E marte, 23.04.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Mendime

Shkrimtarët analizojnë romanin e Ben Blushit

E shtune, 24.05.2008, 12:56 PM


Shkruar nga T.O.  (Tirana Observer)

1. Asnjë roman apo vepër letrare e botuar pas vitit 1990 në Shqipëri nuk është shoqëruar me kaq debat, me kaq interes për median dhe për publikun sa romani "Të jetosh në ishull" i Ben Blushit. Cilat janë arsyet, sipas jush, që ky roman jo vetëm po shënon shifra rekorde në shitje, por edhe një interes për diskutim publik?

2.  Si shkrimtar, si e vlerësoni ju veprën nga ana artistike, ideore, kulturore dhe artikuluese? Ku qëndron kufiri i shkrimtarit me historianin?


3.  A mund të quhet romani në fjalë një referencë letrare edhe për temën që ai rrek në të, atë të konvertimit nga feja e krishterë në atë myslimane?

Diana Çuli
shkrimtare

1.    Arsyeja e parë dhe kryesore është niveli artistik. Një vepër letrare që të pëlqehet, mbi të gjitha duhet të jetë e shkruar mirë, bukur, me thellësi, me aftësi, me talent. Të gjitha këto cilësi i ka vepra e Blushit, ndryshe, sado reklamë t'i bëhej, nëse do ishte vepër e dobët, njerëzit do të shfletonin disa faqe dhe do ta linin. Kjo ka ndodhur me vepra të dobëta, të cilave u është bërë reklamë, por lexuesi, pasi ka lexuar veprën, ka heshtur me indiferencë.
"Të jetosh në ishull" ka tërhequr lexuesit, kritikët dhe analistët edhe për temën që trajton, një temë që në debatet tona është gjithnjë e pranishme. Ne kërkojmë të dimë shkaqet pse jemi dhe sillemi në një mënyrë apo në një tjetër, pse kemi pasur histori të ndryshme nga popujt e tjerë të Ballkanit, etj., dhe, duke lexuar romanin, një diskutim i tillë të vjen përsëri në mendje dhe të nxit të debatosh. Gjithashtu, periudha e Mesjetës së vonë, kohë në të cilën janë vendosur ngjarjet, është pak e trajtuar nga letërsia dhe pak e njohur në detaje nga shqiptarët.
Së fundmi, debat shkaktojnë veprat e mira. Duhet të jemi të kënaqur që në shoqërinë shqiptare më në fund po debatohet për ide, mendime dhe refleksione që nxit një libër dhe jo vetëm nga "Kafazi i artë" dhe "Big Brother"-i.

2.     Vlerësoj profesionalisht aftësinë e Blushit për të organizuar dhe shndërruar në letërsi një lëndë aq të madhe, shumë personazhe dhe mjaft të skalitur e origjinalë. "Të jetosh në ishull" është një roman i tipit polifonik, shumëzërësh, ku konvergohen te njëra-tjetra disa nënshtresa. Romane të tillë janë të llojit më të vështirë. Gjuha është e pasur dhe shpesh metaforike, me ndërhyrje nga filozofia herë pas here. Do t'i kisha sugjeruar ndonjë shkurtim, sidomos në kapitujt e parë, se më duket sikur bie ritmi për shkak të përsëritjeve të vogla, po këto janë vërejtje subjektive dhe nuk e cënojnë veprën.
Për sa i përket historisë dhe letërsisë, mendoj se në debatin e hapur, shpesh është rënë në një ngatërresë. Bëhet fjalë për një roman dhe jo për punim historik. Në roman autori, po të dojë, mund ta shpjerë personazhin e Ali Pashës sikur flet dhe me një jashtëtokësor. Kujt i kujtohet Ali Pashai i Aleksandër Dymasë, ku thuhet se pashai ynë kishte një vajzë? Nuk u zemërua njeri se kjo nuk ishte historikisht e vërtetë. Shekspiri ka pasaktësi të bujshme historike në veprat me emra mbretërish të vërtetë, po askush nuk e ka akuzuar se ka shtrembëruar historinë.
Zhanri i romanit historik është diçka tjetër, ku autorët i qëndrojnë ose përpiqen t'i qëndrojnë sa më tepër besnikë historisë, po në rastin e Blushit nuk kemi të bëjmë me atë tip romani. Veprat e Sabri Godos, për shembull, mbi Skënderbeun dhe mbi Ali Pashain janë vepra të zhanrit që përmenda.

3.     Më duket se pjesa e debatit që është ngritur mbi këtë tezë, ajo pjesë që e ka anatemuar librin si mbajtës të një ane fetare, është krejt e pavend. Romani, edhe po të lexohet pa lupë, e ka shumë të qartë mesazhin e kundërt, pra të suksesit të shoqërisë shqiptare te bashkëjetesa dhe përzierja e feve brenda një familjeje. Një sukses që u arrit jo lehtë, me mundim, me kontradikta, siç ndodh në çdo vend të botës dhe në çdo shoqëri njerëzore, ku duhet të pajtohesh dhe të bashkëjetosh me fe dhe kultura të ndryshme. Anatemimi që u përdor nga disa persona në këtë debat ishte, në rastin më të mirë, i nxituar dhe i nxitur nga ndjenja subjektive e ekstreme, që nuk kanë lidhje me librin. Nga ana tjetër u duk dhe një lloj inercie censuruese ndaj letërsisë. Por, siç e thashë dhe më lart, ky debat, në thelb ishte pozitiv, se u ndërtua mbi një fakt letrar. 

Luan Rama
shkrimtar

1.    Debati i hapur mendoj se duket një debat i panevojshëm. Kush e hapi këtë debat? Përse? Ç'vlerë ka kjo? Apo mos vallë është një lloj frike, autocensure? Çfarë vallë? Apo ndokush sheh në të efektin e "Da Vinçi Kod"? Ca fraza në gojën e një personazhi të shekullit XVII, për të cilat banori i shekullit XXI flet për blasfemi ndaj Zotit, Islamit, Allahut, etj., janë jashtë realitetit dhe nuk i përkasin mjedisit shqiptar. Shoqëria jonë nuk është mësuar me blasfemi të tilla, me spektra të tillë që ngrihen për të trembur këtë apo atë lloj besimi, për t'i kundërvënë atë me rastin më të parë. Ata që flasin për blasfemi, janë padyshim më të indoktrinuarit nga feja, më të paemancipuarit, të palexuarit e historisë, që dinë të shohin vetëm bardh e zi dhe që na kujtojnë kohërat totalitare. Njerëz që nuk njohin madje as historinë e besimeve. Dhe çuditërisht, kur personazhet shajnë krishtërimin, në po këtë libër, apo pas disa faqesh, askush nuk e merr për blasfemi kundër Krishtit. Sigurisht, të ngjan se është një efekt i jashtëm, i influencuar si duket nga zhurmat që bënë karikaturat ndaj Profetit, apo klithjet kundër islamo-fobisë, kur nuk ekziston një fobi e tillë. Besimi është besim, qoftë ky i krishterë, mysliman, hebraik, etj., ashtu siç mund të jenë dhe besimet politeiste. Aq më shumë që në këtë roman, brenda një familjeje, janë bij apo vëllezër të një gjaku dhe me fe të ndryshme, ku islamit dhe kristianizmit, autori përpiqet t'i afrojë dhe judaizmin. Pra një refleks i përjetimit të besimeve shqiptare përgjatë disa shekujve, për të ardhur kështu deri në ditët tona. Lidhur me debatin për identitetin kombëtar, e kemi thënë dhe më parë. Elementi thelbësor i identitetit nuk është besimi, feja, por janë një tërësi vlerash të tjera: Është gjuha, kultura, historia e një kombi, përjetimi i kësaj historie, historia e marrëdhënieve ndërnjerëzore, etj. Madje shqiptarët nuk janë si spanjollët e italianët, ku feja, në historinë e tyre ka qenë një element i fuqishëm; nuk janë si iranianët apo sauditët, etj., ku feja përsëri bëhet shtyllë e një konstitucioni shpirtëror, madje imponohet gjer në konceptimin e shtetit dhe një strategji politike të caktuar. Shqiptarët janë ndryshe, dhe kjo më mirë për ne. Nuk duhet ta harrojmë tregimin interesant dhe mjaft domethënës të Edith Durham kur zbriti në malet e Ballkanit. Ajo pikëtakoi shumë banorë të këtyre maleve. Kur pikëtakoi serbë dhe i pyeti se çfarë janë, ata iu përgjigjën se janë të krishterë, kur pikëtakoi boshnjakë ata iu përgjigjën se ishin myslimanë, dhe kur përshkoi malet shqiptare, malësori që pikëtakoi të njëjtës pyetje iu përgjigj se ishte një shqiptar. Të qenit shqiptar ishte ndjesia thelbësore dhe e parë e çdo shqiptari, pavarësisht, nëse në vatrën e tij kishte myslimanë, katolikë apo ortodoksë. Dhe kjo padyshim bëri që shqiptari të mos tjetërsohej dhe të mbetej shqiptar. Bajroni që pikëtakoi shqiptarët nuk shkruan se "pashë apo takova myslimanë shqiptarë", por thotë vetëm shqiptarë. Po kështu thonë dhe Amie Bué, Poucqueville, gjithë ajo radhë udhëtarësh të huaj, historianë, linguistë, etnografë, arkeologë, etj., të cilët vizituan trojet shqiptare. Kjo gjë përsëritet edhe sot. Po të pyesësh një shqiptar, në çdo pikë të globit, do të të përgjigjet se "është një shqiptar" dhe asgjë tjetër.

2.     Të flasësh se ky roman mund të cënojë harmoninë fetare në Shqipëri është padyshim naive. Brenda kësaj pyetjeje ekziston një lloj paranoje. A do ta pranojmë ne që ta përjetojmë këtë lloj autocensure dhe paranoje? A do të pranojmë ta mbytim lirinë e mendimit, të shprehjes artistike? Për Vatikanin dhe Jezunë me qindra romane kanë qenë blasfematorë dhe kjo nuk e ka tronditur besimin! Nuk janë djegur ambasada, nuk është bërë thirrje për luftë, nuk janë nxjerrë dekrete dënimi me vdekje! Po kështu, në mijëra vjet, judaizmi ishte pre kryqëzatash. Ndërsa tani, pse një personazh romani na thotë se shqiptarët u islamizuan me forcë në shekullin e XVII, na ngrihen disa dhe na thonë se po tronditet harmonia ndërfetare në Shqipëri! Kjo është vërtet absurde. Harmonia ndërfetare është padyshim diçka mjaft e çmuar, që ne duhet ta ruajmë, ta kultivojmë, pasi është shprehje e tolerancës. Por në fund të fundit janë disa vlera të tjera që janë mbi fenë, besimin dhe të cilat indirekt i shërbejnë kësaj harmonie: Janë vlerat e Lirisë së njeriut, e lirive themelore të tij, ku hyn dhe besimi; është vlera e së Drejtës që rregullon jetën njerëzore; është vlera e Demokracisë, pra vlera këto universale. Mbrojtja e forcimi i këtyre vlerave forcon dhe harmoninë ndërfetare dhe e ruan atë nga çdo lloj agresioni, ngado që të vijë.

3.     Mendoj se nuk duhet të flitet vetëm për periudhën 1600-1900, e cila realisht nuk është "vizituar" apo qëmtuar nga historia dhe aq më pak nga letërsia dhe artet, por edhe periudha akoma më të hershme. Ne shekujt XII-XIII, shumë ngjarje ndodhën me shqiptarët: Luftërat me normandet (Robert Guiscard dhe Bohemundi); lidhja me Bizancin dhe betejat në brigjet e Ilirisë, luftërat rreth Durrësit e Vlorës, (Alexis Comnene, etj.); aleanca e mëvonshme me anzhutë (Charles I d'Anjou), ku për herë të parë Shqipëria është në një mbretëri bashkë me Napolin, epoka veneciane dhe principatat shqiptare, migrimet e mëdha të shekullit XIV, koha e nizamëve që i shpërndau shqiptarët në disa kontinente, etj. Këto janë faqe të bardha të historisë sonë. Në shumë vende të tjera, të mbështetur nga historianët dhe biografët, letërsia historike është zhvilluar shumë dhe biografitë kanë qenë dhe janë në modë, çka nuk mund të thuhet për letërsinë dhe artet tona. Dhe është e kuptueshme. Aksesi tashmë në arkivat e huaja do t'u japë mundësi historianëve dhe rrjedhimisht edhe letrarëve e artistëve që të rilevojnë ngjarje dhe personazhe historike nga më të habitshmet dhe pasionantet, përmes artit. Dhe kështu, letërsia dhe artet do të ndihmojnë në mishërimin dhe krijimin e një afresku plot kolorit të jetës dhe bëmave të shqiptarëve nëpër histori. Kjo padyshim do të na zbulojë dhe tipare të tjera, të panjohura, rreth identitetit…

Flutura Açka
shkrimtare

1.    Më vjen shumë mirë që ne shqiptarët më së fundi jemi zgjuar dhe bëjmë debate të tilla publike. Kur këto vijnë prej një libri, kjo është edhe më pozitive. E gjithë bota e civilizuar është e hapur dhe e disponuar për debate të tilla. Mua më vjen keq që shpesh libra me interes mbeten pa shenja. Arsyet pse ky libër u bë shkak debati është padyshim tema e tij, fraza e tij, që duket se u ngjan disave si gurë nëpër thembra. Për të gjithë ata që gjykojnë mbi veprën, mbi vlerën e saj artistike, mbi forcë abstraguese të autorit, unë do të mendoja se bëjnë një shërbim të vlefshëm. Të gjithë të tjerët që merren me autorin si politikan, me jetën e tij publike e personale, që as e kanë lexuar librin, por vetëm shënojnë emrin në listën e atyre që çoç thanë për këtë çështje, më duken snobë dhe jashtë qëllimit të këtij debati. Një çështje është shumë e qartë: Shkrimtari që shkruan një fiction nuk mund të paragjykohet. Absolutisht jo. Shkrimtari lexohet ose jo, pranohet ose jo, vendoset në bibliotekë pas leximit ose jo. Por kurrsesi atij nuk mund t'i diktohet si të shkruajë, as t'i jepen leksione historie e politike. Ben Blushi është pozicionuar si shkrimtar në libër dhe duhet trajtuar si shkrimtar në debatin e tij.

2.     E përsëris, ai është shkrimtar që paraqet një vepër, qoftë kjo edhe "problematike". Fundja, ai bën një ftesë për debat publik. Dhe ky debat është shumë i shëndetshëm për një shoqëri si e jona që kemi droje të jemi aq të hapur. Vepra është e shkruar këndshëm, ndjehet që Blushi ka stof rrëfimtari, idetë e tij janë fare personale dhe ata që ndjehen të atakuar prej tij, kam frikë se kanë probleme me veten dhe intolerancën e tyre, ose padije për të kuptuar ç'është ndryshimi mes një vepre letrare dhe asaj historike. "Lajthitjet" e vogla historike pas së cilave ata kapen, nuk ia cënojnë vlerën veprës. Blushi është shkrimtar dhe jo historian. Gjykojeni si shkrimtar. Sa kohë nuk gjykohet si i tillë, debati është jo dhe aq i justifikuar. Sinqerisht, librit të Blushit ky debat veç mirë i bën. Shkrimtari është i pagjykueshëm, ai shkruan si i vjen. Kush s'e pëlqen, të mos e lexojë.

3.     Debatit mbi çështjen e feve, mesa po e ndjej nuk i fryjnë vetë fetarët e vërtetë. Dhe, kjo më bën të dyshoj shumë. Ai ashtu e mendon atë çështjen, çështjen e konvertit. Ky është rezultat i deduksionit të tij personal dhe gjykimi i tij nuk besoj se rrënon a vë në dyshim realitetin. Unë ju jap një shembull të një shkrimtari të fuqishëm në Francë, po aq i debatuar në Francë dhe Evropë: Mishel Houellebec. Të ishte për t'u gjykuar, Evropa duhet ta kishte djegur në turrën e druve për cinizmin që ka ndaj saj. Përkundrazi, ajo e promovon atë çdo ditë e më shumë, pasi do të dijë ku e ka të keqen. Mishel Houellebec është njëra nga mendjet e hapura që ia tregon se ku e ka të keqen. Kam dëgjuar ca thirrje për djegien e librave të Blushit, për censurimin e tij, për akuza ndaj botuesit. Kjo është një gjë shumë tronditëse. Kjo më shpjegon se ne nuk kemi bërë asnjë hap drejt civilizimit dhe jemi ende pre e mostolerancës sonë. Ne kemi frikë kur dikush na e thotë të keqen. Pranimi i saj do ca kohë të vijë. Dhe kjo duket qartë nga ky debat. 

Bahri Myftari
shkrimtar

1.    Debati dhe interesi i nënvizuar prej jush, por i interpretuar me pa të drejtë me "zhurmë", ka rrjedhur për shkak se jo mendimi letrar dhe estetik, thjesht, jo vetëm mendimi i njerëzve të specializuar, por në të shumtën e herës, njerëz të ndryshëm, deri tek kalemxhinjtë e rëndomtë, të cilët kanë guxuar dhe kanë folur mbi veprën në fjalë edhe duke pohuar "se nuk e paskëshin lexuar", gjithsesi kanë bërë mirë në kuadrin e propagandimit, sikundër dhe kanë bërë dëm, se kanë pretenduar të pompojnë opinionin sipas "qejfeve" të tyre. Nëse do të fliste zëri i kultivuar dhe kompetent, nëse pena do të ishte e mjeshtrave të mirënjohur, romani do të kishte shkuar më me dinjitet tek lexuesi dhe njëherazi do të kishte justifikuar më së miri edhe atë që pohoni në pyetjen tuaj, se pas viteve '90 nuk ka pasur një interesim të tillë, i cili duhet pohuar se ka qenë më tepër mediatik.

2.     Romani "Të jetosh në ishull", veç të tjerash, mbart dhe "çudinë" ose vlerën që ka për autor një gazetar të mirënjohur. Unë mendoj se gazetari ka ndihmuar më shumë shkrimtarin në këtë rast, sesa shkrimtari gazetarin. Ndërkaq, në libër, edhe pse mungojnë disa karakteristika të letërsisë si peizazhi, përshkrimi, ambienti, portretizimi i mirëfilltë, Ben Blushi, prej natyre i pajisur me inteligjencë dhe nuhatje, por jo vetëm prej natyre, për çka thamë i ka suportuar me dramacitetin, me konfliktin, me ndeshjet e personazheve dhe ngjarjeve. Kjo ka bërë të mundur evitimin e mungesës së asaj që jemi mësuar deri më tash. Ana artistike, ideore etj. e veprës, ka padyshim vlera, por gjithmonë jo duke i ngritur ato në të pamundura. Ndërsa, kufiri i letërsisë me historinë, që padyshim është një temë me shumë interes, për përgjigje do të ishte një thënie e prof. K. Frashëri; që i quan me të drejtë broçkulla.

3.     Referencën letrare që nënvizoni ju, romani e ka siguruar si për "miqtë" si për "armiqtë", dhe jo vetëm për shkak të temës, deri diku të re dhe me interes. Blushi B. e ka të plotë "stofin" e shkrimtarit, në këtë pikë s'ke pse t'i rrish mënjanë. Ndërsa "mallkimi", "fe krishtere" - "fe myslimane" i kanë dhënë rrugë dramës dhe dramacitetit letrar, personazheve, fillimeve apo fundeve të tyre, lirik apo tragjik. Domosdo, as në roman dhe as kudo, nuk do të mund të krijohet një realitet tjetër i çimentuar më vonë se sa tema përkatëse, prej Rilindësve, prej Pashko Vasës: Se feja e shqiptarit është shqiptaria. Çdo "ngacmim" i kësaj aksiome, çdo fantazi mbi këtë të vërtetë, nuk do të pjellë kurrsesi art, nuk do të pjellë kurrsesi emocion dhe ide, gjë që Ben Blushi në veprën e tij e ka ruajtur dhe respektuar në thellësi të saj. 

Skënder Drini
shkrimtar

1.    Në radhë të parë, kjo ka të bëjë me faktin që ky libër është shkruar nga një politikan, i cili mesa di unë, nuk ka një kontribut të mëparshëm në letërsi. Në radhë të dytë, vetë tematika e romanit është ajo që ngacmon e të intrigon, dhe që mund të krijojë disa elemente polimizante. Kjo, jo për një karakter posedues ose sulmues të ndonjë religjioni të caktuar, që mund të ketë një vepër letrare, se nuk ka të bëjë me atë, por për sensibilitetin që merr në vetë reklamën që i është bërë kësaj vepre paraprakisht në media. Dhe nga reklama që i është bërë veprës para se të dilte mirë në botim. Kur bisedojmë për një vepër të kësaj natyre, në radhë të parë duhen vendosur kanone të sigurta në mes të veprës letrare dhe asaj historike. Një vepër letrare dhe historike janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Fantazia, imagjinata, trillimi, etj., janë më shumë privilegje të një vepre letrare sesa të një vepre historike, ku e vërteta është e faktuar me fakte. Çështja është këtu, se kjo vepër nuk ka ton atakues ndaj ndonjë religjioni. Por vargia e problemit është bërë nga persona të cilët nuk kanë qenë në korrent me veprën dhe kanë krijuar sulme jo të sakta. Për problemin në fjalë, mesa unë kam dëgjuar, autori ka idetë e veta aty. Natyrisht që ai duhet të ketë lexuar edhe autorë të ndryshëm, por ajo që është sigurt, është fakti që akoma ne sot nuk kemi të dhëna të sakta për këtë problem. P.sh një autor i madh francez, Kastelani, thotë që islamizmi është përhapur në Shqipëri dhe Ballkan pa dhunë. Unë nuk besoj kështu, sepse vitet e para duhet të kenë qenë vite të dhunshme, pastaj problemi kaloi ndryshe, ku shqiptarët u konvertuan për arsye të tjera ose për shkaqe mbijetese. Dhe unë do të thosha se kemi edhe kategori me një oportunitet religjioz, ku në një familje ka ndodhur shpesh që një vëlla të ishte mysliman dhe vëllai tjetër katolik. E rëndësishme është që të kuptohet se Perandoria Osmane ishte një pushtet i bazuar mbi kapitulacionet, të cilat rregullonin marrëdhëniet e ndryshme të nënshtetasve. Dhe, nëse ne flasim për harmoninë fetare, po e them në mënyrë vulgare këtë shembull, pushteti në atë kohë nuk bënte ngatërresa mes këtyre feve. Myslimanit i thoshte ti je mysliman dhe rri urtë, katolikut i thoshte ti je katolik dhe rri urtë, dhe kështu edhe ortodoksit.

2.     Nuk mund të jap një gjykim dhe vlerësim të saktë në këtë çështje, pasi nuk e kam lexuar ende romanin "Të jetosh në ishull".

3.     Ajo është vetë një referencë letrare dhe jo historike.

Agron Tufa
shkrimtar

1.     Për hir të së vërtetës, më duhet t'ju kundërshtoj, duke ju ndërmendur këtu vjeshtën e vitin 2002 për librin e Aurel Plasarit "Dhjetë ditët që nuk tronditën botën", vitin 2003 dhe 2004 me romanet e Rudina Xhungës "Preja e një martese të lodhur" dhe "Sikur Ana", ndërsa Blushi 2008 është vetëm rasti i tretë. Në rregull? Debati, si atëherë, si tani ka qenë "me interes për median", krejt siç e cilësoni ju. Shitja në shifra "rekord" e këtij romani, si edhe e rasteve të autorëve të mëparshëm, e ka një "pse", sikundër dhe debati, i cili nuk është se vjen natyrshëm, por artificial: Ç'do të bënte, fjala vjen, një kalë nëse do t'i shtinim një grusht me miza? Nuk do të gjente rehat, derisa të çlirohej prej tij. Prej grushtit të mizave, po them. Kështu pra, kam hyrë në shpjegimin e fenomenit, të cilin e kam sqaruar më parë, në gazeta të specializuara letrare. Tani unë dua (por a do të më dëgjojë vallë kush?) të sqaroj disa gjëra thelbësore, që s'kanë të bëjnë me autorët e "sensacioneve", as me lexuesin e as me mendimin kritik e studimor mbi produktin letrar. Prandaj kjo kërkon vesh të mprehtë e, sidomos, vullnet të sinqertë, si kusht për t'u mirëkuptuar (ngase keqkuptimin e kemi gratis).
Nuk jam as me ata që e shajnë romanin e Blushit "Të jetosh në ishull", as me ata që e mbrojnë. Kjo punë nuk zgjidhet me rreshtim palësh "pro et contra". Në letërsi nuk hyhet me shpatë në dorë, por me asi pene të padukshme që ndikon tek lexuesi dhe kritika letrare, duke dhënë një efekt të ngjashëm si me atë vizitorin që është ngjitur në tarracën-kafe të një ndërtese 180 metër dhe, papritur, shkëputet nga biseda rreth filxhanit të kafesë dhe hedh sytë poshtë, fjala vjen, mbi urën e një lumi të lundrueshëm përposh. Atëherë njeriu vërtet kapet në befasi: I habitur shikon se si qenka ngjitur aq lart, ndaj provon trallisjen që të shkakton lartësia e pahetuar - një si marramendje e lehtë: Pamja përposh vallëzon, rrotullohet dhe, lagjja me grataçela, landshaftin, avulloret mbi lum sikur rrotullohen bashkë me të në një karusel të ngadaltë: ti nuk e ndjen të sigurt truallin nën këmbë: Ndodh ajo që thonë - "të të ikë truri!". Kësisoj pena nuk është ushtë, as bobë e flamur, as aromë e athët baruti patriotik, por përkundrazi, serum. Serum shërues, dehës, trallisës që të mundëson të përfshish të tërën brenda një shikimi vizionar, të shkapërcesh logjikën triviale të përditshmërisë dhe të ngjërosh "hisen e Zotave", "shpirtin absolut të historisë" me mistikën dhe ezoterikën e pavdekshme. Dhe gjuha... Gjuha është eliksiri që i drogon kuptimet racionale nëpërmjet efektit të saj magjistar, sugjestionues. E tash e kuptoni dhe vetë se për asgjë të këtillë nuk bëhet fjalë në veprat që parashtruam. As të Blushit. Pra, ja ku dolëm më në fund: Çfarë e ka shallashtisë kaq keq lexuesin shqiptar, sa ta qortojë veten se, gjoja, është ton i keq të mos e kesh lexuar librin e Filan Fistëkut? Keqkuptimi! Komedia e përjetshme e Keqkuptimit mbi atë çka është letërsi serioze, e përjetshme dhe sozisë së saj tunduese, mashtrimtare që është letërsia masive/masovike. Ky është kurthi që përsëritet vazhdimisht, jo vetëm në kulturën tonë, por edhe në ato kultura imune e me profilaksi të sofistikuar. Në këtë kurth (të pranimit dhe receptimit) të letërsisë masive si letërsi e vërtetë kanë rënë goxha burra me gjithë kostum e kollare, tullecër e kripëgjatë, aq sa rrengu s'ka të sosur, si në atë përrallën me shtrigën plakë që rri buzë gjolit me një shkop në dorë: Bëlldum! Bien në ujë dyzina derhem burrash që s'dinë not: Përpëliten të dalin, rendin drejt plakës të kapen pas shkopit të saj, ndërsa ajo zgërdheshet, i ndrys më fort drejt fundit: "Zhytu bir, zhytu se mbete pa hise!".
Po çfarë është letërsia masive/masovike? Po e reduktoj këtë nocion që në Fakultetin Filologjik ua jap studentëve në një cikël leksionesh.
Letërsia masive/masovike është një narracion tepër popullor që ka lindur që në shekullin XIX si fenomen social i qendrave të urbanizuara në kulturat paramoderniste. Kryesisht me zhanrin e romanit, kjo letërsi etiketohet si romani dedektiv; romani shkencor (science-fiction) dhe joshkencor (fantasy) ose fantastik; romani western dhe romani dashuror (romani i damave, romani rozë, i grave); fotoromanet dhe kinoromanet, romani mistik, historik. Emërtimet e njohura si "letërsi e verdhë", "bulevardeske", "konjukturale", "ideologjike" etj., janë pjesë e orbitës së kësaj letërsie. Ndaj të gjithë këtyre zhanreve zbatohet gjithashtu termi literaturë triviale, argëtuese, eskapite, e tregut apo "e lirë", - zhanër paraletërsi, beletristikë, më së mbrami dhe etiketimi vlerësues i vrazhdë "limonadë" - në të përkundërt me "elitaren", "oborrtaren", "aristokraten", "dijetaren"; apo ndryshe letërsia e "ulët", në të përkundërt me letërsinë e "lartë".
Letërsia masive si rregull, zgjedh një temë intriguese që nuk lë askënd indiferent në grupe të caktuara shoqërore dhe imiton modelin e letërsisë serioze. Përkundrazi, poetika e narracionit, si rregull, është e "mbyllur" (në të kundërt me "veprën e hapur" të U. Ekos). Në këtë kuptim, ajo i përgjigjet plotësisht kërkesave kanonike të pikëlidhjes, kulminacionit dhe pikëzgjidhjes, e jo rrallë edhe kritereve tradicionale për klasicizmin e tërësisë së kohës dhe të vendit. Narracioni masovik ka një lexues llahtarisht të gjerë, ngase nuk e kushtëzon lexuesin me asnjë reflektim estetik, meditativ apo filozofik. Ky auditor nuk ua ka takatin receptimeve të tilla: Lexuesi masiv, ashtu i papërgatitur dhe sipërfaqësor, gjendet në varësi psikike nga ngjarja dhe mezi pret të kthejë fletën tjetër, ndryshe nga kredhja e ngadaltë në lexim, shijimi i gjuhës, poezisë, imazheve autentike dhe nëntekstit lodërtar ndërmjet rreshtash. Modelet e letërsisë masive shiten, lexohen, mund t'u rrëfehen lirshëm lexuesve të tjerë apo kujtdo qoftë, sipas modelit të ritregimit të lajmeve të reja-taze në gazetën e mëngjesit, apo të ndonjë reviste fletëpakë me tirazh të madh (në aspektin konkret letërsinë masive e përqasin me mjetet e komunikimit masiv dhe shfrytëzojnë për studimin e saj po ato metoda sasiore - teknikën e kontent-analizës, procedurat statistikore). Prandaj procesi konsumimit masiv i çdocilit libër të veçantë të llojit të këtillë, si rregull, është mjaft i shkurtër (në kufijtë e një apo dy sezoneve, e shumta - një viti), ndërkaq që prurja e veprave të reja të këtij zhanri është gjithnjë e stërmadhe. Konkurrenca e modeleve, sipas ligjësive të tregut, është krejtësisht e tendosur, ndërsa qarkullimi dhe ndërkëmbimi i tyre - është shumë i shpejtë (procese të ngjashme kemi, për shembull, për modën masive).
Gjithë procesi i konsumit të letërsisë masive, sikundër e përmendëm më lart, kalon zakonisht jashtë sferës së vëmendjes profesionale, analizave dhe rekomandimeve të recensentëve letrarë, kritikëve "ekspresë", "vëzhgonjës" apo "komentonjës". Madje procesi i konsumit të letërsisë masive kalon jashtë sferës së pedagogëve dhe studentëve, madje edhe jashtë vëmendjes së bibliotekarëve të bibliotekave masive. Në të shumtën e rasteve në zgjedhjen e lexuesve ndikojnë të tillë faktorë të rëndësishëm për vetëdijen e paspecializuar, si interesi-ves që është formuar me kohë kundrejt librave të këtij tipi, zhanri, teme, syzheti, e fort më të rrallë - kundrejt një autori të caktuar, d.m.th., kundrejt një strategjie të caktuar botuese, kundrejt vetë kanalit të komunikimit.
Me letërsinë masive/masovike nuk merret kritika letrare, studimi filologjik. Sepse është një proces që ndodh jashtë dyerve të letërsisë, ndonëse konsumohet në tirazhe miliona kopje. Është rrota e përditshme e preshit dhe spinaqit që konsumohet para se të vyshket shumë shpejt. Shitshmëria e saj që të befason (siç na kanë befasuar edhe në Shqipëri) nuk i kap gjithsej 3 stinët, hajde - një vit. Mandej del libri tjetër i sensacionit masiv dhe libri i mëparshëm katandiset të shitet me gjysmë çmimi apo në kosha. Vini re një gjë: Edhe klasikët e këtij narracioni masiv/masovik si Agata Kristi, Danielë Stil, Stefen King, Nikolas Spark, Den Braun, Harold Robins, Aleksandra Marinina etj, etj., as që përmenden qoftë dhe shkarazi në Historinë e Letërsisë së çdocilës kulturë nacionale. E thashë: Është një proces që ndodh jashtë dyerve të letërsisë. Si funksionon popullariteti i kësaj letërsie? Fushata aktive e reklamës për avancimin e modelit (më saktë, të tipit të dhënë të modeleve) për tek lexuesi, e cila realizohet, nga njëra anë, në një formë të tillë kulturore sociale të suksesit dhe konfirmimit/pranimit si "bestseller" ("bumi" i shitjes së javës, sezonit, vitit), dhe nga ana tjetër - në figurën e shkrimtarit/shkrimtares si një prej "yjeve" të publikut dhe i/e cili/cila bëhet modë e fabulës së komunikacionit masiv mediatik (veçse në këtë rast dhe në këtë cilësi emri, pamja e jashtme, jeta e përditshme e autorit mund të jetë për lexuesin e gjerë, e njohur, interesante dhe me autoritet - ndërsa burimet, natyra dhe thelbi kuptimor i një shkrimtari-klasik janë krejt të tjera!); mekanizmi i përsëritjes që mbështet dhe shumëzon suksesin, mund të jetë një përsëritje "në hapësirë" (kinemaja dhe tele-ekranizimi i librit sensacional, shndërrimi i emrit të heronjve të librit dhe autorit në distinktive mode, ndërsa shëmbëlltyra e tyre - në suvenire) dhe "në kohë" (seria/kolana, vazhdimi pa të sosur i syzheteve që bëhen në llojin e vet "trashëgimi klasike" e kulturës masive - sikundër janë të tilla ndër shumë sosh, "Tre musketierët" dhe "Tarzan", "Fantomas", "Bashkë me erën", "Beautiful", "Dinastia", "Kloni", "Paloma", "Lost", "Shtëpiake të dëshpëruara", etj).
Arsyet e shitshmërisë edhe për romanin e Blushit janë pikërisht marketingu, reklama, angazhimi tërësor i shtypit dhe, natyrisht, padituria e intelektualëve tanë që e ushqyen dhe i dhanë përmasën e një ngjarjeje kulturore romanit. Për mua romani i Blushit ka sjellë një të mirë të madhe: Shpalosjen e mediokritetit të inteligjencies tonë, e cila duke mos gjetur tjetër sebep të fisëm për diskurs historik, e gjeti këtë jo tek dokumentet historikë, por tek një roman i letërsisë masive/masovike.

2.     Isha duke pirë kafen e mëngjesit në "Vila Logoreci", kur një analist i njohur kalon atypari dhe më kthehet e më bën rezil: "Po si more nuk ju vjen turp ju shkrimtarëve! Rrini ju, rrini... del një Ben Blush dhe ua bën çorap letërsinë, ndërsa ju heshtni!". Ishte vërtet qesharak ky melodramatizëm, por unë iu përgjigja shfajësueshëm: "Zotëri, unë jam shkrimtar, jo roje fushe!". Vepra artistikisht i ka dobësitë, të cilat po i rendis pa i analizuar: E para - gjuha. Është një gjuhë pa reliev, e dystë, e përgjithshme. Stili dëftor, informativ, pa dinamikë. Do të thosha një "stil anemik, vegjetarian". Kam përshtypjen se në Shqipëri kanë harruar për fare ç'do të thotë tekst artistik, "kënaqësia e tekstit", sipas R. Barthes. Është e vetmja dorëzani për ta klasifikuar një vepër "artistike" apo "jo artistike". Për mua mbetet një vepër me të gjitha simptomat e narracionit masiv. Nëse vepra nuk qëndron në këtë pikë, atëherë vetvetiu bien të gjitha planet e tjera, ideore, kulturore, artikuluese. Mua nuk më shqetëson aspak se çfarë flet Blushi për historinë, a ka vërtetësi historike apo jo. As kë provokon vepra. Zaten qëllimi i letërsisë masive është të provokojë! Mua më intereson shkrimtari B. Blushi. Dhe atë nuk e gjeta në asnjë faqe. Ndërkohë që, e theksoj, Blushi është njeri me shije, gjykuar nga poezitë e hershme eksperimentale, të botuara në antologjinë "100 ushtarë". Më vjen vërtet keq që e ka shpërdoruar talentin e tij të vërtetë në një vepër kompromentuese të letërsisë masive, sepse për një ndërgjegje shkrimtari nuk ka vlerë shitja, madje duhet parë me dyshim kjo, nëse e do vërtet suksesin real. Nëse më lejohet farë këshille si vlerësues i përvojës së tij të hershme letrare, do të doja të ndikoj pikërisht në këtë drejtim: T'i largohet kësaj përvoje fiktive, se vetë ka për ta parë sa e rreme dhe sa e shkurtër është ajo. Është një gëzim kallp, që nuk mban gjatë.

3.     Ky do të ishte një pretendim qesharak, pas gjithë atyre që kemi folur më lart. Thjesht, romani do të harrohet e zor ka për ta nxjerrë më kush në dritë. Jo se e them unë. Kështu thotë ligjësia e pamëshirshme e letërsisë masive. Do të dalë një roman tjetër i këtij lloji, një sensacion i ri që do ta zhvendosë vëmendjen. Sërish kritika do të bjerë "bëlldum" në kurth. Ndërkohë lexuesit i duhet të piqet, Blushit të vendosë në duhet ta përsërisë përvojën apo të ndjekë shembullin distancues të Balzakut nga romanet e tij të parë bulevardeskë. Nëse keni vënë re, të gjitha konfigurimet në studio qenë përzgjedhur nga organizuesi në mënyrë të tillë, që të mos kishin haber nga diskutimi letrar. Përndryshe kompania nuk do t'ia arrinte qëllimit të marketingut. Në gjithë studion nuk gjeje një shkrimtar për të qenë, një kritik letrar apo një studiues të letërsisë. Pse kishin frikë vallë? Më mirë nga të gjithë, këtë e kupton organizuesi i emisionit "Opinion". Jo drejtuesi - organizuesi...

Mark Marku
shkrimtar

1.    Së pari, mendoj se romani i Blushit ka shkaktuar një debat të tillë për shkak të pozicionit social, politik dhe publik të vetë Blushit. Ai është një figurë e rëndësishme politike e së majtës shqiptare dhe libri del pikërisht në momentin kur e majta është në krizë. Libri i Blushit sikur e gjallëron pak jetën ideore dhe shpirtërore të së majtës. Së dyti, libri i Blushit provokon me disa ide që kanë të bëjnë me të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Çështja e fesë është një çështje që provokon. Problemi nuk është tek fakti se këto ide nuk kanë qarkulluar edhe më parë në letërsi, pasi p.sh tek Kadare idenë e konvertimit të shqiptarëve e gjejmë të artikuluar në shumë raste, si tek "Sjellësi i Fatkeqësisë" apo tek romani "Çështje të marrëzisë".
Por problemi është se këtë e thotë një personazh i rëndësishëm politik dhe në këtë rast mesazhi letrar lexohet si një mesazh politik. Së treti, ky roman shkakton debat sepse autori Ben Blushi është një person që ka ditur shkëlqejë në gazetari, në politikë dhe njerëzit mendojnë se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe në letërsi. Problemi është se në letërsi koha rrjedh më ngadalë dhe konfirmimi politik nuk është i mjaftueshëm për të konfirmuar vlerat e një vepre letrare. Deri tani për romanin kanë folur ish-presidenti Meidani, me profesion matematikan; gjeologu Mero Baze, historiani Kristo Frashëri, ushtaraku Fatmir Toçi, një klerik që nuk ia di emrin dhe ndonjë tjetër. Kjo nuk është e mjaftueshme. Libri së pari duhet të lexohet, pastaj të gjykohet. Duket se tani për tani në plan të parë është shitja dhe instrumetalizimi i tij për arsye politike. Të presim.

2.     Nuk e kam lexuar ende edhe për shkak të zhurmës që është bërë për të, ashtu sikurse nuk kam lexuar ende "Kodin da Vinçi". Kanë thënë se libri shtron probleme të rëndësishme që kanë të bëjnë me konvertimin e shqiptarëve. Unë kur kërkoj një informacion historik e kërkoj në librat e historianëve dhe jo të shkrimtarëve. Librat e shkrimtarëve i lexoj thjesht si letërsi. Dhe kjo nuk ka të bëjë me kohën kur botohen ato. P.sh tani po lexoj një libër shumë të mirë të botuar vite më parë, të shkrimtarit francez Le Clezio dhe jo ndonjë libër të botuar një vit më parë. Pas këtij libri mund të rilexoj "Komedinë Hyjnore" dhe më pas Blushin, të riun.

3.     Meqenëse nuk e kam lexuar librin, pyetja e tretë bie.

Altin Haxhinasto
shkrimtar

1.    Fillimisht duhet bërë një ndarje e subjekteve të pyetjes suaj. Arsyet e interesit që ka ngjallur romani "Të jetosh në ishull" i Ben Blushit në media janë esencialisht të ndryshme nga arsyet e publikut.
    Mediat, si biznese me objekt specifik, që operon me mallin - informacion (i cili domosdoshmërish duhet shitur, si çdo mall tjetër), janë në kërkim të lajmit, sensacionit, scoop-it. Blushi është një person që bart targe përfaqësimi politik. Po ashtu, ka një rreth të ngushtë familjar të lidhur me krijimtarinë letrare. Në karrierën e tij profesionale ka eksperienca pune si gazetar. Vëmendja fillestare për një person kaq të shfaqur publikisht ka të bëjë me kureshtjen që ngjall produkti në një fushë që ai s'e ka lëvruar më parë - konkretisht letërsinë - e krahasuar kjo me produktet në fushat e tjera të lëvruara prej tij, por edhe një lloj krahasimi me produktet analoge të personave që gjenetikisht kanë lidhje me të. Përdorimi i mediave si mjet marketingu është i njohur dhe impakti që ato japin është mjaft i madh. Çdokush që merr përsipër të nxjerrë një libër në qarkullim bën disa "kalkulime" (po përdor termin e autorit për fjalën shqipe njehsim): Kosto botimi, shpërndarje, marketingu, detyrime fiskale. Këto hesape i ka bërë edhe botuesi i veprës, i cili ka investuar personalitetin e tij në shënimin përcjellës të vendosur në kopertinën e pasme, duke marrë një kosto të madhe personale në dhënien e të tilla vlerësimeve e që s'është mjaftuar vetëm me kaq. Edhe autori ka bërë ca llogari të tijat, një nga të cilat ka qenë shfrytëzimi i mediave për marketing, pa e futur dorën në xhep. Fundja përse të paguash për diçka që të ofrohet falas?! Natyrisht që nuk përjashtoj në futjen në valle të mediave të caktuara edhe arsye krejtësisht subjektive, që kanë të bëjnë me raportet personale të vendimmarrësve të tyre me autorin e librit.
    Publiku, si një shumësi multifytyrëshe kulturash, formimesh, interesash, i larmishëm në ndjeshmëri artistike e, ca më shumë, në ato ideologjike, po ashtu ka një shumësi arsyesh për interesin e treguar karshi veprës, të cilat nuk mund t'i ndash me thikë nga njëra-tjetra, pasi fragmentizimi i tyre mund t'i bëjë pamjaftueshmërisht të mëvetësishme e të afta për të dhënë impaktin që shohim sot. Po mundohem të radhis disa prej tyre:
    Mediatizimi i tejskajshëm i disa aspekteve të ashtuquajtura historike, që trajton autori në vepër, duke vënë fokusin në një problematikë, për të cilën një pjesë e këtij publiku ka hipersensibilitet, siç është feja, krijon ngacmimin e parë. Futja në skenën e debateve publike e individëve që gëzojnë poste drejtuese në strukturat e larta të klerit, pavarësisht se nuk flasin e nuk japin qëndrime zyrtare të institucioneve që përfaqësojnë, por qëndrime personale të tyre, është një ngacmim i fortë për këtë shtresë. Këtu fus jo vetëm kampin e "të lënduarve", por edhe kampin tjetër, të atyre që fërkojnë duart me kënaqësi kur gjejnë mes rreshtave pozicionime që u shkojnë për osh, herë haptazi e herë në mënyrë të kamufluar.
    Një pjesë tjetër e publikut, e cila nuk ka këto lloj ndjeshmërish, por që ka kuriozitetin për t'u informuar në lidhje me kumtet (jo letrare) që sjell vepra, është kontingjenti më i gjerë i kontribuuesve financiarë, që ka sjellë rekordet e shitjeve, siç i quani ju. Çmitizimi i figurës qendrore historike shqiptare, Skënderbeut, i dhënë në kontekstin e pasojave historike që passollën veprimet apo mosveprimet e tij, si dhe i figurave të tjera të një rëndësie minore, si Ali Tepelena, për këtë pjesë të publikut ka ngjallur interes, njësoj si "molla e ndaluar".
    Pjesa tjetër e publikut, që kanë shtrydhur xhepat për të paguar çmimin e librit, janë dashamirësit e letërsisë, të cilët kërkojnë të orientohen në invazionin e botimeve mediokre, që kanë përmbytur tregun, duke u nisur nga zhurma mediatike që u bëhet botimeve të veçanta. Këta janë ata që kanë mbetur më të zhgënjyerit nga shpenzimi i bërë pasi kanë mbyllur fletën e fundit të librit (nëse kanë mundur të shkojnë deri atje). Nuk po fus në këtë kategori snobët, që dinë të flasin me kompetencë për çdo temë të nxehtë edhe pa e njohur fare objektin e diskutimit.

2.     Në raftet e librarive ka qindra tituj librash të pluhurosur, nga gjithfarë autorësh vendas e të huaj, që kanë fituar ekzistencën e tyre publike nga liria e botimeve pa kurrfarë kriteresh artistike. Nisur prej kësaj, një libër më shumë a një libër më pak nuk do të përbënte ndonjë problem, nëse gjithçka do t'i lihej sitës së vlerësimit estetik. Është shumë e udhës të ndalesh e të diskutosh për një vepër të mirë letrare, të analizosh kompleksitetin e gjallimit të saj artistik, si produkt që është krijuar dhe është destinuar të ravijëzojë dimensione të reja, të paeksploruara të shpirtit njerëzor dhe ta latojë atë nga pikëpamja estetike. Do të ishte marrëzi të merreshe me analiza të një vepre të dobët artistikisht, sado emër të madh të ketë autori i saj. Fatkeqësisht, nuk mund ta themi këtë kur një vepër e tillë serviret me etiketa kallpe marketingu, siç është vepruar me romanin në fjalë dhe hidhet për konsum si mall i vlerë, pasi një produkt i tillë është më i rrezikshëm se produktet alimentare me data të kapërcyera skandence, që mund t'i bëjnë keq veç stomakut. Me sa duket, ngasjes për të bërë letërsi nuk i shpëtojnë lehtë ata që merren me fjalën, këtë mjet të shumëpërdorur prej gjithkujt, që nga komunikimi i përditshëm, nga gatimi i lëndës mediatike e deri tek manualet shkencore. Veçanërisht kjo ngasje është e dallueshme tek një pjesë gazetarësh, të cilët, njësoj si autori i veprës për të cilën po flasim, nuk kanë lënë mundësi pa përdorur për t'i mediatizuar produktet e tyre "letrare", duke shënuar edhe rekorde shitjesh. Por, të bërët letërsi ndryshon cilësisht nga të bërët gazetari, njësoj siç ndryshon puna e poçarit nga ajo e skulptorit, ndonëse të dy punojnë me argjilën. Për të mos përsëritur ato që kam thënë edhe në një shkrim tjetër në lidhje me këtë problem, po sjell në vëmendjen e lexuesve disa prej "gjynaheve" artistike të veprës, me shpresën se kjo lloj kritike nuk do shërbejë si marketing i mëtejshëm për të, siç ndodh rëndom me kritikat "e ashpra".
    Në parantezë dua të theksoj, se edhe për dukuritë më subjektive, përfshirë këtu edhe artin, ka njësi matëse dhe vlerësimi objektive. Mjafton që t'i njohësh ato dhe t'i vendosësh në krahun e duhur të peshores për të marrë vesh nëse ke të bësh me mall kallp apo të vlerë. Autori ka harruar (ose s'e ka ditur) se një vepër artistike lind nga përthyerjet emocionale që shkaktojnë një ose disa ngjarje, në spektrin estetik të shpirtit të artistit dhe përçohen nëpërmjet produktit përfundimtar (veprës) tek konsumuesit e artit, për të krijuar tek ata të njëjtin kompleksitet emocional që ka provuar autori në ngjizjen dhe realizimin e veprës. Nëse do ta kishte marrë në konsideratë sa thashë më sipër, ndoshta autori do kishte ngurruar ta shkruante emrin e tij në ballinën ku vendoset autorësia, pasi vetëm emocion estetik nuk shihet as ndihet gjëkundi.
    Romani kërkon një strukturë kompozicionale të aftë për ta mbajtur në këmbë materialin letrar që do përçohet tek lexuesi. Hallakatjet e paorganizuara të fabulës, fatet e personazheve që merren e lihen në mes të rrugës, pa ndonjë funksion konkret, krijojnë çoroditje tek lexuesi, atë çoroditje që do ketë pasur teksa shkruante vetë autori i veprës. Përsiatjet dhe ligjërimet e tejzgjatura të personazheve të lodhur, që shpesh shkojnë në dhjetëra faqe, ngjajnë si arna mbi kostum, të qepura me pe të bardhë. Por gjynahet më të mëdha autori i ka me shqipen e shkretë, që e ka rrudhur në nivele zhargoni e, për më keq, i ka hedhur vend e pa vend sheqerosje "poetike", që prozën e bëjnë të velshme.
    Ky lloj romani nuk cënon vetëm standardet estetike të lexuesve, por fyen edhe inteligjencën e tyre, kur servir si informacione të dorës së parë ekstrakte të foshnjëzuara nga librat e shenjtë, Bibla e Kurani - të stërnjohura botërisht - të cilat as kanë ndonjë vlerë simbolike në kontekstet që përdoren, as nuk krijojnë ndonjë shkrirje harmonike me kumtet artistike të veprës (nëse mund të flitet për të tilla). Për të mos folur për gafa të tjera, si konsumi i domateve e i kastravecëve nga popullsia e shekullit të tetëmbëdhjetë, kur dihet se këto bimë kanë hyrë si produkte ushqimore në Ballkan vetëm në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë.
    Përpjekja e autorit për të krijuar një "thriller" alla-Dan Brown, ka përfunduar në një plagjiaturë të pakuptimtë, me ca katrorë shifrash e emrash, pa asnjë lloj sistemi logjik, që nuk i thonë asgjë lexuesit dhe dyshoj shumë nëse i thonë ndonjë gjë autorit.
    Po i kursej gjynahet e tjera, për të mos u dhënë më shumë vlerë se ç'meritojnë.

3.     Po përsëris edhe një herë një fakt të pranuar botërisht: Letërsinë nuk e bëjnë të madhe apo të vogël idetë filozofike, mesazhet ideologjike apo faktet historike që ajo mund të trajtojë, por përkundrazi, janë këto ide, mesazhe apo fakte që kanë nevojë për letërsinë për t'u përçuar tek njerëzit nën sigurinë dhe jetëgjatësinë që ofron emocioni estetik, të cilin e krijojnë letërsia dhe artet e tjera, duke i dhënë atyre edhe vlerën e përbotshme. Në këtë kontekst, e vetmja referencë për të cilën mund të shërbejë romani "Të jetosh në ishull" është se si NUK duhet të bëhet letërsi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora