Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaban Cakolli: Shkrimtari i zërit të kohës

| E hene, 14.10.2013, 07:46 PM |


SHKRIMTARI I CILI I QËNDRON ZËRIT TË KOHËS

Shkruan: Shaban Cakolli

Dibran Demaku u lind në Abri të Epërme (komuna e Drenasit), Kosovë, më 18 prill 1956, ku edhe mbaroi shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ku pastaj studioi Letërsinë e Gjuhën Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Shtatë vjet punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, Programi për fëmijë. Që nga viti 1993 jeton e punon (përkohësisht) në Gjermani.

Me shkrime merret që nga bankat shkollore. Shkruan poezi, prozë e publicistikë. Shkrimet e tij i ka botuar në të gjitha gazetet e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë, Shkup e Podgoricë.Të jesh shrimtar është detyrë e vështirë,shkrimtari duhet të jetë në shërbim të kombit,larg nga politika.Dibran Demaku,është njëri nga shkrimtarët i cili nuk i ka filluar shkrimet e tija në kohën e sotëme,për lexuesit është i njohur  nga vitet e 80-ta,i cili në asnjë rast nuk ka braktisur muzën e tij,andaj shquhet si shkrimtar për fëmijë dhe të rritur.Një shkrimtar i çiltër i cili në prozë e poezi,ka maturi në përzgjedhëjen e temave,din të trajtoj ato bukur në art,me mjete shprehëse të pasura me figuracion stilistik,me shije e kulturë gjuhësore.Një shkrimtar dhe poet që di të shkruaj për figurat madhore e të ndritura,për trevat heroike e guximin,për doket,zakonet e traditat,për  Drenicën vendin e tij të shumëvuajtur por asnjëherë të përulur,përKosovën,Prishtinën,Ulpianën,për Shqipërinë,Çamërinë,për shqetësimet që koha ua shkaktoj njerëzve dhe brenda këtyre temave e ngjarëjeve poeti shpreh qëndrimin dhe botën shpirtërore,duke ditur kujdesshëm të shkruaj biografi mbi historinë e atdheut,mbi jetën dhe përjetimet e veta,,duke sjellur optimizëm për një të ardhme më të ndritur e më të lumtur për kombin.Vargjet e tij me vlera të njëmendta artistike,shquhet ndër poetët  që janë zë i kohës së tyre,në shpirtin e të cilit diçka ndizet,flakëron e sjell mesazhe të fuqishme.Kjo e bënë shkrimtarin dhe poetin tonë Dibran  Demakun të dashur për lexuesit e vegjël dhe të rritur.Poezia është rruga e fshehtësisë,të cilën rrugë fshehtësie  Demaku pa nxitim e përmbushë me vlera shpirtërore të artit,të cilat do të qëndrojnë si zë i kohës,duke mbledhur vlerat ashtu si mbledh bleta nektarin,kur ndjen se krijohet sasia dhe cilësia e vargut të bukur të ngrehur në art,troket në dyert e shtëpisë botuese.Kjo ndoshta mund të zgjatë me vite,por poeti nuk  nxiton,nga se është i vetdijshëm se të nxituarit nuk arrijnë të duhuren,por përmbushja e shkrimeve të tij me vlera shpirtërore të artit,e bënë  lexuesin të pritin me padurim nga krijimtaria e tij e re.

Deri më tash ka botuar këta libra:

„Vogëlushë dhe shtatore“ -Vjersha për fëmijë

„Rrëfimet e kalasë së vjetër“- poemë për fëmijë

„Gjeografia e klasës sime“-vjersha për fëmijë

„Ëndërr e bardhë“-poemth i ilustruar për fëmijë

„Shpirtra të shitur“-tregime për të rritur

“Dardha ka bisht“-poezi satirike

“Jetë në ikje“-tregime për të rritur

“Në tokën tonë“-novelë,“Larg“-poezi

"Vetmi"

Ka në dorëshkrim edhe disa libra me poezi , tregime e novela.

 

ME DHËMBJEN TIME TI IKE

 

Me dhëmbjen time ti ike

e në mua u ndez fanar i mali zallit

 

Me dhëmbjen time ti ike

kujtimet u gurëzuan në gur

hijet e ikjes u bënë mur

 

Me dhëmbjen time ti ike

në bebzat e kallura rigon shi

për një ëndërr të djegur në gji

 

 

TË RASH PAS

 

Të rash pas, moj të rash pas

rrugës kur shkoje për gjimnaz

Popullore

 

 

Të rash pas moj shpirti im

as ngadal as me nxitim

 

Të rash pas por nuk të zura

se kalove larg nga ura

 

Të rash pas por s`të arrita

se në rrugë kishte shumë prita

 

Të rash pas në dritë të hënës

të ia ndez një xixë ëndrrës

 

Të rash pas në dritë të diellit

shkëlqim komete në mes të qiellit

 

 

SERENADË

 

Valë e kthjellët e liqenit

përqafon brigjet me gëzim

mollë në kopshtin e Edenit

serenadë e shpirtit tim

 

Puhi e lehtë e mbrëmjes verore

mbi syprinë krahët shtrinë

Kitara ndez zemrat në kraharore

zgjon një ëndërr për dashurinë

 

 

TESTAMENTI

 

Ne nuk patëm kohë të bënim pasuri

se shekujt kishin uri

Çfarë ndërtonim ditën na rrënohej natën

në besë u premë e fat të keq patëm

Toka  e pinte pa mëshirë gjakun tonë

e këngët e zisë tek ne bënin jehone

Me nga një strajcë në qafë e shkonm jetën

me dhëmbë të prishur gërryenim vetëvetën

E fëmijëve si ushqim u zienim gur

e me gurët e zier ndërtonim mur

Ujqit e uritur shqyenin gjithçka me dhëmbë

e ne na dridhej toka nën këmbë

Disa ikën nga sytë-këmbët

veç nga mollët e tharta iu mpinë dhëmbët

Një testament të varfër tash e shkruajmë me zemër

nëpër kohërat-furtunë e ruajtëm në emër

 

 

KUSH

 

Kush i vodhi ëndrrat

Nën qiellin e mjegulluar

Të netëve tona

Të pa gjuma

 

Kush i këputi filizat

E stinës së re

Në bulim

 

O kush ngarend

Si kalë i hazdisur

Mbi ballin tonë

Të ngrysur

 

 

MINJTË

 

Në morfologjinë e gjuhës së nënës

të pezmatuara e të shqetësuara rimat

nën rrezet e zbehta tëhënës

minjtë dalin nga vrimat

 

Lëvrijnë si krimbat nën xhamin e lupës

e na e zgjojnë ndjenjën e krupës

kryefjala e kallëzuesi i shqipes

pëlcasin si kokrra e kripës

 

 

GJEOGRAFIA E SHPIRTIT

 

Një çerep dhe një bukë

zëri i fyellit në një sukë

 

Borë e bardhë si plis mbi male

këngë e vashave në livadhe

 

Uji i limit rrjedhë nën urë

rreze dielli mbi ca gurë

 

Çerdhe zogjësh Shqiponje në plep

gaz i foshnjës zgjuar në djep

 

Çifteli e pushkë në Kullë

gjushi pi duhan në llullë

 

Në një ëndërr në agim

Gjeografi e shpirtit tim...

 

 

SEPSE

 

Sepse besa nuk është besë

sepse loti nuk është vesë

 

Sepse emri nuk është emër

sepse zemra nuk është zemër

 

Sepse drita ka ndërruar ngjyrë

sepse fjala ka ndërruar fytyrë

 

Sepse kënga nuk është këngë

sepse jeta kapuq me mëngë

 

sepse lumi nuk derdhet në lumë

sepse ëndrra nuk do gjumë...

 

 

NËPËR GURË E VALË

 

Nëpër gurë e valë

seç noton një fjalë

 

Nëpër valë e gurë

ngrihet lart një mur

 

Një mur i qëndresës

në mitin e besës

 

Besë e kombit tim

në shekuj-nderim...

 

 

PËR

 

Për një gjurmë të hapit

ndërron drejtimi i vrapit

 

Për një fjalë të gojës

ikën kuptimi i lojës

 

Për një veprim të rastit

ikën gëzimi i çastit

 

Për një grimë të gurit

bie krenari e murit...

 

 

GJEOGRAFI E ATDHEUT

 

Armiqët të brejtën

pak nga pak

si minj të uritur

vrimave

 

E ti në log

betejash

u këndoje këngë

trimave

 

Shekujt iknin

dalë nga dalë

e ti bëje jetë

kaçakqe

në mal

 

Duke shitur

dushk për gogël

e tkurreshe

e bëheshe

e vogël

e vogël

 

Kur dielli

të ndriqoi rrugën

jetën

nise të gërryesh

vetëvetën

 

 

ËNDRRËN KENI PREKË

 

(Jusuf,Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës)

 

Nata derdhte terr

natë e ftohtë Janari

ëndrrën kush e tjerr

nën një dritë fanari

 

Në Untergrupenbah

tri lulëkuqe gjaku

a dëgjove Bah

si t`u skuq mbrëmë praku

 

Dhe ti Volfgang Gete

ti Fridrih Shiler

stuhi nëpër dete

n`buzë të agimit-terr

 

Ti Jusuf Gërvallë

dhe ti Kadri Zekë

Bardhoshi lot n`qepallë

për të tyren Mekë

 

Për të tyren Mekë

që Kosovë-një emër

ëndrrën keni prekë

me shpirt e me zemër

 

 

RREZE DRITE

(Katedrales së Prishtinës)

 

Në ekranin e televizorit

shfaqesh madhështore

tek rrit shtatin

nën qiellin e kaltër të Kosovës

 

Në themelet e lashta të Dardanisë

ti rilind si një Feniks

mbi lulëkuqet e gjakut e nis jetën

shekujve n`vijim u rrëfen të vërtetën

 

Engjujve e zanave ti u bën rojë

hienave e shtrigave u mbyll gojë

si diell mëngjesi mbi male

Prishtinës rreze drite i fale

 

 

GJUHË E QENIT

Gjuhë e qenit

këtu e n`Kinë

nuk ndërron ngjyrë

as melodinë

 

Nuk ndryshon

asnjëherë vesin

edhe veshët

kur ia presin

 

Leh në mik

e në armik

dikush thotë

ai është besnik

 

Gjuhën qençe

e përdorë vënçe

n`prak të derës

i nuhat erës

 

NDALO VRAPIN...

Desha të pyes,o kombi im

çfarë po ndodh në fillim-shekull

do të dënohesh me harrim

po nxjerr sy duke vënë vetull.

Ku i humbe ato tradita

që n`shekuj t`ndrisnin ballin

tash pse vetës i vë prita

dhe lidh besë me vetë djallin!

 

Miku-mikut ia nxjerr sytë

veç për vete flet e mburret

nuk duron n`krah një të dytë

për interes i luan dhe gurët!

 

Dikush thumbit,dikush patkoit

një hap para e tre prapa

ashtu si gjethin e ftoit

n`mes të dimrit-na djeg vapa.

 

Na djeg dimri na ngrin vera

akujt e nxehtë shkrijnë në faqe

n`acar mos të çelë pranvera

e gjejmë ferrin-tek kërkojmë paqe!

 

Gjithmonë i fajsojmë të tjerët

edhe themi:Na bëjnë me hile

veç s`e kuptojmë ne të mjerët

gjithmonë vetës ia lëmë:kile!

 

Kemi harruar thënien e vjetër

-Veç bashkimi bën fuqinë

kemi zënë një rrugë tjetër

dhe s`e gjejmë dot dashurinë!

 

Ndale vrapin kombi im

dhe mendo me mend të kokës

nëse s`do n`shekujt n`vijim

prapë të mbetesh n`bisht t`epokës!...

 

 

DREJTORI

 

Në komunizëm ishte drejtor

prapë drejtor n`demokraci

Si s`u skuq njëherë ai horr

po të skuqet ai nuk di?!...

 

 

KUJDESI I MIKUT

 

S`ishim parë muaj e muaj

ishte bërë plot një vit:

-Ku ke qenë s`të kam parë

kanë kaluar plot dhjetë ditë?!

 

Çfarë t`i thuhet të tillë miku?

hajt sqarohu ti po deshe!

-Ka qenë i rënduar trafiku

dhe përcille me...buzëqeshje!...

 

DYFYTYRËSHI

 

Je më i miri,je tërë nur

i thotë mikut mu në sy.

Prapa shpine e gjuan me gur

nuk ngurron as ta pështyj`!...

 

 

PREMTIM E BESË

 

Besë e dhënë nga dashnori

në një kënd të një flete:

-Le të më djeg purgatori

në mashtrim po më gjete!

 

Kështu i shkruante ai dashnorës

dhe i bënte be e besë.

Tjetrën mbante fort për dore

dhe e puthte pa pendesë…

 

 

LULE E SË KEQES MOS LULËZO

 

1.

Ti nuk mund të vish asnjëherë me ne

nuk je rreze drite veq një e zezë re

në qiellin e kaltër asnjëherë pasqyrë

veq një natë e errët me një të zezë ngjyrë.

 

Ti nuk mund të kalosh e lirë nëpër shtigje

se të mallkon zëri i nënës për të birin

askurrë në jetë nuk mund të matesh me brigje

se këngë e lëngatës nuk  ngjallë delirin.

 

Lule e së keqes mos lulëzo në zemër

helmi yt mbyt fëminë në bark të nënës

nëpër shekuj do jeshë i urryeri emër

pa rreze dielli e pa dritë të hënës.

 

Dante vendosur të ka në rrethin e nëntë

të ferrit e nga aty nuk do te dalësh kurrë

mallkimi do bjerë gjithnjë në emrin tënd

tradhëti në stinë e mote:mallkuar.mallkuar.

 

2.

Ti pritë u zure trimave në shtigje

kah marrëshonin me zemër zjarr e dritë në sy

dhe solle vajë e pikëllim në brigje.

 

Sa herë zemrat e motrave i shndërrove në gur

e këngët i ke ngrirë pa dalë mirë nga buzët

shpresat e ëndrrat në një gjysëm-shtizë flamur.

 

Kush të polli i pari e të solli në këtë mes

farën e përqarjes mbolle edhe në mes babes e birit

në këtë vend që dikur kishte veq dashuri e besë.

 

3.

Lulet e së keqës ti merri me vete

e zhduku bashkë me rrënjë nga tokë e dete

e kurrë më kurrë mos u dëgjoftë emri yt

as këtu e askund nëpër kontinente...

 

 

KOSOVË-DRITË E KËNGË KRENARE

 

1.

Veq në ty rrezet e diellit

janë të nxehta dhe përcëlluese

veq në ty rrezet e hënës

janë të ëmbla dhe mikluese.

 

Veq në ty këngë e bariut

është më e bukura melodi

veq në ty sytë e vashave

janë të bukur e plot magji.

 

Veq në ty lisat e malit

rriten të gjatë e gjithë kreni

Veq për ty edhe pse larg

n`zemër ruaj një dashuri.

 

Veq në ty e veq me ty

më lidhin ëndrra e kujtime

ti lule e bardhë e dritë në sy

O,e shtrenjëta vendlindja ime.

 

2.

Sa herë vijë më del përpara

e më pret si nëna të birin

më uron:Të priftë e mbara!

 

Unë ulem e ta puth tokën

syri nxjerr lot-xhevahirin

ëndrra zgjohet për Nënë-Lokën.

Larg shumë larg nga tuat male

larg shumë larg nga tuat fusha

dëshirë shprishur plot me halle.

 

Larg nga ti më janë zbardhë flokët

 

Si ujë lumi vitet rrjedhin

koha ikën e harruar

e diçka nga mua vjedhin.

 

Pse më ike,pse të ika

në ca net të errëta fare

nëse s´kthehem më rënt pika.

 

Në tokën tënde veq shqiptare

n`shekuj më s`na përcjell frika

Kosovë-dritë e këngë krenare...