| E hene, 14.10.2013, 06:34 PM |
Ka tradhëti në futboll?
Nga Elvi Sidheri
Një film tipik i
realizmit socialist dikur, përmbante ndër të tjera (dhe për këtë gjë kujtohet
akoma), një shprehje që mbeti në memorien kolektive shqiptare...”Këtu ka
tradhëti burra”!
Ishte një
histori me të infiltruar të partisë dhe sigurimit të saj të shtetit, brenda
bandave të diversantëve të gjorë të cilët megjithëse e dinin shumë mirë se qenë
dërguar vetëm për t’u sakrifikuar si “mish për top” në shërbim të një kauze të
humbur, si ajo e antikomunistëve shqiptarë në periudhën 1945-1990, sidoqoftë të
ngratët i kërcenin avionit andej nga Bari dhe hidheshin me parashuta për
Shqipëri, e më pas medoemos që i vrisnin në prita, kurthe etj.
Shqipëria pas
fundit të Luftës së Dytë Botërore pati mbetur në Lindje të Perdes së Hekurt dhe
komunistët në Tiranë këtë e dinin mirë, pasi ndërkohë sido që të jetë ia kishin
kryer siç nevojitet shërbimin apo ujitur mirë tokën mëmë (me gjak gjermanësh
ose italianësh pushtues, por edhe shqiptarësh që nuk e mendonin si ata)...gjatë
viteve të luftës, pas themelimit me prezencë dhe dorë jugosllave, të PKSH-së në
41-shin.
Por tema e
shkrimit nuk është kjo.
Po them që sipas
komunistëve për 45 vjet dëgjuam që legalistët, ballistët, pronarët e mëdhenj,
të diturit, ata që kishin kryer ndonjë shkollë në Perëndim, kushdo pra që nuk
përputhej me motot dhe stereotipet e tyre të “Njeriut të Ri Socialist”, të tërë
pra qenë as më shumë e as më pak se ca palo TRADHËTARË!
E në rregull, ky
term justifikoi mijëra vrasje pa gjyq, pushkatime dhe internime.
Zogu ishte
satrap se iku pa bërë dy ditë luftë (Abaz Kupi që komandoi togën që u rezistoi
me armë në dorë për shtatë orë italianëve në Durrës, edhe ai na qe tradhëtar po
ashtu, kurse ushtari i tij i thjeshtë Mujo Ulqinaku jo, se ai ishte Hero).
Shoku Enver që u
caktua në krye të PKSH-së nga “miqtë” e dërguar posaçërisht me urdhër të Druzhe
Titos, pra nga shokët Popoviç, Mugosha dhe Tempo, ai nuk ishte fare tradhëtar
dhe as që u bë ndonjëherë i tillë në sytë e shumëkujt, megjithëse ndaj vendit
të tij bëri gjestin më tradhëtar të mundshëm, duke e lidhur atë me perandorinë
pan-sllave të komunizmit rus dhe duke e rindarë nga Perëndimi, pas gati pesë
shekujve të izolimit osman (duke e zhytur në varfëri ekstreme, turpëruar në
sytë e botës që akoma tallet me ne për shkak të skamjes post-moniste nga ku
ende s’kemi dalë tamam dhe traumatizuar thellësisht stadin zhvillimor të
shoqërisë shqiptare).
Tradhëtia pra
për shqiptarët, është shpesh një term dhe nocion tepër relativ.
Ka edhe që
pretendojnë që Esat Pashë Toptani, të mos ketë qenë asfare ndonjë tip ekzemplar
tradhëtari.
Po seriozisht,
edhe lajthitje të tilla ekzistojnë në mjedisin e veçantë dhe përherë në
evolucion trushpëlarës shqiptar!
Dikush para do
muajsh u ngrit të tentonte edhe një lloj propozimi të turpshëm për heqjen e
bustit të Avni Rustemit tek sheshi me emrin e tij afër Pazarit të Ri në Tiranë
dhe një marrëzi të tillë e justifikoi ditën për diell, me argumentin e çmendur
se në atë zonë kanë qenë pronat e Toptanëve.
E ç’lidhje ka
familja e nderuar dhe e fortrespektuar e Toptanëve me këtë shpirtshitur, simbol
të tradhëtarit kombëtar?
I bashkon me të
vetëm mbiemri që ai ua ka ndotur dhe aq!
Tradhëtia është
diçka që ndër shqiptarë nuk ka lindur sot si fenomen dhe nuk do të zhduket me
siguri as nesër.
Duke mos lëvizur
nga Tirana, po aq tradhëti ka pasur edhe në rastin unikal të ish prefektit
Qazim Mulleti, të cilit partia dhe regjimi monist, i thurën një kurth tradhëtar
nga i cili edhe pas 23 vitesh demokraci, emri dhe figura e tij nuk kanë mundur
të dalin akoma.
“Gamor ti, gamor
kush t’vuni...”-thotë një nga batutat e pjesës teatrale ku flitet për
personazhin e tij.
Siç tashmë të
gjithë e dimë, ky person na del të ketë qenë aspak gomar apo injorant, por një
poliglot me arsim të admirueshëm, një administrator i efektshëm i qytetit, një
njeri shpirtmadh që ka ndihmuar sa kohë qe në pushtet, shumëkënd, përfshirë
këtu përveç mjaft hebrenjve, edhe ndoca komunistë, të cilët u kujdesën që pas
45-ës, t’i luanin atë rreng fyes dhe tallës, që e shoqëron emrin e tij, sa herë
që përmendet.
Gjenerali
Dhimitër Fari mbi dymijë vjet më parë tradhëtoi mbretëreshën Teuta, Hamzai desh
i nguli thikën pas shpine Gjergj Kastriotit e sa e sa raste të tjera e
konfirmojnë këtë rregull të karakterit shqiptar.
Por të zbresi
tashmë akuza për akte tradhëtie edhe në fushën e një sporti, aq më tepër
futbollit, kjo po që duket si totalisht pa asnjë sens.
Erdhi edhe
ndeshja e kthimit me Zvicrën e shumë lojtarëve me origjinë shqiptare.
Filluan prapë
provokimet mediatike dhe tifozerike lidhur me praninë e këtyre shqiptarëve në
përfaqësuesen helvetike.
“Keni harruar
gjakun e prindërve”...”Ça keni që luani kundër atdheut tuaj”...”Jeni turpi i
botës” e shumë më tepër se kaq.
Furtunë në gotë
uji m’u duk mua gjithë kjo fanfarë budallallëku kolektiv.
Në futboll, që
do kujtuar sa herë një fakt i tillë përhumbet nëpër valët e përvëlimit
pasionant të mendjes së tifozëve, tradhëti të mirëfilltë (me konotacionin e
dënueshëm që ky term merr në jetën normale jashtë fushës së blertë, aty ku
nevojitet të kujtohet, se 22 njerëz shkojnë për të argëtuar veten dhe
publikun...duke luajtur dhe gjëmuar së bashku pas një topi të
rrumbullakët)...s’para ka!
Domethënë që
sipas meje, Xhaka, Shaqiri, Behrami & Co, tradhëtarë nuk janë fare!
E qartë?
E pranoj që po
të shkonte largqoftë El Shaarawy tek Interi nga Milan ku luan aktualisht
(shpirti milanist ngre krye)...kjo për mua do të përbënte një pakënaqësi të
theksuar dhe aty për ndonjë tip “tradhëtie” të padënueshme moralisht dhe aq më
pak ligjërisht, edhe do të flisja.
Kalimi nga një
ekip klubi futbollistik, tek rivali i tij më i madh, tek skuadra kundërshtare e
të njëjtit qytet, është diçka që përherë djeg.
Interistët e
kanë provuar një ndjesi të tillë (kur lojtarët e tyre jane hedhur në anën milaniste
të Milanos)...sa herë që nga Seedorf, Pirlo e deri tek Balotelli tani.
Rivaliteti
futbollistik disa gjëra i nënkupton, besnikërinë ndaj klubit të zemrës po
ashtu.
Rastet e Barezit
dikur tek Milani, të Bufonit sot tek Juventusi apo të Zanetit tek Interi, si
dhe të Iniestës e Pujolit tek Barça ose Giggs-it tek Man UTD, tregojnë se disa
lojtarë, klubin ku janë rritur, e kanë vlerësuar më tepër se gjithçka, ndaj dhe
i kanë qëndruar përherë besnikë ngjyrave të ekipit të tyre.
Por me ekipet
kombëtare gjërat janë paksa të ndryshme.
Rregullat e
FIFA-s dhe UEFA-s bëjnë që një lojtar i cili është aktivizuar edhe së rralli,
qoftë edhe me një nga përfaqësueset e moshave (U-19, U-17), t’a ketë mjaft të
vështirë që më pas të lërë kombëtaren e tij, për ndonjë përfaqësuese me më emër
apo më të njohur dhe të fortë në arenën e futbollit ndërkombëtar.
Prandaj lojtarë
si i lartpërmenduri Giggs, apo edhe Gareth Bale, sot luajnë për Uellsin e vogël
dhe jo ndoshta për kombëtaren e “Tre Luanëve” anglezë.
Kështu që
organizatat që tutelojnë futbollin ndërkombëtar, janë kujdesur me vëmendje, që
të ruajnë vendet e vogla, si edhe i joni, nga eksodi masiv i lojtarëve
premtues.
Dikur kam
dëgjuar se legjenda Ferenc Pushkash, pati luajtur si për Hungarinë e lindjes
dhe të gjakut, ashtu edhe për Spanjën e këto janë gjëra që në futbollin modern
nuk ndodhin më për shkak të rregullores së hekurt në lidhje me fenomene të
tilla.
Mes Brazilit dhe
Spanjës (futbollistikisht) ka shpërthyer një konflikt këto kohë lidhur me
lojtarin premtues Diego Costa (ATL.Madrid), për shkak të ftesës që ai të luajë
për kombëtaren spanjolle megjithëse është brazilian, por të mos mendoni se në
Brazil po e quan njeri tradhëtar ose birin e djallit, për shkak të një
zgjedhjeje të tillë personale.
Në rregull,
Brazili gëlon nga futbollistët me aftësi të jashtëzakonshme, dhe një më tepër
apo një më pak, nuk bën ndonjë super-ndryshim për përfaqësuesen e atij vendi!
Por as kur Tiago
Alcantara (brazilian) zgjodhi sërish Spanjën, apo kur Bojan Krkiç (malazez)
bëri po atë zgjedhje, nuk plasi apokalipsi në vendet e tyre të origjinës.
Kur kombëtarja
gjermane është mbushur me polakë (Klose, Podolski), ganezë (Boatengu i
Bayern-it), algjerianë (Khedira), turq (Ozil), gjithësesi kjo nuk provokoi
ndonjë valë indinjimi në Turqi, Algjeri apo Poloni.
S’po flas tani
për kombëtaren franceze (Zidane ishte algjerian e s’ka nevojë të them
tjetërgjë), apo për përfaqësuesen angleze.
Italia ka në
sulm tre të huaj, Osvaldo (argjentinas), El Shaarawy (egjiptian) dhe sigurisht
Mario Balotelli (ganez) dhe askund s’ka lindur ndonjë problem për shkak të
këtij fakti.
Suedia po ashtu
ka për yll absolut Ibrahimoviç, një boshnjak nga origjina, dini gjë, e urren
ndokush këtë futbollist të madh në Bosnje?
Futbolli është
sport dhe si i tillë nevojitet të trajtohet, të merret me pasion, por po ashtu
edhe me shpirt sportiv dhe mbi të gjitha duhet të çdramatizohet.
Lojtarët
shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për helvetët, janë me çfarë kam parë, djem
të lindur dhe rritur në atë vend.
E çfarë paska të
habitshme që të luajnë për ekipin përfaqësues të vendit ku kanë lindur, janë
shkolluar dhe rritur, aty ku prindërit e tyre kanë emigruar për një jetë më të
mirë, vend që i ka mirëpritur dhe u ka ofruar kushtet më të mira të jetesës?
Neve nga një anë
kërkojmë (me të drejtë) që shqiptarët kudo të venë, të mos trajtohen me
racizëm, por të kenë shanset edhe mundësitë për t’u integruar në shoqëritë
vendase (zviceriane, italiane, amerikane)...dhe nga krahu tjetër, ua quajmë
bijëve të tyre si faj të madh, që përveçse shqiptarë nga gjaku dhe origjina, të
ndihen sadopak edhe të afërt me vendin ku kanë lindur dhe janë rritur, e
ndoshta mirënjohjen e tyre, t’a shprehin duke zgjedhur në liri të plotë, të
luajnë futboll për ekipin kombëtar të atij vendi.
Futboll po
luajnë, se nuk janë duke hyrë në ushtri që më pas do pushtojë Shqipërinë apo
Kosovën!
S’ka asnjë krim
këtu, as gjest të dënueshëm, as tradhëti!
Padyshim që çdo
shqiptar i lindur në diasporë, e të tillët për fat janë të shumtë, që ka
zgjedhur të luajë për ngjyrat Kuq e Zi të skuadrës sonë përfaqësuese, është i
nderuar, sepse në përgjithësi janë njerëz që duke pranuar të luajnë për
Shqipërinë, heqin dorë nga shumë privilegje, nga pjesëmarrja në turne të
rëndësishëm (botërorë dhe europianë, ku Shqipëria ende s’ka marrë pjesë) dhe
nga ndonjë trajtim më i mirë financiar.
Ju lumtë Canës,
Mavrajt, Ramës, Berishës, Kaçes (e patë ç’i ndodhi për shkak se zgjodhi
Shqipërinë, vetëm në burg mungoi t’a fusnin) e të gjithë të tjerëve.
Por e tërë kjo
nuk më bën të bie në patetizmin tjetër masiv të këtyre ditëve, që të bëj sikur
po më intereson shumë, për gjasme faktin se tani që u eliminua përfundimisht
ekipi ynë përfaqësues, na qenka sidoqoftë mirë puna, se ja, ca shqiptarë do të
venë në Botëror (këta që luajnë për Zvicrën)!
Kjo nuk ka kuptim
fare!
Kur luajnë për
kombëtare tjetër, shqiptarë mbeten, por mua dhe vendin tim nuk e përfaqësojnë
në asnjë mënyrë!
Atëherë përse të
mos bëjmë tifo edhe për Nini-s të Greqisë po u kualifikuan edhe ata?