Speciale
Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes (1919)
E hene, 14.10.2013, 06:00 PM
Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie ; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.
Sot kjo familje
asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u
përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e
kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më
168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes
së lumnisë së vet të hershme.
Porse, si të
thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes
së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi,
prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi
gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së
disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe
plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë
ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të
furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të
stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë
të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e
hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë
tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.
Ky popull asht
bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në
Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të
veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot
zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.
Po qe se
përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si
karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të
tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të
vet etnikë dhe gjeografikë. Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të
Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete,
përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare.
Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për
liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në
vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në
këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe
sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi
ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar ?
Kaluen po
pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai
cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si
shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se
ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë
me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam
tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me
vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të
vetin mbi Shqipni:
“Pushtime të
hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë
kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.
Për lirinë e
vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti
veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji
periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe
karakterin e vet kombëtar, - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë
kufijve të sajë, - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E
gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt
të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri
dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me
thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos
me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e
mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e
mbrapa.
Botën mbarë në
zi do ta mbështillte. - Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës.
Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si
dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë
gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi
krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm
kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut.
Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti,
Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve
të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi
mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se
kulshedra me dragoj po u turret.
Por mundet
ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe
jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe
pamvarësisë së vendit të vet.
E mos kujtoni se
me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e
shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha
të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë
otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos
t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e
rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip
kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë
lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të
cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot
edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat,
kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë
ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se
kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan
mbrenda Greqisë kundra elementit turk.
Arsyeja pra pse
kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte
ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi
ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia
ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me
e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë
faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe
gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte
qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej
kristjanëve.
Po e shoh,
Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji
paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin
Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por
megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe
kanunet tona, - por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija
shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash
ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet
lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak
me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me
e mohue fenë ; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë
me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në
vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë
Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e
vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën
dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë
ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë
kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as
hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente
përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për
Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në
Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i
posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë,
sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli
prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Në vjetën 1915,
malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral
dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët
pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë
të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me
fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për
ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë
ata që dishmoheshin shqiptarë.
E sot Konferenca
e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue
kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!
Prej këtyne
punëve, - për mos me folë për të tjera, - duket çiltas se shqiptarët, prej
pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa
turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji
farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në
Ballkan.
Thonë armiqt
tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i
vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe
pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet
shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të
zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca
ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete
dhe krejt i pamvarun...
Pra, simbas
mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë
atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e
sundue dhe për me vu rregull, - meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk
janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të
vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue
lufta e madhe evropiane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka
pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj
e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që
kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që
kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna;
që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me
qindra mijëra robsh të ramë në dorë, - e megjithate sot ata munden me qenë
shtete të lira; - po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos
tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku
ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?
Serbt, në kohën
e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe
foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë
natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne.
Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot
Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa
kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni”
në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por
edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut,
unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue
aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë
qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar. Ah, po, duket çiltas, se nuk
“duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse
shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot
nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të
veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të
ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të
Ballkanit.
Asht gabim me
thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën
fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç
duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar.
Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të
organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të
tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për
të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën
shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i
shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i
ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV,
19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po
i la simbas përkthimit të Montit:”... Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso
figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa
citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për
vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim,
mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri
vrasjen - fyerjen e parë.)
Duket pra
mirëfilli se prej të marrunit të gjakut - vendetta - nuk mund të thohet se
kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i
pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor,
si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve
të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar.
Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e
cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë
të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht
e vërtetë, - sikurse njimend asht e vërtetë! - se poezia popullore asht pasqyra
e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, - thonë ata, - prej kangëve
popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta
vrasjesh ose gjaku.
Përpara se
ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem
në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka
rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, - sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu
mbi botë, - e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka
përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit
tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra.
Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët
mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë
elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se
shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji
fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë
qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë
se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt
tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë
shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban
mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX
qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të
lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta
kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të
vet.
E pse pra
shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë
faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për
arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë
diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot
integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të
bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na
qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot
shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje
edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Mandej, sa për
atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun
për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht
ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë
e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si
rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk
mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato
interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej
të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e
me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në
disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe
pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë
interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe
ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në
Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në
anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e
veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin.
Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i
mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që
kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij
ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte
mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise
nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Sllavët e
Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë
e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër,
për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji
formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë
pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë
vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore
politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me
paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë
Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se
katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore
politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera
fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit
shqiptar.
U përpiluen të
tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E
kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë.
Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt
ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe,
fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për
gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë
mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai
i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj... E
gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po përse tash,
inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale
nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e
naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji
gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le
të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë
ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të
tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi shqiptar i
ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë
dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë.
Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë
edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në
memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së
Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ju a
mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se
kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë
kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e
vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori
të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe
aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm
mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër,
githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme,
Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron
gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka
burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat
kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto,
Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të
qytetnuem.
...
Tash, Zotni,
mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për
të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë
a) për nji
pamvarësi politike;
b) gjithnji
mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit
shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë,
sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra,
me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në
Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë
botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i
respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E
njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të
shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për
pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se
do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të
Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të
shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e
pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle
të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë
gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i
papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun.
Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë
t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. - Prandaj lypset të
përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me
përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit,
sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të
pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive
willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë
me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si
shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të
përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në
rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të
huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti,
mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa
duhet.
Simbas këtyne
parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet
gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e
pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me
individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të
gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet
tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet
dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u
caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë
rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore.
Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë
transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë
tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike,
latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë
të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e
flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të
kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i
gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër
popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i
imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue
popujve të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet
ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej
njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që
ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë
të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet
gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose
kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit
shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me
gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë
fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë
në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me
pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra,
në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e
Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë
e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë
ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila
prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria,
“Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput
prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar.
“
Dhe mos të
mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne
fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e
tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej
këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej
Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të
popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me
prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me
kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për
banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e
njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek,
atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë
në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë
katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne
pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe
sikletit.
Popujt e qytetnuem
munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e
mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë
kurrë me gri - e në ç’mënyrë mandej! - me qindra e mijëra vëllazën
“bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në
Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit,
dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të
Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.
Jo jo, Zotni të
nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e
qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen
me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej
Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi
kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë
shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.
Por për me i
forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju
përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit
të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër
Bleu (në diplomaci - asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka
asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të
Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt
shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e
greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e
veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato
pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”
Qe pra, Zotni,
se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti
shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes
kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë
ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin
1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.
Tuj ju falë
nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do
ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në
Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara
Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë.
E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja
me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë,
me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ? Pse i keni dalë zot
Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit ? Vetëm mbështetun në parimin e
kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë
edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë,
Varshavë... Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka
pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por
përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të
paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull !”