Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: 70 vjetori i bombardimit të Tiranës

| E diele, 13.10.2013, 03:15 PM |


13  TETOR  1943 - 70 VJETORI I BOMBARDIMIT TË TIRANËS

Pjesa I.

Nga Fritz RADOVANI

Në Shqipni “rrêna i ka kambët e gjata”!..

Plot 70 vjet që vazhdon me rrêjtë Shteti Shqiptar, Akademia e Shkencave dhe me té, të gjithë ata mercenarë historianë, që nuk e shkruejnë një rresht per bombardimin ma mizor të Luftës së Dytë Botnore, me 13 Tetor 1943, ora 13.13’ të drekës, ku u vranë 503 qytetarë të Tiranës nga Aleatët. Bombardimi filloi tek fusha e vjeter e aviacionit dhe vazhdoi per të gjatë rrugës së Kavajës, deri tek shtëpia e oficerëve (klubi i artistëve)...

Tirana u la me gjak!

Deri sot që po mbushen plot 70 vjetë të kësaj gjakderdhje të pashembullt, askush nuk ka tregue qellimin e vertetë të ideatorëve barbar kundrejt popullsisë së pafajshme të Kryeqytetit Shqipnisë Tirana... Dhe, as nuk duket kund “e verteta” e shemtueme e të gjithë atyne që e projektuen dhe zbatuen këte veper kriminale!

Shqipnia e shkelun nga një pushtues tek tjetri...Pa i shpallë luftë “askujt”...dhe pa pasë pushtue KURRË një pëllambë tokë të huej, bombardohet kur sejcili asht me lugë në dorë, tue shty të shkreten kafshatë e tue mendue se “çka t’ bajmë per darkë”?

Bombardohet një nga zonat ma të popullueme të Kryeqytetit, dhe nuk vritet asnjë “okupator”...vetem, kalimtarë dhe njerzë të ulun nder sofrat e bukës së drekës!

Edhe sot mbi trotuarët e asaj rrugë perballë Kishës së Jezuitëve, janë nder pllaka gjurmët e ciflave të hjekuna të atyne bombeve që gjakosën një Popull të pafaj...

Gati 15 vjet perpara kobra Nexhmije Hoxha, i pohon gazetares R. Xhunga, se “ne komunistët nuk kishim si të pohonim bombardimin nga Aleatët, se ne ishim me ta!”

Sigurisht, as Aleatët, nuk kishin si të pohonin bombardimin e tyne mbi kokat tona të mituna...e mbi të gjithë Ata Shqiptarë, që per 47 vjet nuk e harruen atë “Gjak !”

Vertetë u vranë e u masakruen me mija Burra... U interrnuen mija familje e humbën pergjithmonë nder kampet e shfarosjes komuniste, e edhe pse ikëm nga Europa me flamurin e “revolucionit”, terroristi Ramiz Alia deklaroi: “I kemi ruajtur lidhjet e vjetra si unë dhe shoku Enver...Edhe gjak do bëjmë...Pushteti është perjetësisht yni !”

***

Ishe i vogel tre vjeç, në shtëpinë nr. 173...tue ngranë drekë me Baben dhe Nanen.

Zhurma e uturima e avionëve si atëditë, vazhdon edhe sot në trunin tim...

Në zbritje të shkallës Baba u vra! Nana filloi virrmen... Unë nuk kuptova asgja!

Atë natë u nisëm per Shkoder dhe arrijtëm nga mesnata...

Mbas dy o tre ditësh dikush në rrugë holli një bombë... U trondita nga krisma e saj dhe vrapova tek prehni i Nanës, shikova Nanën e topitun dhe kishe thirrë: “Gjak!”

Unë kujtoj vetëm Fëtyren e tronditun të Nanës...po jo, thirrjen time “Gjak!”...

Kujtoj, se kur fillova me u rritë dhe na dilte gjumi spontanisht nga shprazja e armëve në orët e para të ditës, në Zallin e Kirit, jo larg nga rruga Badra, ku jetonim...

Automatikët e komunistëve godisnin në trunin tim gjithnjë thirrjen “GJAK !”...


(Pjesa e parë...Vazhdon.) Melbourne, Tetor 2013.