Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Ka tradhëti në futboll?

| E hene, 14.10.2013, 05:34 PM |


Ka tradhëti në futboll?

Nga Elvi Sidheri

Një film tipik i realizmit socialist dikur, përmbante ndër të tjera (dhe për këtë gjë kujtohet akoma), një shprehje që mbeti në memorien kolektive shqiptare...”Këtu ka tradhëti burra”!

Ishte një histori me të infiltruar të partisë dhe sigurimit të saj të shtetit, brenda bandave të diversantëve të gjorë të cilët megjithëse e dinin shumë mirë se qenë dërguar vetëm për t’u sakrifikuar si “mish për top” në shërbim të një kauze të humbur, si ajo e antikomunistëve shqiptarë në periudhën 1945-1990, sidoqoftë të ngratët i kërcenin avionit andej nga Bari dhe hidheshin me parashuta për Shqipëri, e më pas medoemos që i vrisnin në prita, kurthe etj.

Shqipëria pas fundit të Luftës së Dytë Botërore pati mbetur në Lindje të Perdes së Hekurt dhe komunistët në Tiranë këtë e dinin mirë, pasi ndërkohë sido që të jetë ia kishin kryer siç nevojitet shërbimin apo ujitur mirë tokën mëmë (me gjak gjermanësh ose italianësh pushtues, por edhe shqiptarësh që nuk e mendonin si ata)...gjatë viteve të luftës, pas themelimit me prezencë dhe dorë jugosllave, të PKSH-së në 41-shin.

Por tema e shkrimit nuk është kjo.

Po them që sipas komunistëve për 45 vjet dëgjuam që legalistët, ballistët, pronarët e mëdhenj, të diturit, ata që kishin kryer ndonjë shkollë në Perëndim, kushdo pra që nuk përputhej me motot dhe stereotipet e tyre të “Njeriut të Ri Socialist”, të tërë pra qenë as më shumë e as më pak se ca palo TRADHËTARË!

E në rregull, ky term justifikoi mijëra vrasje pa gjyq, pushkatime dhe internime.

Zogu ishte satrap se iku pa bërë dy ditë luftë (Abaz Kupi që komandoi togën që u rezistoi me armë në dorë për shtatë orë italianëve në Durrës, edhe ai na qe tradhëtar po ashtu, kurse ushtari i tij i thjeshtë Mujo Ulqinaku jo, se ai ishte Hero).

Shoku Enver që u caktua në krye të PKSH-së nga “miqtë” e dërguar posaçërisht me urdhër të Druzhe Titos, pra nga shokët Popoviç, Mugosha dhe Tempo, ai nuk ishte fare tradhëtar dhe as që u bë ndonjëherë i tillë në sytë e shumëkujt, megjithëse ndaj vendit të tij bëri gjestin më tradhëtar të mundshëm, duke e lidhur atë me perandorinë pan-sllave të komunizmit rus dhe duke e rindarë nga Perëndimi, pas gati pesë shekujve të izolimit osman (duke e zhytur në varfëri ekstreme, turpëruar në sytë e botës që akoma tallet me ne për shkak të skamjes post-moniste nga ku ende s’kemi dalë tamam dhe traumatizuar thellësisht stadin zhvillimor të shoqërisë shqiptare).

Tradhëtia pra për shqiptarët, është shpesh një term dhe nocion tepër relativ.

Ka edhe që pretendojnë që Esat Pashë Toptani, të mos ketë qenë asfare ndonjë tip ekzemplar tradhëtari.

Po seriozisht, edhe lajthitje të tilla ekzistojnë në mjedisin e veçantë dhe përherë në evolucion trushpëlarës shqiptar!

Dikush para do muajsh u ngrit të tentonte edhe një lloj propozimi të turpshëm për heqjen e bustit të Avni Rustemit tek sheshi me emrin e tij afër Pazarit të Ri në Tiranë dhe një marrëzi të tillë e justifikoi ditën për diell, me argumentin e çmendur se në atë zonë kanë qenë pronat e Toptanëve.

E ç’lidhje ka familja e nderuar dhe e fortrespektuar e Toptanëve me këtë shpirtshitur, simbol të tradhëtarit kombëtar?

I bashkon me të vetëm mbiemri që ai ua ka ndotur dhe aq!

Tradhëtia është diçka që ndër shqiptarë nuk ka lindur sot si fenomen dhe nuk do të zhduket me siguri as nesër.

Duke mos lëvizur nga Tirana, po aq tradhëti ka pasur edhe në rastin unikal të ish prefektit Qazim Mulleti, të cilit partia dhe regjimi monist, i thurën një kurth tradhëtar nga i cili edhe pas 23 vitesh demokraci, emri dhe figura e tij nuk kanë mundur të dalin akoma.

“Gamor ti, gamor kush t’vuni...”-thotë një nga batutat e pjesës teatrale ku flitet për personazhin e tij.

Siç tashmë të gjithë e dimë, ky person na del të ketë qenë aspak gomar apo injorant, por një poliglot me arsim të admirueshëm, një administrator i efektshëm i qytetit, një njeri shpirtmadh që ka ndihmuar sa kohë qe në pushtet, shumëkënd, përfshirë këtu përveç mjaft hebrenjve, edhe ndoca komunistë, të cilët u kujdesën që pas 45-ës, t’i luanin atë rreng fyes dhe tallës, që e shoqëron emrin e tij, sa herë që përmendet.

Gjenerali Dhimitër Fari mbi dymijë vjet më parë tradhëtoi mbretëreshën Teuta, Hamzai desh i nguli thikën pas shpine Gjergj Kastriotit e sa e sa raste të tjera e konfirmojnë këtë rregull të karakterit shqiptar.

Por të zbresi tashmë akuza për akte tradhëtie edhe në fushën e një sporti, aq më tepër futbollit, kjo po që duket si totalisht pa asnjë sens.

Erdhi edhe ndeshja e kthimit me Zvicrën e shumë lojtarëve me origjinë shqiptare.

Filluan prapë provokimet mediatike dhe tifozerike lidhur me praninë e këtyre shqiptarëve në përfaqësuesen helvetike.

“Keni harruar gjakun e prindërve”...”Ça keni që luani kundër atdheut tuaj”...”Jeni turpi i botës” e shumë më tepër se kaq.

Furtunë në gotë uji m’u duk mua gjithë kjo fanfarë budallallëku kolektiv.

Në futboll, që do kujtuar sa herë një fakt i tillë përhumbet nëpër valët e përvëlimit pasionant të mendjes së tifozëve, tradhëti të mirëfilltë (me konotacionin e dënueshëm që ky term merr në jetën normale jashtë fushës së blertë, aty ku nevojitet të kujtohet, se 22 njerëz shkojnë për të argëtuar veten dhe publikun...duke luajtur dhe gjëmuar së bashku pas një topi të rrumbullakët)...s’para ka!

Domethënë që sipas meje, Xhaka, Shaqiri, Behrami & Co, tradhëtarë nuk janë fare!

E qartë?

E pranoj që po të shkonte largqoftë El Shaarawy tek Interi nga Milan ku luan aktualisht (shpirti milanist ngre krye)...kjo për mua do të përbënte një pakënaqësi të theksuar dhe aty për ndonjë tip “tradhëtie” të padënueshme moralisht dhe aq më pak ligjërisht, edhe do të flisja.

Kalimi nga një ekip klubi futbollistik, tek rivali i tij më i madh, tek skuadra kundërshtare e të njëjtit qytet, është diçka që përherë djeg.

Interistët e kanë provuar një ndjesi të tillë (kur lojtarët e tyre jane hedhur në anën milaniste të Milanos)...sa herë që nga Seedorf, Pirlo e deri tek Balotelli tani.

Rivaliteti futbollistik disa gjëra i nënkupton, besnikërinë ndaj klubit të zemrës po ashtu.

Rastet e Barezit dikur tek Milani, të Bufonit sot tek Juventusi apo të Zanetit tek Interi, si dhe të Iniestës e Pujolit tek Barça ose Giggs-it tek Man UTD, tregojnë se disa lojtarë, klubin ku janë rritur, e kanë vlerësuar më tepër se gjithçka, ndaj dhe i kanë qëndruar përherë besnikë ngjyrave të ekipit të tyre.

Por me ekipet kombëtare gjërat janë paksa të ndryshme.

Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s bëjnë që një lojtar i cili është aktivizuar edhe së rralli, qoftë edhe me një nga përfaqësueset e moshave (U-19, U-17), t’a ketë mjaft të vështirë që më pas të lërë kombëtaren e tij, për ndonjë përfaqësuese me më emër apo më të njohur dhe të fortë në arenën e futbollit ndërkombëtar.

Prandaj lojtarë si i lartpërmenduri Giggs, apo edhe Gareth Bale, sot luajnë për Uellsin e vogël dhe jo ndoshta për kombëtaren e “Tre Luanëve” anglezë.

Kështu që organizatat që tutelojnë futbollin ndërkombëtar, janë kujdesur me vëmendje, që të ruajnë vendet e vogla, si edhe i joni, nga eksodi masiv i lojtarëve premtues.

Dikur kam dëgjuar se legjenda Ferenc Pushkash, pati luajtur si për Hungarinë e lindjes dhe të gjakut, ashtu edhe për Spanjën e këto janë gjëra që në futbollin modern nuk ndodhin më për shkak të rregullores së hekurt në lidhje me fenomene të tilla.

Mes Brazilit dhe Spanjës (futbollistikisht) ka shpërthyer një konflikt këto kohë lidhur me lojtarin premtues Diego Costa (ATL.Madrid), për shkak të ftesës që ai të luajë për kombëtaren spanjolle megjithëse është brazilian, por të mos mendoni se në Brazil po e quan njeri tradhëtar ose birin e djallit, për shkak të një zgjedhjeje të tillë personale.

Në rregull, Brazili gëlon nga futbollistët me aftësi të jashtëzakonshme, dhe një më tepër apo një më pak, nuk bën ndonjë super-ndryshim për përfaqësuesen e atij vendi!

Por as kur Tiago Alcantara (brazilian) zgjodhi sërish Spanjën, apo kur Bojan Krkiç (malazez) bëri po atë zgjedhje, nuk plasi apokalipsi në vendet e tyre të origjinës.

Kur kombëtarja gjermane është mbushur me polakë (Klose, Podolski), ganezë (Boatengu i Bayern-it), algjerianë (Khedira), turq (Ozil), gjithësesi kjo nuk provokoi ndonjë valë indinjimi në Turqi, Algjeri apo Poloni.

S’po flas tani për kombëtaren franceze (Zidane ishte algjerian e s’ka nevojë të them tjetërgjë), apo për përfaqësuesen angleze.

Italia ka në sulm tre të huaj, Osvaldo (argjentinas), El Shaarawy (egjiptian) dhe sigurisht Mario Balotelli (ganez) dhe askund s’ka lindur ndonjë problem për shkak të këtij fakti.

Suedia po ashtu ka për yll absolut Ibrahimoviç, një boshnjak nga origjina, dini gjë, e urren ndokush këtë futbollist të madh në Bosnje?

Futbolli është sport dhe si i tillë nevojitet të trajtohet, të merret me pasion, por po ashtu edhe me shpirt sportiv dhe mbi të gjitha duhet të çdramatizohet.

Lojtarët shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për helvetët, janë me çfarë kam parë, djem të lindur dhe rritur në atë vend.

E çfarë paska të habitshme që të luajnë për ekipin përfaqësues të vendit ku kanë lindur, janë shkolluar dhe rritur, aty ku prindërit e tyre kanë emigruar për një jetë më të mirë, vend që i ka mirëpritur dhe u ka ofruar kushtet më të mira të jetesës?

Neve nga një anë kërkojmë (me të drejtë) që shqiptarët kudo të venë, të mos trajtohen me racizëm, por të kenë shanset edhe mundësitë për t’u integruar në shoqëritë vendase (zviceriane, italiane, amerikane)...dhe nga krahu tjetër, ua quajmë bijëve të tyre si faj të madh, që përveçse shqiptarë nga gjaku dhe origjina, të ndihen sadopak edhe të afërt me vendin ku kanë lindur dhe janë rritur, e ndoshta mirënjohjen e tyre, t’a shprehin duke zgjedhur në liri të plotë, të luajnë futboll për ekipin kombëtar të atij vendi.

Futboll po luajnë, se nuk janë duke hyrë në ushtri që më pas do pushtojë Shqipërinë apo Kosovën!

S’ka asnjë krim këtu, as gjest të dënueshëm, as tradhëti!

Padyshim që çdo shqiptar i lindur në diasporë, e të tillët për fat janë të shumtë, që ka zgjedhur të luajë për ngjyrat Kuq e Zi të skuadrës sonë përfaqësuese, është i nderuar, sepse në përgjithësi janë njerëz që duke pranuar të luajnë për Shqipërinë, heqin dorë nga shumë privilegje, nga pjesëmarrja në turne të rëndësishëm (botërorë dhe europianë, ku Shqipëria ende s’ka marrë pjesë) dhe nga ndonjë trajtim më i mirë financiar.

Ju lumtë Canës, Mavrajt, Ramës, Berishës, Kaçes (e patë ç’i ndodhi për shkak se zgjodhi Shqipërinë, vetëm në burg mungoi t’a fusnin) e të gjithë të tjerëve.

Por e tërë kjo nuk më bën të bie në patetizmin tjetër masiv të këtyre ditëve, që të bëj sikur po më intereson shumë, për gjasme faktin se tani që u eliminua përfundimisht ekipi ynë përfaqësues, na qenka sidoqoftë mirë puna, se ja, ca shqiptarë do të venë në Botëror (këta që luajnë për Zvicrën)!

Kjo nuk ka kuptim fare!

Kur luajnë për kombëtare tjetër, shqiptarë mbeten, por mua dhe vendin tim nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë!

Atëherë përse të mos bëjmë tifo edhe për Nini-s të Greqisë po u kualifikuan edhe ata?