adresë të disa familjeve, lidhur me mos lejimin e ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, në Prishtinë. Sipas këtij grupi, ndaj këtyre klerikëve duhet të reagojnë institucionet përgjegjëse të Kosovës, pasi kërcënime në fjalë, pos që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën, konsiderohen si të rrezikshme për shoqërinë tonë.

“Kjo xhami kundërshtohet nga vetë fakti se ka filluar ilegalisht të ndërtohet pa miratimin tonë publik dhe askush nuk na ka pyetur. Ne jemi mbi 60 shtëpi rreth e rrotull xhamisë që kemi nënshkruar dhe përfaqësojmë afër 400 anëtarë të familjeve tona. Këta persona qoftë privat dhe shtetërore e komunale nuk kanë respektuar planin hapësinor ku deri më 2023 nuk parashihet asnjë institucion i kultit fetare të ndërtohet në këtë hapësirë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, nuk mund të ndërtohet diçka pa përfillur vullnetin e banorëve të atij lokalitetit, kështu që as në këtë rast nuk mund të ketë përjashtim.

“Interpretimet nga disa hoxhallarë të papërgjegjshëm fetarisht dhe mos respektues të ligjeve të shtetit nuk janë problem i yni personal si komunitet por duhet të jenë shqetësim për shtetin në përgjithësi. Kërcënimet që ju bëhen disa familjeve përmes kamuflimit në emër të Zotit e fesë Islame na shtynë edhe më tepër të bindemi që ata që qëndrojnë mbarapa kësaj çështjeje nuk janë as fetare e as kombëtare”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, nuk është hera e parë që reagojnë ndaj kësaj fushata të klerikëve të caktuar duke u bërëthirrje institucioneve përgjegjës e të sigurisë që të veprojnë seriozisht ndaj këtij lloji të kërcënimeve. “Kjo çështje nuk është e një individi apo një familje por është e një komuniteti”, vazhdon reagimi, sipas të cilit, thirrjet e këtilla që bëhen në emër të Islamit dhe Zotit, nga grupe të këtilla po komprometojnë shtetin dhe vetë autoritetin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ky reagim që, pos mediave, u është dërguar edhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kryetarit të Prishtinë, Isa Mustafa është nënshkruar nga Fatmir Muja, Gazmend Pruthi, Valdet Spahija, Arben Zogjani, Mehdi Sahiti, Fiorent Pruthi dhe Ismail Dushi.

Ditë më parë, Shefqet Krasniqi, publikisht ka akuzuar deputetin e PDK-së, Shaip Muja për ndalimin e ndërtimit të xhamisë në Lagjen Kalabria.

Ai gjatë një videoje që është shpërndarë në You tube, ka akuzuar edhe komandantët tjetër, të cilët, sipas tij, janë shndërruar në kundërshtar të islamit.

www.gazetaexpress.com