E enjte, 18.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Mendime

Edlira Gjoni: Krom dhe kufoma në Bulqizë

E shtune, 24.05.2008, 12:21 PM


Edlira Gjoni
Krom dhe kufoma në Bulqizë     

Shkruar nga Edlira Gjoni    
 
Një tjetër minator vdiq sot në Bulqizë. Ai i shtohet kështu numrit të shumtë të viktimave në minierat e qytetit verior”, kështu niste të mërkurën në ekranet televizive ky lajm. Është bërë aq i zakonshëm, sa edhe në renditje e fundosin. Është bërë aq rutinë, sa pa pikë mundimi e përcjellin lajmin të thatë. Vdiq edhe një kryefamiljar tjetër në Bulqizë. U bënë 15 në 15 muaj. E që nga i pari deri tek i 15-ti dëgjohet refreni i pangjyrë: “një tjetër minator vdiq sot në Bulqizë”. Përse nuk iu bëhet ndonjë gjysmë pyetje pronarëve, shfrytëzuesve, fitim-nxjerrësve të atyre minierave vdekjeprurëse? Çdo ditë shumica dërrmuese e meshkujve të Bulqizës, që nuk kanë alternativë tjetër punësimi, futen në minierë me ndjesinë se po futen në varr. Çdo mëngjes secili pyet veten: “A do të dal gjallë sot në mbrëmje”? Kështu duket sikur thonë fytyrat e tyre në pamjet arkiv që përdorin televizionet kombëtare e çkombëtare sa herë që ka një vdekje në Bulqizë.

Por akoma nuk është munduar ndonjë kamera që prej grevës së urisë vitin e kaluar, të shkojë deri tek kamaret e zeza nga del kromi, por nuk del njeriu një herë në muaj. Sa tonë minerale nxjerrin përditë prej aty këta fakirë që takojnë vdekjen? Sa eksportohet? Cila është kostoja? Po fitimi? Po përfitimi i shtetit? Po paga e këtyre mjeranëve? Pagesa qesharake që disa familjarë thonë se nuk i kalon 35.000 lekët në muaj, është çmimi që pronarë vendas e të huaj i kanë vënë frymorëve që i pasurojnë me kromin dhe me jetën e tyre. Në një rast të vetëm ku vdekja nuk u mjaftua me një trup, pushtetarë të dorës së dytë e opozitarë të etshëm për popullaritet zbarkuan për të ndenjur në Bulqizë për një gjysmë ore. Pas saj e ndjenë të panevojshme të sfidonin dhimbjen e familjarëve të fundosur, erën e rëndë të mineralit që kishin sjellë me vete kufomat dhe erën e ftohtë brisk të zonës së mprehtë “larg qytetërimit”. Mbi tokë mund të duket ashtu, por poshtë saj ai “vend i harruar” vazhdon të joshë vëmendjen dhe xhepat e kryeqytetasve pushtetarë, që me koncesion kanë dhënë jo vetëm minierat, por edhe jetën e banorëve të pazot që ndajnë ditët me vdekjen aty.

Kushtet e punës, pagat, sigurimet, e prapë kushtet e punës. U lodhën të shkretët familjarë duke folur pa pikë shprese në kamerat e rralla që ju drejtohen në fytyrat e rraskapitura nga pamundësia për ta ndryshuar fatin e tyre. Por kjo nuk është muzikë për veshët me pushtet.

Bulqiza po përsëritet pak si shpesh dhe as për median nuk përbën më lajm të “cilësisë së parë”.  Fatkeqësia është e të gjithëve. Sigurisht që ministri  nuk mund të japë mendim për vdekjen e një njeriu të vetëm. Por kur ky njeri vdes 15 herë në trupa të ndryshëm në të njëjtin vend, kambanat duhet të jenë duke shurdhuar edhe të vdekurit vetë, e jo më ministrin apo pushtetarët që s’kanë kohë të merren me Bulqizën. Me njerëzit e saj s’merren, se me mineralet merren që ç’ke me të.

Pas tragjedisë së minierës së Selenicës u duk sikur institucionet shtetërore do ta merrnin gjithë seriozitet sigurinë e kushteve të punës nëpër këtë sektor tejet të vështirë të industrisë. Po ç’seriozitet? Të gjitha palët janë të zënë me ture dialogu e festash për anëtarësime maskuese. Shoqëria civile e sheh ndërhyrjen dhe mbështetjen të kombinuar me zvogëlimin gjithnjë e më të rëndë të fondeve; media është totalisht pre e politikës dhe interesave të ngushta të botuesve; rrjedhimisht, minatorët duhet të vazhdojnë të vdesin siç kanë bërë deri tani. Pa zhurmë, pa bujë dhe me rigorozitet.

Vetëm kur viktimat ta kalojnë sërish numrin 3 brenda një dite (dhe kjo duhet idealisht të ndodhë në periudhë elektorale ose promovimi), atëherë po. Do të zbarkojnë edhe politikanët, edhe media, edhe shoqëria civile në Bulqizë. Do fryjnë situatën pa e shfryrë problemin dhe do ikin me të njëjtën shpejtësi që do vijnë.
Në Bulqizë vdekjet do të jenë të lira të shëtisin po njëlloj sa nga një familje në tjetrën. Të pllakosin dyert e atyre që akoma ju ka ngelur kryefamiljari në këmbë. “Një tjetër minator vdiq sot në Bulqizë”.  Po pse duhet transmetuar sikur është diçka që thjesht duhet të ndodhte? Pse të jepet me idenë e ftohtë akull, armiqësore dhe johumane se kjo është pjesa që ju ka rënë për hise atyre njerëzve të mjerë? S’është aspak kështu! Atje ka kompani, pronarë, koncesionarë dhe shfrytëzues të dukshëm e të padukshëm që po pasurohen jo vetëm me kromin, por mbi të gjitha me shfrytëzimin maksimal për një pagesë qesharake të njerëzve që iu vënë pa asnjë mungesë jetën në rrezik mëngjes për mëngjes. Ç’e ka gjetur fjalën “ndjenjë përgjegjësie” ndër shqiptarët? Është zhdukur nga fjalori e nga përdorimi bashkë.

Prandaj askush nuk sillet para ekranit, të shpjegojë më në fund: “Përse vdekjet në Bulqizë raportohen ftohtë, por përpikmërisht, kurse ndodhitë e tjera për ato miniera, jo”? Varrimin e minatorit e filmonte sërish një kamera amatore. Njëlloj si filmi me të cilin xhirohet jetë-vdekja e atij qyteti çdo ditë!

P.s. Për kujtesë të pushtetarëve, medias dhe shoqërisë civile, Bulqiza ndodhet  219 km në veri të Tiranës. Minierat e saj janë dhënë me koncesion për kompani vendi dhe të huaja, që shpesh sillen si “pronaret” e Bulqizës dhe të jetës së banorëve të saj. Lista e firmave mund të gjendet pranë Ministrisë së Ekonomisë. Transporti publik për në Bulqizë kryhet vetëm nga makinat që transportojnë krom. Nëse vendosni të përdorni ato, sigurohuni të mos keni hipur mbi ndonjë kufomë që po transportohet gabimisht bashkë me kromin që s’e mbushi kurrë me bukë barkun e familjarëve të tij. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora